EDI RAMA. “LAN DUART” SI PONC PILATI!
29/05/2023 09:54
OPINION
EDI RAMA. “LAN DUART” SI PONC PILATI!
Nga Gjon BRUÇI
Plot 1997 vjet më parë, në provincën e Judenjve të Jeruzalemit, ndodhi një ngjarje, e cila do të mbetej në histori me batutën e famshme: “Lau duart si Pilati”. Priftërinjtë e judenjve, kishin kapur Jezuin, të cilin e sollën përpara Guvernatorit romak të provincës, Ponc Pilati, për ta dënuar si heretik, që predikonte “gënjeshtra” në emër të Zotit të plotfuqishëm. Sipas Pilatit, Jezui nuk përbënte rrezik për Romën, por nga ana tjetër nuk donte të prishte marrëdhëniet me priftërinjtë e judenjve. Ndaj mblodhi turmën e qytetarëve përpara pallatit të tij, nxori nga burgu Barabën, një hajdut e kriminel ordiner, dhe pasi e vendosi në krah të Jezuit, ju drejtua turmës duke e pyetur se, cilin nga këta të dy, dëshironin të falnin me rastin e ditës së Pashkëve. Turma, zgjodhi për falje Barabën, që e kishte nga radhët e veta, dhe Pilati, i sigurtë në “manovrën” e tij, kërkoj ujë e lau duart, duke na lënë “trashëgim” thënien dymijëvjeçar, që e vumë në krye të shkrimit. E njëjta “skemë” ndodhi edhe më datën 25 maj 2023 në seancën e Parlamentit shqiptar, ku u diskutua e u miratua ligji për piramidën e pagave të institucioneve të shtetit. Faktikisht, projekt-ligji i qeverisë, bënte fjalë për rreth 140 mijë nëpunësa të pushtetit qendror dhe disa mijëra të tjerë të sektorëve të ndryshëm të vendit, paga e të cilëve deri në mesin e vitit 2024, do të rritej në masën 90 deri 100 përqind. Ky “projekt” ishte premtuar nga Kryeministri rreth një muaj e gjysëm para zgjedhjeve vendore të 14 majit, por ngase binte ndesh me “rregullat e lojës zgjedhore”, u kthye përkohësisht në sirtar, për të mbërritur një javë pas zgjedhjeve në tavolinat e Komisionit Parlamentar. Deputetët e komisionit, kur panë se po hapej “thesi i parave”, projektit të qeverisë i bënë dy “amendamente” të vockla, por mjaft sinjifikative: Në listën e dyfishimit të pagave, propozuan dhe shënuan edhe emrat e 140 kolegëve të tyre të parlamentit, dhe së dyti: Fiksuan datën 1 prill 2023, si ditën kur ky dyfishim duhet të fillojë të “lëvrohet” në xhepat e tyre, duke vënë kështu në jetë, premtimin elektoral të vetë Kryeministrit. KM Rama, e dinte fort mirë se “turma” që kishte përpara, aty në sallën e parlamentit, ishte dhjetra herë më e mençur se “turma” e lashtë e Jerusalemit, ndaj ndryshe nga Pilati, iu desh ta stërhollonte paksa “ligjërimin” për këtë çështje, e cila, si një rrufe në qiell të pastër, shokoi shqiptarët e thjeshtë, veçanërisht pensionistët, kuota mujore e të cilëve, tash e tutje do të jetë sa vlera e ushqimit të një mëngjesi për deputetin, ministrin, apo zëvendësin e tij. Për të qetësuar këta të fundit, KM Rama, qysh në krye të seancës parlamentare, doli në podium dhe bëri këto sqarime: “Piramida e re e pagave për administratën shtetërore, është e domosdoshme, sepse duhet ta afrojmë më fqinjët”. (Kur deklaroi këtë argument, “harroi” të përmendte edhe anën tjetër të piramidës së fqinjëve). “Së dyti, - vijoi Kryeministri, - duke rritur rrogat e administratës shtetërore, jo vetëm forcojmë shtetin, por rritim edhe taksat që nxirren nga rrogat, e për rrjedhojë krijohet edhe mundësia e rritjes në të ardhmen të pensioneve dhe asistencës”! Këtë “të ardhmen e rritjes së pensioneve” nuk e përcaktoi në kohë, por siç thonë, në tetor të këtij viti, do të bëhet “indeksimi” i tyre për inflacionin, i cili, falë “rritjes ekonomike”, nuk do të jetë më shumë se 2 apo 3 përqind . . . ! Sqarimin e dytë, KM Rama, e dha për ndryshimin e një neni të projektit nga ana e komisionit parlamentar, që atij nuk i kishte pëlqyer. “Qeveria, - shtoi Rama, - nuk e kishte parashikuar rritjen e pagave të ministrave dhe deputetëve në këtë fazë. Ato, mund të rriten vetëm kur të jetë rritur paga minimale e punonjësve të të gjithë sektorëve publikë. Ishte komisioni përkatës parlamentar që e ka futur si amendament në projekt, ndaj unë nuk do të votoj për rritjen e pagave të deputetëve, aq më pak që kjo rritje të nisë qysh nga prilli që sapo kaloi!”