BINGO! ALL DONE! GËZUAR 1 QERSHORIN, TË DASHUR DEPUTETË

27/05/2023 07:15

OPINION

 

 

BINGO! ALL DONE! GËZUAR 1 QERSHORIN, TË DASHUR DEPUTETË

Nga Fatos TARIFA

 

E bënë. Siç nuk kisha asnjë iluzion se do të ndodhte.

E bënë sepse s’kanë moral. E bënë sepse nuk e kanë për gjë të dhunojnë kolektivisht, të gjithë së bashku, edhe Kodin e Sjelljes së Deputetit, që i ndalon ta bënin këtë gjë. Ai kod thotë shprehimisht se deputetëve u ndalohet të “shfrytëzojnë pozitën e deputetit për interesat personale të tyre”.

E bënë sepse s’ka se kush i ndalon. Ashtu si në raste të tjera, por veçanërisht këtë herë, kur kishin në dorë të provonin të kundërtën, duke hequr dorë nga interesat e tyre personale për hir të interesave të pjesës më të madhe të shoqërisë, këta deputetë dëshmuan se nuk janë të popullit (of the people), nuk janë zgjedhur nga populli (by the people) dhe nuk mendojnë për popullin (for the people).

Po kështu edhe qeveria që kemi, hartuesja e projekti të këtij ligji, për të cilën, pavarësisht retorikës demokratike e proamerikane, duket se janë të huaja parimet e Abraham Linkolnit për një qeveri demokratike, që të ishte “a government of the people, by the people, for the people”.

Me votimin e ligjit për të rritur pagat deputetëve dhe të ministrave të sotëm, kuvendi dëshmoi se është një kuvend jo i popullit dhe për popullin, sidomos për shresat më në nevojë të popullit, por një kuvend për deputetët e vet dhe për ministrat.

Deputetët tanë, shumë prej të cilëve njerëz mediokër, me këtë akt të paturpshëm që bënë duke votur rritjen e pagave të tyre dhe të anëtarëve të kabinetit qeveritar, na thane neve, qutetarëve të këtij vendi, se nuk duan t’ia dinë kur vjen puna për interesat e tyre.

Kur vjen puna për interesat e tyre, deputetët tanë—socialistë dhe demokratë—na dëshmuan dje, përtej çdo dyshimi, se janë njëlloj, se kanë të njëjtat interesa, edhe pse ato i justifikojnë, i argumentojnë, i shprehin dhe i mbrojnë me një lëvozhgë gjuhësore ideologjikisht të ngjyrosur. Të qënit “majtas” ose “djathtas”, për shumicën e tyre s’është asgjë më shumë sesa një pohim shumë herë i pakumtimtë edhe për ata vetë.

Kartonat jeshilë që ata, me ndonjë përjashtim, i ngritën thuajse si një trup i vetëm për të rritur pagat e veta, dëshmojnë llojin e moralit të tyre në politikë.

Deputetët tanë – ata të mazhorancës dhe ata të partive opozitare – i përdorën kartonat jeshilë në të njejtën mënyrë si të kishin në duar një shkop magjikE duam pagën ta kemi kaq dhe – sa hap e mbyll sytë – me kartonat e tyre jeshilë vendosën të marrin pagën që duan!

As simple as that! Ia bënë dhuratë vetes. Përmes një procedure që është hapur në konflikt interesi me funksionin dhe përgjegjësitë që u kemi besuar ne, populli, i vetmi “pouvoir constituent”, këtyre “shërbëtorëve” tanë.

Veprimi i tyre dje është politikisht gabuarmoralisht i pandershëm dhe i turpshëmligjërisht i dënueshëm.

***

Le të sqaroj atë që unë nuk kam thënë dhe nuk them. Unë as kam thënë dhe as them se nuk duhen rritur pagat e punonjësve të administratës në të gjitha nivelet e saj. Përkundrazi, unë kam kërkuar me kohë që pagat e tyre të rriten.

Unë nuk them se paga që kanë marrë deri më sot ata individë që janë ulur në postin e kreut të shtetit ka qenë dinjitoze. Përkudrazi, kam thënë dhe them se paga e tyre duhet të jetë ajo pagë dinjitoze që meriton presidenti i Republikës.

