Ç’DESHE QË U KRUAJTE, O MUSTAFA?!
12/08/2017 07:15
REAGIM
Ç’DESHE QË U KRUAJTE, O MUSTAFA?!
Gjokë DABAJ
Rikthim në debatin për origjinën e nënës së Skënderbeut dhe prejardhjen ilire të shqiptarëve. Tradita, folklori dhe historia. Ballafaqim i fakteve me tezat sllave të Mustafa Nanos
…Por le të kthehemi pak te martesat. Familjet princore e mbretërore të Mesjetës i kanë pasur traditë martesat njëra me tjetrën, pa e marrë parasysh përkatësinë etnike. Kjo ndodhte jo se feja ish primare në atë kohë, siç thotë Mustafai, por për arsye KLASORE: Një princ, një feudal, si rregull, nuk mund të martohej me një bujkrobe dhe një bujkrob, apo edhe një malësor i lirë, nuk mund të merrte për grua një princeshë. Nga ky rregull s’kish pse bënin përjashtim as familjet princore të Arbërisë. Familja princore sërbe e Hrebelanoviqëvet kish pasur lidhje gjaku, edhe me Balshët, edhe me Arianitët. Te Balshët ka dhënë, te Arianitët ka marrë. Madje Balshët, mendoj unë, pikërisht për shkak të lidhjevet martesore me sllavët, së pari me Vukashin Mërrnjavçeviqin, të jatin e të njohurit Marko Kraleviq, pastaj edhe me Hrebelanoviqin e Smederevos, e humbën autoritetin midis arbërvet dhe degraduan deri në shuarjen ne asaj dinastie, me Balshën e Tretë, të cilit, nga e gjithë ajo Arbëri që e patën me Balshën e Dytë, nga Kotorri në Kostur dhe nga Kanina në Kamenicë, s’i pat mbetur tjetër, veç Tivarit, Ulqinit dhe fare pak tokavet në veri të Liqenit të Shkodrës dhe i cili shkoi e vdiq në Sërbi pa lënë asnjë trashëgimtar. Ndërkaq, Gjergj Arianiti njërën nga vajzat, Donikën, siç dihet, ia pat dhënë Gjergj Kastriotit, ndërsa tjetrën, Angjelinën, ia pat dhënë despotit Stefan Llazareviq, të birit të Llazar Hrebelanoviqit. Angjelina u bë aq e dëgjuar në Sërbi për veprat e saja bamirëse (se s’kish ç’bënte tjetër), sa u shpall shenjtëreshë dhe faltorja e saj në malin Frushka Gorë është edhe sot ndër faltoret më të frekuentuara prej sërbëvet.
Të këtilla kanë qenë lidhjet ndërfeudale në Mesjetë, por, për temën që po trajtojmë, dy a tri gjëra gjithsesi duhet të vihen në dukje. Vërtet kemi marrë vajza sllave (ose të emërtuara si sllave), por, siç u pa më lart, edhe kemi dhënë. Pikërisht këtu duhet parë dallimi: Rastet kur arbërit kanë dhënë vajza ndër sllavët, i kanë sjellë etnisë sonë aq tragjedi, sa populli ynë, si asnjë popull tjetër, i ka pasqyruar ato tragjedi në një shumicë baladash nga më mbresëlënëset. Balada e Doruntinës është përjetësuar tashmë edhe në artin tonë të kultivuar dhe s’është tjetër, veçse tragjedia e një bije arbëreshe martuar me një sllav. Ti sigurisht e ke parasysh veprën madhore të Ismail Kadaresë „Kush e solli Doruntinën“. Askush nuk e ktheu Doruntinën në gjini, as për një vizitë të shkurtër, dhe kjo ndodhi sepse sllavët s’e kishin traditë të kujdeseshin për të renë, për lidhjet e saja me origjinën e vet. Përkundrazi, nëse nusja ish bijë e një etniteti tjetër, ata donin t’ia shuanin asaj çdo kujtesë të prejardhjes. Ndërkohë, siç thotë balada, ndodhi tragjedia në gjininë e Doruntinës dhe asnjëri prej vëllezërvet nuk mundi të shkojë për ta marrë motrën, siç e kishin arbërit traditë. Të njëjtin motiv e gjejmë, mes tjerash, edhe në baladën veriore ”Halil Garria dhe motra e tij.”
