DEMAÇI DHE GJARPËRINJTË E GJAKUT
07/10/2013 20:49
Analizë&Opinion
DEMAÇI DHE GJARPËRINJTË E GJAKUT
Shkruan: Tafil DURAKU
Pasi kishim lexuar shumë libra, që asokohe konsideroheshin (ishin) rreptësisht të ndaluar nga regjimi antishqiptar i Titos (që lexoheshin fshehurazi dhe përcilleshin po fshehurazi, dorë pas dore, aty ku ishte besimi shqiptar në rregull, ku na flinte zemra mëse miri), se, përndryshe, për to mund ta “rruaje” me tortura e burgim tërë jetën, e, edhe me burgim të përjetshëm, siç ishin: “Kosova-djepi i shqiptarizmit” e Hamit Kokalarit, “Shote dhe Azem Galica”e Ajet Haxhisë, “Anzat e Parnasit”, “Lahuta e Malcis” të Gjergj Fishtës, si dhe veprat e Xhaxhit Enver Hoxha: “Imperializimi dhe revolucioni”, “Titistët”, “Eurokomunizmi është antikomunizëm”, “Me Stalinin, kujtime”, “Vetadministrimi jugosllav – teori dhe praktikë kapitaliste”, “Hrushovianët”, “Shënime për Kinën, I dhe II”, etj.
Ndërsa, tek ne, doli një libër tjetër me porosi të qarta kombëtare, romani i z. Adem Demaçi, me titull “Gjarpërinjtë e gjakut”, që asokohe lexohej me një frymë dhe përcillej dorë pas dore, madje, nga shqiptarë e atdhetarë të mëdhenj, të rryer e të flaktë, përshkruhej edhe me dorë, në mënyrë që të ruhej e të përcillej në breza, të mos mund të shkatërrohej nga pushtuesi i dyfishtë serbo-jugosllav dhe aleatët e tij “shqiptarë”, gjarpërinj që na kafshonin dje e nuk kanë pushuar të na kafshojnë edhe sot, mëse shumti…
Këtu e këtë herë nuk do të flasim për vlerat dhe rëndësinë e librit, por, do flasim për mënyrën si e kuptonim ne asokohe porosinë e librit dhe siç e dëshironim të ishte Demaçi i ynë, sepse, ne, asokohe, me gjarpërinjtë e gjakut jo vetëm që kuptonim gjarpërinjtë e dyfishtë serbo-jugosllavë që na lidhnin këmbëeduar e na kafshonin kur, ku dhe si të donin, por, i nënkuptonim për gjarpërinj edhe me të zi e më të zezë aleatët e tyre, gjarpërinjtë “shqiptarë”, në radhët e tyre “shqiptare” dhe në tredimensionalitetin e tyre kolektiv, e që diheshin e njiheshin që prej Fadil Hoxhës e teposhtë, lart-poshtë, deri te Azem Vllasi dhe, anasjelltas, poshtë-lart, prej Azem Vllasit e deri te Fadil Hoxha, me këlyshë e me kudra të tyre demakuçkoviçe e rrahmaninoviçe.
Madje, njohuritë për ata e këta gjarpërinj të rrezikshëm “shqiptarë”, i transmetonim në mënyra të ndryshme vetanake dhe vullnetare edhe tek ata që kishim besim të plotë, i cili besim shtrihej e zgjërohej, ditë për ditë, krejt në vijë e mënyrë familjare e farefisnore-miqësore. Njohuritë tona për gjarpërinjtë tanë “shqiptarë” të gjakut ishin të gjëra dhe të sakta. Ata e këta gjarpërinj, dje e sot, shtriheshin e nuk po pushojnë së shtriri nëpër të gjitha fushat e jetës shoqërore dhe në të gjitha poret e pushtetit serbo-jugosllav të Krahinës Socialiste Autonome të Kosovës, tash “Republika e Kosovës”, duke filluar nga politika, kultura, ekonomia, arsimi, etj.
