DISA ARGUMENTE QË RRËZOJNË TARIFËN

31/08/2017 10:11

REAGIM

 

 

DISA ARGUMENTE QË RRËZOJNË TARIFËN

Nga Fitim ÇAUSHI

 

 

I nderuar profesor Fatos Tarifa

Së pari, shpreh respektin tim për staturën tuaj intelektuale, vlerësimin e idealit të babait tuaj të nderuar dhe bashkëluftëtarëve të tij, në vitet e Luftës Nacionalçlirimtare dhe socializmit. Analizat tuaja për legjitimitetin e socializmit, mbështetur në thëniet e disa studiuesve të huaj, qofshin ata edhe marksistë, nuk e përafrojnë realitetin shqiptar dhe nuk e shpjegojnë saktë atë, sepse, nuk e kanë njohur Shqipërinë në historinë e saj të dhimbshme, të copëtuar prej Europës,  nuk e kanë njohur as Enver Hoxhën dhe punën e tij kolosale për ta çuar përpara atë sistem shoqëror, përmes kundërvënies së forcave të përmbysura dhe synimeve përmbysëse të vetë shteteve të jashtme.

Ju pohoni: “Sidomos në Shqipëri, rritja mjaft e shpejtë ekonomike gjatë viteve 1950-1960, e cila dukej e jashtëzakonshme në kontrast me nivelet  skajshmërisht të ulta të fillimit, dhe arritjet e konsiderueshme, të shënuara në fushën e barazisë sociale, strehimit, punësimit, shëndetësisë, luftës kundër analfabetizmit, edukimit dhe kulturës, ishin impresione për masën e gjerë të popullsisë. Për të gjitha këto, merita iu njoh udhëheqjes së Partisë [komuniste] të Punës nën drejtimin e Enver Hoxhës, duke ia rritur së tepërmi popullariten atij dhe duke krijuar një nivel të lartë legjitimiteti për regjimin e tij”.

Kjo është e vërteta e socializmit në Shqipëri, por, jo e gjitha, sepse, rritja ekonomike vazhdoi edhe në vitet ’70, dhe jo thjesht si impresion për masën e popullit në ato fusha që rreshtoni ju, por, ishte një transformim kolosal  i Shqipërisë edhe në fusha të tjera të jetës. Shqipëria ishte vendi më i varfër i Europës, që trashëgoi një prapambetje shekullore si askush tjetër, ajo doli nga lufta e shkatërruar deri në palcë. Enver Hoxha projektoi epokën e shndërrimeve të mëdha e të thella ekonomike me karakter demokratik e socialist, që çuan në zhdukjen e marrëdhënieve feudale dhe varësinë ekonomike të vendit nga kapitali i huaj. U krye transformimi rrënjësor i krejt strukturës shoqërore dhe zhdukja e shfrytëzimit të njeriut prej njeriut.

Shqipëria u shndërrua në një vend të përparuar me industri shumëdegëshe, bujqësi moderne me rendimente të larta që barazoheshin me ato europiane, duke siguruar drithërat e bukës dhe ushqimin e popullit, me një ekonomi të zhvilluar dhe të pavarur që zhvillohej me ritme të larta dhe me nivel jetese vazhdimisht në rritje për masat e gjera punonjëse. Krijimi dhe fuqizimi i industrisë shumëdegëshe, mbështetur në burimet e brendshme, veçanërisht industria e rendë metalurgjike, minerare dhe e energjetikës, ishin vepër monumentale me rëndësi kombëtare dhe historike për brezat, që i siguroi Shqipërisë  pavarësinë ekonomike e politike.

Ajo që do të ishte si ndihmesë për lexuesit dhe masën e popullit, madje edhe për studiuesit e huaj që nuk e kanë njohur nga brenda Shqipërinë dhe hallet e saj, do të ishte: Përse u frenua zhvillimi i socializmit në Shqipëri, përderisa ai ishte në interes të masave të gjera të popullit? Mos, vallë, ndërroi  brendia e politikës së Enver Hoxhës, apo, forcat e jashtme e ngushtuan rrethimin  dhe ia prenë hovin socializmit?

