ÇFARË DO TË THOSHTE SOT MADELEINE ALBRIGHT?!

10/06/2023 07:12

OPINION

 

 

 

ÇFARË DO TË THOSHTE SOT MADELEINE ALBRIGHT?!

Nga Fatos TARIFA

 

Kriza e sotme në veri të Kosovës është, në mos e para, më e rënda në këto 15 vite qysh nga shpallja dhe njohja e këtij vendi si një shtet sovran dhe i pavarur.

Për shkaqet dhe pasojat e mundshme të kësaj krize është folur e shkruar shumë. Flitet dhe shkruhet shumë çdo ditë—në Prishtinë, në Tiranë, në Beograd, por edhe më shumë e më seriozisht duket se po flitet sot për to në Uashington dhe në Bruksel.

Nuk marr përsipër të analizoj këtu shkaqet që shpunë në një krizë kaq të rëndë e të dhunshme, e cila, me të drejtë, ka shkaktuar shqetësim në Uashington, në Bruksel dhe në selinë e NATO-s. Ato janë të njohura për këdo që i ka ndjekur me vëmendje zhvillimet në komunat veriore të Kosovës dhe takimet (në Bruksel, në Berlin e në Ohër), të negociuara nga BE në nivelin më të lartë (Josep Borrell) mes dy drejtuesve politikë kryesorë të Kosovës dhe Serbisë—kryeministrit Kurti dhe presidentit Vučić—duke nisur nga takimi i tyre i parë në qershor 2021, deri te ai një muaj më parë, po në Bruksel, në maj të këtij viti.

Para takimit të fundit, Vučić e pa të domosdoshme t’u thoshte serbëve se “kundër nesh janë të gjithë të mëdhenjtë në Perëndim”. Kurti, nga ana e vet, u thotë mbështetësve të tij në Kosovë se Perëndimi po tregohet “pro-serb”.

Nëse një vit më parë Kurti e akuzoi Borrelin për “tradhëti”, pak ditë më parë ai e cilësoi publikisht deklaratën e sektetarit amerikan të Shtetit Antoni Blinken, që fajëson qeverinë e z. Kurti për rritjen e tensioneve në veri të Kosovës, si “të padrejtë, të gabuar, lënduese dhe naive”!

Deklarata e sekretarit Blinken rreth dy javë më parë ishte kjo: “Vendimi i qeverisë së Kosovës për të hyrë me forcë në godinat e pushtetit komual i përshkallëzoi ashpër dhe në mënyrë të panevojshme tensionet” në veri të vendit.

Kurti dhe qeveria e tij cilësohen qartazi nga përfaqësuesi më i lartë i politikës së jashtme të fuqisë më të madhe të globit si përgjegjës për zhvillimet e fundit në Kosovë. Dhe këtë cilësim e bën Amerika, ajo që e çliroi dhe e mbështet më shumë Kosovën dhe garanton sigurinë dhe integritetin territorial të saj.

E para pasojë për Kosovën që erdhi fill pas kësaj deklarate të sekretarit amerikan të Shtetit ishte anulimi i pjesëmarrjes së Kosovës në manovrat e përbashkëta ushtrake të NATO-s në Ballkanin Perëndimor.

Një “shuplakë” e rëndë për Kosovën dhe popullin e saj për shkak të qëndrimeve refraktare të qeverisë së kryeministrit Kurti. Jo një gjë e vogël për një vend, si Kosova, që ka një aspiratë të madhe—të bëhet pjesë e NATO-s.

Por NATO, si organizata politiko-ushtarake më e madhe në histori, përfaqëson Perëndimin demokratik. Ajo udhëhiqet nga demokracia më e madhe e globit, që është njëherësh edhe hiperfuqia ushtrarake e tij—Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Shtetet e Bashkuara edhe mund të gabojnë, siç kanë gabuar në Vietnam apo në Irak. Por kryeministri i Kosovës nuk është Davidi që mund të matet me Goliathin, kryediplomatin e Shteteve të Bashkuara, duke e cënuar publikisht figurën e këtij të fundit si një njeri që bën deklarata “të padrejta, të gabuara, lënduese dhe naive”.

