ÇADRA(!) DHE FILMAT
10/09/2022 07:41
Analizë&Opinion - RIBOTIM
ÇADRA(!) DHE FILMAT
Tafil DURAKU
“Artin revolucionar e bëjnë artistët revolucionarë, zemra e të cilëve rreh me zemrën e popullit”
ENVER HOXHA*
Kohëve të fundit po debatohet shumë për çadrën(!) dhe për filmat shqiptarë të Epokës së ndritur të socializmit shqiptar. Po lexojmë e po dëgjojmë mendime pro dhe kundër. Fajet për nxitjen e temave të tilla antishqiptare i kanë ideatorët dhe kreatorët e Çadrës. Po, çadra, ku i ka rrënjët e saj “patriotike” e “shqiptare”, ku e gjen frymëzimin e saj reaksionar?... Në çadër dhe nga çadra në Bulevard kritikohet Enver Hoxha dhe Epoka e tij, Epoka më e ndritur shqiptare deri në ditët tona. Pse e bëjnë këtë çadristët dhe veglat e asaj çadre qorre?...
Për t’i parë këto sjellje “patriotike” dhe “shqiptare”, rrënjët e tyre duhet t’i kërkojmë në nëntokën e errët të komunizmit serbo-jugosllav e shqiptaro-titist&Co. A e dinë çadristët se pakës më e zezë dhe shumë më antishqiptare ka qenë koha e shqiptaro-titizmit “patriotik” e “kombëtar” që po e dëgjojnë salistët e lulistët, sesa Epoka e lavdisë shqiptare e Enver Hoxhës? Jo, nuk e dinë! Sepse, nuk duan ta dinë! Nuk duan ta dinë, sepse, e kanë marrë për detyrë ta shkatërrojnë Shqipërinë e t’i përçajnë shqiptarët dhe detyrën e tyre “patriotike” e “kombëtare” e kanë marrë prej “komunistëve” të përbetuar shqiptaro-titistë dhe antishqiptarë të kulluar, prandaj, çadra, nuk po i shmanget për asnjë presje vijës së tij “patriotike” e “kombëtare”, i ka vendosur rrënjët e saj “patriotike” e “shqiptare” në Bulevard, në qendër të Tiranës. Prandaj, është mirë të shihen e të shikohen hollësisht shtyllat që e mbajnë në këmbë atë çadër të marrisë shqiptare, ndër shumë shtylla, dallohen shtyllat e Prishtinës shqiptaro-titiste, të Shkupit shqiptaro-titist, të Podgoricës shqiptaro-titiste, të Preshevës shqiptaro-titiste dhe aleate të tjera, të njohura e të panjohura, antishqiptare, vendore, rajonale e ndërkombëtare.
Parë në thellësinë e saj, në shtrirjen dhe qëllimet e saj “patriotike” e “shqiptare”, ajo është edhe vatra e zjarrit që u ka zënë pritë filmave shqiptarë të Epokës së lavdishme shqiptare të socializmit shqiptar. Ç‘të keqe pati social-komunizmi shqiptar? Pse e nxori Shqipërinë nga errësia shekullore dhe nga varfëria ekstreme shekullore? Pse e emancipoi një popull të tërë? Pse e ndërtoi dhe rindërtoi në forca të veta Shqipërinë, arsimin e saj, shëndetësinë e saj, strukturat e shtetit: Policinë dhe Ushtrinë Shqiptare, e bëri elektrifikimin?...
A e kanë mirë ata dhe këta që po kërkojnë zhdukjen dhe shkeljen me “tankset e tyre të mendjes ‘patriotike’ e ‘shqiptare’” të filmave dhe të gjithçkaje tjetër të epokës më të ndritshme shqiptare? Kërkesat e tyre janë aq antishqiptare sa nuk i kapë asnjë shkollë e tyre “patriotike” e “shqiptare”, me diploma të mëdha. Të kërkosh ta zhdukësh dhe ta eleminosh nga qarkullimi filmin shqiptar, ta fshishë nga historia më e ndritur e Shqipërisë, është shumë e rëndë dhe e papranueshme, kombëtarisht e papranueshme dhe e dënueshme.
Sot, po kërkojnë, bile, edhe para Kuvendit të Shqipërisë që të hiqet nga ekranet tona Epoka më e ndritur shqiptare, epoka e kinematografisë së ndritur shqiptare, ajo e Kinostudios “Shqipëria e Re”. Nesër. “patriotët” dhe “shqiptarët” e mëdhenj si ata e këta që po shajnë gjithçka shqiptare, do të kërkojnë të hiqet edhe Ansambli Shtetëror i Këngëve dhe Valleve Popullore, Teatri Kombëtar i Operës dhe Baletit, Teatri i Kukullave, Kënga shqiptare, Arti shqiptar (piktura, skulptura, muzika…, etj.), të zhduken doket dhe zakonet përparimtare shqiptare dhe gjithçka tjetër e epokës së ndritur iliro-shqiptare, duke e zëvendësuar atë me kiç “patriotik” e “kombëtar”, vendor e ndërkombëtar!...
