EVOKIME EMOCIONUESE DHE TORTURUESE, VEÇSE EDHE ÇMASKUESE DHE DËNUESE ! (11)

18/05/2020 07:49

DËSHMI KOHE

 

EVOKIME EMOCIONUESE DHE TORTURUESE, VEÇSE EDHE ÇMASKUESE DHE DËNUESE ! (11)

Zeqir DURAKU

 

Drejtori i Teatrit Krahinor të Prishtinës, i vitit 1983, por jo vetëm AI..., pos tjerash ma pat ndaluar ...jo vetëm hyrjen në Teatrin Krahinor të Prishtinës, por, ma pat ndaluar hyrjen edhe në kafenenë e atij Teatri!

 

Besoj se s'po gabohem që po them, se pikërisht, aty, në fillim të vitit 1983, kur regjisori, Agim Sopi donte ta përgatiste në Teatrin Krahinor të Prishtinës dramën ”Shënimet e Gjon Nikollë Kazazit” sipas romanit me të njëjtin emër të Jusuf Buxhovit; se, atëherë, Agim Sopi veç ishte i punësuar si regjisor në Teatrin Krahinor të Prishtinës; dhe sipas pohimeve të atëhershme të vet Agim Sopit: Ngaqë nuk kishte aktor të denjë në Teatrin Krahinor të Prishtinës që do mund t'ia interpretonte rolin e ”Të çmendurit”, pra, në dramën ”Shënimet e Gjon Nikollë Kazazit”, Agim Sopi kërkon aty nga Teatri që të më mundësohesh mua, Zeqir DURAKUT, që ta interpretoja atë rol; sepse, gjithnjë sipas regjisorit Agim Sopit (atëherë), atë rol, më së miri; siç duhesh dhe denjësisht mund ta interpretoja (luaja) vetëm unë, Zeqir DURAKU.

 

Dhe, prandaj, ashtu, Agim Sopi merret vesh me njerëzit kompetentë dhe adekuat të Teatrit në fjalë dhe, edhe dakordohet me ta që unë ta luaja atë rol në atë dramë me kusht që pastaj, unë edhe të pranohesha si aktor i rregullt në Teatrin Krahinor të Prishtinës; sepse, Agim Sopi më njihte mirë e shumë mirë si AKTOR, ndaj edhe shumë arsyeshëm edhe e dinte dhe e ndiente nevojen e domosdoshme që të më kishte patjetër aty, në Teatrin Krahinor të Prishtinës.

 

Prandaj dhe ashtu, Agimi më lajmëron dhe më thërret mua, se atë kohë, ç'prej vitit 1981 që më kishin larguar nga Teatri i Kombësive të Shkupit, isha te shtëpia ime në Drenicë; dhe ashtu, pasi që më lajmëroi dhe më thirri Agimi, shkova në Prishtinë, në Teatrin Krahinor që të marrëveshesha me Agimin dhe në atë mënyrë, pastaj edhe të filloja nga përgatitja e rolit të ”Të çmendurit” të dramës në fjalë.

 

...Përgatitjet për shfaqjen e asaj drame, sa po m'kujtohet edhe tash, patën zgjatur, po nja tre muaj, nëse jo edhe më shumë.

 

Gjatë tërë kohës sa patën zgjatur provat e përgatitjes së shfaqjes në fjalë, s'kam si mos ta theksoj e potencoj FORT dhe jo vetëm indinjueshëm, këtu, se, i pata përjetuar, herë më pak e herë më shumë, e herë-herë tepër shumë: Vrazhdë e tepër vrazhdë të gjitha urrejtjet, dhe jo vetëm urrejtjet..., e mundshme të fshehta, gjysmë të fshehta; të hapta e deri edhe vrazhdësisht të hapta e të vrazhda kundër meje, që gati pa përjashtim paten treguar dhe tregonin, kush më ndryshe se tjetri; dhe, kush më pak e kush më shumë, aktorët e Teatrit Krahinor...; por, gjithsesi urrejtësit më të hapët; më të mëdhenjtë dhe më të vrazhdit kundër meje, Zeqir DURAKUT; dhe kundër pranisë time në Teatrin Krahinor të Prishtinës gjatë asaj kohe, u patën treguar: aktori, Skënder Tafa; aktori, Adem Mikullovci, i cili, me sa pata kuptuar atëherë, ishte edhe ”POLICI” i Teatrit, se ashtu pata dëgjuar për të, nga të tjerët aty, në Teatër; mandje, ishte Sabri Fejzullahu, si dhe Drejtori i Teatrit aso kohe, por, njëkohësisht edhe aktori, Hazir Miftari.

