DËSHMI AUTENTIKE TË KOHËS (3): KU I KËRKOVA HARTAT E “REPUBLIKËS SË KOSOVËS” ?
23/02/2016 05:48
DËSHMI AUTENTIKE TË KOHËS (3)
KU I KËRKOVA HARTAT E “REPUBLIKËS SË KOSOVËS” ?

Shkruan: Tafil DURAKU
Zhvillimet dramatike të luftës dhe të luftimeve në Zonën e Lirë të Luftës e përreth saj, ishin intensive dhe të paparashikuara në hapësirë dhe kohë. Prandaj, kërkohej veprim e syçeltësi maksimale ushtarake e gueriliteti. Fillimi, si çdo fillim, i kishte vështirësitë dhe sfidat e veta. UÇK-ja duhej mëkëmbur dhe mbështetur, duhej riorganizuar e ringritur pas çdo goditjeje që merrte prej focave pushtuese serbe, ose, edhe në bashkëpunim ,“shqiptaro”-serbe, të cilat u duartrokitnin ofensivave serbe në “Alenë e shpëtimtarëve të kombit:, në Prishtinë dhe gjetkë.
Në Zonën e Lirë të Luftës, siç quhej asokohe Drenica heroike e Zeqir Kurtit, e Azem Bejtë Galicës dhe e Shote Galicës, e Kamer Loshit dhe Emin Latit, e Shaban Palluzhës dhe Mehmet Gradicës, e Ahmet Delisë, e Hasan Prishtinës, e …, patën filluar trajnimet e kadetëve të parë të UÇK-së. Më kujtohet, kur i shihnim disa videoinçizime të tyre, në odën e dajës Sokol Selimi, sa kënaqeshim dhe shkriheshim së qeshuri me ushtrimet e atyre fëmijëve njomakë e trima të UÇK-së.

