E RROU DREQI KËTUHEN !
21/12/2016 07:03
Analizë&opinion
E RROU DREQI KËTUHEN !

Shkruan: Tafil DURAKU
E ashtuquajtura seancë e jashtëzakonshme për “rastin Dehari”, që u mbajt dje, më 20 dhjetor 2016, në “Parlamentin e Republikës së Kosovës”, qiti në shesh, njërën pas tjetrës, fytyrat e njohura antipopullore dhe antishqiptare, të reaksionit të mirëorkestruar dhe të mirëkoordinuar shqiptaro-titist&Co!...
Edhe para luftës së lavdishme të UÇK-së, përcjellës të vëmendshëm të ngjarjeve, rrjedhave e rrethanave “patriotike” e “kombëtare” të shqiptaro-titistëve&Co, e kanë ditur se moti e kishte rruar dreqi këtë vend dhe këtë popull të shumëvuajtur.
Është tepër e çuditshme, se, pse u thirr e ashtuquajtura “seancë e jashtëzakonshme për rastin Dehari”, kur u pa haptas se ajo seancë ishte thirrur për ta “ngushëlluar” familjen, sa për sy e faqe, para opinionit shqiptar!...
I ashtuquajturi “Parlament i Republikës së Kosovës”, siç u pa, më shumë është një sallon bizariteti politik, themelet e të cilit janë shqiptaro-titiste, “kosovare dhe kosovariste”, antishqiptare. Aty, (për)caktohet e zbatohet politika antishqiptare ditore me jetëgjatësinë më të madhe antipopullore dhe antikombëtare, politika me pasardhësi të kulluar shqiptaro-titiste, “kosovare e kosovariste”, ku, për fat të keq, sot u kuptua botërisht se është shndërruar në odë të pamesh e kryeshëndoshi!...
Po, a nuk është ai “Parlamenti” që të vret në emër të politikës “patriotike” e “kombëtare”, a nuk është ky “shteti” që të vret politikisht, juridikisht, kulturalisht, akademikisht, shkencëtarisht, arsimorisht, financiarisht, ekonomikisht, sportisht, muzikalisht, rapsodikisht…, etj., si mbrenda burgjeve të tij dhe jashtë tyre, me policinë e tij sekrete dhe antishqiptare, e cila është siç ka qenë në kohën antishqiptare të Titos, që “mbron rend dhe ligj” partiak e politik, LKJ-isto – LDK-ist!...
Këtu, gjërat po ecin krejt mbrapësht: Par(t)itë politike janë bërë më të mëdha se shteti, që po i përpilojnë, miratojnë e zbatojnë ligjet vetëm për interesa të ngushta familjare e farefisnore, deputetore e ministrore.
Në atë “Parlament”, (për)caktohen kriteret “politike, juridike, policore, kulturore, akademike, arsimore, sportive, folklorike, muzikore, humoristike…”, etj, antishqiptare. Në bazë të atyre “politikave” vriten e pushkatohen qytetarët shqiptarë që nuk kanë lidhje me atë “Parlament” dhe me vartësit e tij kriminalë. Ka vrasje e “vetëvrasje” prej më të ndryshmeve: politike, juridike, gjyqësore, prokuroriale, kulturore, akademike, arsimore… etj., që ndodhin përditë në burgun e quajtur “Republika e Kosovës”, kudo, por, vrasjet fizike si e Astrit Deharit, që ndodhi në burgun e Prizrenit, është tepër e pashme dhe e prekshme për opinionin e gjerë.
Kështu që, vrasjet që po i bën politika ditore “patriotike” dhe “shqiptare” jo vetëm e LDK-së shqiptaro-titiste dhe të tjerave si ajo, janë tepër të rënda dhe të padurueshme. Thjesht, janë vrasje antishqiptare, sepse, shqiptarët vriten e pushkatohen përditë me vendime të koordinuara me politikën antishqiptare të LDK-së&Co dhe rasti më eklatant është ai i pushkatimit në heshtje, me shantazh politiko-partiak LDK-ist&Co, i punonjësve të Edicionit të Librit “Rilindja”, të cilët ka dhjetë vjetë të plota që enden nëpër gjykata, me vendime politiko-partiake të të cilave ekzekutohen dhe riekzekutohen politikisht, me vendime politike të ish ministrit të kult(sh)ur(r)ës, hajnit zyrtar të LDK-së, Astrit Haraqija. Të gjitha provat, për këto që themi, ua kemi ofruar të gjitha gjykatave relevante dhe “institucioneve”, por, ato, me fajin e politikës “patriotike” e “shqiptare” të LDK-së&Co, nuk e zgjidhin problemin mëse lehti të zgjidhshëm ligjërisht, në bazë të provave juridike që posedojnë punonjësit shumëvjeçarë të Edicionit të Librit “Rilindja”.