Të vetmet arsye që, për mua, mund të shpjegojnë një sjellje të tillë politikisht dhe diplomatikisht krejt amatoreske të Albin Kurtit janë filistinizmi dhe megalomania e tij si politikan. Këto dy cilësi, natyrisht, vishen me petkun e një “patrioti konsekuent”, që manifestohet si një populizëm folklorik dhe ka, pa dyshim, ndjekës të shumtë në shoqëri politikisht e kulturalisht ende jo mjaftueshmërisht të emancipuara.

Mjafton të përmend se si dhe pse e adhurojnë Kurtin një pjesë e kosovarëve. Ata shkruajnë (pak vëmendje dhe durim, ju lutem): “Llajcak dhe Borrel jan të orkestruar që të punojn kundër interesave të Kosoves”, “kta dy njerez jane armiq te Kosoves”, “Kto jan Te Paguar Nga Serbia”, “kta dy jon mat kqi se shkiet”, “Nime me 3 shkije je tu bisedu o Albin. Allahu t forcoft”, “Kemi nje kryeminister shum te menqur qe nuk mund te mashtrohet lehte, e serbia kete e din shum mir”, “kto çetnikèt e evropes po dun republik sèrbe nè tokèn ton”.

E të tjera, e të tjera. (Sintaksa e shqipes në çka citova më sipër është lënë siç është shkruar prej këtyre ithtarëve të devotshëm të Kurtit).

Këta njerëz duket se janë baza sociale që e mbështet kryeministrin Kurti. Këta janë ata që Kurti mendon se i japin legjitimitet qëndrimeve të tij! Jo interesat e Republikës së Kosovës dhe të popullit kosovar.

Mbështetja e njerëzve të tillë i jep Kurtit “mençuri” dhe kurajë të qortojë sekretarin amerikan të Shtetit, pra politikën e Shteteve të Bashkuara ndaj Kosovës dhe Ballkanit!

Dhe unë pyes: Çdo të thoshte vallë Madeleine Albright, nga atje ku prehet në paqe, nëse dëgjonte se kryeministri aktual i Kosovës, vendit që ajo e ndihmoi të çlirohet nga sundimi serb dhe të bëhej një shtet i pavarur, e quan “të padrejtë, të gabuar, lënduese dhe naive” qëndrimin e njërit prej pasardhësve të saj në krye të Departamentit të Shtetit?!

Po presidenti Clinton? Po kryeministri Blair? Po presidenti George W. Bush, këta miq të mëdhenj të shqiptarëve dhe të Kosovës çdo të thonin?

Më 29 qershor të vitit 1999, sekretarja Albright, nga qendra e Prishtinës, i siguroi qytetarët e Kosovës me këto fjalë historike: “Të mos gabojë askush. Për sa kohë që kjo është dëshira juaj, Kosova do të mbetet shtëpia juaj”.

Këto fjalë lajmëronin dhe garantonin lirinë dhe pavarësinë për shqiptarët e Kosovës. Ata e brohoritën—dhe për 23 vite me radhë e—konsideruan zonjën Albright si “Nëna” e tyre, ndërsa luftën çlirimtare të UÇK-së, të ndihmuar nga NATO, e quajtën “Lufta e zonjës Albright”. Vetë sekretarja Albright e konsideroi gjithnjë ndërhyrjen ushtarake të NATO-s në Kosovë si gjënë e duhur “në emër të lirisë”.

Lufta për Kosovën ishte e para luftë e NATO-s në historinë e saj. Por a nuk është ironik—për fat të keq—fakti që Kosova u përjashtua nga manovrat stërvitore të NATO-s ku do të merrte pjesë për herë të parë? Arsyeja tashmë dihet: qëndrimi “i padrejtë, i gabuar, lëndues dhe naiv” i Shteteve të Bashkuara ndaj politikës së qeverisë së  Albin Kurtit!

