DERA KRAHEKRAH!

10/03/2012 17:10

DERA KRAHEKRAH!

Shkruan: Tafil DURAKU

 

Shqipëria dhe shqiptarët janë në hall të madh prej “patriotëve” dhe prej “shqiptarëve” në pushtetet e të gjitha kohëve “patriotike” e “shqiptare”, deri më sot. Duket se Shqipëria dhe populli shqiptar, kësisoji, ua kanë hapur derën krahekrah të këqijave që po i punojnë dhe po i ujisin vetë shqiptarët, kundër vetvetes. Këtij konstatimi të bazuar i shkon për shtat thënia e moçme shqiptare: Kur t’ua hapësh derën të këqijave, ndalu dhe këqyr seri!... E keqja që ka mbërthyer sot Shqipërinë dhe popullin shqiptar në të gjithë shtrirjen natyrore të saj e të tij, është e keqja që e përbëjnë dhe e ujitin vetë “shqiptarët” ‘institucionalë dhe institucionalistë’ të viteve të ’90-ta dhe “shtetet e tyre ‘të bashkuara’ shqiptare në nahi”(Sic ! Mac !)…

Sa e sa lufta u bënë për Shqipëri e për liri të popullit shqiptar deri te kjo e UÇK-së, sa e sa gjaku i bijve dhe i bijave më të mira shqiptare u derdh për Liri e për Shqipëri, sa e sa luftëtari shqiptar u syrgjynos në shekuj, sidomos, janë për t’u veçuar luftëtarët e UÇK-së shqiptare dhe kasta e tyre politike e shqiptare, antititiste dhe antishqiptaro-titiste. Dhe, fatkeqësisht, shqiptarët nuk kuptuan dhe nuk deshën të kuptojnë asgjë nga realiteti i shumëpërsëritur historik, i hidhët pelim për shqiptarët dhe për Shqipërinë e tyre etnike e natyrore, dhe, siç po shihet në horizont edhe sot e kësaj dite, për dritë dielli, dera u është hapur të gjitha të këqijave, të të gjitha natyrave, krahekrah!...

Të këqija dhe hile në politikë, të këqija dhe hile në kulturë, të këqija dhe hile në shkollimin fillor, të mesëm dhe të lartë - universitar e pasuniversitar, të këqija dhe hile në “akademi”, të këqija dhe hile në ushtri, të këqija dhe hile në shëndetësi, të këqija dhe hile në policinë e politizuar dhe në gjyqësinë e politizuar, të këqija dhe hile në diplomaci, të këqija dhe hile në punësim e në punë, të këqija dhe hile në pension, të këqija dhe hile në ekonomi, të këqija dhe hile në menaxhim bankar e kredi… Të këqija dhe hile në media e në informim… Të këqija dhe hile në muzikë… Të këqija, hile dhe bërryla në lojë… Të këqija e hile në luftë e në jetë, të këqija dhe hile me luftëtarët, të këqija dhe hile me dëshmorët dhe me veteranët… Të këqija dhe hile në çdo hap të jetës shoqërore shqiptare dhe, fatkeqësisht, të këqijave dhe hileve u është hapur dera krahekrah!... Populli i urtë, do të thoshte: Ndali Zot me t’mirë!...

E, përse themi se u është hapur dera krahekrah të këqijave dhe hileve e bërrylave në kurriz të Shqipërisë dhe të shqiptarëve? U është hapur, sepse, Shqipëria dhe shqiptarët nuk kuptuan asgjë nga realiteti i hidhur, që po thyhet në shpinën e Shqipërisë dhe të shqiptarit nga vetë “shqiptarët” në pushtet. Dhe, kjo është ajo që duhet t’i shqetësojë të gjithë shqiptarët, kudondodhur në trojet e tyre të shumëcopëtuara e të pushtuara edhe pas luftave të tri UÇK-ve për Shqipërinë dhe për lirinë e popullit shqiptar. Madje, kjo derë hapekrah e krahekrah e të këqijave në kurriz të shqiptarëve dhe të Shqipërisë, në radhë të parë, duhet t’i shqetësojë shqiptarët në krye të Shqipërisë: Qeveri Shqiptare, Kuvend Shqiptar, Diplomaci Shqiptare, Akademi Shqiptare, etj.

Po, kush dhe cili është ai që ua hapi derën krahekrah të gjitha atyre e këtyre të këqijave antishqiptare dhe antiShqipëri?... Sipas të gjitha ndodhive që pamë e përjetuam deri më sot, që po vazhdojmë t’i shohim e t’i prekim edhe sot, shkaktarët kryesorë të hapjes së derës të gjitha të këqijave antishqiptare dhe antiShqipëri, të bëra dravanik, janë UDB-ashët dhe KOS-istët shqiptaro-titistë të Prishtinës dhe të Tiranës aktuale, të cilët kanë krijuar lidhje të vjetra e të reja reaksionare “patriotike” e “shqiptare”, të ditura e të njohura motikohë, të dirigjuara dhe të teledirigjuara nga shërbimet më antishqiptare dhe antiShqipëri, italo-jugosllavo-greke, të lidhura mesvete për interesa grupore e personale, në kurriz të Shqipërisë dhe të popullit shqiptar. Në krye të të gjitha atyre interesave personale e grupore, kulimoklanore, qëndrojnë fuqishëm “institucionet” dhe “institucionalistët” e “Republikës së Kosovës”, të viteve të ’90-ta, të shqiptaro-titistëve UDB-asho – KOS-istë me këlyshët e tyre “patriotë” dhe saliberishistët e “Shqipërisë londineze”, të cilët, kudo e kurëdo, po ia ngulin pas shpatullave thikën Atdheut e popullit shqiptar.