 

...Patjetër më duhet ta vë qartë në dukje këtu, por edhe në spikamë, se aktorët e Teatrit Krahinor të Prishtinës, VEÇANËRISHT, gjithmonë i kishte merakosur dhe jo vetëm MERAKOSUR... dhe i kishte shqetësuar, fshehtaz dhe haptaz, dhe vazhdonte gjithnjë t'i merakoste e t'i shumëmerakoste; t'i shqetësonte keq; t'i frikësonte dhe, edhe t'i tmerronte: -Eventualisht mundësia e të QENURIT tim i pranishëm si AKTOR në Tetrin Krahinor !

 

...Megjithatë, dhe megjithë të gjitha tjerat...(!) që, tash e këtu, nuk po e shoh, as të mundur dhe as shumë të nevojshme që t'i ceku, patjetër; kur e kuptova se çfarë roli do të luaja në dramën në fjalë dhe kush ishte dhe çka ishte në fakt ”I ÇMENDURI” në atë dramë; që në fillim u patëm marrur vesh me Agimin që në interpretimin e atij ”Të çmenduri”, Agimi si regjisor mos të më përzihej fare sesi dhe qysh do ta interpretoja UNË atë rol, njëkohësisht duke i premtuar regjisor-Agimit se megjithatë gjatë të interpretuarit të ”Të çmendurit” në fjalë, unë në asnjë mënyrë dhe për asnjë rast as në asnjë çast, nuk do ta pengoja në asnjë mënyrë, gjatë interpretimit tim, asnjë aktor aty në shfaqje gjatë interpretimeve të roleve të tyre; dhe, tamam ashtu të marrëveshur edhe u dakorduam dhe vendosem me Agimin.

 

...Ashtu dhe në atë mënyrë edhe filluan provat e shfaqjes, që, më në fund, edhe i mbaruam, dhe, ashtu e pastaj erdhi edhe dita dhe mbrëmja kur do të shfaqesh edhe premiera e dramës “Shënimet e Gjon Nikollë Kazazit”, në Teatrin Krahinor të Prishtinës.

 

”I ÇMENDURI” në dramën ”Shënimet e Gjon Nikollë Kazazit”, siç e kisha nuhatur, formësuar dhe kuptimësuar UNË, ishte një rol jashtëzakonisht i vështirë për t'u luajtur, nëse do të LUHEJ sikurse lypsej e sikurse duhesh! ...Dhe, pa asnjë dyshim, prandaj, mund të them se ai ROL ishte roli, jo vetëm më i vështiri për t'u interpretuar nga të gjitha rolet tjera të asaj drame... ngaqë, ishte i tillë, madje edhe për faktin sepse ”I çmenduri” ishte i vetmi person në atë dramë që tërë kohën sa zgjaste drama duhesh të ishte e të shiheshte në skenë..., dhe pandërprerë duhej të interpretonte, veçanërisht dukshëm e qartë, dhe theksueshëm -vetëm me pantomimë fytyre dhe trupi; sepse, ”I çmenduri” në atë dramë, gjatë tërë kohës nuk e thoshte as edhe një fjalë të zëshme, por gjithçka që shihte dhe dëgjonte të bëheshte e të zhvilloheshte ”në skenë”, ”I çmenduri” duheshte ta thoshte dhe ta shpreheshte mirë dhe teatralisht, qartë e shumë qartë dhe bindshëm e shumë bindshëm për publikun, pra, vetëm me pantomimë fytyre dhe me pantomimë, me veprime dhe me gjuhë trupore.

