E PADENJË / PËR ATË QË NDODHI NË TV KLAN MES RAMËS E GAZETARËVE
20/02/2020 15:29
OPINION
E PADENJË / PËR ATË QË NDODHI NË TV KLAN MES RAMËS E GAZETARËVE
Nga Viktor MALAJ
“Një njeri pa etikë është një bishë e egër që endet në këtë botë” / Albert Kamy
Nëse do të më duhej ta përcaktoja emisionin e TV Klan të para pak ditëve, kur ishte thirrur Kryeministri Edi Rama përballë katër gazetarëve, do ta quaja një “shfaqje të padenjë”. Kjo ishte një shfaqje e tillë sepse ashtu u sollën aktorët e të dy krahëve.
Në emisione të këtilla, ku thirren politikanë apo figura të tjera të jetës publike, hamendësohet (supozohet) dhe besohet se, në lidhje me temën përkatëse, gazetarët do të bëjnë pyetje ndërsa personazhi i thirrur do të përgjigjet dhe japë shpjegimet e tij. Nëpërmjet shpjegimeve shpresohet se do të sqarohen jo vetëm gazetarët që pyesin, por edhe shikuesit e emisionit televiziv.
Në emisionin e sapopërmendur nuk ndodhi as njëra dhe as tjetra.
Emisioni synonte kryesisht të sqaronte mëdyshjet dhe paqartësitë e Aktit normativ “Anti KÇK” dhe luftën kundër krimit të organizuar. Po pse ky emision nuk ia arriti qëllimit të duhur? Përveç bishtnimeve të Kryeministrit, dështimi erdhi edhe për shkak të sjelljes dhe qëndrimit të disa gazetarëve të pranishëm. Mungesa e etikës u shfaq gjatë gjithë emisionit nga pyetësit dhe i pyeturi u bë njësh me ta.
Në sjelljen e disa gazetarëve dhe, sidomos, të së vetmes gazetare të pranishme, u vu re një tendencë e skajshme për të mohuar gjithçka, qëllimin dhe mjetet e Qeverisë në luftën kundër Krimit të Organizuar dhe, ç’është më e keqja, një mungesë etike qytetare dhe profesionale. Ndërsa pritej se gazetarët do të bënin pyetje, madje shumë më tepër se ç’bënë, disa prej tyre shpenzuan gjysmën e kohës së emisionit duke kundërshtuar, interpretuar apo keqinterpretuar fakte e ndodhi të ndryshme. Dukej qartë që disa prej tyre po bënin rolin e opozitës politike dhe jo të opozitës ndaj të pavërtetës apo të padrejtës.
Gati 30 minuta u shpenzuan duke diskutuar e kundërshtuar çështjen nëse Kryeministri udhëton me makinë të blinduar apo jo. Megjithëse makina me të cilën z. Rama udhëton nuk është e blinduar, t’i kërkosh llogari kryeministrit të cilitdo vend se përse udhëton me makinë të blinduar është, në rastin më të mirë mendjelehtësi dhe në rastet e tjera është ligësi e pastër. Asnjë vendi dhe asnjë populli në botë nuk i bëhen dëme pse drejtuesit e shtetit udhëtojnë me makina të blinduara. Dhe, me makina të blinduara udhëtojnë shumica dërmuese e udhëheqësve të botës, në Lindje dhe Perëndim.
Disa prej gazetarëve kishin rënë tërësisht në pozitat e militantëve politikë opozitarë. Të thuash se një fotografi e rastit të një politikani me cilindo qytetar të dyshuar për veprimtari kriminale është diçka kompromentuese dhe se “Xhulio Andreoti u ndoq penalisht 20 vjet për shkak të një fotografije me një njeri të Mafias” nuk është korrekte se, mbi të gjitha, është plotësisht e pavërtetë.
Nuk është fare e vërtetë se ish-Kryeministri italian u ndoq penalisht për një fotografi. Ai është ndjekur penalisht dhe akuzuar për bashkëpunim në akte korrupsioni (tangentopoli), për rrëmbimin e Aldo Moros, vrasjen e një gazetari, si dhe për shoqërim me bosë të Mafias. Po të ecnim me logjikën e këtyre gazetarëve do të arrinim në konkluzionin se Lulzim Basha është bashkëpunëtor në prodhimin dhe trafikimin e 3 ton kanabis sativa që iu kapën parvjet një militanti të PD-së në Mat i cili kishte vendosur në Facebook një fotografi që kishte bërë dikur me shefin e partisë së tij.
