EKSKLUZIVE / DY MUAJT E FUNDIT TË JETËS SË ENVER HOXHËS, BISEDA DHE FJALËT E FUNDIT, RRËFIMI I JASHTËZAKONSHËM I DR. AHMET KAMBERIT

01/07/2023 05:57

EKSKLUZIVE

 

 

DY MUAJT E FUNDIT TË JETËS SË ENVER HOXHËS, BISEDA DHE FJALËT E FUNDIT, RRËFIMI I JASHTËZAKONSHËM I DR. AHMET KAMBERIT

 


   Enver Hoxha - EPOKË LAVDIE

Megjithëse kanë kaluar më shumë se 38 prej ndarjes nga jeta të Enver Hoxhës, interesimi për të ditur më shumë për jetën e njeriut që udhëhoqi Shqipërinë për gjysmë shekulli, vazhdon të jetë i lartë. Sot, po sjellim ekskluzivisht për gazetën DITA rrëfimin e njërit prej mjekëve personalë të Enverit, Dr. Ahmet Kamberit, i cili ka qëndruar thuajse natë e ditë për dhjetë vjet me radhë pranë ish-udhëheqësit komunist.

Pse po e botojmë tani këtë episod për Enver Hoxhën? Fare e thjeshtë: Duke qenë figura dominuese e politikës shqiptare për gjysmë shekulli, ai është i pashmangshëm nga historia, kujtimet dhe referencat. Nuk ka rëndësi kur botohen këto kujtime, rrëfime apo analiza. Rëndësi ka të shkruhet e vërteta.

Ahmet Kamberi flet si mjek personal i Enver Hoxhës, jo si historian. Ai shkruan për një pacient të veçantë, për të cilin sa i përmendet emri janë të shumtë ata që nxitojnë të lexojnë dhe të njohin sa më mirë jetën e atij që i udhëhoqi për shumë vite. Duan të dinë për ato që bëri dhe nuk bëri Ai… Sikurse lihet të nënkuptohet, dy muajt e fundit të Enver Hoxhës kanë qenë më të sikletshmit e Ahmet Kamberit, së bashku me Sabit Brokajn dhe mjekë të tjerë që i shërbyen besnikërisht deri në frymën e fundit pacientit të tyre të veçantë.  

Para disa vitesh, Prof. Ahmeti botoi një nga librat më interesantë për Enverin me titullin “Pacienti ynë i veçantë”. I shkruar me racionalitet, me logjikë shkencore dhe me fakte të pakontestueshme profesionale, libri ngjalli interes dhe u mirëprit nga lexuesit. Në këtë linjë është dhe ky rrëfim i Prof. Ahmet Kamberit në DITA për dy muajt e fundit të jetës së Enver Hoxhës. Është një rrëfim i nevojshëm që nuk e kemi njohur dhe që nuk ka nevojë për koment. Lexuesi le të gjykojë vetë.  Xh.Shehu

——

Prof. Dr. Ahmet Kamberi

 

Më 12 shkurt 1985 unë kisha radhën e shërbimit kardiologjik të pandërprerë pranë Enver Hoxhës, që në atë kohë kryhej vetëm nga unë dhe Sabit Brokaj. Dr. Hajro Shyti ishte larguar në vitin 1981 dhe profesor Ylli Popa, për arsye të ngarkesës që kishte në Fakultet dhe në spital, ishte larguar në vitin 1982. Unë isha në këtë shërbim që në mars të vitit 1976 dhe Sabiti që në vitin 1980.

Ne ndërroheshim çdo 24 orë, kur nuk kishte probleme. Ishim kurdoherë pranë tij, në shtëpi, në zyrë e kudo tjetër. Në mbështetje kishim kolegët e tjerë të Ekipit mjekësor që përbëhej nga prof. Fejzi Hoxha, internist dhe endokrinolog, profesor Petrit Gaçe, kardiokirurg, Isuf Kalo, endokrinolog dhe mjeku personal. Kryetar i Ekipit deri në vitin 1982 ishte prof. Llambi Ziçishti, kirurg, ish-ministër i Shëndetësisë dhe pas tij prof. Petrit Gaçe.

Shërbimi mjekësor dhe shëndeti i Enver Hoxhës konsiderohej sekret shtetëror dhe ne i përmbaheshim me përpikmëri kësaj.