Shkrimi juaj “Funerali i komunizmit si sistem”, mendoj se duhet të kishte brenda një dhimbje të madhe, sepse ra sistemi që përfaqësonte pronën shtetërore mbi mjetet e prodhimit, sistemi më përparimtar që aspironte Marksi, sistemi që plotësoi ëndrrën e popullit të thjeshtë dhe të varfër për barazi sociale, dhe u restaurua sistemi i pronës private mbi mjetet e prodhimit, sistemi i shfrytëzimit të njeriut.

Do të mbetet aktuale teoria e Marksit, si themeluesi i teorisë së socializmit shkencor, se, çështjen themelore do ta përbëjë ideja e diktaturës së proletariatit, sepse, ishte ai që luftën e klasave e shtriu deri në diktaturën e proletariatit. Në letrën pas përfundimit të “Kapitalit”, Marksi shkruan: “Po deshe të bëhesh si bagëtia, natyrisht mund t’i kthesh kurrizin vuajtjeve të njerëzimit, dhe të kujdesesh vetëm për veten tënde”.

Ndonëse është shkruar 170 vjet më parë, doktrina ekonomike e Marksit mbetet aktuale dhe busull për zhvillimin shoqëror. Do të mjaftonin krizat ekonomike të kapitalizmit, për të vërtetuar drejtësinë e mendimit gjenial të Marksit. Ju pranoni Marksin dhe shprehni rezerva, madje jini  kundër Leninit. Mercenarët e borgjezisë kanë tentuar të godasin jo vetëm teorinë, por, edhe praktikën  e revolucionit proletar. Leninit iu desh të luftonte me oportunizmin e Internacionales së II, të pasqyruar në veprën madhore “Materializmi dhe empiriokraticizmi”. Ai ka zhvilluar një sistem shumë të pasur idesh që është një kontribut në thesarin e mendimit marksist.

Pas fitores historike të Revolucionit të Tetorit, kur socializmi u kthye në sistem ekonomiko–shoqëror, kapitalizmi ndryshoi strategji dhe taktikë. Në atë kohë imperializmi e ndiente se bolshevizmi ishte një forcë botërore dhe përpiqej ta mbyste me shpejtësi. Për këtë, në 1918, imperialistët anglezë, amerikanë dhe japonezë, filluan intervenimin ushtarak kundër Rusisë. Socializmi e përballoi heroikisht këtë intervenim, ndonëse, krimet e tyre ishin barbare. Natën e 20 shtatorit 1918, janë pushkatuar pa gjyq 26 bolshevikë të Bakusë nga anglezët e “qytetëruar”.  Anëtarët esero-menshevik të sovjetit të Bakusë, kërkuan ndihmën e imperializmit anglez, për ta vendosur pushtetin e tyre kundër bolshevikëve, dhe, këta, në emër të “qytetërimit”, i pushkatuan fshehur. Nuk mund të anashkalohet nga shqiptarët denoncimi nga Lenini i Traktatit të fshehtë të Londrës, më 1915, ku Shqipëria copëtohej përfundimisht.

Ju sulmoni Stalinin në mbështetje të borgjezisë ndërkombëtare, sepse, Stalini e zbatoi në praktikë teorinë revolucionare të ML. Përqëndrimi i zjarrit kundër Stalinit, e më vonë edhe kundër Enver Hoxhës nga borgjezia ndërkombëtare, ishte jo vetëm për ta çfarosur socializmin, i cili rrezikonte të ngrinte tërë popujt e botës kundër shfrytëzimit kapitalist, por, edhe për të çfarosur ëndrrën komuniste nëpër botë, për të krijuar tek popujt frymën e zhgënjimit si nga një ideal i rremë!

Stalini ishte një kollos që i bëri ballë nazizmit dhe i çliroi popujt e Evropës nga ushtritë hitleriane. Ndërtimi i socializmit dhe përparimi i ekonomisë sovjetike, më së shumti i dedikohet udhëheqjes së vendosur të Stalinit. Veç të tjerash, Stalini formuloi tiparet dhe kërkesat kryesore të ligjit ekonomik themelor të kapitalizmit të sotëm, që janë sigurimi i fitimit kapitalist maksimal me anë të shfrytëzimit dhe të militarizimit të ekonomisë kombëtare. Meritë e veçantë e Stalinit ishte demaskimi i klikës titiste dhe planeve të saj aneksioniste ndaj Shqipërisë, në vitin 1947, çka e shpëtoi Shqipërinë nga kthetrat e titistëve (Nuk e shpëtoi Shqipërinë, sepse, prej atyre planeve antishqiptare ndërkombëtare mbetën jashtë Shqipërisë londineze ¾ e Shqipërisë Etnike, e, ka rrezik ashtu të mbesin dhe sot!..., vërejtje e botuesit, artEX.al-dritare shqiptare 0se: www.artexd.webnode.com).