Roli i veprës së Bacë Ademit dhe porosia kombëtare që dilte prej saj, asokohe, ishte i madh, sidomos, kur apelonte me tërë forcën e tij shpirtërore shuarjen e gjakmarrjes e të vëllavrasjes. Asokohe, Bacë Adem Demaçi, e kishte me gjithë mend, por, ne, duke qenë të rinj e mendonim paksa edhe më ndryshe Bacën tonë të madh(!), por, tash, së voni na doli krejt ndryshe nga ç‘e (para)mendonim dhe e konsideronim. E mendonim ndryshe dhe tjetër prej “shqiptaro”-titistëve dhe e vlerësonim ndryshe nga ç‘i vlerësonim “shqiptaro”-titistët në pushtetin më gjakatar e më antishqiptar të kohës, në gjithë historinë e shqiptarëve të copëtuar si komb dhe të Shqipërisë së copëtuar si shtet. Ne qemë dhe mbetëm kundër “shqiptaro”-titistëve. Ndërsa, Baca, duket, ndërroi mendje, dhe, pse ndërroi mendje e di ai, vetë, mëse miri!…
Ajo që nuk mund të pajtohemi me Bacë Adem Demaçin, është fakti se ai u emërua shef i Zyrës për Informim të UÇK-së, në Prishtinë. Por, duhet ta dijë dhe ta ketë të qartë se ai post i rëndësisë së lartë nuk i jep atij (dhe askuj) të drejtë morale, njerëzore e kombëtare që t’i avancojë, punësojë e ngritë në pozita të larta “shtetërore” ata që në çfarëdo forme e shanë dhe e shantazhuan luftën e lavdishme të UÇK-së. Dhe, të gjithë ata që e shanë dhe e shantazhuan luftën e lavdishme të UÇK-së të shpallen hero të gjallë, siç veproi Baca me këlyshin e dëshmuar të komunizmit të kuq antishqiptar jugosllav dhe me “shqiptaro”-titistin e njohur Azem Vllasi.
Nëse e analizojmë situatën, sot, katërmbëdhjetë vjetë pas lufte, del se në vende kyçe pune dhe në pozita të larta “shtetërore” janë vënë “shqiptaro”-titistët dhe veglat e tyre “patriotike” e “shqiptare”, sidomos, një kategori e njohur e të “burgosurve politikë shqiptarë”(!)… Si ka mundësi të ndodhë diçka e tillë, e, Baca, të bëhet se nuk di, e Baca të bëhet se nuk sheh, e Baca të bëhet se nuk dëgjon!… Madje, nga Baca pritnim mëse paku që të lejonte të dëmtohen familjet dhe familjarët e UÇK-së, kontribuesit më të mëdhenj të asaj lufte titanike shqiptare, veteranët e saj, të dëmtohet e të nëpërkëmbet vetë lufta e UÇK-së.
Atëherë, veteranët e UÇK-së dhe përkrahësit e tyre mezi i numëronim me numra dyshifrorë, e, tash, ata numra janë bërë pesëshifrorë e gjashtëshifrorë, e, madje, pesëshifrorët e gjjashtëshifrorët kanë dalë para dyshifrorëve, para veteranëve, dhe kanë uzurpuar tërë pozitat dhe të gjithë pushtetin “kombëtar” në Prishtinë, e, besa, edhe në Tiranë, Shkup, Preshevë, Podgoricë e gjetkë. Për habi, e gjithë kjo ka ndodhur me bekimin e Bacës tonë të dashur, që tash u bë me gjarpinjtë tanë të gjakut, që po na e pijnë gjakun sot si në kohën më antishqiptare të Titos e të Milosheviçit. E, ai po hesht, e ai po hesht, e po hesht, hesht, hesht!… E, pse të mos hesht, Baca!?!...
Ushtria e gjarpinjve të gjakut para të cilës po hesht Baca i ynë, dikur kishte dy krahë, njëri krah quhej UDB dhe tjetri krah KOS. Të dy ata krahë, u shkrinë në një krah të vetëm “shqiptar”, në Prishtinë e gjetkë, në SHIK. Nëpër trojet e pushtuara shqiptare, UDB-a dhe KOS-i përbëheshin prej “shqiptarëve” të mëdhenj e prej “burrave më të mirë shqiptarë”, që flisnin e flasin shqip dhe kudo shisnin e shesin “patriotin”(Sic!)… Baca, i njeh dhe i di, e, hesht! I dekoron dhe shpërblen, madje, i shpall edhe bashkëluftëtarë të veteranëve e të luftëtarëve të UÇK-së dhe i futë në radhët e UÇK-së sonë, siç bëri me titistin e kulluar, Azem Vllasin, i madhëron dhe i qet nëpër poste e pozita të larta “shoqërore”, “shtetërore” e “kombëtare”!…
E dimë betimin e UÇK-së, të gjithë. UÇK-ja bëri luftë për liri e bashkim kombëtar, për t’u bashkuar Kosova dhe viset e tjera, të pushtuara, shqiptare, me Amën e tyre, Shqipërinë. Kush e tradhtoi atë betim?... A ka faje Baca i ynë këtu? Po, bile, të mëdha. A nuk pat më kë të këshillohet Baca i ynë i madh(!), po i mori për këshilltarë të tij “shqiptaro”-titistët e kalibarve të ndryshëm, të cilët e sollën, tok me Bacën tonë të madh(!), luftën e UÇK-së në këtë derexhe dhe e ‘derxhavën’ krejt. I burgosën ushtarë dhe komandantë, në Prishtinë e në Hagë dhe Bacë kryekomandanti sillej e pështillej, siç sillet e pështillet sot, dyerve të “shqiptaro”-titistëve. I ka humbur udha në oborr!... Unë, nuk po e kam fare ‘gajle’ se minjtë titistë i kalojnë nëpër vendin e mustaqeve që nuk i ka, por, se ata minj e mësuan rrugën!... E, Baca nuk sheh, e, Baca nuk bëzë!...