12 shkurti 1985 do të ishte dita e fundit në zyrë e Pacientit (kështu e quanim midis nesh gjatë kohës në detyrë pacientin tonë Enver Hoxha). Atë ditë ai doli nga shtëpia si zakonisht rreth orës 8 të mëngjesit dhe mori pjesë në mbledhjen e Byrosë Politike. Pas mbledhjes u kthyem në shtëpi.

Makina e tij ndaloi si zakonisht para portës së oborrit. Unë vura re se në kohën kur ai doli nga makina dhe tentoi të ngrihej në këmbë gati u rrëzua, por Behari (Zhurda), truproja e tij, e mbajti. Ai e ndihmoi të hynte në shtëpi, nga ku nuk do të dilte më deri më 6 prill 1985. Ne në mbledhjen e Ekipit, pasi u konsultuam edhe me prof. Bajram Prezën, e lidhëm këtë ndryshim të beftë në gjendjen e tij me përkeqësimin e sindromit parkinsonik.

Ndryshe nga sëmundja e Parkinsonit, që është një sëmundje e veçantë, sindromi parkinsonik (parkinsonizmi sekondar) me natyrë vaskulare mund të ndodhë te të sëmurët që vuajnë nga diabeti dhe që mund të kenë pësuar ndonjë insult cerebral iskemik. Pacienti ishte diabetik dhe kishte kaluar një insult të tillë, të lehtë në shkurt të vitit 1984, prej të cilit e kishte marrë veten brenda 2 javësh.

Ajo që kishte ndodhur më 12 shkurt 1985 ishte një ndryshim cilësor në gjendjen e parkinsonizmit, i cili do të përcaktonte edhe zhvillimet e mëtejshme në shëndetin e tij dhe do ta vinte Ekipin mjekësor në alarm të pandërprerë. Unë personalisht pas asaj dite vendosa të qëndroja në mënyrë permanente në shërbim. Sabiti, të cilit ia shfaqa këtë vendim timin, ra dakord që në të njëjtën mënyrë të vepronte dhe ai.

Kështu ne do të mund të përballonim së bashku çfarëdo situate që mund të vinte. Pacienti kishte një qëndrim të veçantë ndaj sëmundjes. Edhe pse e kuptonte, nuk pranonte t’i nënshtrohej asaj, sidomos kur ai dyshonte se ne po e tepronim me përkujdesjen tonë, ose kur detyra e tij ashtu e kërkonte. Në të vërtetë, ai e demonstronte përbuzjen ndaj psikologjisë së të jetuarit me frikën e sëmundjes. Shenjat e para të parkinsonizmit kishin nisur që në fillim të gushtit 1984 kur ishte për pushime në Pogradec, si një dobësi e pashpjegueshme e që më pas do të vijonte me një ngathtësim të ecjes dhe njëfarë zvogëlimi të hapave, të cilat nuk kishin lidhje me shqetësimet diabetike të këmbëve.

Megjithatë, këto zhvillime të reja në gjendjen e tij shëndetësore nuk e ndaluan atë të shkonte ditë për ditë në zyrë sapo u kthye nga pushimet në fund të gushtit. Kur këto shqetësime u bënë më të theksuara, në konsultim me prof. Bajram Prezën, atij iu fillua mjekimi përkatës, pa e penguar të punonte. Në nëntor të vitit 1984, pas një viroze me temperaturë të lartë, ai pati një dobësi të jashtëzakonshme, sa mezi ngrihej në shtrat.

Kjo ndodhi në prag të manifestimit fizkulturor të rinisë, që do zhvillohej në stadiumin kombëtar “Qemal Stafa”. Ne kishim kërkuar që të mos ngrihej nga shtrati dhe e mblodhëm mendjen se kështu do të bënte. Por rreth një çerek ore para fillimit të manifestimit na njoftuan se përkundër këmbënguljes sonë Pacienti ishte ngritur dhe po dilte për të shkuar në stadium. Në tribunën qendrore ai u ngjit me ashensor, të cilin e kishin vendosur enkas.

Për habinë time, – unë qëndroja pak metra larg karriges ku ishte ulur, – ai u soll sikur të mos kishte kurrgjë. Bisedoi gjallërisht me shokët që kishte pranë dhe asnjeri prej tyre nuk mundi të kuptonte që ai sapo ishte ngritur i sëmurë nga shtrati. Pas kësaj ndodhie ai filloi ta merrte veten përsëri. Më 29 nëntor 1984 doli në tribunë në bulevardin Dëshmorët e Kombit dhe ndoqi paradën tradicionale.

