DËSHPËRIMI DHE REVOLTA E HIPOKRITËVE

20/05/2020 17:18

OPINION

 

 

DËSHPËRIMI DHE REVOLTA E HIPOKRITËVE

 

Nga Viktor MALAJ

 

“E vetmja gjë më e keqe se të jesh gënjeshtar është të jesh edhe hipokrit"

Tenesi Uilliams*

 

Qyshkur u bë publik plani i Qeverisë për ndërtimin e një godine të re teatri në vend të asaj ekzistuese, pati shumë diskutime, interpretime, justifikime dhe kundërshtime. Kundërshtimet justifikoheshin kryesisht me “faktin” se ndërtesa e vjetër ishte një “objekt historik” dhe “monument kulture”. Askush, as specialistët e mirëfilltë nuk na shpjeguan asnjëherë se cilat ishin vlerat kulturore, arkitektonike dhe të tjera që e bënin të domosdoshme ruajtjen e ndërtesës së vjetër të ndërtuar nga ushtria pushtuese italiane gjatë Luftës së Dytë Botërore. Ushtria pushtuese nuk e ngriti godinën për shfaqje teatrale, por për zbavitjen e ushtarëve të lodhur nga “betejat” luftarake. Ajo u ngrit si godinë e përkohëshme dhe, për të mos shëmtuar arkitekturën e ndërtesave të ngritura më parë e më vonë sipas planit rregullues të qendrës së Tiranës, ideuar dhe zbatuar nga arkitektë dhe inxhinjerë italianë, ishte gjysmë e fshehur. Po t’i hiqje emrin e vënë “Teatri Kombëtar”, godina në fjalë i ngjante më shumë një depoje bimësh mjekësore sesa një institucioni kulturor të nivelit kombëtar.

Në projektin fillestar, gjëja e vetme që linte vend për dyshime dhe bëhej shkak për debate dhe kundërshtime të arsyeshme kishte të bënte me parashikimin që ndërtuesit të godinës së re të Teatrit Kombëtar t’i jepej edhe një sipërfaqe mjaft e madhe nga prona publike në qendër të Tiranës ku ai do të lejohej të ndërtonte disa “kulla” shumëkatëshe. Pati edhe projekte të tjerë të shoqëruara me të tjera debate, por për të mos e lodhur lexuesin po kaloj tek projekti i fundit, i cili hap pas hapi mori në konsideratë kërkesat e kritikëve të planeve të mëparshëm.

Tani që shteti planifikoi ndërtimin e godinës së re me shpenzimet e veta, duke i mbajtur jashtë fondeve publike duart e “oligarkëve”, në tryezën e diskutimeve mbeti vetëm çështja nëse duhej ruajtur godina e vjetër apo duhej shembur, siç edhe ndodhi. Në çdo vend të botës ka diskutime dhe mospajtime në raste si ky yni, por askund nuk e vendosin prishjen apo mosprishjen, ndërtimin apo mosndërtimin e një objekti një grusht kundërshtarësh me argumente artistike dhe aq më pak kundërshtuesit e profilit profesional në bashkëpunim me djallëzorët politikë.

Që disa aktorë apo regjisorë të kenë nostalgji (mall) për një godinë ku kanë ushtruar veprimtarinë e tyre gjatë disa dhjetëvjeçarëve, është normale. Që këta aktorë e regjisorë të kenë mendimet apo bindjet e tyre se ndërtesa duhet ruajtur, edhe kjo është normale. Çfarë nuk është normale dhe as e pranueshme ka të bëjë me faktin se një grupim i tillë njerëzish nuk mund të pengojnë me dhunë verbale dhe as fizike realizimin e projekteve qeveritare, qoftë edhe atyre që përfshijnë prishjen e godinës së vjetër. Edhe më e papranueshme është kur këta aktorë dalin e flasin në emër të popullit edhe pse as i ka zgjedhur populli dhe as ata nuk e kanë pyetur popullin. Mundësinë kushtetuese për të bërë referendum nuk e shfrytëzuan gjatë dy vjetëve, sepse e kishin të sigurt se do të humbisnin.

