DO TA DREJTOJË AMERIKA TRUMPIN APO TRUMPI AMERIKËN?
18/11/2016 19:47
OPINION
DO TA DREJTOJË AMERIKA TRUMPIN APO TRUMPI AMERIKËN?
Nga Andrea STEFANI
Është fakt se gjatë fushatës zgjedhore Trump ka bërë disa deklarata vështirë të gëlltitshme për këdo që aspiron për një shoqëri të hapur themeluar mbi disa vlera universale të lirisë, barazisë së shanseve dhe humanizmit. Ky është edhe shkaku që ende pa nisur nga ushtrimi i detyrës si President i SHBA, atij po i mbërrijnë mesazhe të tërthorta nga liderë të ndryshëm perëndimorë (Merkel për shembull) që paralajmërojnë se bashkëpunimi me të është u mundshëm vetëm mbi bazë të vlerave të lirisë dhe demokracisë.
Analistë dhe politikanë kanë shprehur skepticizmin lidhur me mundësinë që Trump ti përmbahet këtyre vlerave. Të tjerë si ata janë shfaqur më optimistë duke supozuar se gjithçka ekstreme në deklarimet e Trump, ka qenë sa për fushatë dhe se ai nuk i ka patur ato deklarime seriozisht.
Nuk mendoj se është ashtu. Megjithatë nuk ka fare rëndësi nëse Trump i ka bërë deklarimet seriozisht apo oportunisht dhe se po oportunisht mund ti braktisë. Këto janë supozime dhe, në një rast të tillë, është më e matur të merret në konsideratë opsioni më i vështirë pra, që Trump, gjithçka e ka thënë e ka shprehur seriozisht dhe se do këmbëngulë ta zbatojë.
Në një rast të tillë shpresa është se ai do të përballet me sistemin e institucioneve të demokracisë kushtetuese amerikane që nuk lejon prekjen e atyre vlerave që duken të kërcënuara nga disa deklarime apo edhe vizione të shpërfaqura nga Trump.
Pra, problemi i vërtetë mund të jetë ky: A do të mundë demokracia amerikane, sistemi i saj i institucioneve dhe opinionit publik, ti vënë kufi Trump-it nëse ai do të këmbëngulë për politika që shkojnë në linjën e deklarimeve ekstreme që ka bërë në fushatë? Personalisht besoj që po. Madje edhe nëse Trump moderon qëndrimin për çështjet në fjalë, ky moderacion do të qe më shumë rrjedhojë e koshiencës së tij për një rezistencë të tillë institucionale të sistemit demokratik.
Në këtë rast nuk mund të mos na kujtohet Karl Popperi që, në librin “Shoqëria e Hapur dhe Armiqtë e saj”, bën të qartë se demokracia nuk jep garanci se kush do të vijë në pushtet. Pra, në pushtet mund të vijë me votë edhe dikush që nuk i ka fort për zemër disa parime të vetë demokracisë. Por ky problem zgjidhet, në dobi të një demokracie të qëndrueshme, duke krijuar një sistem kundërbalancash institucionale që nuk e lejon pushtetarin në fjalë të bëjë shumë dëm duke kufizuar kuturisjet e tij.
Besimi është se demokracia më e madhe, më e pasur dhe më e fuqishme e Botës e ka konsoliduar tashmë një garanci të tillë. Po në rast se Trump do këmbëngulte të zbatonte ato që disa shpresojnë të kenë qenë trukime të një populizmi zgjedhor? Atëherë do të kish shumë të ngjarë që Trump, sikundër ka parathënë Michael Moore, të mos e përfundonte dot mandatin si President nga që mund të shkarkohej, me procedura demokratike, nga e njëjta demokraci që e solli në pushtet.
DITA