BASHA DHE "NDIHMA E MËTEJSHME" E PD-së PËR KOSOVËN

15/09/2015 08:06

OPIINION I HUAZUAR

 

BASHA DHE "NDIHMA E MËTEJSHME" E PD-së PËR KOSOVËN

Nga Bedri ISLAMI

 

Shefi i opozitës, Basha, kishte një takim të veçantë me presidenten e Kosovës, Jahjaga. Është normale. Aq më tepër se zonja në fjalë, mund të ketë edhe ndonjë hatërmbetje nga ajo që ndodhi në parlamentin shqiptar, në të cilin gjatë fjalës së saj, padenjësisht, munguan disa nga ministrat e qeverisë së sotme.

Nuk jam ndonjë përkrahës i zonjës presidente; në të vërtetë mendoj se ashtu si ardhja e saj në presidencën e Kosovës, ishte një rastësi, nuk duhet të jetë rastësi përfundimi i mandatit të saj, të cilin ajo po e kryen pa probleme të mëdha, por edhe pa ndonjë gjë të veçantë. Sidoqoftë, kjo është diçka që ka të bëjë me politikën e atjeshme, nuk është temë e këtij shënimi, i cili, thënë të drejtën, ka të bëjë me një thënie të shefit të opozitës, se “PD, edhe më tej, do e ndihmojë Kosovën”.

Në mes të gjitha naiviteteve të këtij njeriu që edhe më shumë se presidentja, është gjendur pa meritë në majën e politikës, të paktën asaj opozitare, kjo e fundit, për secilin që e njeh krejt mirë dy anët e lidhjeve PD – Kosovë, ishte tej asaj që mund të lejohet në limitin e atij që flet për vete dhe jo për të tjerët.

Në mes të PD dhe Kosovës nuk ka pasur kurrë lidhje serioze, të qëndrueshme dhe të mbara. Asnjëherë mes tyre nuk ka pasur një shenjë barazimi në marëdhëniet e ndërsjellta, dhe për më tepër, asnjë hajër nuk i ka ardhur Kosovës nga kjo politikë. Për më tepër, ajo ka bërë dëme, të cilat sot politikanë të Kosovës, përdhunshëm po mundohen t’i deshifrojnë ndryshe, duke bërë shfaqje të folklorit politik dhe anormal.

Le të jem më i qartë, sidomos në disa nga Momentet më kryesore të jetës në Kosovë. Si ka qenë reagimi i PD-së ndaj tyre, që në disa raste ka qenë edhe reagimi zyrtar shtetëror i Shqipërisë, pasi njerëzit e saj, të PD-së, kanë qenë në presidencë, në qeveri, në Shërbimin Sekret, kudo?

Në vitin 1992, kur PD erdhi për herë të parë në pushtet, në Kosovë, thuajse shumica e shqiptarëve, kishte euforinë se tashmë çështja kombëtare do të zgjidhej në një kohë të shkurtër, pa marrë asnjë mundim për t’i lëvizur gjërat nga vendi. Iluzioni i krijuar nuk erdhi vetvetiu. Ai u krijua qëllimisht nga të dyja anët e kufirit: Nga ata shqiptarë në Kosovë, të cilët në shumicë kishin qenë në Lidhjen Komuniste të Kosovës, filial de fakto e de jure i Lidhjes Komuniste të Serbisë, dhe që brenda natës, shumica me urdhër nga lart, ishin shndërruar në demokratë. Ky taborr politik, që kishte financime të ndjeshme nga Serbia, kishte në vete mjetet e propagandës dhe një zinxhir të ndjeshëm të krijimit të ideve, dhe, tek njeriu që erdhi në pushtet në Tiranë, gjetën njeriun e tyre.

Në Kosovë, jo vetëm në këtë kohë, por edhe më parë, cilido njeri i politikës që kishte lidhje krushqie me serbët, që ishte dhëndërr i tyre, shikohej në dyshim, kishte ndaj tij një qëndrim të ftohtë, edhe nëse ishte funksionar i lartë i Lidhjes Komuniste. Rasti, ndoshta i vetmi, që nuk u mbajt ky qëndrim, ishte ai ndaj Berishës, po ashtu dhëndërr serbo-malazez, për më tepër në një familje që i kishte shërbyer regjimit të Beogradit në shërbimin e tij sekret, dhe që filialet e kësaj familjeje vazhdonin t’i shërbenin. Në politikë, asgjë nuk është e rastësishme, nuk ishte e rastit as kjo. Në Shqipëri, pro krijimit të këtij iluzioni fatkob u rreshtua një amalgamë politike, që nga ish të dënuarit si të dërguar agjenturorë të shërbimit jugosllav, e deri tek ata që pranuan të bëheshin raja politikë përmes shpërblimeve masive. Është koha kur, të dënuar të këtij lloji, do të bëhen pjesë e qeverisë shqiptare ose do të kishin pjesë të rëndësishme të jetës saj hisen e tyre.