. Dhe në mungesë të “ujit të Pilatit”, fshiu duart me pecetën që kishte në xhep, zbriti nga podiumi e u largua nga séanca, duke na kujtuar “legjendën” e Ponc Pilatit të vitit 26 të Erës së Re. KM Rama, u largua qetë – qetë, i sigurtë se deputetët do të votonin më mirë se “turma” e lashtë e Jeruzalemit. Ai, ka tri mandate që e ka përgatitur këtë “turmë” të re, me shumë kujdes, dhe ia din si i rreh pulsi. Kur vjen puna për pagat dhe miradinat, të gjithë deputetët, pavarësisht nga “kahu politik”, marrin të njëjtën ngjyrë, atë të “lekut” dhe të “euro-dollarit”. Është i vetmi rast, kur unanimiteti në radhët e tyre është i plotë. Por ajo që ra në sy kësaj here, në rolin e Pilatit u mundua të vihej edhe Sali Berisha, i cili, pasi mallkoi me të gjitha epitetet kundërshtarin për këtë “poshtërsi” në kurriz të popullit, braktisi parlamentin, duke dhënë intervista e prononcime kundra ligjit në fjalë, i sigurtë se numri i deputetëve të ngjyrës së tij, që kishin mbetur në sallën e parlamentit, ishte i mjaftueshëm që, së bashku me mazhorancën ta kalonin ligjin pa problem. Dhe kështu ndodhi. Përjashtuar dy deputetë nga opozita, që u evidentuan edhe në diskutime, të gjithë të tjerët iu bashkuan kartonëve jeshilë të socialistëve, në votimin e ligjit në fjalë, që do të ngelet në histori si “Ligji i xhepit” të Deputetëve shqiptare. Akoma më interesante ishte qëndrimi i Presidentit të Republikës. Në të gjitha rastet, ligjet që miraton Parlamenti, shkojnë në presidencë, dhe pasi studiohen nga kreu i shtetit dhe këshilltarët e ndihmësit e tij, dekretohen dhe shpallen për ekzekutim. Kjo proçedurë, i kërkon disa ditë, qoftë edhe formalisht. Por në rastin në fjalë, ligji u “dekretua” nga Presidenti para se të miratohej nga vetë parlamenti. Kryetarja e seancës, Felaj, para se ta hidhte ligjin në votim, u lexoi deputetëve një shkresë, e cila thoshte se “Kuvendi i Shqipërisë i ka dërguar një shkresë Presidentit, ku e sqaron për ligjin dhe rëndësinë e tij të madhe, çka e ka të domosdoshme dekretimin sa më shpejt të tij. Dhe presidenti, në përgjigjen e tij, sqaron Kryesinë e Parlamentit, se është dakort më ligjin, ndaj miratojeni sa më parë, ma dërgoni edhe mua, se brenda ditës do të dekretoj e do ta afishoj në dokumentet e Presidencës. Bravo, zoti President! Kështu, operativ, duhet të jetë Kryetari i shtetit! Sidomos kur ka lidhje “kauzale” me Kryeministrin. A nuk ishte pikërisht kryeministri aktual që të propozoi e të vendosi në detyrën e Shefit të Shtabit të Përgjithshëm të Ushtrisë, ndonëse nuk kishe bërë kurrë një shkollë të plotë ushtarake në këtë profesion, përveç kurseve, si ato të plepave të Berishës?! A nuk ishte pikërisht Kryeministri aktual, që të propozoi, të emëroi dhe të uroi në detyrën e Presidentit të Republikës, alias Kryetar i Shtetit?, - një pozicion që vetëm unë në një shkrim me titull “Një ëndërr presidenciale”, botuar në gazetat e ditës, e pata parashikuar! Ky nënshkrimi “paradhënie” i juaji, zoti President, është nënshkrimi më i vërtetë dhe më i sinqertë që keni realizuar ndonjëherë, sepse në fund të fundit ishte nënshkrim për dyfishimin e pagës tuaj, e cila nga 2 milion e 570 mijë lek të vjetra në muaj, do të bëhet sa hap e mbyll sytë, 4 milion e 250 mijë, e barabartë kjo me një pension mesatar 140 mijë lek në ditë, ose sa 30 pensionistë të tillë në muaj! Sigurisht, nuk je vetëm. “Solidar”dhe në një nivel me ty, do të jenë edhe Kryeministri dhe Kryetarja e Parlamentit. Folëm për “turmën” e Parlamentit dhe të administratës shtetërore, që në kapitalizëm paguhet për të zgjatur jetën e sistemit grabitës e shtypës. A mund të kthehet dhe populli i thjeshtë në turmë, që të pranojë symbyllazi këtë “risi”, e cila thellon hendekun social të shoqërisë? Nëse kjo bën vaki, atëhere sundimi juaj, zotërinj borgjezë të pafytyrë, do të jetë i përjetshëm. Por kjo nuk mund të ndodhë! Populli nuk mund të kthehet në “turmë”, siç e mendoni dhe e dëshironi ju. Populli është si uragani, që kur shpërthen, përlan e vë përpara gjithë zhumilet e kohës. Dhe kjo do të ndodhë një ditë!
SOT