DEKRIMINALIZIMI BËHET I REALIZUESHËM NËSE NISË NGA VETVETJA

03/08/2015 07:23

DEKRIMINALIZIMI BËHET I REALIZUESHËM NËSE NISË NGA VETVETJA

Av. Idajet BEQIRI

 

Bylykbashi, ish-këshilltari juridik i Berishës, deputet në Kuvendin më famëkeq të Shqipërisë, bëri prezantimin e Platformës së PD-së për dekriminalizimin. Opozita e nisi si me të qeshur, si një justifikim banal për t’u rikthyer në Kuvend “kauzën e dekriminalizimit”. U larguan nga Kuvendi për një grusht që hëngri deputeti Strazimiri prej kolegëve të vet, dhe o burra të dal opozita nga Kuvendi! Mirëpo opozita nuk e kishte parashikuar as vetë, se sa seriozisht do të merrej kjo kauzë nga faktorët ndërkombëtarë, posaçërisht nga aleati ynë i natyrshëm dhe i fuqishëm, SHBA. Shoqëria shqiptare ka plot 25 vjet që ka rënë në batakun e inkriminimit në thuajse të gjitha skutat e jetës. Kriminalizimi i gjithë jetës së vendit, i politikës dhe politikanëve, në radhë të parë, ka shkaqet e veta, ka personat që ishin të interesuar të ndodhte ky fenomen, pra ka edhe autorët e saj. Por ka edhe autorë dhe shkaqe të tjera, të cilat bëjnë që kjo shoqëri, në vend që të dekriminalizohej çdo ditë, gjatë këtyre 25 vjetëve është kriminalizuar edhe më keq.

Ndihet dukshëm dhe konstatohet lehtë që kjo kauzë e dekriminalizimit, nuk është as mëndje dhe as “shpikje” e PD-së. Nuk ka kaq mend opozita e sotme të vendoste gishtin në këtë plagë nga më të rëndat në Shqipëri. Nga ana tjetër, dhe kjo është më kryesorja, PD ishte dhe është nga më të painteresuarat për t’u bërë dekriminalizimi i politikës shqiptare. Kjo për arsyen e thjeshtë se një paketë skrupuloze ligjore për të bërë procesin e dekriminalizimit të politikës shqiptare, e cila të ketë si model orientues Platformën italiane “Severino”, zbatimi i saj i përpiktë, i guximshëm dhe pa kthim prapa, do e vendoste PD-në në “Muzeun e Historisë Politike”, duke i lënë vendin një qasjeje të re politike, diametralisht të kundërt me PD-në e sotme.

Në fakt, duam apo nuk duam ta pranojmë dhe ta shikojmë, në çdo hap të hedhur deri tani në përpunimin e idesë dhe të Platformës së dekriminalizimit, shohim rolin aktiv të ambasadorit të SHBA. Përmes të dukshmeve dhe të padukshmeve të tij, vërejmë se “haremet” ambasadori Lu i ka hedhur. Dhe opozita po e gëlltit këtë “karem”. Ky “karem” e ka hedhur topin në fushën e pozitës. Flitet hapur se një deputet i mazhorancës aktuale është me rekorde të rënda kriminale. Politika e krahut të majtë po konsiderohet e inkriminuar, sepse një deputet, i një partie aleate të saj, ndodhet i arrestuar si i akuzuar me rekord të rëndë kriminal. Madje ambasadori Lu doli krejt hapur kur i tha “turp” Kuvendit të Shqipërisë, i cili mban ende në gjirin e vet një deputet me rekorde të rënda kriminale.

Fill pas këtij denoncimi të ashpër, i cili për hir të së vërtetës e vuri në një siklet të përligjur krahun e majtë të politikës shqiptare, në radhë të parë, por edhe gjithë shqiptarët në përgjithësi, deputeti i PD Bylykbashi paraqiti shtyllat e Platformës së dekriminalizimit. Vlerësojmë se në këtë nisëm dhe mision që ka nisur opozita, pavarësisht se ajo e ka të huazuar, e madje të imponuar kapjen pas kësaj kauze, jo vetëm që duhet të mbështetet, por faktorët kryesorë të botës akademike - intelektuale, të shoqërisë civile, por edhe politikanë dhe forca politike serioze dhe të pastra, pavarësisht nga forca elektorale që kanë, të përfshihen dhe të bëhen pjesë aktive e nisjes dhe përmbushjes me sukses të kësaj nisme dobiprurëse. Dekriminalizimi, që të ketë efektet dhe suksesin e mirëpritur, nuk duhet të fillojë nga “bishti”, por nga koka. Gjithçka që fillon nga shkaku determinant, pa të cilin nuk do të kishim këtë shkallë kaq të madhe dhe të rënduar me krim në politikën e vendit, e bënë shumë të lehtë, shumë të efektshme dhe shumë dobiprurëse dekriminalizimin politik të vendit, si parakusht të dekriminalizimit të të gjithë shoqërisë shqiptare.

Dekriminalizimi duhet të nis nga Sali Berisha, politikani më i inkriminuar i vendit, nga ai që nuk ka lënë krim politik, deri në gjenocid, kundër shqiptarëve dhe popujve të tjerë të Ballkanit (kam parasysh boshnjakët, shqiptarët e Kosovës etj) pa bërë, ai që në rolin e nxitësit, organizatorit dhe madje edhe të ekzekutorit ka vrarë me dhjetëra e qindra shqiptarë, që e ka vjedhur, djegur dhe grabitur në mënyrë të paskrupullt këtë vend, e që në fund të fundit është numri një i gjithë situatës kriminale që ka sunduar vendin dje dhe sot. Berisha duhet të dorëzojë menjëherë mandatin e deputetit dhe t’u dorëzohet organeve të drejtësisë për të ngritur dhe zyrtarizuar akuzat e rënda kriminale kundër tij. Urgjentisht, para se të shkojë në Kuvendin e Shqipërisë ligji i dekriminalizimit, kreu i PD-së Lulëzim Basha, të jap dorëheqjen nga të qënurit kryetar i PD, sepse është personi numër dy me rekordet më të rënda kriminale pas Berishës.

 

(Marrë nga Shekulli)

Back

Contact

REDAKSIA artEX
NA SHKRUANI përmes portalit tonë KOMUNIKIMI/ Feedback !

© 2010 All rights reserved.

Create a free websiteWebnode