 

...Dhe, asisoji, pastaj e në fund të dramës, prej krejt ASAJ çka sheh e dëgjon si ndodh e pse ndodh në ”skenë”; gjegjësisht, në Gjakovën e kohës se Gjon Nikollë Kazazit, ”I çmenduri”, sigurisht në shenjë protestuese e revoltuese të skajshme, -ia vë FLAKËN vetes..., dhe, ashtu, me atë pamje e me atë skenë heroike-tragjike dhe skajshmërisht tronditëse edhe përfundonte aty shfaqja e dramës ”Shënimet e Gjon Nikollë Kazazit”.

 

Premiera e shfaqjes “shënimet e Gjon Nikollë Kazazit” qe e suksesshme dhe jashtëzakonisht e suksesshme; së pari, për faktin se duartrokitjet e publikut që e kishte përcjellur shfaqjen, e, që e kishte mbushur sallën e teatrit cep me cep, qenë duartrokitje frenetike dhe të gjata e aq të gjata...! ...Madje, se ”Të çmendurin” e kisha luajtur, vërtetë shumë mirë dhe, edhe shkëlqyeshëm, jo se po them unë, sepse, për më tepër, e vërtetoi edhe fakti se edhe pas, së paku një ore, apo edhe më shumë që kishte mbaruar shfaqja, kur më në fund dola prej teatrit, aty në shkallët e teatrit si dhe në sheshin përtej shkallëve të teatrit kishin qenë, jo pak studentë, nëse nuk do thoja, kishte qenë turma e studentëve të Prishtinës duke më pritur derisa unë të dilja nga Teatri; dhe ashtu, kur dola nga teatri, turma e studentëve zuri të më duartrokiste dhe të më brohoriste me fjalë shumë mburrëse dhe me komplimente të veçanta për ”TË ÇMENDURIN” qysh dhe si e kisha interpretuar atë mbrëmje, aty në Teatrin Krahinor të Prishtinës.

 

Por, kur, një apo dy ditë pas premierës së shfaqjes në fjalë shkova prapë në Teatër; porsa hyra në Teatër, portieri i teatrit më ndali duke më thënë se: “Drejtori i Teatrit e kishte urdhëruar që mos të më lejonte që të hyja brenda në Teatër dhe të mos më lejonte që të hyja më as edhe në kafenenë e Teatrit!”

 

...S'do mend, që, pata reaguar aty e atëherë ndaj asaj sjellje dhe atij qëndrimi të derëtarit të Teatrit, karshi meje; porse, tash nuk po m'kujtohen mirë e saktë se çka i pata thënë atëherë aty derëtarit dhe as çka më pat thënë portieri i Teatrit, mua; por, sidoqoftë, aty dhe ashtu m'u dasht që të dilja nga Teatri..., ndërkaq që, nuk mund të mos isha i vetëdijshëm aso çaste, se, kurrë më parë, as nuk kisha dëgjuar që të i ishte ndaluar, sidomos ndonjë aktori, por as edhe ndokujt tjetër, hyrja në atë Teatër; dhe aq më pak, hyrja në kafenenë e atij Teatri..., por, ja që, mua, Zeqir DURAKUT, dhe vetëm mua, pra, me sa dija unë, më ndalohej edhe hyrja në Teatrin Krahinor të Prishtinës dhe, ( ...çka s'më ndalohej MUA në Kosovë, dhe jo vetëm në Kosovë atëherë) prandaj, më ndalohej hyrja edhe në kafenenë e Teatrit Krahinor të Prishtinës (!?!!!) sado që, s'kam si mos ta përsëris edhe në këtë mënyrë, se, edhe vetëm aq sa isha unë në dijeni, gjithmonë kishin hyrë dhe hynin në Teatrin Krahinor të Prishtinës, ...madje, edhe kush kishte dashur dhe kush s'kishte dashur ...dhe hynin kështu e dilnin sa herë dëshironin dhe pandërprerë në atë Teatër, pra, edhe ”qeni e thiu” dhe, edhe ”Djalli me të birin”; porse, Zeqir DURAKUT i ndodhte që, pos tjerash, as të mos i lejohej që të hynte, jo vetëm në Teatrin Krahinor të Prishtinës, por i ndodhte, madje, që të mos lejohej që të hynte, bile ...as edhe në kafenenë e Teatrit Krahinor të Prishtinës dhe të Kosovës !?!!!