Apelin e ngritur para Kuvendit të Shqipërisë nuk duhet ta përfillë asnjë deputet, nëse është shqiptar dhe nëse punon për Shqipërinë, për interesat e saj madhore dhe të popullit shqiptar, e, mëse paku kryetari i Kuvendit të Shqipërisë. Nuk duhet askush ta përfillë atë “Apel”, për faktin se janë pikërisht filmat shqiptarë të soc-realizmit shqiptar, këngët dhe vallet popullore shqiptare, baleti, arti popullor shqiptar dhe gjithçka tjetër shqiptare që e kanë mbajtur gjallë shqiptarizmin dhe frymën e kulluar shqiptare në trojet e pushtuara shqiptare nga Serbia e ish-Jugosllavia dhe nga fqinjët e tjerë dinakë e fashistë, prandaj, kërkojmë që:
1. Kinostudios “Shqipëria e Re” dhe filmave shqiptarë të Epokës së ndritur të socializmit shqiptar,
2. Teatrit Shqiptar të Operës dhe Baletit të Epokës së ndritur të socializmit shqiptar,
3. Ansamblit Shtetëror të Këngëve dhe Valleve Popullore shqiptare të Epokës së ndritur të socializmit shqiptar,
4. Arteve shqiptare të Epokës së ndritur të socializmit shqiptar, dhe
5. Heronjve të këtyre fushave dhe veprave të tyre madhore artistike, kombëtare…
T’u ngriten lapidarë lavdie kudo tokës shqiptare, sepse, një tokë dhe një komb ka Shqipëria, tokën e shenjtë iliro-shqiptare dhe kombin shqiptar, që duhet t’i ruajmë e të kujdesemi për to si për sytë e ballit.
Të gjithëve na kujtohet kur e vizitonte Kosovën e pushtuar shqiptare Ansambli Shtëtëror i Këngëve dhe Valleve Popullore, kur kënga dhe rinia e etur shqiptare e ndeznin atmosferën nëpër salla, kudo që shfaqej e shkelte këmba e tyre shqiptare, në Evropë dhe në kontinente të tjera. Pastaj, rol të madh kanë luajtur në emancipimin e rinisë shqiptare edhe Radiotelevizioni Shqiptar (RTSH), Radio Tirana, Radio Kukësi… Dhe, si mund t’u zihet pritë e t’u vihen kushte për ekzistencë këtyre veprave madhore të Epokës së ndritur të Shqipërisë së shtetarit të pazëvendësueshëm shqiptar, Xhaxhit Enver Hoxha?...
Si mund të zhbëhen e të fshihen nga kujtesa e një kombi filmat që kanë trajtuar dy epokat më të ndritura të historisë së popullit shqiptar, Luftën Nacionalçlirimtare dhe atë të ndërtimit socialist të Shqipërisë, siç janë filmat: “Skënderbeu”, “Nëntori i Dytë” , “I teti në bronx”, “mëngjeze lufte” “Malet me blerim mbuluar, “Shtigje të luftës”, “Në fillim të verës”, “Rrugicat që kërkonin diell”, “Gjeneral Gramafoni”, “Prilli i thyer”, “Gërsheti i luftës”, “Njeriu me top”, “Liri a vdekje”, “Ballë për ballë”, “Lulëkuqet mbi mur”, “Furrëlarta”, “Zonja nga Qyteti”, “Fijet që priten”, “Radiostacioni”, “Mësonjëtorja”. “Udha e shkronjave”, “Kapedani”, etj.
Po, si mund të zhbëhen e të fshihen nga kujtesa historike e popullit shqiptar filmat që i janë kushtuar me aq patos jetës së re, filmat që kanë trajtuar “Temat e vigjilencës për ruajtjen e fitoreve të revolucionit socialist” (Kinostudioja “Shqipëria e Re”, Filmi shqiptar, botoi Shtëpia Botuese “8 Nëntori”, Tiranë 1977), siç janë filmat: “Duel i heshtur”, Operacioni “Zjarri”, “Fije që priten”, pastaj, ata me tema të rindërtimit socialist të Shqipërisë e transformimeve të thella shoqërore, si: “Komisari i dritës”, “Cuca e maleve”, tema me motive pune, që ngrisin lart klasën punëtore dhe veprat e saj heroike, si: “Horizonte të hapura”, “Shpërthimi”; ”Tana”, “Thirrja”; “Rrugë të bardha”, “Plagë të vjetra”; “Ndërgjegja” e, edhe ato të krijimit të njeriut të ri socialist dhe emancipimit të gruas, si: Filmi “Brazdat”, “Kapedani”, “Montatorja”; mandej, filmat për emancipimin e fëmijëve, si” “Beni ecën vetë”, “Guximtarët”, “Mimoza Llastica”, “lumë drite”, etj.