Krahas zhvillimeve dinamike, rriteshin kërkesat për pasje më të shumta për nevoja të ushtrisë sonë shqiptare. Një ditë prej ditësh, kadeti Xh. S., më tha: “Nipash, në Shtab më thanë se kemi nevojë për disa harta gjeografike të Kosovës, prej këtyre të rejave që kanë dalë, ku dallohen njëra prej tjetrës më lehtë edhe komunat (kufijtë komunalë), sipas ngjyrave, të cilat për ne janë një ndihmë e veçantë, dhe, kur të shkosh në Prishtinë, interesohu dhe gjej sa më shumë që mundesh, për nevojat tona!”…
Kjo, për mua, ishte edhe një detyrë shtesë. Sepse, pak kishte rëndësi kush e cili e thoshte, kur të gjithë e dinim se ushtria e re e popullit shqiptar të Kosovës kishte nevojë për gjithçka e për çdogjë. Xh. i thashë, ta merrte të kryer atë punë, pa ditur se do kishte mjaft telashe për sigurimin e atyre hartave. Të cilat, siç mësuam më vonë, i kishte pronësuar LDK-ja e “Presidentit histo(e)rik”, Dr. Ibrahim Rugovës.
Me të arritur në Prishtinë, pasi çova disa filma fotografishë për zhvillim dhe bërie të fotografive, u interesova edhe për hartat. Disa shokë më thanë se hartat me ngjyra mund t’i gjëja vetëm te “Baraka e SHSHK”, ku ndodhej edhe selia e LDK-së dhe e QIK-ut …
Sapo hyra në “barakën” e njohur të SHSHK-së (Shoqatës së Shkrimtarëve të Kosovës) dhe u interesova për hartat, më thanë që të shkoja te QIK, në hyrjen tjetër të “barakës” së SHSHK-së. Trokita në derë dhe hyra. Në zyrë ishin dy persona që më njihnin dhe i njihja. Ata ishin Enver Maloku dhe Safet Zejnullahu të LDK-së. Pasi u përshëndetëm, u thashë se isha aty me porosi dhe në emër të SHP të UÇK-së, me kërkesë për të m’i siguruar disa harta të Kosovës, për nevoja të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Ata, mbetën të befasuar për një çast. E shikonin njëri-tjetrin me habi. Enveri më tha: “Ne mund të ta japim vetëm një hartë të tillë!”, ndërsa Safeti nuk fliste.
Po, çfarë mund të bëjë SHP me një hartë, kur ato i duhen me shumicë, për t’i pasur në dispozicion udhëheqësit e grupeve dhe të togave të ushtrisë dhe u shërbejnë për të kaluar më lehtë prej një zone komunale (luftarake) në tjetrën… Por, unë, ç‘është e vërteta, aty kuptova se bëhej fjalë për dy “shtabe” të “UÇK-së”, të cilat, më vonë, e treguan “fytyrën” e tyre të vërtetë “patriotike” e “kombëtare”, siç po e tregojnë edhe sot e gjithë ditën, në “pozitë” dhe në “opozitë”!...
Eee, tjetërkush ua ngrehë dizgjinët!... Po, është me rëndësi të dihet se cili “shqiptar” i madh i ka në dorë dizgjinët e tyre!...
Më duket se ata (Enveri dhe Safeti) ndërruan mendje derisa testonim njëri-tjetrin, për përkatësinë ushtarake e luftarake që kishim dhe më thanë se mund të t’i japim dy-tre harta. Nuk bëra asgjë tjetër, vetëm se i mora hartat që m’i dhanë, i falënderova dhe dola jashtë zyrës së QIK-ut të LDK-së, pa i numëruar ato.
Pastaj, u interesova se a mund të gjëja diku edhe harta të tjera, të njëjta, të cilat, më pas do t’ua çoja në SHP, në Zonën e Lirë të Luftës. I gjeta dhe disa sosh, të cilat i kishte çitur në “treg të zi” LDK-ja me bishtat, nënbishtat e bishtalecat e saj “patriotikë” e “kombëtarë”!... I mora dhe i çova në SHP, në Açarevë. Në Shtab ndodhej vetëm AB-eja. Doli dhe sapo më pa, më tha: “Tungjatjeta, gazetar, mirë se erdhe! Ç‘kemi dhe ç‘na sjellë nga kryeqendra e Pacifizmit?”…
– O, t’kam thënë, o AB-e, jam pak më i madh se gazetar!... Po, ç‘të reja mund të ketë nga kryeqendra e Pacifizmit, ku, nga “Baraka e SHSHK-së” dhe nga “Aleja e shpëtimtarëve të kombit”, ku ahengohen”patriotët” dhe “shqiptarët” e LDK-së&Co, u duartrokitet ofensivave shfarosëse serbe kundër UÇK-së!?! Por, unë, sot, i solla disa harta të Kosovës, sepse, më ka porositur Xhaviti (Xh. S.) që t’i sjellë për nevojat e luftës. Po, i ndalë 2-3 sosh për Xhavitin dhe të tjerat merri ti, për nevoja të Shtabit e të Ushtrisë.

Pastaj, u ndamë me AB-enë dhe vajta në Lagjen e Kodrës, ku e takova Xhavitin, e njoftova për hartat dhe e njoftova se disa (shumicën) ia lashë AB-esë, në Shtabin Qendror (Shtëpia e S. Selimit). Xhaviti, më falënderoi dhe më tha: “Paske bërë punë të mirë, se, po na duhen shumë!”…
Pastaj, me gjakftohtësi dhe gjatë pata mundësi dhe kohë që t’i analizojë sjelljet e Enverit (Malokut) dhe të Safetit (Zejnullahut, ky është gjallë dhe sot), duke i parë nga afër lojërat, shantazhet dhe mashtrimet që LDK e Dr. Ibrahim Rugovës i bënte në kurriz të UÇK-së dhe të luftëtarëve të saj veteranë.
Ndërsa, Xhaviti (Xh. S.) edhe sot thotë: “Sa shumë ka kontribuar ky njeri (është fjala për autorin e këtij shkrimi autentik), dhe sot i pasistemuar askund. Kjo më çuditë pas masë!”…
Burojë, më 19 Shkurt 2016