Aktorët dhe regjisorët dalin nga roli i tyre dhe tradhtojnë pretendimet se po luftojnë për një kauzë artistike, kulturore dhe kombëtare qysh në momentin që iu bashkëngjiten partive politike dhe mbajnë fjalime me përralla politike të “dhjetorit 1990, përmbysjes së komunizmit nga Partia (e tyre) Demokratike” etj. etj. Në fund të fundit godina e shembur ishte pronë publike dhe iu përkiste aktorëve po aq sa edhe barinjve dhe minatorëve, mësuesve dhe mjekëve etj. Ata kanë qenë dhe janë aty thjesht punëtorë, punëtorë të artit dhe, për sa kohë i kanë mundësitë e ushtrimit të veprimtarisë së tyre artistike në hapësira të tjera të siguruara, e drejta e tyre nuk i kalon kufijtë e shprehjes së mendimit kundër prishjes së godinës, qoftë edhe nëpërmjet protestave paqësore.

Ajo që të bën përshtypje të madhe tek këta aktorë dhe regjisorë është fakti se thuajse asnjë prej tyre nuk e ka ngritur zërin kur vidhej, digjej e shkatërrohej Shqipëria nga bandat ordinere e politike të atyre që sot janë bërë “aleatë” për mosprishjen e godinës që u prish. Asnjëri prej tyre nuk pipëtiu kur u tjetërsua godina e Kinostudios “Shqipëria e Re” e cila edhe nga ana arkitekturore dhe estetike qendronte shumë më lart se kjo e teatrit. Dhe, më e rëndësishmja dhe më domethënësja është se askush prej këtyre “luftëtarëve të trashëgimisë kulturore” nuk e ngriti zërin kur disa neofashistë shqiptarë propozuan ndalimin e filmave dhe dramave apo komedive shqiptare të realizuara gjatë gjysmës së dytë të shekullit të 20-të. Duke kujtuar vetëm kaq, këta dalin hipokritë të kulluar që “merakosen” dhe janë gati “të flijohen” për një ndërtesë që e kishin planifikuar pushtuesit e huaj, sipas shijes dhe qëllimeve të tyre dhe nuk u shqetësuan fare për prodhimtarinë e shumëfishtë letrare, artistike dhe kulturore të mirëfilltë shqiptare ku kanë mbrujtur dijet, kulturën dhe talentin e tyre shkrimtarët, regjisorët dhe aktorët më të mirë shqiptarë. Identitetin e kulturës shqiptare e përcaktojnë veprat dhe kryeveprat teatrore dhe filmike të yjeve shqiptare të këtyre fushave dhe jo godinat e ndërtuara nga pushtuesit e huaj për strehimin e ushtrive të tyre. Sikur nga Lashtësia të mos na kishte ardhur asnjë dramë apo tragjedi, por vetëm rrënojat e amfiteatrove greke, vështirë se do të merakosej kush për ambiente ku nuk dihej çfarë, si, kush ka luajtur në to dhe çfarë të mirash i kanë sjell njerëzimit. Arti i vërtetë qendron në përmbajtjen e veprave dhe cilësinë e interpretimeve të tyre. Hapësirat nuk janë pa rol, por janë vetëm ndihmëse.

Dhe, tani të hedhim një sy tek vathi i grenzave politike shqiptare. Me pak përjashtime, në këtë vath gjen ideatorët, frymëzuesit dhe nxitësit e shkatërrimeve të pakthyeshme të thuajse çdo gjëje të ndërtuar para 1990 në këtë vend. Nuk besoj se ka gjë më të rëndësishme për historinë e lashtë të një populli se qendrat arkeologjike të zbuluara dhe mirëmbajtura prej tij. Duke përjashtuar arkeologun e shquar Neritan Ceka dhe ndonjë individ tjetër, asnjë prej këtyre “heronjve” të sotëm të “kujtesës historike” nuk e ka ngritur zërin kur prisheshin, vidheshin apo dëmtoheshin qendrat dhe objektet e arkeologjisë shqiptare. Madje, politikanët hipokritë, zullumqarë, hajdutë dhe dëmsjellës të vendit, që sot “i bashkohen kauzës së trashëgimisë kulturore”, megjithëse erdhën e shkuan disa herë në pushtet, financuan pak ose aspak mirëmbajtjen e objekteve arkeologjike dhe, çfarë është më e keqja, lejuan ndërtime mbi këto objekte.