Unë nuk kam qenë dhe nuk jam kundër diferencimit të pagave në një hierarki mjaftueshmërisht të arsyeshme në një vend si yni, që pretendon se drejtohet nga parimet e shtetit të së drejtës dhe të demokracisë sociale.

Ajo që unë kam thënë për vite e vite me radhë—dhe që u detyrova ta përsëris mëse një herë javët dhe ditët e fundit—është kjo: Deputetët dhe ministrat tanë duhet të paguhen më mirë, edhe pse personalisht mendoj se shumë prej tyre në të kaluarën—dhe disa prej tyre sot—me formimin dhe aftësitë që kanë dhe me cilësinë e punës që bëjnë nuk do e meritonin as pagën që marrin aktualisht.

Kësaj nuk kemi ç’ti bëjmë, sepse në politikë nuk ndodh si në botën akademike, në institucionet kërkimore, në shkencë dhe në botën e biznesit, ku trutë shkojnë atje ku është paraja. Pra, ku edhe paraja shkon aty ky janë trutë.

Në Shqipëri, për t’u bërë “politikan” dhe për t’u futur në listat e mbyllura të deputetëve që hartojnë kryetarët e partive politike, siç e di kushdo nga ne, nuk ka nevojë të kesh shumë tru, pra të jesh i ditur. Por kjo nuk ta heq të drejtën që, nëse për shkak të renditjes që ke në listë, votohesh për të qenë deputet, me kartonin jeshil që merr në dorë tani mund të fitosh aq para, sa disa prej deputetëve tanë nuk do mund t’i fitonin dot edhe sikur të rronin dhjetë jetë.

***

Pasi bëra publike dje një këshillë për deputetët shqiptarë, që gazeta DITA e publikoi si një “letër të hapur” për ta, kam marrë dhjetra mesazhe e telefonata. Ndër to po citoj, pa i hequr dhe pa i shtuar asgjë, vetëm njërin, shkruar nga një pedagoge në Fakultetin e Shkencave Sociale në Unversitetin e Tiranës. Ajo më shkruante:

“Prof. Tarifa. Shqetesimin që shprehni ju e ndaj edhe unë dhe, besoj, e kemi të gjithë ne, punonjësit e këtij vendi, pavarerësisht sektorëve ku punojmë. Qeveritarët dhe parlamentarët tanë duhet të mendojnë në radhë të parë për shtresat më në nevojë të popullsisë, para së gjithash për ata gjashtëqind e tridhjetë mijë pensionistë, që janë kategoria ekonomikisht më e diskriminuar e kësaj shoqërie. Edhe në sistemin e socializmit shtetëror, kur dilnin në pension, qytetarët merrnin rreth 60-70 për qind të pagës që kishin marrë kur ishin në marrëdhënie pune. Nëse deputetët tanë miratojnë rritjen e pagave të tyre, ky do të ishte vërtet një veprim politik i pamoralshëm, siç thoni edhe ju, dhe shumë i shëmtuar. Kjo do të thotë, as më shumë, as më pak, se deputët do të vendosin se ç’pagë duan t’i japin vetes së tyre, pa u bërë aspak merak për ata mbi gjysmë milion pensionistë që mezi e shtyjnë muajin, për ata dhjetra mijë shqiptarë që marrin një pagë minimale dhe aspak dinjitoze, për ata qytetarë shqiptarë, të çdo moshe ose profesioni, që për arsye thjesht ekonomike, marrin rrugët e Europës e të botës për një punë më të mirë, ose të paguar më mirë sesa këtu në Shqipëri, dhe për shërbime që asnjë qeveri shqiptare deri më sot nuk ua ka afruar”.

Mesazhi i saj përfundonte me këto fjalë: “Nëse deputetët tanë e miratojnë rritjen e pagave të tyre, ata do të mbulohen me turp dhe nuk e di se si, me tre milionë lekë në xhepat e tyre çdo muaj (dhe të ardhura të tjera të mëdha), do të kenë sy e faqe t’u dalin përpara zgjedhësve të tyre, shumica e të cilëve do të marrin 8, 9 ose 10 herë më pak sesa pagat e reja të deputetëve dhe të ministrave. Kjo nuk ështe një qeverisje prudente e një qeverie socialiste. Ky është një administrim lessais affair i një sistemi burokratik jofunksional. Rama dhe deputetët e tij po bëjnë pikërisht atë me të cilën, para zgjedhjeve, talleshin me kundërshtarët e tyre: Kap ça t’kapësh. Unë nuk gjej fjalë tjetër për këtë veç fjalës TURP”.