Këtë nuk e pritëm prej Bacës tonë! E, mëse paku pritëm se ai do t’i pozicionojë gjakpirësit tanë “shqiptarë”, gjarpërinjtë tanë të gjakut, “shqiptaro”-titistët, nëpër pozitat më të larta të shoqërisë së re antishqiptare, “kosovare e kosovariste” të “presidentit” histerik Dr. Ibrahim Rugov(n)a. Po, për çudi, Baca, po e qet veten në dritë përditë që ka dhënë Zoti dhe po e zbardhë qëndrimin e tij proshqiptaro-titistëve, pro gjarpërinjve tanë të gjakut, dje e sot! Pro atyre që e shanë e shantazhuan luftën e lavidshme të UÇK-së. Madje, ai po pohon (si në Prizren, vitin që shkoi) se “para me dhanë nuk kemi, por koka hjekim!”… Dhe, mbi ç‘bazë “kombëtare” e “patriotike” e mbështet kërcënimin e tij Baca i ynë!?!...
Çështja që do ta shtrojmë këtu është: Kur dhe ku i hyri krimbi lisit? Pse?... E, këtu, më kujtohet një thënie e gjyshit tim, ndjesë pastë, kur thoshte: Lisi që krimbet, duhet hequr, për të mos u krimbur të gjithë lisat e tjerë e pastaj krejt mali!... Obobo! Po, kjo thënie antologjike e filozofisë shqiptare të gjyshit tim, e ruajtur dhe e përcjellur brez pas brezi, duhet studiuar vazhdimisht dhe duhet pasur në konsideratë e parasysh në çdo kohë të zhvillimeve shoqërore e “shqiptare” në kohë e periudha të ndryshme të pushtimit e të “lirisë” kaq “demokratike”, siç është kjo e jona, sot! Ushtria e ish-udbashëve dhe kosistëve të dëshmuar antishqiptarë po na e hjekin kafshatën e bukës prej goje (me ‘ligj’, me ‘politikë’, me ‘financa’…) duke na lënë pa vende pune dhe pa të gjitha të tjerat që i meritojmë si qytetarë shqiptarë, gjarpërinjtë që ishin të instaluar në pushtetin antishqiptar të Titos, në politikë, në kulturë, në gjyqësi, ekonomi, arsim, etj. Por, se bëhet Baca i ynë krah i djathtë i atyre e këtyre gjarpërinjve, kjo nuk na ka shkuar ndër mend.
Prandaj, a ka mbetur më kohë që Baca të këndellet e të kthehet në udhën tonë dhe të tijën – në Udhën tonë shqiptare, në udhën tonë të përbashkët, në UDHËN E SHQIPËRISË?... E, t’i flakim nga udha e jonë shqiptare gjarpërinjtë “tanë” të gjakut, të cilët po na e pinë gjakun pakëz më zi se në kohën antishqiptare të Titos e të Milosheviçit, ushtritë e demakuçkoviçëve e rrahmaninoviçëve udbasho-kosistë. Nuk na ka mbetur tjetër vetëm të bërtasim me sa zë shqiptar që na ka mbetur: O ku je Bacë, bre, se na shpështove(!), duke u ndihmuar udbasho-kosistëve “shqiptaro”-titistë në Prishtinë dhe shokëve të tyre në Tiranë!... Bravo, Bacë, bre!...
Demaçi dhe gjarpërinjtë e gjakut, apo, gjarpërinjtë e gjakut dhe Demaçi, sot, tok, të gjithë si një, kundër nesh që nuk u futëm nën këmbët dhe nën ombrellën e tyre “patriotike” e “shqiptaro”-titiste të diktatit, si të Demaçit dhe të gjarpërinjve të tij të gjakut, që po i mban fort pranë vetes dhe po i ushqen ende me gjakun tonë shqiptar.
Populli ynë i urtë, për raste të tilla, thotë: Paçi faqen e galme, pa asnjë t’bardhë, me të gjithë “këshilltarët ‘shqiptaro’”-titistë rreth vetes!... Sepse, lejuat që Kosova e pushtuar shqiptare të shkëputet nga Ama e saj, Shqipëria, dhe të përfshihet nga nepotizmi kronik udbasho-kosist antishqiptar, da(m)utdemakuçkoviçisto – nazmirrahmaninoviçist, që mund të quhet edhe neonepotizëm kronik “shqiptaro”-titist, edhe pas luftës së UÇK-së dhe ky është shembulli më tipik i nëpërkëmbjes së gjakut dhe të luftës sonë të UÇK-së, derdhur për LIRINË dhe SHQIPËRINË e shqiptarëve.
Burojë, më 5 tetor 2013