Ardhja e socializmit përfaqëson një domosdoshmëri historike që rrjedh nga zhvillimi objektiv i shoqërisë. Kundërrevolucionet mund t’i zgjasin edhe ca jetën sistemit shfrytëzues, por, ato, nuk e ndalojnë dot marshimin e shoqërisë njerëzore drejt  së ardhmes së saj socialiste, ajo është aspirata e popujve.

Revolucionet borgjeze të viteve 1793 dhe revolucioni i Komunës së Parisit 1874, së bashku edhe me revolucionin e vitit 1905 në Amerikë, për të cilin Xhek London ka shkruar “Thundra e hekurt”, kishin si aspiratë të tyre pikërisht këtë formë pronësie; pronën shtetërore mbi mjetet e prodhimit, barazinë shoqërore të popujve, pra, socializmin si rend shoqëror.

Nëse ju lejohet profesor i nderuar; mund të na thoni: me kë jini ju, me pronën shoqërore mbi mjetet e prodhimit, sikundër e sanksionon socializmi apo me pronën private të kapitalizmit?  Përcaktimi i këtij këndvështrimi do të sillte analiza dhe përfundime më të qarta në studimin tuaj. Nëse ju profesor i nderuar, do ta drejtonit revolucionin socialist në Shqipëri, kë do mbronit; popullin që e donte pronën shtetërore mbi mjetet e prodhimit apo pasardhësit e klasave të përmbysura dhe aristokracinë e klasës, që kërkonin restaurimin e kapitalizmit?!

Të bësh teori ex-katedra, është e lehtë, por ta zbatosh teorinë e revolucionit socialist në praktikë është e vështirë. Ju i dini më mirë se mua edhe ndërhyrjet agjenturore në punët e brendshme të Shqipërisë nga shtete të huaja për ta përmbysur socializmin. A mund të gjykohet zhvillimi i socializmit në Shqipëri, pa analizuar edhe ndërhyrjet e këtyre rivaliteteve; bllokadat dhe sabotimet e tyre përmes elementit të kompromentuar brenda Shqipërisë?

Ju flisni për legjitimitet të socializmit, por, nuk thoni a ishte legjitim sabotimi dhe ndërhyrja në punët e brendshme të vendeve socialiste dhe Shqipërisë nga shtete të jashtme të fuqishme? Ka me qindra dokumente arkivore të botuara në libra për këtë ndërhyrje gjatë Luftës së Ftohtë në BS dhe vendet e Envropës Lindore. Është i njohur konspiracioni i madh kundër Rusisë dhe vendeve të socializmit nga kapitalizmi. Vetë Dallesi, ish shefi i CIA –s, ka pranuar se janë harxhuar miliarda dollarë për ta shkatërruar socializmin. A është faji i socializmit që u mund nga kapitalizmi i fuqishëm 350 vjeçar, apo është faji i kapitalizmit që ndërhyri dhunshëm ndaj socializmit të brishtë?! Këtë, ju, profesor, nuk e analizoni, sepse, mund ta rrezikoni karrierën.

Pedagogu im i ekonomisë politike në Institutin e Arteve, Mumtaz Shehu, njëherazi edhe punonjës i Kryeministrisë, mbaruar studimet jashtë shtetit, në një emision televiziv për plenumin e Tiranës në 1956-n,  u shpreh:  “Atë që nuk e arritëm dot ne atëherë, e arritën fëmijët tanë sot”. Kjo është dëshmi e gjallë e synimeve për përmbysje të sistemit socialist nga elementë që nxiteshin artificialisht nga jashtë, çka do të çonte në luftë klasash edhe në gjirin e Partisë.  A s’duheshin dënuar armiqtë që synonin shkatërrimin e socializmit?

Ajo që më ka tronditur, i nderuar profesor, është krahasimi që i kini bërë Enver Hoxhës me Pol Potin në shkrimin për Marksin. Kjo përgjegjëson edhe atin tuaj të mirë e të devotshëm për socializmin, sepse, ku ishte ai komunist i devotshëm, kur Enver Hoxha bënte krime?! Nuk mund të ketë demokraci borgjeze jashtë diktaturës borgjeze, sikundër nuk mund të ketë demokraci socialiste jashtë diktaturës së proletariatit.

