EMËR HORIZONTESH DEGËKUQE

28/11/2013 06:24

Ese

 

EMËR HORIZONTESH DEGËKUQE

Shkruan: Tafil DURAKU

 

Vjeshta e vitit 1997, paralajmëroi pranverë të nxehtë. Në horizontin tonë të zënë fryme nga pushtuesi shekullor serbo-jugosllav dhe kuislingët e tij shqiptarë, qarkullonin rrëfime për një ushtri që po paraqitej në skenën tonë të ardhshme, e cila kishte për qëllim ta bashkojë Shqipërinë e copëtuar, të ndarë artificialisht në gjashtë shtete. Qëllimi: Bërja e Shqipërisë – SHQIPËRI, në kuptimin e plotë të fjalës. Për këtë u dha betimi që u shkel sapo përfundoi lufta… Po, sa gjaku kishte shkuar rrëke për ta bërë Shqipërinë tonë, a e vret mendjen ndokush nga të shiturit tanë në krye?... Nëntori, nisi me bujë të madhe në katundin Vojnikë të Skënderajt, në Drenishtë, horizonteve tona degëkuqe.

Më 25 nëntor 1997, forca të ushtrisë serbe, të kamufluara me rroba civile e policore, kishin vajtur në Lagjen e Binakëve, në Vojnikë, për ta kërkuar e arrestuar Komandantin famëmadh të UÇK-së, Sandokanin e njohur kudo, alias Abedin Rexhën.

Sandokani, sapo kishte kuptuar se e kërkonin njerëz të Serbisë, ua kishte koptisur pushkën, kishte hapur zjarr në ta, dhe, ata ishin kthyer mbrapësht, nga gishtat-thembrat, me kujën dhe tmerrin që patën përjetuar atë ditë nëntori të kuq shqiptar, në Lagjen e Binakëve, në Vojnikë të Drenishtës.

Ato forca ishin kthyer te punëdhënësit e tyre, në Skënderaj, dhe, kishin kërkuar përfocime shtesë edhe për një rrethim tjetër, për kapjen e Sandokanit, të gjallë, por, luftimet kishin përfunduar pa sukses, se, Sandokani i madh shqiptar nuk dorëzohej i gjallë…

Edhe sulmi i dytë u kishte shkuar huq pushtuesve serbomëdhenj dhe aleatëve të tyre nga radhët e “shqiptarëve” të mëdhenj e “burrave të mirë”, pasi që Sandokani me shokë e shoqe luftëtare u kishte dalur hundësh atyre forcave pushtuese fashiste, luftënxitëse, që torturonin e vrisnin qytetarë të pafajshëm shqiptarë, siç ndodhi edhe me fëmijën 12-vjeçar, nga Lagjja e Hadrojve të Vojnikës…

Qielli i kaltër, buzëqeshte në një cep të tij të largët dhe i gëzohej organizimit të ri të tri shkronjave tona të arta, të ardhmërisë sonë shqiptare, emër horizontesh degëkuqe Shqipëri. Pas luftimeve të ashpra, ishte mbajtur një takim i shkurtër i formacioneve të UÇK-së, të cilat, pas luftimeve, kur forcat pushtuese dolën të lagëta, te Lagjja e Binakëve, në Vojnikë, prisnin që forcat pushtuese e fashiste serbe do të provonin t’i zinin në befasi, dhe, po aty, vendosën të ndërrojnë strategji veprimi. Parashikimi i krerëve të UÇK-së qe i saktë, prandaj, për arsye taktike, u vendos që atyre forcave pushtuese, sado të forta që janë, t’u zihet pritë e organizuar, pikërisht, më 26 Nëntor 1997, një ditë pas luftimeve në Vojnikë, në Rezallë të Re.

Gjatë gjithë ditës, u bënë luftime të papara. Serbia pushtuese luftoi me të gjitha forcat dhe armatimin që kishte në dispozicion, duke përdorur edhe helikopterë dhe aviacion tjetër ushtarak, ku, po ashtu, forcat e UÇK-së, me të gjitha kapacitetet luftarake, nuk pranuan të thyhen. Madje, dolën fitimtare. Udha qe shtruar, përgjatë gjithë shtrirjes së saj, ku u zhvilluan luftimet, me teneqe të të gjitha llojeve të kalibrave të armëve që u përdoren me atë rast. Kjo krenari e parë e fitores së parë frontale të UÇK-së, kaptoi atdheun anekatëranë, jehoi kaltërsive të çiltra të qiellit të paanë…

Në Drenishtën heroike u ringjallën trimëresha e trima të çitur si Azem Bejtë Galica e Shotë Galica, si Ahmet Delia, Kamer Loshi, Shaban Palluzha e Mehmet Gradica, Tahir e Nebil Meha, … U ringjall shqiptaria.