Temat e filmave shqiptarë, që sot kërkojnë t’i heqin e t’i fshijnë nga faqja e dheut, janë tema në të cilat ka dominuar “Vënia e heroit pozitiv, e njeriut të ri të farkëtuar nga Partia, në epiqendër të veprave kinematografike përbën një tipar tjetër të qënësishëm të filmit shqiptar. Socializmi është afirmimi i së resë, pozitives, përparimtares. Kjo e vërtetë tingëllon qartë në ekran nëpërmjet heronjve që dallohen nga forca shpirtërore dhe pastërtia morale, nga ndjenja e sakrificës gjer në vetmohim…
Pasqyrimi i optimizmit dhe patosit revolucionar të masave, i veprimtarisë së tyre aktive dhe të gjithanëshme, është një tjetër tipar i filmit shqiptar” (Vepra e cituar më lart, faqe 5).
Këto duan t’i fshijnë nga kujtesa historike e kombëtare e popullit shqiptar, anonimusët me “shkolla të mëdha”, me “diploma e tituj” të mëdhenj “shkencorë” të shkollave antishqiptare?! Jo, kurrë. Prandaj, Kuvendi i Shqipërisë, duhet të jetë shumë syçelë, për të mos shkelur në vlerat kombëtare të Epokës më të ndritur shqiptare, siç është filmi, opera, baleti, arti, piktura, skulptura, kënga, muzika, vallja…
Po, si mund të harrohen emrat e artistëve shqiptarë të kalibrit botëror që realizuan ato vepra, ato skenare, atë muzikë, ato role shembullore…, si: Tinka Kurti, Naim Frashëri, Kadri Roshi, Pjetër Gjoka, Marie Logoreci, Violeta Manushi, Dhimitër Pecani, Pëllumb Dërvishi, Shpëtim Zani, Loro Kovaçi, Vangjel Heba, Roza Anagnosti, Rikard Ljarja, Ndrek Luca, Reshat Arbana, Eglantina Kume, Sandër Prosi, Robert Ndrenika, Nikolin Xhoja, Piro Mani, Yllka Mujo, Albert Verria, Mevlan Shanaj, Melpomeni Çobani, Fitim Makashi, Luftar Paja, Pandi Raidhi dhe shumë e shumë të tjerë? …
Si mund të harrohen bartës të tillë të vlerave kombëtare, qoftë autorë, skenaristë, kompozitorë, valltarë, balerinë etj. si: Dritëro Agolli, Fatmir Gjata, Sterio Spasse, Nasho Jorgaqi, Kristaq Dhamo, Hysen Hakani, Gëzim Erebara, Dhimitër Anagnosti, Viktor Gjika, Piro Milkani, Ilia Tërpini, Ksenofon Dilo, Vath Koreshi; ose, si Çesk Zadeja, Ferdinand Deda, Tish Daija, Nikolla Zoraqi, Limos Dizdari, Pjetër Gaci, Namik Prizreni, Agim Krajka, Tonin Harapi, Bujar Asqeriu, Aleksandër Lalo, Xhanfise Keko, Fitnete Rexha, Luçie Miloti, Merita Halili, Besim Zekthi, Lili Cingu, Rexhep Çeliku, Kujtim Laro, Gjon Simoni, Avni Mula, Teodor Laço, Sulejman Pitarka, Antoneta Papapavli, Liliana Kondakçi, Naum Prifti, Timo Flloko, Sali Brari, Naile Hoxha, Hysni Zela, Zeliha Sina, Valdete Hoxha, Besim Jazexhiu, Lili Këlliçi, Veronika Mano, Lefta Mullisi, Pëllumb Memisharaj, Fuat Hyseneshi, Brikena Kurti, Genc Kastrati, Anbeta Toromani, Kledi Kadiu, Erjon Kruja, Brigel Gjoka, Hektor Budlla, Leart Duraku Rezart Stafa, Dorian Grori, e një armatë emrash të tjerë, të njohur në Vend dhe në botë.
Si mund ta quajnë veten shqiptarë ata që lozin me këto vlera sublime të filmit. Artit… shqiptar?... Ku e kanë qitur terezinë dhe kush ua mban atë t(h)erezi para syve të tyre “shqiptarë” dhe para mendjes së tyre “shqiptare”?!...