Në vargjet ”Nëntë vjet me gojë s’foli./ Si u mbushën nëntë vjet,/ çili gojën foli vetë,” shihet më shumë se qartë, shihet dhimbshëm, shihet tragjikshëm, si e përjetonin martesën ndër sllavë, qoftë edhe ndër të huaj të tjerë, ato bija arbëreshe që e kishin fatin e keq të shkonin atje, për interesa të pasurisë e të pushtetit, qoftë të njërës, qoftë të tjetrës palë “krushqie”.
Jo atëherë, por edhe tash trajtohen po ashtu bijat shqiptare martuar ndër sllavë. Hajdeni në lagjen Koxharas të Shijakut dhe shihni si i trajtojnë sllavo-boshnjakët nuset shqiptare që i marrin në Ndroq apo në Manskuri! Nuk u flasin asnjë fjalë shqip për vite me radhë, deri sa ato, jo vetëm ta mësojnë sllavishten, por të pranojnë që edhe fëmijëve të vet të mos u flasin kurrë shqip. Shkoni edhe në rrethet e Nishit, ku janë martuar, me mblesërira të stisura, mbi 200 vajza shqiptare nga rrethinat e Shkodrës, dhe shihni: A guxojnë ato t’u flasin fëmijëve të vet në gjuhën e vet?!
Gjithsesi, në këtë kontekst, nuk duhet lënë pa thënë se ka pasur edhe të atilla bija arbërish që e tradhtonin gjininë e vet deri në spiunim dhe pjesëmarrje në vrasjet e vëllezërve të vet. Shembull për të këtilla tradhti bijash arbëreshe kemi baladën me titull “Kotuzi” dhe baladën me zanafillë në trevën e Matit “Brahim Keta i Ri”.
I hodha një sy të shpejtë një vëllimi me këngë legjendare, në të cilin, ndër vite, kam bërë edhe shënime të rastit. E pakta në pesëmbëdhjetë prej atyre këngëve kish martesa arbërish me sllave dhe asnjëra prej atyre nuseve nuk kalonte jetë të mjeruar, qoftë edhe kur ishte e “rrëmbyer”. Muji merr Ajkunën, Halili merr Tanushën, Zuku martohet me Rushën (si Paridi që rrëmben gruan e Menelaut) dhe asnjë s’është fatkeqe si qindra Doruntinat tona! Vetëm Ajkuna çon jetë të dhimbshme, por jo prej njerëzish ku është martuar. Dhimbjen dhe mjerimin shpirtëror asaj ia shkaktojnë njerëzit e saj, sllavët, të cilët nuk lënë t’i rriten fëmijët, por ia vrasin pa u bërë ende shtatë vjeç!
Folklori është pasqyrim i një realiteti të caktuar. Baladat tona pasqyrojnë historinë aspak idilike të marrëdhënieve tona me sllavët në Mesjetë, që nga shekulli IX e këndej, kohë kur ata arritën, ia dolën, të krijojnë në këto hapësira shtetet e tyre. Por në qoftë se Mustafai nuk i quan dokumente veprat folklorike, unë po i ofroj atij një fakt autentik të njohur mirë prej të gjithë atyre që merren me histori: Në ditët e para të janarit 1943 prej një masakre të kryer në Bihor nga çetnikët malazezë dhe serbë, janë vrarë, djegur ose ngrirë në borë, brenda një nate,1853 fëmijë shqiptarë. Një mijë e tetëqind e pesëdhjetë e tre, Mustafa! Do të ishin shumë edhe 18, edhe 180! Por ata na i asgjësuan atë natë të zezë mbi 1850! Dhe kësaj shifre mund t’i shtohen edhe trefish kaq, madje edhe pesëfish, nëse do të llogariten vetëm fëmijët, Omerët e kohës sonë, jetët e të cilëvet na i kanë shuar fqinjët! Sigurisht, jo për fajin tonë, por për fajin e tyre!