E morëm shembull këtë rast të “paqëllimtë” të politikës ditore antishqiptare të LDK-së&Co, e cila vret dhe ekzekuton me politikë, me polici e me gjykata, me paravi e prapavi politike antishqiptare, madje, duke iu kërcënuar edhe ish Ministrit të saj, Valton Beqiri, se nuk guxon ta anulojë vendimin politik të hajnit dhe plaçkitësit tjetër zyrtar të LDK-së, Astrit Haraqisë!...
Seanca e thirrur për “rastin Dehari”, i cili u “vra a vetëvra” në burgun e Prizrenit, është rasti më eklatant i vrasjes a “vetëvrasjes” nga “shteti”, nën mbrojtje të “shtetit”! Kjo është ajo që ndodhi në burgun e Prezrenit, në “Republikën e Kosovës” antidemokratike dhe antiistitucionale, LDK-iste&Co.
Por, sa u pa gjatë debatit në “Parlament”, asnjë prej deputetëve nuk e inicoi çështjen e vrasjes së qytetarëve, duke ua mohuar me gjyqe e polici të drejtat elementare për punë e për jetë.
Prandaj, vimë te përfundimi logjik se këtu, në “Republikën e Kosovës”, ka dështuar gjithçka: Edhe drejtësia, edhe kultura, edhe akademia, edhe arsimi, edhe siguria, edhe…, dhe, këtu, shqiptarët që nuk janë të lidhur me krimin e organizuar shtetëror, “institucional” dhe “institucionalist” të viteve të ’90-ta, nuk shohin asnjë perspektivë për të ardhmen e tyre dhe ikin prej Atdheut të tyre, sepse, i detyron “politika” dhe “drejtësia” që udhëheqin dhe zbatojnë par(t)itë politike antishqiptare!
A keni parë diku tjetër, kështu? Na vrasin e na “ngushëllojnë”! Edhe kur na vrasin në emër të “ligjeve”, edhe kur na vrasin në emër të “drejtësisë”, edhe kur na vrasin në emër të “politikës”, edhe kur na vrasin në emër të kulturës, edhe kur na vrasin në emër të “politikës ekonomike e financiare” antishqiptare!…, etj., na vrasin dhe nuk don kush t’ia di pse na vrasin, ndërsa, kur ndodhë një vrasje si në “rastin Dehari”, kanë “fytyrë” edhe ta ngushëllojnë familjen! Na mbajë tokë!...
Këtë po e bëjnë dhe po e shfrytëzojnë LDK-istat shqiptaro-titistë&Co, ku, po e shfrytëzojnë “Parlamentin e Republikës së Kosovës”, që të na ngushëllojnë publikisht, për vrasjet politike që po u bëjnë shqiptarëve që nuk pajtohen me politikën e tyre poshtëruese e nënshtruese, antishqiptare.
Dhe, vërtetë, më 20 dhjetor 2016, sa zgjati seanca e “Parlamenti të Republikës së Kosovës” për “rastin Dehari”, u pa katërcipërisht se motikohë e ka rruar dreqi këtuhen!...
Dhe, dreqi që e rrou këtuhen, është ai dreqi i madh LKJ-isto – LDK-ist i Rrahman Morinës&Co, që fliste shqip e mendonte serbisht, sikurse sot, dhe, fatkeqësisht, shqiptarët, as tash nuk po e shohin sa i madh është dreqi komunist e antishqiptar i Titos! Dreqi krahinor e krahinorist i federatës jugosllave, që ende po flet shqip e po mendon jugosllavisht, nazmirrahmaninoviçëçe, damutdemakuçkoviçëçe, shyqrikralicëçe!...
Prandaj: Mblidhni mend ju, shqiptarë, që ende nuk po e shihni se e rrou dreqi këtuhen dhe këso rroje antishqiptare nuk është parë as në kohët e pushtuesve më fashistë e më të egër antishqiptarë!...
Burojë, më 21 Dhjetor 2016