Të bëhesh borizan i opozitës duke thënë se “shumë kriminelë janë liruar në kohën e qeverisjes së PS-së dhe me bekimin e eksponentëve të kësaj partie”, kur dihet se dënimin apo lirimet i bën gjykata e cila qeverisjen e sotme e ka halë në sy për shkak të Vetingut, është mënyra më e mirë për të humbur besimin e shikuesit apo lexuesit.
Normalisht asnjë i zgjedhur apo nëpunës i emëruar në çfarëdo funksioni nuk duhet t’i lëshojë një të dënuari të rrezikshëm letra ku i premton punësim në rast lirimi nga burgu. Por ta konsiderosh një letër të tillë si “garanci për lirim nga burgu” nuk është aspak korrekte, ngaqë nuk përputhet me të vërtetën. Nga ana tjetër, z. Kryeministër duhej ta konsideronte lëshimin e letrës nga ish-kryebashkiaku i Durrësit, minimumi si veprim mendjelehtë.
Është rasti për të vënë në dukje edhe një fenomen që duket se është i pranishëm tek shumë gazetarë dhe politikanë. Ekziston prirja për të shpallur “kriminel” cilindo shtetas shqiptar të cilit Departamenti Amerikan i Shtetit i ka mohuar vizën për të udhëtuar në SHBA apo e ka cilësuar si “të përfshirë në korrupsion”. Pse, çfarë është Departamenti i Shtetit? Gjykatë Supreme apo Gjykatë Hyjnore?! Departamenti i Shtetit ka mbajtur për disa dekada në listën e personave terroristë Nelson Mandelën i cili, më vonë, mori Çmimin Nobel për Paqen. Po kështu e ka cilësuar edhe organizatën e opozitës iraniane MEK, por sot sponsorizon strehimin e saj politik në Shqipëri.
Gjithashtu, me mendjelehtësi përgojohet deputeti Tomë Doshi të cilit i është mohuar viza për Amerikë sepse pati dhunuar një gazetar të “Zërit të Amerikës”. Tomë Doshi është një shtetas shqiptar, biznesmen dhe politikan të cilin nuk e ka shpallur fajtor asnjë gjykatë shqiptare apo e huaj dhe nuk e ka gjetur në veprimtari kriminale asnjë institucion hetimi shqiptar, as gjatë qeverisjeve të majta dhe as qeverisjeve të djathta. Atëherë, si mund ta shpallë fajtor një gazetar? Madje, unë vura re me keqardhje që njëri nga gazetarët e pranishëm në studio pretendonte se DASH është mbi gjykatat.
Dy prej gazetarëve të pranishëm përdornin pa gjë të keq përcaktorin “kriminel” për ish-kryetarin e bashkisë së Vorës, mëkati më i madh i të cilit është se nuk ka shënuar në formular faktin se kishte në Greqi një proces penal për “para të falsifikuara” në përfundim të të cilit mori pafajësinë.
Në këto qëndrime ka një shpërpjestim të stërmadh. Gazetarë të tillë që shpallin kriminel Kajmakun asnjëherë nuk guxojnë të shpallin të tillë vrasësit e 21 janarit, shpërdoruesin e 230 milion eurove të Rrugës së Kombit, vrasësit e Gërdecit, inicuesit e luftës Veri-Jug apo urdhëruesit e bombardimit të popullsisë civile në Jug në mars 1997, pa folur për dhunuesit, burgosësit dhe sakatuesit e gazetarëve, duke përfshirë në këto viktima edhe Kryeministrin e sotëm.
Pse ndodh kështu? Përgjigjen e kësaj pyetje e gjejmë në atë që tha njëri nga këta gazetarë po në atë studio, por disa ditë përpara këtij emisioni. Ky gazetar tha se ata të bandës së “rrugës së Kavajës nuk përmenden me emra dhe mirë bëjmë që të mos i përmendim”. Është e qartë se gazetarë të tillë paraqiten trima, madje të çartur, për të përgojosur e ngallosur si kriminelë cilindo në studio televizive dhe gazeta, por atyre që janë vërtet të rrezikshëm nuk duan dhe këshillojnë edhe të tjerët të mos ua përmendin as krimet as emrat.
Një e pavërtetë tjetër e pohuar nga një gazetar i pranishëm ishte thënia se “Reformën në Drejtësi e kanë bërë Amerika dhe BE dhe jo Qeveria shqiptare”. Po ky gazetar i kundërvihet pohimit të tij kur disa çaste më pas i kërkon llogari Qverisë: Ku janë rezultatet e Reformës në Drejtësi? Ju po e kapni këtë reformë. Kjo Reformë ka dështuar etj. Qëndrime vetëkundërshtuese vihen re shpesh edhe tek gazetarë të tjerë.