Si mund të harrohen filmat: “Tana”(1958), “Debatik”(1961), “Toka jonë”(1964), “Komisari i dritës”(1966), “Dueli i heshtur”(1967), “Horizonte të hapura”(1968), “Prita”(1968), “Plagë të vjetra”(1969), “Njësiti guerril”(1969), “I teti në bronx”(1970), “Lugina e pushkatarëve”(1970), “Montatorja”(1970), “”Guximtarët”(1970), “Kur zbardhi një ditë”(1971), “Mëngjeze lufte”(1971), “Malet me blerim mbuluar”(1971), “Kapedani”(1972), “Odiseja e tifozave”(1972), “Ndërgjegja”(1972), “Kryengritje në pallat”(1972, Operacioni “Zjarri”(1973), “Yjet e netëve të gjata”(1973), “Rrugë të bardha”(1974), “Shpërthimi”(1974), “Shtigje të luftës”(1974), “Kur hiqen maskat”(1975) dhe shumë filma të tjerë shqiptarë?...
Si mund të harrohen artistët e mëdhenj shqiptarë të kalibrit botëror, si mund të harrohen e anashkalohen shkrimtarët, regjisorët, koreografët, rapsodët, piktorët, skulptorët, këngëtarët, valltarët, balerinët… që e bënë Epokën e Lavdisë Shqiptare të Shqipërisë së shqiptarëve?! Kush dhe cilët janë ata që marrin guximin t’i sulmojnë dhe zhbëjnë këto vlera historike të Shqipërisë dhe të shqiptarëve? A duhet lejuar, apo, duhet thënë NDAL, në synimet e tyre “patriotike” e “shqiptare”? Deri kur do të tolerohen këta zvarranikë e pakurrizorë “Atdhetarësh”?...
Si mund të harrohen poetët si Jeronim De Rada, Pashko Vasa, Naim Frashëri, Abdyl e Sami Frashëri, Ndre Mjeda, Filip Shiroka, Millosh Gjergj Nikolla, Fatos Arapi, Dhori Qiriazi, Lasgush Poradeci, Dritëro Agolli, Natasha Lako, Bardhyl Londo, etj. E, si mund të harrohen e t’u kthehet shpina piktorëve të njohur si Abdurrahim Buza, Ibrahim Kodra, Kujtim Buza, Vangjush Mio, Guri Madhi, Alush Shima, etj., pastaj, skulptorëve si Odhise Paskali, Muntaz Dhrami, Andrea Aleksi, Zeqir Alizoti, Kristina Koljaka, etj.
Këta që kërkojnë me ngulm heqjen e filmave shqiptarë, që e përbënë Epokën e lavdisë shqiptare, janë ata që rrëzuan shtatoren e burrështetarit më të madh shqiptar të të gjitha kohëve, Enver Hoxhës, janë këta dhe pasardhës të tyre që nesër do kërkojnë ta zhveshin Shqipërinë dhe popullin shqiptar nga çdo vlerë, madje, do kërkojnë të hiqen nga repertori këngët e këngëtarëve Bik Ndoja, Vaçe Zela, Ibrahim Tukiçi, Arif Vladi, Fatmira Breçani, Françesk Radi, Fatime Sokoli, Anita Bitri, Dervish Shaqa, Ema Qazimi, Eli Fara, Frederik Ndoci, Fitnete Rexha, Hafsa Zyberi, Kastriot Tusha,, Parashqevi Simaku, Sali Mani, Shyqyri Alushi etj. Pastaj, do kërkojnë të hiqen edhe teatrot, kinematë, Teatri i Kukullave e çka jo tjetër shqiptare, për t’i zëvendësuar me “vlerat” e tyre “patriotike” e “shqiptare”, kur Shqipërisë nuk do t’i thonë më Shqipëri, as shqiptarëve – shqiptarë! Këto “vlera” kërkojnë t’i imponojnë për vlera!... (Sic!)…
Por, Kuvendi i Shqipërisë dhe Shteti Shqiptar, duhet t’i ndalojnë apelistët në synimet e tyre antishqiptare. Sepse, fajet i ka çadra dhe nuk e kanë asnjë faj filmat, të cilët, për shqiptarët, janë të nevojshëm e të domosdoshëm si uji, ajri, dielli, buka dhe kripa.
*) Nga libri Kinostudioja “Shqipëria e Re”: Filmi shqiptar; botoi Shtëpia Botuese “8 Nëntori”, Tiranë 1977
Burojë, më 3 Prill 2017
P.S.: Reagim me "rastin" e riaktualizimit të 'idesë' së praptë dhe antishqiptare për ndalimin e filmave dhe këngëve shqiptare të Epokës më të ndritur të kombit e Atdheut shqiptar.