Pas 29 nëntorit, gjendja e tij ishte relativisht e qëndrueshme, pavarësisht nga dobësia që ndjente dhe problemet me ecjen, edhe pse ne e kishim vënë nën mjekim për parkinsonizmin. Ai do të vazhdonte të dilte në zyrë si zakonisht, ditë për ditë pa e ndryshuar regjimin e tij.

Pasditeve bënte një shëtitje në parkun para shtëpisë dhe pastaj punonte deri në mbrëmje në studion e tij në shtëpi. Në fillim të janarit të vitit 1985 Pacienti u konsultua edhe nga neurologu i shquar frëng prof. Gautier. Ai nuk propozoi ndonjë ndryshim të mjekimit të përshkruar prej nesh.

Në këtë gjendje e gjeti atë 12 shkurti. Ndodhia e asaj dite do të shënonte një kthesë pa prapakthim në jetën aktive të tij. Për 12 vjet ai e kishte sfiduar sëmundjen dhe nuk e kishte lënë atë ta nënshtronte për asnjë çast. Megjithatë, këtu e mbrapa ai nuk do ta shihte më zyrën.

Duke vlerësuar këtë ndryshim dramatik të gjendjes së Pacientit, ekipi vendosi të dërgonte për konsultim në Paris dhe më pas në Vjenë prof. Prezën, Yllin dhe Isufin.

Që nga 13 shkurti e në vazhdim unë dhe Sabiti, siç e kishim vendosur vetë, do të ishim në shërbim permanent, ditë natë. Natën do të kishim edhe dr. Arben Finon (anestezist – reanimator) dhe në mënyrë permanente njërin nga 3 ndihmësmjekët: Fari Bufi (ndihmësmjeku i tij personal që nga fillimi i viteve 1970), Edmond Jorganxhi dhe Nexhat Kuke.

Pacienti, edhe pse nuk ishte në gjendje të ecte vetë, ngulte këmbë në regjimin e tij ditor sikur të mos ishte i sëmurë. Ai ngrihej në mëngjes si përherë, me karrocë shkonte në studio, ku punonte deri në drekë. Zbriste për të ngrënë drekë në dhomën e ngrënies. Bënte një pushim të shkurtër pas dreke, shkonte pastaj në studio dhe, kur vinte koha, zbriste për të ngrënë darkën, si zakonisht. Mirëpo gjendja e tij po përkeqësohej dhe ne nuk e ndiqnim dot si duhej, pasi ai na pranonte për vizitë vetëm rreth orës 22 a 22.30 kur bëhej gati të shtrihej për të fjetur, dhe jo përditë.

Në këto rrethana, më 22 shkurt, kur kolegët tanë nuk ishin kthyer ende nga jashtë, unë i kërkova Nexhmijes t’i thoshte Pacientit se duhej të qëndronte në shtrat. Ajo e refuzoi këtë dhe më kërkoi që t’ia thoshim vetë atij.

Në mbrëmje, kur ai më pyeti, pasi kisha mbaruar ekzaminimin, se si dukej puna, unë i thashë:

-Nuk jemi shumë të kënaqur shoku Enver, ju po na e vështirësoni ndjekjen dhe mjekimin tuaj si duhet.

-E pse kështu? pyeti ai i pezmatuar.

-Po, ja, i thashë unë, ju vetëm se nuk po dilni në zyrë, sepse s’keni ndryshuar asgjë nga aktiviteti juaj i përditshëm, ndërkohë që keni nevojë të qëndroni kryesisht në shtrat, të paktën për një farë kohe. I mërzitur dhe me një ton pak të rëndë ai ma ktheu:

-Dr. Bichat-ja jua ka propozuar këtë? (dr. Bichat, ka qenë një klinicist frëng i shquar dhe me këtë emër ai i drejtohej Nexhmijes, kur donte ta vlerësonte për ndërhyrjet në problemet e mjekimit të tij, por edhe kur donte ta ngacmonte). E pse s’ më ndjekërkeni dot, pesë hapa prej këtu jeni, vazhdoi ai me të njëjtin ton.