 

...Edhe pse ndodhte si thash deri tani se ndodhte me mua, dhe VETËM ME MUA, e keqja dhe e keqja më e madhja e asaj që ndodhte me mua ishte sepse, nuk dija asfare arsyen e vërtetë, apo arsyet, pse ndodhte me mua ashtu si ndodhte me mua, aty, në Teatrin Krahinor të Prishtinës (?!!!) ...aq më tepër edhe për faktin, kur e dija mirë se qysh, sesi dhe me çfarë marrëveshje dhe me çfarë kushtesh edhe kisha ardhur aty në Teatër që ta interpretoja atë rol të ”Të Çmendurit” në atë dramë, ...ndërkaq që, pa asnjë mëdyshje, atë rol të ”Të Çmendurit” e interpretova, me të vërtetë, shkëlqyeshëm; për çka edhe unë vetë isha plotësisht i sigurt, dhe për çka pakundërshtueshëm dhe krejt haptaz e vërtetoi këtë që po vazhdoj ta them, edhe vetë reagimi i publikut pas përfundimit të shfaqjes, dhe, pastaj, edhe reagimi i publikut edhe jashtë Teatrit, në shkallët e Teatrit dhe në sheshin përtej shkallëve të Teatrit Krahinor!!!

 

 

...Por, megjithatë, filluan të më ndodhnin aso gjëra e ato gjëra aq të liga, të poshtëra, të pritura, e të papritura dhe, prandaj edhe fare të paarsyeshme por, gjithsesi KREJT TË QËLLIMTA ...vetëm pas premierës së shfaqjes të suksesshme e më shumë sesa të suksesshme, patjetër, ...të paktën sa i përkiste rolit të “Të Çmendurit” të shfaqjes në fjalë!

 

...Mirëpo, ashtu si krejt papritms , më në fund, dhe ngadalë-ngadalë, fillova që të dëgjoja, ngapak dhe nga shumë: ...se, Drejtori i Teatrit, Hazir Miftari dhe Drejtoria e Teatrit Krahinor ”Ma kishin ndaluar pjesëmarrjen edhe mëtutje në atë dramë, pas shfaqjes së premierës së saj, dhe ma kishin ndaluar, madje, edhe hyrjen e mëtutjeshme edhe në Teatër si dhe hyrjen edhe në kafenenë e Teatrit, nga arsyeja dhe shkaku se Drejtori i Teatrit, Hazir Miftari si dhe njerëzit tjerë që kishin të bënin me Drejtorinë e Teatrit, më konsideronin ”Të çmendur” vërtetë, dhe, prandaj, më konsideronin edhe ...të rrezikshëm, e shumë të rrezikshëm; ...ndaj dhe kishin frikë dhe shumë frikë, se, UNË, përveç që e kisha ”kallur veten” në skenë të Teatrit, - do ta kallja ...edhe Teatrin !!!”