Për herë të parë, forcat e UÇK-së sprovuan veten frontalisht me ushtrinë pushtuese e fashiste serbe të kryekriminelit të Evropës, Sllobodan Millosheviç. Beteja u zhvillua nën komandën e Komandantit Legjendar të UÇK-së, Adem Jasharit, ku, forcat serbe u zunë në befasi të paparë dhe u thyen keq. Ato kishin menduar ndryshe: ta rrethonin katundin e lindjes së Sandokanit të Madh nga dy drejtime, por, e patën pësuar keq dhe u prenë në fyt pikërisht në Qafëmalin e Rezallës së Re, mbi shpinën e shiritit të asfaltit shtrirë si një gjarpër përgjatë luginës, aty ku jehuan shqip grykëhollat e luftëtarëve të Lirisë së Shqipërisë e të Lirisë së popullit shqiptar.

Në atë betejë lapidare të UÇK-së merrnin pjesë të gjithë trimat e ushtrisë së Legjendarit Adem Jashari, bashkëluftëtarët Mujë Krasniqi-Kapuçi, Fehmi Lladrofci, Xhevë Krasniqi-Lladrofci, Ilaz Kodra, Rasim Kiçina, Abeja i madh… UÇK-ja u nda me lavdi në ato luftime të pabarabarta… Serbia fashiste u mund keq në këtë përballje të parë frontale me forcat titanike të UÇK-së shqiptare. Forcat pushtuese serbe u tërbuan nga thyerja që pësuan. Lan shumë të vrarë e të plagosur. Në tërheqje e sipër, ato shtinë pa asnjë kontroll, kudo, përgjatë rrugës, me breshëri të pandërprera zjarri armësh të kalibrave të ndryshëm, dhe, kur arritën në Llaushë të Skënderajt, nga breshëritë e tyre fashiste nuk e kursyen as shkollën fillore të Llaushës, ku, gjatë zhvillimit të procesit mësimor, vranë mësuesin Halit Geci, më 26 Nëntor 1997.

Goditja e betejës së parë frontale që iu dha forcave pushtuese e fashiste serbe, mori dhenë. Ndërkohë, u zgjodh dita e flamurit, 28 Nëntori 1997, kur do të varrosej me nderime ushtarake të tri shkronjave të ardhshme të Shqipërisë, mësuesi Halit Geci, ku, papritmas, dolën në skenë tri fytyra emblematike të UÇK-së dhe treguan botërisht se populli shqiptar kishte aty bijtë dhe bijat e një ushtrie që do ta mbronte atë në çdo hap të zhvillimeve të ardhshme… Varrimi i mësuesit Halit Geci ishte varrimi më i madh që mbahej mend deri atëherë. Aty mori pjesë i gjithë populli shqiptar, nga të gjitha viset e copëtuara shqiptare… Aty, ranë maskat e maskaxhinjve dhe të maskarenjve që gënjenin popullin në çdo hap…

Nga fytyrat emblemë dhe gojët e Komandant Kapuçit e Beqir Gashit, si rreze dielli nëpër dritë pushke dolën vargjet lapidare të krenarisë sonë komëtare: Kreshtat e Kosovës kanë marrë ngjyrë të kuqe / Krushqit e Dardanit janë nisë me marrë nuse… Moj Kosovë e bukur / Do ta sjellim dritën / Gryka jonë e skuqur / Ngjallë Azem Galicën… Emri i UÇK-së qëndisur n’beteja / Na prin’ n’ballë të luftës / Për fitore t’reja!... Amaneti i tyre / Ta fitojmë Lirinë / Me pushkë mbrojmë Kosovën / E nderojmë Shqipërinë!... Këto vargje u shkrinë madhështorisht në ngjyrën e përflakur të qiellit shqiptar, ngjyrëgjaku, të brezave që dhanë gjithçka për Shqipërinë – SHQIPËRI…

Burojë, Nëntor 2013

Back

Contact

REDAKSIA artEX
NA SHKRUANI përmes portalit tonë KOMUNIKIMI/ Feedback !

© 2010 All rights reserved.

Make a free websiteWebnode