Pavarësisht mendimeve e diskutimeve pafund për godinën e vjetër të TK, një gjë mbetet e palëkundur: shumicën dërmuese të kundërshtuesve të prishjes së godinës dhe krejt çetën politike që i bashkëngjitet kundërshtimit as që i ha fare meraku për ndërtesën e saposhembur. Jo! Kundërshtimet e tyre nuk kanë si shkak as ndjenjat atdhetare, as shijet estetike (që s’i kanë fare), as ruajtjen e vlerave kulturore dhe as respektin për trashëgiminë popullore (që godina e prishur nuk i përket). Motivi i vetëm i kundërshtimit është fakti se ndërtesën e vjetër e prishi qeveria që ata  (qoftë, edhe me të drejtë) nuk e votuan dhe ngaqë kjo qeveri do të ndërtojë aty një godinë të re që do jetë shumë më estetike dhe funksionale se e para.

Pasi nuk kanë lënë mjet dhe artific politik dhe ordiner pa përdorur për t’u rikthyer në pushtet pa ia dalë dot, ashtu si i mbyturi që kapet pas fijes së kashtës, kjo aradhë zullumqarësh politikë që e patën shpallur godinën e prishur si “objekt pa vlerë” dhe për këtë arsye nuk e futën në listën e objekteve të trashëgimisë kulturore, tani përbetohen se do “ta mbrojnë me trupat e tyre” dhe pasi u prish, i bëjnë thirrje popullit (asaj pjese që s’i ka dalë ende narkoza e viteve ’90) “Të përsërisim historinë, si në vitin 1990!”. Kjo thirrje e ideologut të shkatërrimit dhe atit shpirtëror të vandalëve, Sali Berisha, është i vetmi motiv dhe qëllim i protestave opozitare kundër punëve qeveritare si ndërtimi i stadiumit, këndit të lojërave për fëmijë, rrugëve (Astiri) etj. etj. Mbrojtja e trashëgimisë kulturore nuk mund të pritet nga aktorë të tipit Budina, Liçaj apo Bejleri fjalori i të cilëve s’ka asnjë lidhje me kulturën dhe që (ky i fundit) fyente nënat dhe motrat e dhjetëra policëve të rreshtuar për të kryer detyrën e tyre. Mbrojtjen e objekteve kulturore nuk mund ta bëjnë politikanët/et ordinerë që kanë mbetur në kujtesën popullore për goditje me çizme në Parlament, për përbetime të shumta, si ky i fundit, për t’i “ngrënë veshin Edi Ramës” dhe që në fjalimet e herëpashershme nuk iu mungojnë asnjëherë fjalët ”gjak, dhunë, vrasje me gurë etj. “. Protestat e tyre synojnë të bëhen jelek “antiplumb” për t’i mbrojtur nga llogaridhënia ligjore për të shkuarën e vet dhe aspak për të mbrojtur trashëgiminë kulturore. Trashëgiminë kulturore në Tiranë nuk mund ta mbrojë as Albin Kurti nga Prishtina i cili, gjithnjë e më shumë po vetëzbulon mungesën e vlerave politike që i propagandon si gjithëkombëtare dhe dritëshkurtësinë e sjelljeve dhe veprimeve të veta.

