ERDOGAN DHE PUSHTETI NË SHQIPËRI
12/08/2019 06:39
OPINION
ERDOGAN DHE PUSHTETI NË SHQIPËRI

Nga Bedri ISLAMI
“Humnera, humnerën ndjell”- David.
“Te Kodra e Liqenit u ngrit Memoriali Erdoganist, për “dëshmorët e demokracisë së 15 korrikut 2016”.
Ky ishte lajmi që më dërgoi një mik i vjetër.
Nuk e besova. Dhe, pse duhej ta besoja?
Çfarë lidhje kishte mes dëshmorëve të një vendi, qoftë ky edhe ballkanik, me vendin tim?
Përse mund të ngrihet një Memorial i huaj në tokën time ?
Kur u mor vendimi për ngritjen e tij?
Kush e miratoi?
Kur u bë përurimi i tij?
A mund të ketë një memorial klandestin dhe pa ditë përurimi?
Presidenti turk Erdogan, qoftë mik i kujtdo, nuk është as zot, as shtetar i këtij vendi, e aq më pak një personalitet , shëmbëlltyra e të cilit mund të jetë e denjë për t’u ndjekur.
Karizmatik në fillimet e tij politike, mik që shpejt njeh armiqësinë si vlerë, tashmë me parandjenjën e frikshme, se mos takimi i dy botëve, ajo, e tija, e shmangies së reales, me atë tjetrën, jashtë tij, e dritshme e vlerës , do të ishte e dhimbshme, ai e bëri pushtetin rrugë të sundimit.
I dehur me pushtetin, ai nuk mund të sjellë këtu dehjen e ëndrrës së tij!
Shpesh herë djalli merr pamjen e engjëllit të reformës!
Në vendin e tij, i cili dalëngadalë po i rrëshqet nga sundimi, është i lirë të ngrejë memoriale dhe përmendore , ndoshta të merituara, si ato që u përballen me grushtin e shtetit.
Në vendin tonë ai mund të jetë i lirë të sjellë mesazhet e mikut të mirë, por jo të sunduesit; ai mund të sjellë botën e mrekullueshme orientale, ngjizur nga një botë e tërë, por jo gulçimat e saj; ai mund të sjellë përmendoret e poetëve të shquar, vargjet dhe rrëfenjat e të cilëve kanë mrekulluar shekujt dhe janë bërë trualli ku u ngrit Përlindja europiane, por jo emra të nderuar dëshmorësh.
Ah, mendova, sikur të mund të sillte Monumentin e njërit nga poetëve më gjenialë të njerëzimit, Abu-Al Qazim Mansur FIRDUSI, ( 932-1020), i njohur për kyeveprën poetike, eposin madhështor prej 60 mijë vargjesh “Shan Name” Libri i Mbretërve, që në fakt është simotra orientale e Iliadës, por me tingëllimën njerëzore të një bote tjetër, ku shkenca, arti, fjala, magjia, përralla dhe ëndrra ishin të shkrira tek njëra tjetra.
Përse presidenti turk nuk na sjell Sami Frashërin, ideologun e dritshëm të Rilindjes?
Ahet Zogu solli Naimin, Enver Hoxha solli Abdyl Frashërin, Edi Rama solli Mit’hatin, Rilindja një memorial me emrat e dëshmorëve rënë në shtetin turk!!!
Kush do e sjellë Samiun?
Memorialët e luftës e kanë peshën në vendin e tyre!
NUK KAPET MADHËSHTORJA, NUK MËSOHET HEROIKJA!
Në historinë e popujve ballkanikë ka akte të mençura dhe shembuj pasionues të mbrojtjes së lirisë.
Pagjumësia e Erdoganit nuk është pagjumësia jonë!
Të bëhesh mbret me vullnet, do të thotë ta shpikësh vetë mbretin!
Ne kemi kodet tona, nderin tonë dhe të rënët tonë!
Mjerisht, po i harrojmë!
Pashë këto ditë se si mbi varrin e Migjenit kishin mbirë barërat, ishte lëvizur pllaka ,dikur e mermertë, dhe mendova se mos është ngritur si Konstandini i legjendës për të sjellë një kumt të ri.
“Humnera humnerën ndjell” – thoshte Davidi.
Çfarë po ndjellim?
“Secilës ditë i mjafton pikëllimi i vet”.
DITA