***

Mendimet e kësaj intelektualeje rezonojnë me të miat, ashtu si edhe mendimet e shumë të tjerëve që dje, por sidomos sot, pasi deputetët votuan që t’ua rrisnin pagat vetes së tyre dhe ministrave, më kanë shkruar për këtë çështje. Më kanë shkruar edhe disa deputetë, Vetëm njëri prej tyre, socialist, më tha se do të votonte kundër rritjes së pagës së deputetëve në këtë legjislaturë.

Një tjetër, i së njëjtës parti, pra edhe ai socialist, por që mban një portofol të rëndësishëm në kabinetin qeveritar të kryeministrit Rama, më shkroi—madje edhe më telefonoi—për të më thënë se nuk është dakord me arsyetimin tim. Nga sa mbaj mend prej logoresë së fjalëve të tij, argumentet kryesore të tij ishin tre:

Argumenti i parë: një ministër, pra edhe ai vetë, nuk mund të marrë një pagë të ngjashme me atë të një eksperti në dikasterin e tij. I thashë sigurisht që jo, veçse një ekspert pagën që merr e merr për dituritë dhe ekspertizën që ka në fushën e tij, ndërsa një ministër është thjesht një punëtor partie, që e vë dhe e heq nga ai funksion kryeministri i vendit dhe jo domosdo aftësitë e veta.

Argumenti i dytë: Nëse ua rrisim ndjeshëm pagat deputetëve dhe ministrave, me këtë luftojmë korrupsionin në administratë, siç po rezulton edhe në sistemin e drejtësisë. Sipas tij, të ardhurat e pakta i shtyjnë punonjësit e administratës në veprime korruptive e të pamoralshme. E kundërshtova ministrin duke i thënë se, kjo logjikë e tij është krejt e palogjikshme, ndryshe do të pranonim se kushdo që merr të ardhura të pakta nga puna e vet dhe, para së gjithash, më të varfërit e shoqërisë, do të ishin njerëz të korruptuar, të pamoralshëm, hajdutë.

Kjo do të thoshte se zjarrfikësit tanë, oficerët e policisë, mësuesit, mjekët apo infermierët, me pagat e ulta që kanë marrë deri më sot, ose nuk do i kishin shërbyer devotshmërisht—dhe shumë herë duke bërë sakrifica—popullit, ose do e kishin rrjepur atë.

Pagat më të larta nuk janë askund një antidot kundër korrupsionit dhe, pra, nuk do ta zhdukin korrupsionin as në një qeveri që u jep dyfishin e pagës ministrave të saj, as në një parlament që i paguan deputetët e vet po aq shumë. Ministri në fjalë, sigurisht, e di që anëtarët e Parlamentit Europian dhe burokratët e BE-së në Bruksel marrin paga marramendëse, por kjo nuk i ka penguar skandalet korruptive në kryeqytetit Europian!

Argumenti i tretë i ministrit ishte kundër sugjerimit tim të arsyeshëm e të moralshëm që projektilgji të amendohej në atë mënyrë, që rritja e pagave për deputetët dhe ministrat të mos hynte në fuqi menjëherë (pra një javë më vonë nga miratimi i ligjit), por vetëm pas zgjedhjeve të ardhshme parlamentare të vitit 2025.

Për mua, e moralshme do të ishte, siç ndodh me anëtarët e Kongresit amerikan, me ata të parlamentit hollandez dhe në shumë demokraci të tjera dhe siç kam vënë në dukje edhe më parë, që shtesën e miratuar të pagës ta përfitojnë jo deputetët dhe ministrat e sotëm, por ata deputetë që do të zgjidhen dhe ata ministra që do të emërohen në kabinetin qeveritar pas zgjedhjeve të ardhshme parlamentare.

Pas këtij argumenti, nga ministri në fjalë dëgjova këtë eksklamacion: “Domethënë që unë, si ministër, deri në vitit 2025 duhet të marr po këtë rrogë që kam?”! Po, i thashë, sepse ju e keni të ndaluar që, duke shfytëzuar pozitën e deputetit, të merrni vendime që janë në favor të interesave tuaja personale. Kjo është rregullorja e Sjelljes Etike të deputetëve që ju vetë e keni miratuar dhe do të ishte e pandershme dhe e dënueshme që ju vetë ta shkelni atë.