Enver Hoxha e ka shtruar vazhdimisht se çështja e fitores së socializmit mund të quhet e zgjidhur përfundimisht, vetëm atëhere kur të jetë zhdukur rreziku i rivendosjes së kapitalizmit, i cili vjen jo vetëm nga klasat e vjetra shfrytëzuese, apo nga sistemi i jashtëm, por, edhe nga degjenerimi i brendshëm borgjezo-revizionist. Ky rrezik do ekzistonte derisa të ekzistonin bazat e tij që janë gjurmët e kapitalizmit brenda vendit dhe ndikimi e presioni i botës kapitaliste nga jashtë. Në Kongresin e 5- të Partisë, Enver Hoxha theksonte: “Përderisa nuk është siguruar fitorja e plotë e revolucionit socialist në fushën e ideologjisë e të kulturës, nuk mund të jenë të sigurta e të garantuara as fitoret e revolucionit socialist në fushën politike dhe ekonomike. Prandaj, lufta në frontin ideologjik, për shpartallimin e plotë të ideologjisë borgjeze e revizioniste, në fund të fundit, ka të bëjë me çështjen a do të ndërtohet socializmi  e komunizmi, apo, do t’i çelet porta përhapjes së ideologjisë borgjeze  e revizioniste  dhe do të lejohet kthimi prapa drejt kapitalizmit”

Enver Hoxha ka shkruar edhe për produktin e këtij presioni: “Përderisa ekziston presioni borgjez revizionist nga brenda e nga jashtë, ekziston gjithnjë edhe rreziku i lindjes së armiqve të rinj dhe i veprimtarisë së tyre kundër socializmit”.

Fakti që në skenën politike shqiptare të Luftës së Dytë Botërore, populli shqiptar nuk u mashtrua nga forcat politike të djathta, por shkoi pas Frontit Nacionalçlirimtar të udhëhequr nga Enver Hoxha, dhe marshoi drejt Veriut të Shqipërisë për shpartallimin e forcave të reaksionit, tregon se ishte i bindur në drejtësinë e Enver Hoxhës, në përpjekjet e tij pët ta shpëtuar Shqipërinë nga planet e të huajve për ta ndarë Shqipërinë përfundimisht në vitin 1944, në dy pjesë: Veri-Jug.

Këtë nuk mund t’ia harrojnë Enver Hoxhës qarqet e huaja që kishin projektuar ndarjen e Shqipërisë, as ballisto-zogistët për shpartallimin e reaksionit dhe bandave diversive pas çlirimit të vendit. Historia e Shqipërisë do t’i jetë mirënjohëse nëpër shekuj birit të saj të lavdishëm Enver Hoxhës, por, pikërisht, për qëndrimin e tij konsekuent, reaksioni ndërkombëtar nuk do t’ja falte kurrë prishjen e planeve gjeostrategjike për përdorimin e Shqipërisë si bazë ushtarake në sulmet kundër rivalëve të tyre imperialistë.

Nuk është në nderin tuaj, i nderuar profesor, t’i bashkoheni korit të korbave ballisto-zogistë dhe të dënuarve politikë, që u vendosën në pushtet pas çlirimit, por, që e humbën shansin ta drejtonin atë, sikundër drejtoi me ndershmëri dhe besnikëri babai juaj i nderuar. Enver Hoxha nuk ishte diktator, por, ishte parimor, prandaj, do të mbetet udhëheqësi shpirtëror i përjetshëm, sepse, e përjetshme do të jetë edhe aspirata e tij për socializmin.

Cila direktivë e Enver Hoxhës ishte e gabuar, në dëm të popullit dhe Shqipërisë gjatë tërë jetës së tij revolucionare për zhvillimin e socializmit? Direktivat e tij ishin publike dhe të aprovuara në kongrese e plenume nga e gjithë partia dhe populli. Ato i studionin edhe qarqe të huaja për t’iu kundërvënë.