Te „Panorama“, 24 korrik 2017, f.16-17, shohim te Mustafai një këmbëngulje nga ato që nuk njohin tërheqje, që nuk njohin kurrfarë ritirate. Ai shkruan: „Marrëdhëniet mes shqiptarëve dhe fqinjëve të jugut e të veriut kanë qenë shumë të vështira në 150 vitet e fundit, qyshse në Ballkan lindën idetë nacionaliste… Në këtë hark kohor prej 150 vjetësh shqiptarët kanë vuajtur një lloj nacionalizmi agresiv të grekëvet dhe sllavëvet e në një masë të caktuar e vuajnë edhe sot.“
Lexojmë „marrëdhëniet… kanë qenë shumë të vështira“, lexojmë „një lloj nacionalizmi agresiv“ dhe lexojmë e rilexojmë: „në një masë të caktuar e vuajnë edhe sot“. Askund nuk shohim t’i shkojë ndërmend Mustafait që t’u kërkojë serbëve dhe grekëvet katarsis.
Po sjell vetëm disa shembuj: Më 1877, më 6 dhjetor, pushtohet (prej ushtrisë sërbe) Prokupla, më 10 dhjetor pushtohet Kurshumlia. Të gjithë nxënësit e medresesë pushkatohen! Ky është një genocid, Mustafa, dhe nuk mund të kapërcehet, as të kapërdihet me cilësimin thuajse indiferent „një lloj nacionalizmi“. Gjashtëqind fshatra të ekstremit verior të Shqipërisë, në vitet 1877-1878, u dogjën, u shkrumbuan bashkë me njerëzit brenda, ose u përzunë prej andej banorët shqiptarë dhe u populluan ata gjashtëqind fshatra me banorë joshqiptarë.
Në qytetin e Nishit, para 27 dhjetorit 1877, nga gjithsej 3000 familje, 2500 familje ishin shqiptarë autoktonë. Më 10 janar 1878, në ditën e pushtimit nga forcat malaziase, u shpërngulën nga Tivari mbi 1200 familje shqiptare. Mbasardhësit e tyre mund t’i gjesh sot në Shkodër e në Durrës, ndërsa Tivari, me 60% banorë shqiptarë, s’e ka sot as edhe një shkollë shqipe.
Në vitin 1912, nëpër Kosovë e Rrafsh të Dukagjinit, vriten e masakrohen mbi 25 mijë shqiptarë.
Në vitin 1913, siç na informon, ne edhe gjithë botën, zonja Edith Durham, në Reçan të Gostivarit, (në Pollogun e Vojsavës!), 200 gra, fëmijë dhe pleq, mbyllen në dy shtëpi dhe digjen të gjallë. Në trevat e Plavës e Gucisë pushtuesit sërbomalazezë pushkatojnë 720 burra. Të 559-ve prej këtyre iu muar jeta në vendin e quajtur Qafë-Previ, „monument“ i atij „një lloj nacionalizmi“ që ti, Mustafa, ua transmeton brezavet me aq pak përgjegjësi!
Në qytetin e Dibrës, nga 20 mijë banorë, mbetën vetëm dy mijë.
Më 1914-n e njëjta zbrazje ndodh edhe në Manastir: Në valën e parë shpërngulen 20 mijë vetë e pastaj edhe shtatë mijë të tjerë, të mbledhur aty nga fshatrat. Nga viset jugorë të Shqipërisë, pushtuar prej Grekut, ikin 100 mijë, prej të cilëvet 30 mijë vdesin rrugëvet nga uria!
Ndoshta nuk do t’i ziheshin fort për të madhe shprehjet e mësipërme, në qoftë se Mustafai nuk do të shkruante pak më poshtë: „E parë në retrospektivë, serbët nuk na kanë ndonjë faj, ata donin të çliroheshin nga Perandoria Osmane, ndërsa shqiptarët u shërbenin osmanëvet në atë periudhë.“ A edhe të 1853 fëmijët e Bihorit, në vitin 1943, i paskan shërbyer Perandorisë Osmane, Mustafa?! Apo ndaç edhe nxënësit e medresesë në Kurshumli do t’i shërbekan Perandorisë Osmane, në një kohë kur në të katër anët e Shqipërisë zienin idetë e Rilindjes Kombëtare Shqiptare, në thelbin e vet antiosmane?! Paskan pasur të drejtë serbët të na i zbrazin Manastirin dhe Dibrën?!