-Jo shoku Enver, u mbrojta unë, por po të kishit qenë një qytetar i zakonshëm, me gjendjen tuaj të tanishme, ne do t’ju kishim shtruar në spital. Nuk mund të veprohet ndryshe. Ai heshti për pak. Pastaj, mendueshëm theu heshtjen.

-Domethënë, jeni të vendosur për këtë, ma ktheu ai me një ton më të zbutur.

-Po, iu përgjigja unë shkurt. Ai heshti përsëri për pak çaste, m’i nguli sytë me atë shikimin e tij depërtues, sikur donte të më blinte mendimin dhe më tha:
-Mirë, atëherë, unë po ju propozoj këtë: nuk do të zbres më për të ngrenë në dhomën e ngrënies; do të përpiqem të ngrihem më vonë se zakonisht, do të dal në studio vetëm për 2 a 3 orë para dite; nuk do kërkoj të më sjellin dosjen nga zyra, përveç ndonjë materiali që duhet ta shoh medoemos, por me shokët në telefon do të bisedoj. Pasdite vonë do të dal përsëri, do të pres ndonjë shok për çështje pune, do të rri pak me fëmijët dhe do të ndjek lajmet në TV. Nëse jeni dakord me këtë, atëherë mirë. Gjithë kohën në këtë kat do të më keni.

-Dakord, shoku Enver, kështu po e lëmë, por do të na lejoni t’ju shikojmë më shpesh, t’ju bëjmë ndonjë analizë dhe elektrokardiogram pak më shpesh. Në të vërtetë, ne kishim hallin ta monitoronim, se pajisjet i kishim, por si hap i parë, s’mund të kërkonim më shumë.

-Po, po! Kështu e keni ju, të merrni gishtin dhe pastaj të kërkoni dorën, ma ktheu ai duke tundur kokën. Me kaq, gjithsesi, ne ishim të kënaqur. Nga përvoja e dinim se ai do t’i përmbahej asaj që thoshte.

Edhe pse ai iu nënshtrua regjimit të shtratit, punët, megjithatë, nuk po shkonin mirë. Kolegët tanë që u kthyen nga konsultimet në Paris e Vjenë, nuk na sollën ndonjë propozim të veçantë për diagnozat dhe mjekimin që ne po zbatonim.

Madje një propozim i kolegëve kardiologë francezë për përdorimin e një bari për gjendjen e zemrës ishte absurd. Në njëfarë mënyre ne e mirëkuptuam këtë propozim të bërë prej së largu. Duke mos e parë fizikisht të sëmurin dhe duke u nisur nga gjendja e veshkave, ata përpiqeshin ta lidhnin me këtë përkeqësimin e gjendjes së zemrës.

Por ata, me sa dukej, nuk kishin arritur të sqaroheshin se ne e peshonim pacientin 2 herë në ditë, matnim sasinë e lëngjeve që merrte e nxirrte, matnim sasinë e natriumit dhe kaliumit që merrte nëpërmjet ushqimit e nxirrte. Këtë punë e bënte në mënyrë të shkëlqyer infermierja e tij personale Drita Ndoni.

Ne ndiqnim me rreptësi jo vetëm ndryshimet e peshës së trupit, por edhe bilancin hidro-elektrolitik ditë për ditë. Kjo na mundësonte t’i përdornim diuretikët në mënyrë racionale. Kështu që këtë propozim ne nuk e pranuam. Propozimet lidhur me trajtimin e parkinsonizmit, nga Parisi dhe Vjena, kishin të bënin thjesht me manovrimin e dozave të barnave që ai po merrte për këtë problem. Sa i përket aritmisë ne kishim përdorur të gjitha alternativat bashkëkohore.

Pacienti pranoi të monitorohej

Vënia në regjim shtrati nuk ishte e mjaftueshme për ta ndjekur si duhej, por Pacienti nuk pranonte të monitorohej. Për ta kompensuar këtë në njëfarë mënyre ne linim te dera e dhomës së gjumit gjatë natës deri në mëngjes, njërin nga ndihmësmjekët, me radhë, Fariun, Mondin ose Nexhatin, por kjo nuk ishte zgjidhje. Na u desh të ngulnim këmbë që ta monitoronim me telemetri.

Më në fund ai ra dakord që të monitorohej, vetëm gjatë natës dhe jo me telemetri. Mirëpo kjo do të donte që njeri prej nesh të qëndronte brenda në dhomë për të ndjekur monitorin. Dhe kjo detyrë më ra mua.