Njeriu normal duhet të shqetësohet skajshmërisht për këtë gjendje skandaloze të Shqipërisë dhe të Shqiptarëve, e cila është shkak-pasojë e mospunës së udhëheqësve “shqiptarë” në krye të të gjitha trojeve të pushtuara e të copëtuara etnike shqiptare me në krye “Shqipërinë londineze”… Duhet të shqetësohemi skajshmërisht për ardhmërinë e Shtetit tonë, Shqipërisë, dhe për ardhmërinë e pasardhësve tanë, e brezave që vinë në vazhdimësi. Nga kjo situatë dhe nga kjo gjendje skandaloze, gati katërmbëdhjetë vjetë të paslkuftës së lavdishme të UÇK-së shqiptare, sa po vjen e po merr përmasa të një çmendie kolektive, ku masat popullore janë para aktit të kryer të çmendisë sociale, ndërsa, kastat mafioze kulimoklanore, “politike”, “patriotike” dhe “shqiptare”, janë para çmendisë klanore-grupore prej gjendjes së pasurisë marramendëse që kanë krijuar, duke ua hapur derën krahekrah të këqijave antishqiptare dhe antiShqipëri, vetëm për hir të interesit personal e grupor, lukunor, kulimoklanor.

Nga të gjitha që pamë e përjetuam deri më sot, po del se derën krahekrah të këqijave antishqiptare ua kanë hapur si pozitë, si opozitë, sepse, në fakt, shqiptarët janë pa pozitë dhe pa opozitë shtetërore, shtetformuese, shtetbërëse dhe SHQIPËRIBËRËSE. Madje, në atë valle të çmendurisë kolektive kanë hyrë edhe të burgosurit politikë shqiptarë dhe “të burgosurit politikë shqiptarë” (e, këta, të dytët,  janë më të zëshmit “patriotë” e “shqiptarë”, siç janë pozitë e opozitë satelite të njëra-tjetrës dhe këto kategori “patriotësh” i shohim kudo nëpër “debate” televizive shtërpe dhe në media të tjera me pasardhësi të konservuar shqiptaro-titiste, antishqiptare). Kësaj gjendjeje të mjerë nuk duhet gëzuar e duartrokitur askush prej shqiptarëve, prej atyre që e ndiejnë veten vërtetë shqiptarë.Shqiptarët dhe shteti londinez shqiptar është dashur ta dinë e ta njohin mirë realitetin shqiptar në trojet e pushtuara shqiptare, si dhe raportet me fqinjët pushtues. Si shkak-pasojë e kësaj mosnjohjeje e realitetit të hidhur antishqiptar dhe antiShqipëri, u është lënë dera hapur të gjitha problemeve antishqiptare me lënien në pushtetin e paprekshëm antishqiptar komunist të shqiptaro-titistëve, sepse, secili që vjen në pushtet është njëri prej atyre komunistëve shqiptaro-titistë, një hallkë(kotërr) e rinovuar dhe e porositur e atij sistemi e zinxhiri bizar antishqiptar, të cilin shqiptarët po e përjetojnë në kurrizin e tyre shqiptar…Në këtë vazhdë, është mirë të lihen përrallat “kosovare” e “kosovariste” dhe të hiqet dorë përfundimisht prej politikës standarde antishqiptare të LDK-së së Ibrahim Rugoves dhe partive satelite të saj antishqiptare, në Prishtinë, në Preshevë, në Shkup, në Podgoricë…, e, mbi të gjitha në Tiranë. Se, është koha e fundit që langonjve duhet t’u bëhet shpina më but se barku, e ujqve t’u luhet nëna me ka krejt, përndryshe, vështirë për shqipiptarët, sepse langonjtë “shqiptarë” ua kanë lënë derën hapekrah problemeve që godasin shqiptarët në çdo drejtim dhe në çdo fushë e rrafsh shoqëror…Thënë mëse urti, krejt në fund t këtij shkrimi, është koha e fundit dhe shumë e udhës që t’u mbyllet dera problemeve dhe të këqijave kombëtare e sociale që godasin shqiptarët dhe Shqipërinë në kurriz…T’ua mbyllim derën të këqijave dhe ta bëjmë Shqipërinë – SHQIPËRI.

Burojë, më 9  mars 2012

Back

Contact

REDAKSIA artEX
NA SHKRUANI përmes portalit tonë KOMUNIKIMI/ Feedback !

© 2010 All rights reserved.

Create a free websiteWebnode