 

...Le të merret me mend, prandaj, se, edhe çfarë trillimesh dhe çfarë insinuatash dhe çfarë shpifjesh jo vetëm monstruoze UDBESKE sajonte e përdorte Drejtori i Teatrit Krahinor të Prishtinës dhe njerëzit përreth tij, në Teatër e më gjerë, që të ma pamundësonin vazhdimin e interpretimit mëtutje të “Të Çmendurit” aty në Teatër dhe njëkohësisht të ma pamundësonin edhe mundësinë që unë të mund të vazhdoja që edhe mëtutje të mund të isha në atë Teatër dhe të mund të vazhdoja edhe mëtutje, pra, edhe të punoja në Teatrin Krahinor të Prishtinës! ...Prandaj, dhe patjetër, le të dihet përgjithmonë dhe le të merret me mend edhe tash, por, edhe në të aedhmen, nga njerëzit normalë (nga shqiptarët normalë) e të arsyeshëm, se çfarë qëndrimi dhe çfarë sjellje ka pasur kundruall meje, Zeqir DURAKUT, në Kosovë UDBA JUGOSLLAVE dhe veçmas UDBASHËT shqipfolës, apo, edhe shërbëtorë të pagur, ose edhe shërbëtorë vullnetarë, veçmas (shqipfolës) të UDBES, në çdo hap të jetës sime dhe në çdo lëvizje dhe veprimtari time, po se po në Kosovë; por, jo vetëm në Kosovë!!!

 

...Teatri Krahinor i Prishtinës; Drejtori dhe Drajtoria e atij Teatri, jo vetëm që ma ndaluan mundësinë që të vazhdoja interpretimin e “Të Çmendurit” pas shfaqjes së premierës të shfaqjes në fjalë, por, Drejtori dhe të gjithë njerëzit që kishin të bënin me Drejtorinë e Teatrit në fjalë, ma ndaluan pra, edhe hyrjen e mëtutjeshme në Teatër; ma ndaluan, sikurse thash edhe më parë, edhe hyrjen edhe në kafenenë e Teatrit, pa më dhënë MUA drejtpërdrejt as dhe asnjë shpjegim as asnjë arsye as private dhe as zyrtare pse vepronin ashtu me mua e kundër meje!

 

...Drejtoria e Teatrit Krahinor të Prishtinës, madje-madje, nuk më pat paguajtur fare as për ata tre-katër muaj sa pata qëndruar në Prishtinë gjatë asaj kohe për përgatitjen e rolit të “Të Çmendurit” në dramën “Shënimet e Gjon Nikollë Kazazit”; dhe, tërë atë kohë pata ndejtur në Prishtinë, me shpenzimet e mia.

 

...Dhe, nga aq shumë raste që do mundja dhe që do ia vlente edhe t'i përmendja dhe që do mund edhe t'i theksoja dhe potencoja këtu, patjetër më duhet, së paku, ta ceku edhe një rast, jo pak të veçantë dhe domethënës, ...kur, gjatë asaj kohe sa isha duke ndejtur në Prishtinë për rolin e “Të Çmendurit”, pat ardhur në Prishtinë Teatri i Kombësive të Shkupit që ta shfaqte në Teatrin Krahinor një shfaqje, e cila, si quhesh, tash nuk po m'kujtohet. Atë ditë, pra, aty pas dite, kah mbrëmja, kur pat ardhur Tatri i Kombësive të Shkupit, për disa çaste unë isha i ulur ...aty diku në një qoshe të shkallëve të Teatrit; ku ashtu, të them, rrija, pushoja dhe bëja sehir ...krejt vetvetishëm, apo krejt kot; ...dhe derisa isha aty i ulur, në një moment, krejt papritmas ia bëhen aty pranë meje, sikur qëllimisht, Drejtori i Teatrit Krahinor, Hazir Miftari i shoqëruar nga Sekretari i Teatrit të Kombësive të Shkupit, Çasllav Sajkovski (Po e quaj ”Sekretari” se, të paktën, në atë pozitë e kisha lënë Çasllav Sajkovskin edhe në vitin 1981 kur më kishin përjashtuar nga Teatri i Kombësive të Shkupit) dhe, ...kur mu afruan fare pranë, pra, sigurisht dashtazi, Hazir Miftari e Çasllav Sajkovski u ndalen, dhe Çasllav Sajkovski me sjellje dhe qëndrim tamam polici dhe KRYEUDBASHI sikurse ishte dhe siç e njihja edhe prej motit, mu drejtua duke më thënë në serbokroatisht: (Shta trazhish ti ovde?!) Çka kërkon ti këtu?! Dhe, pa më lënë mundësi fare të përgjigjesha, për çka më pyeti; vazhdoj mëtej, Çasllavi: (Ti si poçeo da radish ovde na teatar?!) Ti ke filluar të punojsh këtu në teatër?! Dhe, prapë, pa më lënë kohë që t'i përgjigjesha as në pyetjen e dytë, vazhdoi, Çasllavi: (Ali, evo gde te kazhem ja, da ti nigde, ni na Kosovu niti u Makedoniju ni nigde niti u Jugosllaviju, osim drugo, neqesh biti dozvoljen, ni da radish!) Por, ja ku po të them unë që ti kurrkund, as në Kosovë, as në Maqedoni dhe kurrkund as në Jugosllavi, veç tjerash, nuk do lejohesh, as që të punojsh!