Edhe sot në shekullin e 21-të vazhdon të na ndjekë ligësia e mishëruar në legjendën e Kështjellës së Rozafës, ku njëri ndërton ditën e tjetri prishë natën. A ju kujtohet prishja e mbikalimit tek rrethrrotullimi i Zogut të Zi kur Sali Berisha dhe banda e tij ia çuan dëm popullit mbi një milion euro vetëm pse nuk donin që aty të mbetej një vepër me vlerë e kundërshtarëve politikë dhe si është e sotmja në atë rrethrrotullim? Në këtë hulli rrjedh edhe thirrja e një akademiku drejtuar opozitës. Akademiku e këshillon opozitën që, kur të vijë në pushtet, ta prishë godinën e re të teatrit dhe të “rikthejë” të vjetrën. Dhe këtë ide, që akademiku e merr si model nga legjenda e lashtë, mendjelehti dhe ligjshkelësi Lulzim Basha e shpall “flakë për flakë” si premtim të opozitës. A ju kujtohet kur “mbrojtësit” e sotëm të trashëgimisë kulturore i vinin zjarrin njërës nga ndërtesat pranë TK në maj 1991 dhe kur zaptuan dhe shkatërruan ndërtesat e tjera përreth në shtator 1998 apo kur sulmonin me zjarr godinat e Qeverisë dhe të Parlamentit vjet, parvjet dhe për shumë vjet?

Mëkatet e mëdha morale dhe cektësia e intelektit i kanë çuar kundërshtarët pushtetkërkues deri aty sa të shpallin se “Vendi drejtohet nga një kriminel dhe hajdut ordiner. Rama është hajduti që i vjedh shqiptarët, është mashtruesi që i gënjen, është xhelati që i dhunon. Prishja e TK është një akt lufte i Ramës ndaj qytetarëve shqiptarë”. Kjo është deklarata e Lulzim Bashës, njeriut që iu shpërdoroi 230 milion euro shqiptarëve kur ishte Ministër Transporti dhe e mbylli gjyqin me procedura pa u shpallur i pafajshëm, është deklarata e njeriut që kur u vranë katër njerëz të pafajshëm në bulevard ishte Ministër i Brendshëm dhe as u thirr dhe as dha ndonjëherë shpjegime para drejtësisë, megjithëse kishte qenë 10 metra mbi kokat e e gardistëve që hapën zjarr dhe vranë njerëzit e pafajshëm (mbi tarracën e Kryeministrisë). Ky “engjëllor” deklaronte më vonë se “në 21 janar kemi zbatuar vetëm ligjin”. Ky është nënshkruesi i Marrëveshjes kundërkombëtare të Detit me Greqinë, autori i falsifikimit të votave për bashkinë e Tiranës në 2011 dhe për kryesimin e PD-së tre vjet më vonë. Është i njëjti person që mëton të bëhet kryeministër dhe që guxon t’iu vendosë të tjerëve “vijat e kuqe”. Në të vërtetë, po të kishte shtet ligjor në vend të shtetit shërbëtor të “elitave” qarkulluese politike, ky duhej të ishte në burg sot dhe jo të na jepte leksione morale dhe kushtetuese. E, ndoshta, pas tij do të shqyrtohej edhe mundësia që Rama t’i bënte shoqëri. Por, gjithnjë, pas tij sepse edhe “dosjet penale” kanë një radhë kohore shqyrtimi e vendimmarrjeje.

Për fat të keq, edhe Presidenti i vendit z. Ilir Meta po e rreshton veten në të njëjtin formacion politik e moral si hipokritët e lartpërmendur sepse, pasi ka shpallur pavërtetësisht se “Kompleksi i TK mishëron vlerat e identitetit tonë kombëtar” (?!), pas shembjes së tij e konsideroi veprimin qeveritar si “urdhër të Mafias”. Duke u bërë prej kohësh, hapur dhe padinjitetshëm, pjesë e palës politike ku ndodhen partia dhe gruaja e tij Presidenti po e ulë veten në nivelin e Bujar Nishanit i cili iu bashkua dikur protestuesve kundër ndërtimit të Këndit të Lojërave tek Liqeni Artificial. Shpallja prej Presidentit e qeverisë dhe e Forcave të Rendit si “talebanë” veçse shton bindjen se njeriu i gabuar ndodhet në vendin e gabuar. Prej kohësh, madje.