Monitorimin e fillonim rreth orës 23, kur ai bëhej gati për të fjetur. Ishte një punë tepër e vështirë. Ulur pranë fundit të shtratit në heshtje të thellë ku asgjë përveç frymëmarrjes së Pacientit nuk dëgjohej, në ngrohtësinë e dhomës dhe në errësirë të plotë përballë ekranit të monitorit me dritëzën e vogël që përvijonte rrahjet e zemrës, përpjekja për të shmangur kotjen ishte vërtet e detyrueshme.

Në mëngjes, në orën 6, Nexhmija ngrihej lehte-lehtë, pa u ndjerë, nga divani në qoshen juglindore të dhomës ku ajo shtrihej, dhe shkonte në dhomën e saj për të marrë një sy gjumë. Kur Pacienti zgjohej, vinte Fariu për ta ndihmuar në tualetin e mëngjesit. Gjatë ditës njeri nga ndihmësmjekët qëndronte te dera e dhomës së tij, i gatshëm për ta ndihmuar të ngrihej për të shkuar në studio ose për të njoftuar për çdo shqetësim.

Kjo zgjati rreth dhjetë net, kur një ditë, sapo ai hapi sytë dhe iu përgjigj “mirëmëngjesit” tim, më tha: -Shiko doktor, kjo nuk vete kështu! Më mirë ma vini atë aparatin që thoni.

Ky do të ishte vërtet një lehtësim i madh për ne. Tani ne do të kishim mundësi ta monitoronim zemrën e tij 24 orë në 24, kudo, në dhomën e gjumit a në studio. Monitorin telemetrik e kishim vendosur në sallonin e madh pranë dhomës së gjumit. Gjatë ditës qëndronte pranë njeri nga ndihmësmjekët, kurse natën ishte gjithnjë njeri prej nesh. Aty edhe mund të lexonim.

Salloni ishte plot e përplot me libra të rinj në frëngjisht, anglisht e italisht.

Këndej e tutje Pacienti do të ishte në një ndjekje mjekësore intensive dhe do të pranonte në heshtje se sëmundja më së fundi e kishte mposhtur. Me karrocë ai lëvizte nga dhoma e gjumit në studio e anasjelltas. Herë pas here priste ndonjë nga shokët e tij në studio. Një ditë, kjo ka qenë aty nga fundi i marsit, pasi mbarova vizitën më tha: -Si i bëhet me oreksin, mo doktor? S’ më shkon fare. -Pse, ia ktheva unë, mos keni gjë shqetësime nga stomaku? -Jo, jo! tha ai, por këto ushqime që më lejoni ju, pa kripë, janë kashtë fare. -Mund ta zgjidhim këtë shoku Enver, i thashë, mund të hani ato ushqime që ju pëlqejnë. -Si, si? – ma preu ai me një habi të dukshme dhe duke më ngulur sytë tejshkues, – po më lejoni të ha ç’të dua!.. -Vetëm për disa ditë, sa t’ju përmirësohet oreksi, këtë edhe mund ta bëjmë, i thashë unë.. -Ëëë hë!.. ia bëri ai, duke tundur kokën, e mora vesh, tha. Dhe heshti.

Nuk mund ta vazhdoja më tej këtë bisedë dhe pas një heshtjeje të shkurtër, duke qenë se kisha mbaruar punë me vizitën, u largova. Në një nga vizitat e mëngjesit në ditët e para të prillit, pasi unë kisha përfunduar ekzaminimin, dhe Isufi po e dëgjonte me stetoskop, ai më pyeti: –

Hë, mo doktor, si duken punët. -Në përgjithësi mirë, shoku Enver, thashë unë. Ai nuk u ndie. Kur mbaroi ekzaminimin Isufi, ai iu kthye atij: -Hë mo Isuf, si duken punët? -Shumë mirë, shoku Enver, iu përgjigj Isufi. -Çfarë shumë mirë, mo, ia ktheu ai. Nuk e dëgjove ti, këtë, doktor Ahmetin, që tha “në përgjithësi mirë”.

Ne u zumë ngushtë. Isufi, duke qenë me stetoskop në veshë, nuk e kishte dëgjuar përgjigjen time. Por ai na e kurseu vështirësinë. -Mirë, mirë, tha, mund të shkoni tani. Dhe ne nuk e zgjatëm.