Sikur të ishte dëshmitare e ngjarjeve të sotme, 18 vite më vonë, më 5 korrik 2005, duke folur para anëtarëve të kuvendit të Kosovës, sekretarja Albright dha këtë porosi:

“Sfida juaj më themelore është që të ndërtoni një shoqëri të bashkuar, në të cilën çdo grup etnik mund të marrë pjesë dhe të kontribuojë. Kur isha këtu gjashtë vite më parë kam thënë se ka njerëz të cilët dëshironin që Kosova të dështojë. Këta cinikë mendonin se popullsia në shumicë në Kosovë do t’ua bëjë të pamundur jetën normale të tjerëve. Ata ishin të bindur se Kosova e re do të ishte një vend jotolerant dhe i dhunshëm dhe se minoritetet do të diskrimoheshin dhe nuk do të ndiheshin të mirëpritur.

Në atë kohë, unë besova se ju do i provonit botës se këto kritika janë të gabuara. Përkundër ngjarjeve të turpshme të Marsit 2004 dhe këmbënguljes së ekstremistëve për të ngjallur urrejtje, unë ende besoj se ju do i provoni botës se këto kritika janë pa bazë.

Mirëpo, këtë nuk mund ta bëni vetëm duke deklaruar se serbët mund të jetojnë në Kosovë. Ju duhet të jeni në gjendje të provoni se të gjithë—shqiptarët, romët, ashkalinjtë, goranët, boshnjakët dhe turqit—mund të jetojnë, kudo në Kosovë, të sigurt dhe në paqe”.

Pavarësisht atyre që besojnë se Albin Kurti është një “kryeministër shum i menqur qe nuk mund te mashtrohet lehtë” dhe pavarësisht lutjeve e bekimeve të atyre që e inkurajojnë “O Albin! Allahu t forcoft”, kryeministri Kurti ka hyrë në një qorrsokak dhe nuk po duket se di të dalë prej tij. Madje, as nëse do që të dalë.

Filistinizmi, megalomania, populizmi folklorik dhe histeria e atyre “atdhedashësve” kosovarë që nuk shohim dot përtej hundës së tyre, e mbajnë Kurtin peng të një politike të vjetër, e cila e ka vënë atë përballë Amerikës dhe Europës.

Kujt tjetër i intereson kjo veç Serbisë?

Në Kosovë dëgjohen kritika të rrepta dhe shqetësime: “Me politikat e Kurtit po humbasim veriun”. Në Tiranë: “Kurti po e bën Perëndimin në Kosovë më të urryer se sa Serbia”, “Albin Kurti po e detyron Perëndimin të ripushtojë Kosovën”.

Administrata amerikane e fajëson kryeministrin Kurti për përshkallëzimin e konfliktit dhe të krizës. Përfaqësuesi i lartë i saj për Ballkanin, Gabriel Escobar, thotë se Kurti “nuk dëshiron bashkëpunim me BE-në dhe SHBA-në” dhe paralajmëron “pasoja”. Presidenti francez Emmanuel Macron i deklaron autoritetet e Kosovës “përgjegjëse për rritjen e tensioneve në veri të vendit”.

Por Kurti është pa veshë për t’i dëgjuar ata. Dhe dihet se, pas nesh, shqiptarëve të Shqipërisë, vëllezërve binjakëve demografikë të shqiptarëve të Kosovës, amerikanët janë miqtë më të ngushtë të tyre.

Po kë dëgjon Albini nëse jo ata që e duan Kosovën dhe popullin e saj?

Zërin e arsyes së vet? Zërin e ndërgjegjes së vet? Një zë subkonshient? Një ëndërr profetike?

Albin Kurti dëgjon vetëm ata shqiptarë të Kosovës që i thonë “Allahu t forcoft, o Albin!”, edhe nëse kjo i dëmton interesat e Kosovës dhe e pengon progresin e mëtejshëm të saj.

DITA

 

Back

Contact

REDAKSIA artEX
NA SHKRUANI përmes portalit tonë KOMUNIKIMI/ Feedback !

© 2010 All rights reserved.

Make a website for freeWebnode