DEMAÇI NË BALLË TË VENDIT
30/09/2010 14:37
Opinion demokratik
DEMAÇI NË BALLË TË VENDIT
Shkruan: Prof. Abdyl KADOLLI
Unë i bashkëngjitem opinionit demokratik që zoti Adem Demaçi të dalë në ballë të vendit - President i Republikës së Kosovës.
Zoti Adem Demaçi është vetë historia e re e Republikës së Kosovës.
Ai është simbol i Lirisë dhe i Pavarësisë kombëtare.
ADEM DEMAÇI
Që nga vitet ’60 ai ishte në ballë të ngjarjeve historike në pjesën e pushtuar të Atdheut.
Programi kombetar i Demaçit udhëhoqi gjithë dramën e re historike të Kosovës.
Adem Demaçi eshtë sot intelektual i përmasave historike dhe i vizioneve të lirisë kombëtare e universale.
Disidenca e Demaçit është lauruar me Çmimin Saharov të Parlamentit Europian.
Demaçi është Mandela i Europës.
Nelson Mandela tash është në krye të vendit të vet,
edhe Demaçi duhet të dalë në ballë të vendit të vet.
Presidenti i vendit duhet të jetë një figurë e shquar intelektuale, jashtë radhëve partiake, një figurë emblematike që krijon drejtpeshimin politik, kombëtar e shtetëror.
Askush nuk e meriton më shumë këtë funksion të rëndësishëm se i ndrituri Adem Demaçi.
Askush nuk mund ta përfaqësojë më denjësisht se Demaçi Republikën e re të Kosovës.
Demaçi edhe më herët e meritonte këtë nderim, por koniunkturat politike i ngatërruan e vonuan gjërat.
Ka ardhur koha që gjërat të vihen në vendin e vet.
Demaçi President është mirënjohje për sakrificat e tij të jashtëzakonshme njerëzore..
Demaçi President është nderim për Lirinë e Pavarësinë e shtetit më të ri në botë.
Në këtë moment historik të zhvillimeve kombëtare Republikës së Kosovës i duhet shumë një figurë kaq emblematike.
Me këtë rast ftojmë të gjitha institucionet republikane, të gjitha institucionet shkencore e kulturore dhe të gjitha subjektet politike e organizatat joqeveritare të Republikës së Kosovës për ta mbështetur pa hezitim këtë opinion legjitim demokratik.
Prishtinë, më 29 shtator 2010