Edhe në këtë gjendje ai ishte shumë i vëmendshëm ndaj personalitetit të mjekëve. Në një nga ato ditë, kur pas mbarimit të vizitës, unë desha ta ndihmoja të mbërthente një kopsë të këmishës që ai po përpiqej ta bënte, ai ma mbërtheu dorën, dhe m’u drejtua i vrenjtur: Doktor, kjo nuk është puna jote! Dhe lejoi infermieren, Dritën, ta mbaronte atë punë.

Më 6 prill, që ishte një ditë shumë e bukur, me një diell që shkëlqente dhe me një qiell blu të bukur, ai na kërkoi të dilte përjashta për një shëtitje. Ne nuk mund të mos ia plotësonim këtë dëshirë. Zbriti me karrocë, qëndroi një copë herë të mirë në oborr me Nexhmijen dhe tha, kur e vizituam në mbrëmje, se ishte kënaqur shumë.

Më 8 prill në mbrëmje ai priti Ramiz Alinë dhe pati me të një bisedë të gjatë, nga ora 6 deri në 7. Unë isha 3-4 m larg tyre, pasi qëndroja ulur te dera e hapur e studios. Nata kaloi mirë. Ndryshe nga netët e mëparshme, ai pati shumë pak çrregullime të zemrës. Mëngjesi i 9 prillit gdhiu përsëri me një ditë shumë të bukur. Isufi që hyri vetëm në vizitën e mëngjesit na tregoi se sapo kishte hyrë brenda,

Pacienti i kishte thënë: -Ditë e bukur sot, Isuf! dhe Isufi, sic kishim rënë dakord më parë, nëse ai do ta kërkonte, i kishte thënë se, nëse dëshironte, mund të dilte për një shëtitje në oborr. Por kjo nuk do të ndodhte. Në orën 9.30 pasi ishte veshur dhe po bëhej gati të mbathte këpucët me ndihmën e Fariut, ai befas do të binte mbrapsht mbi krevat.

Brenda më pak se 15 sekonda nga çasti që Nexhmija do të na njoftonte me interfoni, unë u gjenda brenda në dhomën e tij dhe kur konstatova se zemra e tij kishte ndaluar, filluam së bashku me Fariun procedurën e shpëtimit të jetës. Ndërkohë erdhi edhe Sabiti e pak më vonë edhe kolegët e tjerë të Ekipit, të cilët u thirrën me urgjencë.

Pas 45 minutash ne kishim arritur ta kthenim zemrën e tij në punë, por jo vetëdijen. Dhoma e tij e gjumit do të shndërrohej shumë shpejt në një njësi të vërtetë kujdesi intensiv. Së bashku me anestezistët, dr. Arben Finon dhe dr. Ilir Ohrin, gjatë 40 orëve në vijim do të bënim një përpjekje të jashtëzakonshme, për ta mbajtur atë në jetë.

Por kjo do të rezultonte e pasuksesshme. Pas dy herëve që e rikthyem zemrën e tij në punë, herën e tretë në orën 02.15 më 11 prill 1985, zemra e tij do të pushonte pakthimisht së punuari.

Komunikata mjekësore dhe përmbyllja e shërbimit mjekësor

Menjëherë pas vdekjes së Pacientit Ekipi u mblodh për të vendosur për komunikatën mjekësore. Prof. Petrit Gaçja, kryetari i Ekipit, i cili erdhi nga një takim që kishte pasur me Ramiz Alinë, na tha se komunikata duhej bërë menjëherë pa pritur përgjigjen e autopsisë.

Ai i kishte thënë edhe se si duheshin renditur emrat e anëtarëve të Ekipit, ku përfshihej edhe prof. B. Preza, i cili nuk ishte anëtar i tij, por konsulent si edhe të tjerë specialistë si prof. Gjergj Cepa e prof. Panajot Boga. Anëtarë i Ekipit deri në vitin 1977 kishte qenë edhe ish-mjeku i tij i kahershëm, profesori i nderuar Nikollë Shurbani dhe deri në vitin 1982 prof. Ajli Alushani.

Ne nuk u morëm me këtë, meqenëse na erdhi si porosi, por diskutuam në parim se si duhej formuluar komunikata. Ramë në një mendje që ajo do të duhej formuluar në mënyrë të tillë që të linte të kuptohej qartë se sëmundja e tij kishte qenë e gjatë, se kishte pasur probleme me zemrën, mënyra se si i kishte ardhur vdekja dhe përpjekjet që u bënë për ta shpëtuar. Ekipi më ngarkoi mua ta shkruaja atë.