 

...E, ndërsa m'i thoshte këto (ato) fjalë Çasllav Sajkovski, Drejtori i Teatrit Krahinor, Hazir Miftari zgërdhiheshte me një jo vetëm zgërdhirje të ligë dhe të poshtër tipike UDBESKE me të gjitha nuancat tjera urrejtëse; nënçmuese e përbuzëse kundër meje; por, edhe me shprehje shumë të dukshme e të qartë përkrahëse aty ndaj kryeudbashit dhe kundërshqiptarit me damkë të Teatrit të Kombësive të Shkupit, Çasllav Sajkovskit ...dhe ashtu, që të dytë, Haziri dhe Çasllavi u larguan nga aty, nga unë, dhe mandej hynë në Teatër.

 

...Sidoqoftë, është për t'u cekur dhe theksuar këtu fort qortueshëm edhe protestueshëm e ashpër, në veçanti, qëndrimi dhe sjellja e regjisorit, Agim Sopit, për këtë çështje e për rastin në fjalë, ndaj MEJE, sepse vetë Agimi më pat thirrur me ngulm, me plot të drejtë që, unë, Zeqir DURAKKU, ta luaja atë rol të “Të Çmendurit” në ”Shënimet e Gjon Nikollë Kazazit” ...me të gjitha premtimet tjera të Agimit ndaj meje që edhe i ceka, sado pak, deri tash në këtë shkrim, për krejt këtë çështje, e, të cilat premtime i kishte bërë dhe m’i kishte dhënë Agimi paraprakisht bash për këtë çështje... si dhe për faktin pse pastaj më ndodhën e më ndodhnin krejt ato të pabëra, gjithsesi dhe patjetër në dijeni të plotë edhe të Agim Sopit e, veçmas ato të pabëra, por jo vetëm TË PABËRA...(!), pas premierës së shfaqjes në fjalë; ...se, ashtu, Agim Sopi, dhe s'ka si të jetë ndryshe, duke mos më mbrojtur fare nga të pabërat sa thash, prandaj dhe nga UDBASHËT dhe UDBASHIZMI i Hazir Miftarit dhe personave rreth tij në Teatrin Krahinor të Prishtinës; Agim Sopi, madje-madje, as nuk denjoj as që të më takonte dhe as, që të më shpjegonte, së paku, pse ndodhte ajo poshtërsi, ajo ligësi dhe ajo ultraçnjerëzi, por, edhe më shumë e më keq edhe sesa kështu që thash e që po them, kundër meje, në radhë të parë dhe mëse shumti nga Drejtori i Teatrit, Hazir Miftari si dhe nga njerëzit tjerë rreth Hazir Miftarit... , ku, prandaj, nga sa thash e po them, asisoj, patjetër, nga qëndrimi dhe sjallja NË FJALË e vetë Agim Sopit për këtë çështje, kundrejt meje, s'ka si mos të lihet dhe imponohet jo vetëm përshtypja..., se nga “këta njerëzit rreth Hazir Miftarit” dhe si ata njerëz rreth Hazir Miftarit dhe si vetë Hazir Miftari, për çështjen që jam duke e theksuar dhe potencuar këtu, mund të ishte, dhe të ishte fort bile, edhe Agim Sopi !?!!!

