DEKRIMINALIZIMI – TA KAPËSH DEMIN NGA BISHTI

14/05/2016 09:21

OPINION

 

 

DEKRIMINALIZIMI – TA KAPËSH DEMIN NGA BISHTI

Nga Gani ELEZI

 

 

Ligji për dekriminalizimin u miratua në dhjetor 2015, pas shumë debatesh e kundërshtish mes partive politike dhe ndërhyrjes së faktorit ndërkombetar, veçanërisht të ambasadorit amerikan Donald Lu dhe ambasadores së BE-sw, Romana Vllahutin. U konsiderua si një sukses i politikës sonë. Na ishte thënë se ky ligj do ta pastronte politikën, kuvendin dhe institucionet e larta të shtetit, nga krimi. Madje na ishte thënë se “në janar 2016 do të shihni shumë politikanë, deputetë, zyrtarë të lartë, që për efekt të rekordeve të tyre kriminale do të lënë postet’’. Në kujtesen e popullit ka shumë ngjarje tragjike.

Ata duan të dinë kush do lërë postin, të shkojë para drejtësisë dhe të ndëshkohet, për disa ngjarje që tashmë kanë mbetur në kujtesën qytetare si fatkeqësi kombëtare. Kush e shkatërroi ekonominë shqiptare në vitet 1991-1994. Kush e përvetësoi inventarin e pallogaritur të çdo sektori të kësaj ekonomie, nga mjeti më i thjeshtë e deri te linjat e teknologjisë së lartë në uzina e kombinate, përfshi edhe inventarin e madh të armatimit e të teknikës luftarake të ushtrisë shqiptare. Kush, gjatë këtyre 25 viteve, e vodhi ekonominë shqiptare me anë të privatizimeve, shitjeve dhe koncesioneve, të cilat e  xhveshën shqiptarin nga çdo e drejtë mbi pasurinë e tij kombëtare. Kush e organizoi  prostitucionin, tregtinë e mishit të bardhë, tregti turpi dhe e paparë ndonjëherë nga shqiptarët, dhe atë të drogës.

Kush e lejoi, kush e nxiti dhe kush dështoi ta mbajë nën kontroll situatën e piramidave financiare në vitin 1997, e cila rezultoi me mëse 3 mijë të vrarë. Kush e organizoi grushtin e shtetit në vitin 1998. Kush është përgjegjës për vrasjen e 4 qytetarëve të pafajshëm në mes të bulevardit, në 21 janar 2011. Cilët nga politikanët tanë, apo familjarët e tyre, duke abuzuar me gjakun dhe djersën e shqiptarëve, kanë depozituar miliona euro/dollarë në parajsat fiskale. Ka edhe shumë pyetje të tjera që i mundojnë qytetarët shqiptarë. Ligji i dekriminalizimit duhet të lajë hesapet me peshqit e mëdhenj, me baronët e krimit.

Sa duket, këta baronë e kanë qepur ligjin e dekriminalizimit në mënyrë të atillë që ai të merret vetëm me peshqit e vegjël dhe vetë atyre, baronëve të krimit, të mos u hyjë gjemb në këmbë. Ndryshe nuk do të ishin ende në detyra e poste të larta. Do të linin postet, si na ishte thënë kur u miratua ky ligj. Por, më keq do të ndodhë nëse baronët e krimit e korrupsionit do të arrijnë të “qepin’’ në interes të tyre edhe ligjin për Reformën në drejtësi. Edhe nga drafti i këtij ligji janë denoncuar disa nene që amnistojnë shumë nga këto barone. P.sh amnistohen ish-ministrat e para 3 viteve, para vitit 2013, amnistohen prokuroret e gjyqtarët që heqin dorë, vullnetarisht, nga posti. Madje këtyre u jep pension dhe shanse që, pas 10 vitesh, të rikthehen në detyrë.

Për ta shumë mirë. Me aq pasuri sa kanë vënë ministrat, deputetët, prokurorët, gjyqtarët mund të rrinë e të bëjnë vakanca edhe për 10 vite e më pas të rikthehen të “pastruar” në postet e mëparshme. Ku qemë- asgjëkundi. Çfarë bëmë-asgjë, një vrimë në ujë. A do ta hanë edhe kësaj rradhe shqiptarët lojën e “vrimës në ujë”? Edhe kjo është e mundshme. Përvoja e deritanishme tregon se jemi të predispozuar ta hamë. E, në këtë mundësi, pra në mundësinë që shqiptarët ta hanë edhe këtë herë lojën e “vrimës në ujë’’, shpresojnë shumë baronët e krimit dhe korrupsionit. Mbase nuk do të ndodhë më kështu. Shqiptarët duhet të ndërgjegjësohen për rolin që kanë vetë ata në përmbushjen e interesave të tyre.

 

SHEKULLI

Back

Contact

REDAKSIA artEX
NA SHKRUANI përmes portalit tonë KOMUNIKIMI/ Feedback !

© 2010 All rights reserved.

Make a free websiteWebnode