Një gazetar i nderuar, na habiti kur tha se “Ku keni parë ju që policia kontrollon dokumentet administrative të makinave apo bën kontrollin fizik të drejtuesit të saj?”. Zotëria duhet ta mësojë se një e drejtë e tillë i është dhënë policisë në të gjithë Botën Perëndimore dhe nëse ajo s’e gëzon këtë të drejtë nuk mund të konsiderohet më polici. Mbi bazën e informacioneve apo dyshimeve të arsyeshme, policia jo vetëm të ndalon dhe kontrollon dokumentacionin, por të kontrollon edhe fizikisht dhe, në rast rezistence fizike, të paralizon deri në asgjësim fizik. Shembulli më i qartë është policia amerikane me bilancet e saj.
E, ndërsa pohimet si i mësipëmi mund të konsiderohen mendime apo gjykime të gabuara, të folurit pa radhë, ndërprerja e folësit, komentet e stërzgjatura të shoqëruara me fyerje e tejkalojnë mungesën e etikës qytetare dhe profesionale. Kjo u vu re sidomos tek gazetarja e vetme e pranishme në studio e cila, përveç ndërprerjeve të folësit përdori edhe shprehje fyese dhe rrinte gjithë kohën e zgërdheshur. Më mirë të besojmë se zgërdheshjen e kishte zgjedhur si mënyrë për të shprehur ironinë ndaj Kryeministrit sesa të mendojmë ndryshe.
Është krejt normale të mos jesh dakord me ato që thotë një kryeministër apo të mos kesh respekt për të, por zonja në fjalë dukej qartë që ishte e ngarkuar me urrejtje ndaj tij sikur Rama të ishte vrasësi i katër protestuesve në bulevard dhe këta protestues të ishin të afërm të saj. Do të na duhet të presim nëse kjo zonjë do ta pyes Sali Berishën rreth dhjetëra krimeve që ka kryer, nëse do ta pyes L. Bashën se si mundet të pretendojë të bëhet kryeministër i një vendi një njeri i përfshirë në akte të rënda korrupsioni, manipulim të rezultateve të votimit, lirim të të burgosurve të rrezikshëm gjatë fushatës zgjedhore 2009, lejim të Kartelit të drogës së Lazaratit dhe ujitjen e parcelave të bimëve narkotike me automjetet zjarrfikëse kur ishte Ministër i Brendshëm apo mosparaqitjen në organet e drejtësisë për të sqaruar pozicionin dhe rolin e tij në vrasjet e 21 janarit.
Nga ana tjetër, pavarësisht nivelit dhe moralit që shfaqin gazetarët, Kryeministri i vendit pritet të qëndrojë mbi ta, moralisht, intelektualisht dhe nga ana etike. Zoti Rama u shfaq arrogant, përçmues dhe fyes në disa raste. Nuk kishte durimin të priste komentet e ndonjë gazetari dhe, ndonjëherë bënte edhe rolin e një aktori të “Portokallisë” duke shprehur habi dhe çudi të zgjatura me anë të mimikës. Janë jo të denja dhe të papranueshme shprehje të tilla drejtuar gazetarit si “s’të njoh fare se kush je dhe mendova se do të jesh ndonjë i mençur” apo duke iu drejtuar z. Fevziu: “Ku i gjen ti këta?! Ngrije pak nivelin. Ç’janë këta more?” etj.. Vërtet shumica e gazetarëve aty ishin për t’u qarë hallin, bashkë me ftuesin e tyre, por kryeministrit nuk duhet t’ia lejojnë skrupujt personalë dhe të pushtetarit të shprehet si u shpreh.
Është e vërtetë se disa punonjës të organeve të drejtësisë janë përfshirë në krime dhe e kanë ndihmuar kriminalitetin në Shqipëri nëpërmjet korruptimit moral e monetar, por nuk i qëndron të vërtetës thënia e z. Rama se “Oligarkia e vërtetë e këtij vendi janë gjykatës e prokurorë”. Nga ana tjetër, do të ishte në të mirë të Kryeministrit dhe rezultateve qeverisëse nëse ai dhe pjesëtarët e kabinetit të tij do ta dëgjonin më shumë mendimin kundër, edhe kur ai përmban teprime dhe të pavërteta.
Unë pajtohem me mendimin e z. Mustafa Nano se ai emision nuk ia vlente ta shikoje. Përfundimisht, duhet thënë se në atë emision humbën politika dhe gazetaria, Kryeministri dhe gazetarët.
DITA