DRITËROI PËR MIT’HATIN: NAIMI DO KISHTE QËLLUAR MBI NIPIN BALLIST NË LUFTË

17/11/2018 18:36

OPINION

 

 

DRITËROI PËR MIT’HATIN: NAIMI DO KISHTE QËLLUAR MBI NIPIN BALLIST NË LUFTË

Prof. Xhelal GJEÇOVI

 

Dritëroi e njihte dhe e çmonte shumë historinë e vendit, të gjitha periudhat e saj, për rrjedhojë ndiqte me vëmendje botimet, debatet e polemikat, për ngjarjet e figurat e saj. Por ai kishte një nderim e një shqetësim të veçantë sidomos për Luftën Antifashiste Nacionalçlirimtare, njërën nga periudhat më heroike të historisë kombëtare, në të cilën qe angazhuar që në moshë fare të re, 12 apo 13 vjeçare, nga radhët e debatikasve, ku kreu detyrën e korrierit në fillim e më pas efektiv në rreshtat partizane.

Pikërisht meraku dhe interesimi i veçantë për Luftën, më afroi e  më beri të njohur me Dritëroin. Ishte përmbysur regjimi komunist, por kishte shpërthyer reaksioni ballisto-zogist, që, i mbështetur dhe nga shteti i ashtuquajtur demokratik, kishte ndërmarrë një fushatë të tërë sulmesh e shpifjesh, që nuk po kishin të ndalur, ndaj luftës dhe pjesëmarrësve në luftë, duke mos kursyer as dëshmorët e atdheut.

Duke qenë historian i kësaj periudhe, unë sigurisht  nuk mund të rrija mënjanë polemikës së ashpër që nisi në rrethana të tilla të vështira. Pjesëmarrja në debatet publike mbi luftën, me kundërshtarë të eksituar, demokratët pa kulturë demokratike, qe u kish mbetur ora në vitin 44, e që si armë kishin jo argumentet logjike e historike, por sulmet e shpifjet, natyrisht nuk ishte e lehtë, po të kesh parasysh se prapa tyre, në mbështetje të tyre qëndronte shteti i ashtuquajtur demokratik. Në rrethana të tilla, lufta me ta, do të kishte koston e vet; e së pari ajo do të më kushtonte, për disa vite, humbjen e vendit të punës në Institutin e Historisë.

Por do të shpërblehesha me respektin e nderimin e atyre që çmonin luftën, që përbënin shumicën e shqiptarëve e sidomos të pjesëmarrësve në luftë, njëri ndër të cilët, ishte dhe Dritëroi, që luftën e konsideronin një gjë të shenjtë e të paprekshme. Ndërkohë, unë ndiqja me vëmendje shkrimet e autorëve të ndryshëm, brenda dhe jashtë vendit, mbi Luftën, që të isha në korrent të problematikave që po trajtoheshin në kuadër të debatit mbi luftën. Pikërisht, në një nga ato ditë, më saktë netë, pasi sapo kishte rënë muzgu dhe errësira kishte mbuluar vendin, i shtrire në krevat po lëvizja radion e dorës, për të gjetur ndonjë muzikë çlodhëse apo ndonjë emision që të më interesonte, kur dora më ndaloi tek radio “Kontakt”, ku po mbante një ligjëratë mbi luftën një historian i vjetër i njohur nga Kosova, të cilin e njihja dhe e çmoja për njohuritë e për kontributet në fushën e studimeve historike.

Por, në vend që të më kënaqte, siç mendova, biseda më dëshpëroi shumë, për mendimet kontroverse që profesori shfaqi për Luftën Nacionalçlirimtare. Çfarë u tha e çfarë s’u tha për Luftën. Sulme e shtrembërime pa fund e sigurisht të pathemelta.

Ndërkohë që po ndiqja bisedën e kolegut e tim, duke mbajtur dhe ndonjë shënim, bie telefoni. Nuk më shkonte kurrë ndërmend se do të ishte ai.

“Xhelal,” erdhi zëri i dashur e i veçantë i Dritëroit, “a je duke dëgjuar radion “Kontakt”?

Po, i them, atë po dëgjoj.