Ministri vijoi i pakënaqur të më kundërshtonte duke iu kthyer argumentit të parë: “Domethënë t’u rrisim pagat punonjësve të administratës por jo deputetëve dhe ne minstrave?”! Sigurisht i thashë, sepse pagat e punonjësve u takon juve t’i rrisni; ata vetë nuk i rrisin dot pagat e tyre. Kurse pagat tuaja nuk mund t’i rrisni ju vetë; ju duhet të rrisni pagat e deputetëve dhe të ministrave për ata që do të zënë vendet tuaja në kuvendin e ri dhe në qeverinë e re që do të krijohem pas zgjedhjeve të ardhshëm parlamentare. Kjo është politikisht dhe moralisht e drejtë.

Më në fund, ministri socialist e konsideroi qëndrimin tim populist. Çuditërisht, fjalën “populizëm” e dëgjova të përmendej edhe nga disa deputetë socialistë në seancën parlamentare. “Antipopulizmi” i tyre më habiti. Në fakt, m’u duk si strofulla e fundit e maskarallëkut politik.

Asnjë prej këtyre socialistëve “antipopulistë” nuk është më socialist sesa autori i këtyre radhëve. Disa prej tyre mundet edhe të mos jenë fare socialistë. Sepse, nëse do të ishin, në radhë të parë do u qanin hallet shtresave më të varfëra të popullsisë, duke nisur nga pensionistët. Ndaj këtyre shtresave ata kanë jo vetëm një përgjegjësi politike shtetërore, por edhe një detyrim moral, sepse janë këto shtresa që i kanë votuar dhe i votojnë më së shumti socialistët në zgjedhje. Nga ana tjetër, “antipopulizmi” i tyre mund të shërbejë për t’iu kundërvenë kundërshtarëve politikë, por nuk mundet t’u jepet si argument njerëzve që dinë dhe kuptojnë më shumë sesa ata deputetë.

***

Duke ndjekur seancën e diskutimeve dhe atë të votimit për këtë ligj në kuvend, më bëri përshtypje veçanërisht fjala demagogjike e ministrit të drejtësisë. Ai përmendi në fjalën e tij çdo gjë, ua qau hallin të gjithëve—gjyqtarëve, prokurorëve, policëve, mjekëve dhe psikologëve të burgjeve—por nuk e zuri fare në gojë rritjen e pagës së tij dhe të ministrave e të deputetëve, sikur kjo të mos ishte pjesë e paketës ligjore që do aprovohej në kuvend.

Ky ministër, madje, kërkoi me këmbëngulje që ligji të miratohej nga të gjithë deputetët dhe pa vonesë—me fjalë të tjera, që deputetët të votonin që pagat e tyre, të rritura gati dyfish, ata të fillojnë t’i marrin e t’i gëzojnë qysh nga java e ardhshëm, nga 1 qeshori. Që është dita e fëmijëve!

Pangopësi! Por, pse kaq ngutje!

Znj. Felaj që e drejtoi atë seancë shkoi edhe më tej. Para se të niste votimi, ajo i njoftoi deputetët se për këtë ligj kuvendi kishte kërkuar dhe marrë paraprakisht edhe miratimin e presidentit të Republikës, që ky u fundit ta dekretojë atë.

Bingo! All Done!

Pagat e tyre i rritën. Deputetët dhe ministrat tanë u mblodhën në mbrëmje shtëpitë e tyre të lumtur. Nga 1 qershori e tutje ata do të marrin paga shumë të larta (dhe shumë benefite të tjera financiare çdo muaj). Sigurisht që do të jetojnë më mirë, disa herë mirë sesa shumica dërrmuese e popullsisë së këtij vendi.

Natyrisht që edhe do të jenë më të motivuar për të punuar më shumë e më mirë. Dhe, sigurisht, nuk do të dëgjojmë më këtej e tutje për korrupsion në radhët e tyre, pra edhe SPAK do të ketë më pak punë me ta dhe do të merret me çështje të tjera.

Gëzuar 1 Qershorin, të dashur deputetë.

DITA

 

Back

Contact

REDAKSIA artEX
NA SHKRUANI përmes portalit tonë KOMUNIKIMI/ Feedback !

© 2010 All rights reserved.

Make a website for freeWebnode