Dhe më tutje do ta veçojmë edhe këtë fjali të Mustafa Nanos: “Sa u përket marrëdhënieve të vështira me fqinjët e veriut dhe të jugut, për periudhën paraosmane, nga leximet e mia nuk më rezulton të jetë e vërtetë.”
Po i përmend këtu më poshtë Mustafait vetëm dy apo tri nga ngjarjet e periudhës paraosmane.
Në vitin 1042, (pra, periudhë paraosmane), si rezultat i një marrëveshjeje të fshehtë midis perandorit Mihal të Bizantit dhe një sundimtari sllav të krahinës arbërore të Zentës, i cili quhej Vojisllav, në hapësirën e ngushtë midis malevet të Rumisë dhe bregut të Adriatikut, në rrethinë të Tivarit, janë masakruar dhe asgjësuar 40 mijë arbër, të mobilizuar me prapamendim prej perandorit dhe të vënë nën komandën e një eunuku. Unë kam shkruar për këtë ngjarje kaq të përgjakshme, mbështetur në të dhëna dhe shoqëruar me interpretimin përkatës, por Mustafai nuk e ka lexuar dhe për këtë është ai fajtori e jo unë.
Në mbarim të shekullit XII, Stefan Nemanja, një tjetër sundimtar sllav me seli në një qytezë të vogël arbërore që quhej Rrasë, në Sanxhakun e sotëm, ka kryer një masakër masive mbi popullsinë bogumile të Bosnjës së sotme veriore. Vrarë e asgjësuar krejt atë popullsi, “duke djegur në zjarr”, siç shkruajnë kronistët, “të gjithë librat e tyre.” Lidhur me këtë ngjarje makabre me tipare krejt të dukshëm genocidi, duhen bërë disa sqarime. Bogumilët ishin një sekt fetar i krishterë, i quajtur heretik, sepse i kundërshtonte edhe Vatikanin katolik, edhe Patriarkanën ortodokse. Qendra e tyre gravitonte rreth Sirmiumit, Sremit të sotëm, dikur kryeqendër e Ilirisë. Ai sekt, sekti i bogumilëvet, simbas një pohimi edhe të Dhimitër Shuteriqit, shtrihej në atë kohë e pakta deri në Elbasan. Emërtimi bogumil është në sllavisht, pra emërtim i huaj, siç është psh, alban për arbërapo gjerman për dojç, por bartësit nuk ka të ngjarë të kenë qenë sllavë, përndryshe Stefan Nemanja s’kish pse t’i asgjësonte, as ata, as librat e tyre. Unë mendoj që bogumilët e trevavet të Ilirisë nuk kanë qenë sllavë, por ilirë, të cilët nuk arritën dot në fazën për t’u quajtur arbër, ndër të tjera, edhe sepse u ndërfut aty me mizoritë e veta një sundimtar sllav, i cili u trashëgua nga një dinasti që s’pushoi asnjëherë së pushtuari e përgjakuri trevat e Arbërisë.
Në gjysmën e parë të shekullit XIV dinastinë e Nemanjiqvet e ka kryesuar cari sërb Stefan Dushan Nemanjiqi. Në “Zakonikun” e tij ka një klauzolë rrënqethëse. Atje thuhet përafërsisht kështu:Cilitdo të krishterë që martohet me një llatinkë heretike, t’i priten veshët edhe hunda. Me fjalën i krishterë car Dushani kuptonte ortodoksët pravosllavë, pra sërbët, kurse me fjalënllatinkë, shoqëruar edhe me përcaktorin heretike, car Dushani kuptonte besimtarët katolikë, që në atë kohë nuk mund të ishin tjetër veçse arbërit. Kur njerëzvet të vet u priste hundën edhe veshët nëse martoheshin me vajza arbëresha, mund të merret me mend se ç’urrejtje kish dhe ç’bënte ai me vetë arbëreshët. E gjithë historia e sundimit gati dyqindvjeçar të dinastisë sërbe të Nemanjiqvet, është e mbushur me diskriminim dhe me krime ndaj popullsisë vendëse.