“Çfarë bëhet kështu more, po këto s`i thonë as ballistët. Po të mos ishte kosovar, do të të thoja që e do një përgjigje, por, në këtë rast, ndoshta, nuk do të bënim mirë të hapnim debate me historianët kosovarë, që do të shfrytëzoheshin nga dashakeqësit, për të futur pyka në raportet shumë të mira që kemi me inteligjencien e me historianët nga Kosova.”

Unë, i thashë Dritëroit, e njoh e mund të them se e kam dhe mik profesorin që po flet. Por, ashtu si ti, edhe unë mendoj se me kolegët nga Kosova duhet bërë shumë kujdes. Megjithatë, unë do të gjej rastin ta takoj e t’i them: “Miku im, ruaj dinjitetin dhe emrin e mirë që ke si historian, se me ato që the te Kontakti, i bën dëm më së pari vetes”.

Pas një ndërprerje, gjeta rastin dhe e pyeta Dritëroin për Mit’hat Frashërin si kryetar i Ballit Kombëtar dhe si i biri i Abdyl Frashërit. Dritëroi në mënyrën e tij krejt të veçantë,më tha:

– Mit’hati, pavarësisht se është i biri i Abdylit dhe nipi Samiut e Naimit e vulosi fatin e tij bashkë me Ballin. Pati një fund të turpshëm, dhe është e pamundur të rehabilitohet si politikan. Si njeri i kulturës ai nuk mund të ndalohet dhe i janë botuar disa libra. Por si ballist, ai ishte bashkëpunëtor me pushtuesit dhe Balli ka bërë krime gjatë luftës. Balli nuk zbrazi asnjë pushke kundër pushtuesve. Përkundrazi çetat balliste luftuan kundër partizanëve në krah të gjermanëve.

Ankohen ballistët sot se paskemi vrarë ca ballistë në kohën e luftës dhe këtë e quajnë luftë vëllavrasëse, domethënë “luftë civile”. Por më thuaj ti, çfarë mund të bënin partizanët kur luftonin kundër gjermanëve dhe ballistëve që kishin përballë? T’u thoshnin: “O vëllezër ballistë largohuni mënjanë se s’kemi punë me ju po me gjermanin? Jo. Edhe Naim Frashëri nuk do të kursehej në ato kushte po të vihej në krah të gjermanëve. Naimi nuk u bë ballist, por ja, u bë nipi i tij Mit’hati. Si mund t’ia fshijmë këtë të vërtetë të pamohueshme të kolaboracionizmit Mit’hatit? Është e pamundur.

Ky ishte mendimi i Dritëroit për Ballin dhe Mit’hat Frashërin…

Ishin fillimet e tranzicionit, një kohë e vështirë, ku, siç thoshte Dritëroi, shiu i marrë, që kishte rënë, kishte lagur dhe shumë nga njerëzit e mirë e të mençur, pedagogë e studiues të njohur, siç ishte dhe ai.

Ne rastin e parë që u takuam, në një aktivitet shkencor në Strugë, pasi kishte kaluar ca kohë dhe gjërat kishin filluar të davariteshin, ja thashë përshtypjet e mia për ligjëratën në Kontakt, e me pas i tregova se, ndeërsa ti po flisje gjithë pasion, mua më telefonoi i shqetësuar dhe një figurë e njohur dhe e respektuar e letrave shqipe, mik i yti…. Ishte mjaft i dëshpëruar për ato që po dëgjonte në ligjeratën tënde. Por se kush ishte ai, megjithë këmbënguljen e tij, nuk ia tregova, për dy arsye; së pari këtë s’ma kish thënë Dritëroi dhe unë nuk mund të abuzoja me emrin e tij. Dhe së dyti, isha i sigurt që po t’i thosha se ishte Dritëro Agolli, kjo do ta lëndonte e mundonte shumë. Në këtë takim biseduam gjatë për Luftën në Shqipëri e në Kosovë, për veçoritë e specifikat e tyre. Nga biseda pashë se kishte reflektuar goxha e qe larguar nga mjaft gjëra që kish trajtuar në Kontakt. Dhe, kjo më gëzoi, pasi ai ishte një historian i njohur e i respektuar në qarqet shkencore në Kosovë e në Shqipëri.

DITA

 

Back

Contact

REDAKSIA artEX
NA SHKRUANI përmes portalit tonë KOMUNIKIMI/ Feedback !

© 2010 All rights reserved.

Create a free websiteWebnode