...Dhe, Agim Sopi, pra, jo që s'e bëri as këtë gjë dhe këto gjëra që e theksova e që i theksova këtu më parë e deri tash, por Agim Sopi, të pakten, madje, nuk më kërkoi fare as FALJE për të gjitha ato, jo vetëm keqtrajtime të pashembullta dhe për ato qëndrime e sjellje skandaloze e tejskandaloze që i bënte dhe zbatonte Drejtoria dhe Drejtori i Teatrit Krahinor të Prishtinës, Hazir Miftari, së bashku me njerëzit tjerë rreth Hazir Miftarit, kundër meje, Zeqir DURAKUT!

...Agim Sopi, pas vitit 1981, më sa mbaj në mend edhe tash, pat bërë edhe drama televizive..., dhe, pat bërë, madje, edhe filma...; dhe, në filmat e bërë nga ai, Agimi pat angazhuar, pos tjerëve, (nëse s'po gabohem) ...edhe njerëz që s'ishin aktorë fare ...dhe të tjerë që ishin edhe më keq edhe sesa kështu...; por, mua, Zeqir Durakun nuk më angazhoi kurrë, as në dramat televizive dhe as në filmat e tij ! ...Veçse, jo vetëm Agim Sopi, por edhe të gjithë regjisorët shqiptarë (kosovarë) që kanë bërë, qoftë drama televizive, apo filma, si para vitit 1981 dhe, edhe pas vitit 1981; në dramat televizive që bënin ata; apo, edhe në filmat që ata xhironin, angazhonin, pos tjerëve, ...edhe ”specaxhi” por, mua, Zeqir Durakun, jo që kurrëkush nga TA, nuk më angazhoi dhe nuk më angazhonte, por, ashtu ndaj injorimit tim të tillë nga TA - s'kishte si edhe të mos lihej përshtypja dhe të mos krijohesh bindja se regjisorët shqiptarë (kosovarë), MUA, madje, nuk më konsideronin fare - as se isha gjallë kund !?!

 

...Vetëm se, le të dihet mirë dhe përngaherë, se, Agim Sopi, derisa nuk ishte i punësuar në Teatrin Krahinor të Prishtinës dhe, kur kishte nevojë për të përgatitur dhe për të bërë shfaqje teatrore ...edhe të niveleve më të larta, më kërkonte dhe më gjente ...ku isha dhe, edhe ku s'isha!?!

 

...Madje, Agim Sopi, por, edhe Fadil Hysa, derisa patën punuar dhe përgatitur me MUA shfaqje dhe ...kryeshfaqje teatrore, ...dhe, ashtu ndodhte vërtetë; si Agim Sopi dhe, edhe Fadil Hysa: -HAPTAZ; ZËSHËM dhe me bindje të plota, -Më konsideronin dhe më quanin edhe: “Aktorin më të mirë shqiptar!!”

 

...Edhe unë jam i bindur se, si Agim Sopi, ashtu edhe Fadil Hysa, SHFAQJET më të mirat teatrore në karrierat e tyre regjisoriale-artistike, deri më sot, (ndonëse i patëm bërë në kushte dhe pamundësi të këqija dhe tepër të këqija) i kanë bërë, bash me shfaqjet teatrore që i patën bërë me mua dhe deri sa patën bashkëpunuar me mua, Zeqir DURAKUN !

 

12.11.2014

(Fund)

 

 

Back

Contact

REDAKSIA artEX
NA SHKRUANI përmes portalit tonë KOMUNIKIMI/ Feedback !

© 2010 All rights reserved.

Create a free websiteWebnode