Në gjysmën e dytë të shekullit XIV një sundimtar serb i Janinës, Tomo Preluboviqi, pikërisht sepse qe bërë i njohur për mizoritë ndaj arbërvet, pat marrë edhe nofkën Arbërvrasësi.
A thua edhe atëherë kishin të drejtë fqinjët të na vrisnin, sepse “i shërbenim” Perandorisë Osmane?! Vetëm me këta tre-katër shembuj, a mund të themi që “marrëdhëniet” midis të parëve tanë dhe fqinjëve tanë veriorë dhe jugorë, në periudhën paraosmane, nuk ishin të vështira?! Këtë mund ta thonë vetëm ata njerëz që, me gjithë njohuritë e tyre të kufizuara, mendojnë se janë kompetentë të nxjerrin konkluzione. Sidomos në fushat e ballkanologjisë është tepër vështirë të operohet, sepse studimet mbi këta popuj, ose janë të shtrembëruar, ose janë tejet të mangët.
Gjithsesi, problemi kryesor që duhet të shtrohet për ne, është ky: Pse ndodhi kështu me etninë iliro-arbro-shqiptare?! Dhe përgjigja është: Ka ndodhur kështu, i dashur Mustafa, sepse të parët tanë nuk i kanë kushtuar rëndësi gjuhës së vet të shkruar. Gjuha e shkruar bën mrekullira! Shkrimi gllagolik në gjuhën sllave, i miratuar çuditërisht prej Vatikanit qysh në shekullin IX, 500 vjet para protestës së Mrtin Luterit dhe pa qenë nevoja të bëjë askush protestë, shkrimi qirilik i miratuar prej Patriarkanës dhe i përhapur ndër një shumicë popujsh sllavë, edhe ai qysh në shekullin IX, ndërkohë që iliro-arbërit nuk e patën “fat” një luks të tillë, kanë qenë faktorët vendimtarë që etnia iliro-arbërore u rrudh në mënyrë aq katastrofike ndër hapësira gjithnjë e më të ngushta, duke ia lëshuar hap mbas hapi territoret botës sllave, e cila tashmë e kishte shkrimin.
Për ta përforcuar këtë konstatim, pos jell këtu edhe një shembull tjetër. Muhamedi, themeluesi i besimit islam, huazoi një Zot, një Perendi, prej izraelitëve dhe e predikoi atë Zot në gjuhën arabe. Askush nuk mund të thotë që Allahu nuk është një Zot i huazuar prej besimit hebre. Por Ungjilli i tij, Dhjata e Vjetër apo siç quhet ndryshe, Tevrati, u kompilua, u predikua dhe, pa humbur kohë, U SHKRUA në gjuhën arabe. Kjo bëri, vetëkuptohet midis tjerash, që në pak kohë, psh, krejt Afrika Veriore, e cila s’kish qenë kurrë arabe, të bëhet arabe. Egjipti, Libia, Tunizia, Algjeria, Maroku s’kanë qenë vende arabë, por u bënë vende arabë, thjeshtë sepse islamizmi (duke pasur njëKuran, një Tevrat izraelit, të kompiluar dhe TË SHKRUAR arabisht), u predikua në gjuhën arabe.
Ne nuk arritëm të shkruajmë e të predikojmë në gjuhën tonë asnjë lloj besimi, as tonin, as të huazuar, dhe prandaj u rrudhëm në këtë farë feje.
Serbët, duke pasur në përdorim SHKRIMIN cirilik, të huazuar prej grekëve, dhe duke pasur një Ungjill, SHKRUAR në gjuhën sllave, arritën, pra mundën, të krijojnë në vitin 1219 kishën e tyre autoqefale dhe, priti thitë në kollomoq! Pse të mos na e zinin fytin sllavët deri në mbytje, deri në asfiksim të plotë?!
Kështu duhet kuptuar dhe duhet interpretuar historia dhe jo të mbërthehemi mbas Flamurit tonë dhe mbas Gjergj Kastriotit tonë, në përpjekje për t’i shkulur edhe ata nga rrënjët!
Përfundimisht dua të them: Ç’deshe që u kruajte, o Mustafa, mbas origjinënës së një Vojsave, kur kemi kaq shumë gjëra të tjera për t’i sqaruar, vetes edhe botës?!
DITA