Ishte diktator se nuk lejoi t’i merrej Shqipërisë as një pëllëmbë tokë, përkundër Ahmet Zogut dhe politikanëve të sotëm? Ishte diktator se mposhti veprimtarinë titiste, e cila e rrezikonte për ta vënë Shqipërinë nën një skllavëri të re? Ishte diktator se përballoi revizionizmin hrushovian, i cili kërkonte ta kthente Shqipërinë në bazë ushtarake për të  ngritur agresione kundër popujve? Ishte diktator se nuk pranoi propozimin e udhëheqësve kinezë ta bashkonte Shqipërinë me Jugosllavinë dhe Rumaninë në një aleancë ushtarake kundër BS?! Ishte diktator se mbrojti politikën e pavarësisë dhe të sovranitetit të plotë kombëtar? Ishte diktator se demaskoi me guxim politikën neokolonialiste dhe të agresioneve të të dy superfuqive imperialiste, prirjet fashiste, natyrën shfrytëzuese dhe luftënxitëse të tyre?

Ishte diktator se zhduku krimet, përkundër një Shqipërie të kriminalizuar sot, ku krimet dhe vrasjet janë qindfishuar? Ishte diktator se zhduku malarien, tuberkulozin, dhe sëmundje të tjera, duke siguruar një shëndetësi falas dhe të sigurt? Ishte diktator se zhduku papunësinë, ndërkohë që sot, edhe atje ku disa janë punësuar, i flakin në rrugë për t’i zëvendësuar me militantë partiakë, duke zbatuar një luftë të egër klasash, sikur Shqipëria të mos jetë e shqiptarëve, por e partive?!

Ishte diktator se ndaloi degjenerimin e rinisë dhe e mobilizoi në punë, përmes së cilës, prodhoi të mira materiale dhe edukoi gjenerata të reja? Ishte diktator se nuk lypi, nuk ja nderi dorën kurrkujt, duke u mbështetur në djersën e ndershme shqiptare? Ishte diktator se forcoi unitetin moralo-politik të të gjithë punonjësve?

Si mund ta frymëzonte një diktator popullin, që ngriti hidrocentrale gjigande dhe lulëzoi fushat shqiptare, dikur këneta dhe plot shkurre? Si mund të frymëzonte një diktator punëtorë të pararojës, që jipnin jetën për pronën e popullit si Adem Reka, etj? Si e hodhi popullin në aksione vullnetare një diktator, kur sot vijnë gjithfarë ushtarësh dhe vullnetarë të huaj, të pastrojnë mjediset shqiptare dhe të na mësojnë vullnetarizmin? Si mund të frymëzonte një diktator një armatë artistësh që krijuan vepra madhështore dhe i kënduan popullit plot art, duke sensibilizuan Evropën me këngët, vallet dhe kulturën e tyre.

Ju shani si diktatorë Stalinin dhe Enver Hoxhën, por, s’guxoni të përgjegjësoni si kriminelë presidentët e Amerikës për krimet në Vietnam, Laos, Panama, Kili, Afganistan, Irak, Siri, Libi, Liban, etj. Mos, vallë, ju i quani legjitime krimet e tyre, ndërkohë që në Amerikë dhe në botë ka patur revolta dhe demonstrime kundër këtyre luftërave?!

Reaksioni borgjez dhe imperializmi, për ta përjetësuar regjimin e tyre, kanë vrarë, torturuar e mbytur nëpër  burgje qindra mijëra komunistë  e luftëtarë të revolucionit, që kishin përqafuar idetë e ML  dhe luftonin për çlirimin e proletariatit e të popujve. Nuk harrohen krimet kundër komunistëve në revolucionin e vitit 1905 dhe krimet e Makartit në Amerikë, nuk harrohen krimet e Frankos, nuk harrohen krimet e luftës civile në Greqi, Jugosllavi e gjetkë, ku   u shfarosën mijëra komunistë, nuk mund të harrohet karrigia elektrike për Rozenbergët, shkencëtarët e mëdhenj të shekullit. Nuk mund të përfytyrohen sasia dhe gjerësia e propagandës antikomuniste e imperializmit. Ka ndodhur dhe do të ndodhë edhe në të ardhmen, që vendet kapitaliste të ndërmarrin agresione ushtarake kundër popujve, por, s’ka ndodhur kurrë që vendet socialiste të pushtojnë një vend tjetër.

Me respekt për ty dhe babain tuaj

 

DITA

Back

Contact

REDAKSIA artEX
NA SHKRUANI përmes portalit tonë KOMUNIKIMI/ Feedback !

© 2010 All rights reserved.

Make a free websiteWebnode