Unë u ula dhe e shkrova komunikatën, duke mbajtur parasysh që të ishte sa më e shkurtër që të qe e mundur, i rendita emrat e anëtarëve të ekipit ashtu si na kishte thënë prof. Gaçja dhe firmosa pranë emrit tim.

Atë e firmosën edhe Sabiti e Arbeni, të cilët po më prisnin. Në orën 04.30 ia paraqita atë Haxhi Kroit në Komitetin Qendror, shefi i Kabinetit i Sekretarit I. Atij i mjaftoi që komunikatën po ia bija unë si përfaqësuesi i Ekipit dhe nuk më bëri vërejtje se pse nuk ishte firmosur nga të gjithë. Bëri 2 a 3 korrigjime drejtshkrimore me laps dhe e dha menjëherë për daktilografim.

Haxhiu më ktheu pastaj dorëshkrimin së bashku me një kopje të daktilografuar. Kjo komunikatë u transmetua atë̈ ditë nga ATSh-ja dhe radiot e televizioni. U ktheva menjëherë në dhomën tonë të punës, hodha shënimet për veprimet që kishim kryer gjatë trajtimit dyditor të Pacientit në dosjen e tij klinike dhe bëra shënimet përmbyllëse. Shkrova pastaj fletëpërcjelljen për në shërbimin e Anatomisë patologjike, të cilën do t’ia tregonim prof. Pëllumb Bitrit, para se ai të bënte autopsinë.

Mblodha të gjithë dokumentacionin mjekësor që ne kishim në dhomë dhe ia dorëzova Dritës (Ndoni) që ta sistemonte në kasafortën ku ruheshin dokumentet mjekësore të tij në infermieri. Me këtë do të përfundonte edhe detyra jonë ndaj Pacientit.

Post hoc   

Enver Hoxha kishte vdekur. Më pas do të vinin edhe përpjekjet për të varrosur atë epokë historike të Shqipërisë. Popullin shqiptar, të cilin ai e kishte gjetur në një prapambetje mesjetare, që banonte së bashku me bagëtinë dhe hante me kafshatë e gishtërinj në një sahan të përbashkët; analfabet, me një varfëri të skajshme, shumëkund pa gropa septike, që ndriçohej me pishë e kandil; shëndetlig, me jetëgjatësi të shkurtuar nga malaria, tuberkulozi, sifilizi, difteria, morrat, zgjebja, dermatomykozat, tifoja, dizenteria, kequshqyerja e gjakmarrja; të pushtuar nga Italia fashiste dhe të tradhtuar nga krerë të tij, po e linte të shkolluar, të ditur, të ndriçuar me energji elektrike, të shëndetshëm, me një jetëgjatësi mbi 2 herë më të gjatë, 3 herë më të madh në numër, në prag të qytetërimit modern dhe të aftë për të përdorur teknologjinë më të përparuar të kohës, por edhe të izoluar e me plagë të dhimbshme. Ky popull, pasi e përcolli me vajtim e kujë për në banesën e tij të fundit, ku do të prehej përkohësisht midis atyre që kishte udhëhequr në luftën e lavdishme Antifashiste Nacionalçlirimtare, nuk do të shqetësohej nga zhvarrosja prej kundërshtarëve të tij dhe hapja e arkivolit me tritol. Por do t’i nënshtrohej një manipulimi të ri dhe, duke kujtuar se ashtu ishte më mirë, do të shkatërronte të mirat që për 45 vjet kishte krijuar e ndërtuar me duart, djersën, mundin e mençurinë e vet: fabrika, uzina, miniera, kanale ujitëse, hidrovore, argjinatura e ndërmarrje bujqësore, magazina, muzeume, biblioteka, shtëpi kulture, çerdhe, kopshte e qendra shëndetësore, do të shfaroste plantacionet e shumta me drurë frutorë etj., etj…dhe do të zgjidhte një tjetër rrugë nga ajo që kishte ndjekur me të. 

DITA

Back

Contact

REDAKSIA artEX
NA SHKRUANI përmes portalit tonë KOMUNIKIMI/ Feedback !

© 2010 All rights reserved.

Make a website for freeWebnode