Prishjen e godinës karakatinë të TK e shpallën vepër të Mafias edhe disa politikano-gazetarë si M. Marku etj., por hipokrizia e disa të tjerëve shfaqet dukshëm kur përpiqen të krahasojnë ish-godinën e TK në Shqipëri me Katedralen Notre-Dame të Parisit. Kjo prirje qesharake vetëdiskredituese që bën krahasime të tilla është shumë e shtrirë në jetën tonë shoqërore e publike.  Në qoftë se nuk je shumë i zbrazur nga dijet duhet të jesh shumë i pacipë të krahasosh karakatinën e TK me një nga kryeveprat e arkitekturës botërore, ndërtimi i së cilës zgjati mbi një shekull dhe që sot vlerësohet në disa miliard euro, mbi shtatë shekuj e vjetër dhe pjesë e trashëgimisë kulturore të UNESCO-s. Madje, njëri prej tyre, z. Genc Burimi citoi edhe thënien e shkrimtarit dhe politikanit francez Viktor Hygo se “Ka dy gjëra më vete në një ndërtesë historike, vlera e saj për përdorim dhe bukuria e saj”. Tani, ne duhet të presim nga kundërshtuesit e prishjes së godinës së TK në Tiranë të na tregojnë se cila ishte bukuria (vlerat estetike) e kësaj godine dhe cila ishte vlera e saj e përdorimit që mbetet “e pakthyeshme”.

Burimi dhe disa të tjerë, jo vetëm e shpallën 17 majin si “dita e parë e diktaturës” por edhe e quajtën shembjen e asaj ndërtese si “traumë kolektive”. Nuk më vjen për mbarë, por më duhet të pohoj se thënie të tilla janë shumë larg të vërtetës. Traumën kolektive nuk mund ta shkaktojë prishja (për t’u zëvendësuar me një më të bukur dhe më funksionale) e një ndërtese pa kurrfarë vlerash arkitekturore e estetike, në të cilën s’kanë hyrë kurrë mbi 90% e shqiptarëve. Nuk mund të pësojë “traumë kolektive” një popull që ka 30 vjet që sheh dhe merr pjesë në prishjen, vjedhjen, djegien dhe shkatërrimin e qindra fabrikave, uzinave, muzeumeve, kinemave, qendrave kulturore dhe mjekësore, lapidarëve, vreshtave, plantacioneve të agrumeve, pyjeve, betonizimin e trotuareve, lulishteve dhe bregdetit etj. Zotërinj, e lini mënjanë hipokrizinë!

Të dëshpëruar dhe të zemëruar, me pak përjashtime, janë sot vetëm ata që s’iu eci e tyrja, pra ata që nuk arritën t’i imponohen qeverisë. Nëse ata besojnë vërtetë se qeveria bëri “krim antikushtetues” duke prishur godinën, le të presin edhe pak dhe t’i denoncojnë këto krime në organet e reja të drejtësisë. Drejtësinë apo padrejtësinë e prishjes së godinës, ashtu si drejtësinë apo padrejtësinë e shoqërimit me forcë në polici të kundërshtuesve të forcave të rendit nuk mund ta përcaktojnë as gazetarët partiakë që përpiqen të pengojnë policinë në kryerjen e detyrave të saj dhe as ndonjë politikan (i djathtë) evropian që na gazmon me besimin e tij se e ardhmja e ndritur e Shqipërisë do të vijë nëpërmjet PD-së. Gazmorit nuk i kanë thënë lulushët se shqiptarët e njohin shumë mirë këtë parti, prandaj edhe e kanë braktisur në shumicë vetëm katër muaj pas ardhjes së saj në pushtet. Të “revoltuar” me fillimin e prishjes së godinës qysh pa gdhirë janë të gjithë ata që ëndërronin dhe dëshironin dhunën e ndërsjelltë midis protestuesve dhe forcave të rendit dhe pasojat e paparashikuara të kësaj dhune t’i përdornin pastaj si alibi për kriminalizimin e kundërshtarit dhe braktisjen e pjesëmarrjes në Reformën zgjedhore.

*Thomas Lanier Williams – Dramaturg amerikan i shek. 20-të.

DITA

Back

Contact

REDAKSIA artEX
NA SHKRUANI përmes portalit tonë KOMUNIKIMI/ Feedback !

© 2010 All rights reserved.

Create a free websiteWebnode