Si shpërblim ndaj kësaj klase erdhi shumë shpejt. Sipas urdhërit të Berishës, në konsultim edhe me ambasadën e Kosovës në Tiranë, u hartua një listë me rreth 50 figura të lëvizjes çlirimtare në Kosovë, të cilëve u ndalohej hyrja ose duhej të viheshin nën survejimin e shtetit shqiptar. Është kjo koha kur Berisha, përmes të dërguarve të saj, do i thotë strukturave të lëvizjes çlirimtare se, “Në Shqipëri mund të mereni me gjithçka, me tregti, me klube, por jo me lëvizje për çlirimin e Kosovës”. Ndoshta jo krejt rastësisht, në Kosovë, në këtë kohë do të ndodhin tre arrestime të mëdha, të cilat, në shumicën e tyre, ishin dekonspiruar nga Shërbimi Informativ i Gazidedes: Arrestimi i grupit të Llapit, nga të cilët arriti të shpëtojë një grup i vogël rreth Zahir Pajazitit, Hero i Kosovës,arrestimi i një pjese të ndjeshme të Grupit të Drenicës, nga të cilët ,edhe pas rrethimit shpëtoi Adem Jashari, dhe në fund, në vitin 1993, arrestimi i një pjese të madhe të figurave të rëndësishme të Lëvizjes Çlirimtare, mes të cilëve edhe Xhavit Haziri, i ngarkuar nga Mbledhja e Katërt e Përgjithshme e LPK-së, për të ndërtuar strukturat e mëtejshme të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

Shembulli tjetër: Në vitin 1996, kur në Kosovë kishin filluar veprimet e organizuara, në një shkallë më të lartë të lëvizjes çlirimtare dhe asaj i duhej një shembull se si shqiptarët mund të vetëqeverisen, në Tiranë ndodhi masakra zgjedhore e majit të vitit 1996. Kjo është koha kur Kosova dhe hallet e saj dalin krejtësisht jashtë optikës së presidencës shqiptare dhe kur, askush nga PD, nuk kujtohet për të, vetëm nëse i duhej si lojë zjarri për të ngrohur duart.

Cili është qëndrimi zyrtar i PD ndaj luftës çlirimtare, pikërisht në këtë kohë? Është viti 1996 dhe janë dhënë shenjat e rezitencës së armatosur. Tritan Shehu, asaj kohe shefi i kësaj partie, në 4 mars 1996, do të deklarojë se “Unë nuk e di se sa e vërtetë është vendosja e bombave në disa qytete të Kosovës, por nëse po, them se ky është një provokacion i shovinistëve serbë për të justifikuar dhunën e tyre…”. Ky është qëndrimi zyrtar partiak, i cili , më pas, do të mbështetet nga qëndrimi zyrtar presidencial, kur UÇK-në e quan vegël të Arkanit.

Në të njëjtën ditë me deklaratën e Tritan Shehut, është edhe deklarata e profesor Sabit Brokajt, 4 mars 1996, se, “Në Kosovë, për vite me radhë populli qetësisht kërkoi që të zgjidhet çështja e vet, pa ndeshje, pa armë dhe pa dhunë. Kësaj here vendosja e bombave shpreh fundin e shpresës së tij se vetëm me bisedime ishte e mundshme që problemet të zgjidhen”.

Viti 1996 është edhe vit i prishjes përfundimtare mes Berishës dhe Rugovës, të cilët, që pas tentimit të presidentit shqiptar, për të hedhur konfliktin që po vinte në Shqipëri mbi shpatullat e shqiptarëve në Kosovë, duke nxitur një luftë të papërgatitur, çka do të ishte fataliteti historik i kombit, nuk u takuan më, nuk biseduan më, dhe Rugova bëri injorimin e madh, duke mos ia lejuar as futjen në Kosovë në gjallje të tij.

17 vite më parë, PD dhe Berisha bënë atë që fillimisht vetëm Shtabi i Përgjithshëm i UÇK-së dhe Kryesia e LPK-së, e quajtën grusht shteti, lëvizjen e haxhiqamilshme të Shtatorit 1998. E di fare mirë se çfarë donte të thonte kjo për Kosovën. Ishte thika më e madhe që i ngulej pas shpinës. Për më tepër, tepër djallëzisht, Berisha dhe Bukoshi, përdorën disa njerëz të FARK-ut, një strukturë militariste shëtitëse, që nuk bëri kurrë luftë, të cilët, të uniformuar si të UÇK-së, morën pjesë në grushtin e shtetit. Ishte një formë djallëzore për të larguar ndjenjën e mirë dhe përkrahjen që kishte të dalë në pah në shpirtin e popullit në Shqipëri, të cilët, duke parë një forcë kryengritëse, rifituan besimin se Kosova mund të bëhet.

PD dhe shefi i saj, e them në mënyrën më decizive, gjatë gjithë luftës, edhe para fillimit të hapur të saj, edhe pas përfundimit, nuk kanë pasur asnjë lidhje me UÇK-në, me asnjë nga strukturat e saj. Ata, si të thuash, ishin të dëbuar, nga vetë qëndrimi i tyre, nga dëshira e tyre për të sjellë përçarje, dhe në fakt, njerëzit e tyre kanë bërë dëme mbi njerëzit e UÇK-së. Edhe i kanë vrarë ata.

PD e ka parë gjithëherë Kosovën si domen të saj; si një vend në të cilin politika e atjeshme do të ishte raja ndaj politikës së shtetit shqiptar. Paternalizmi i hapur kishte bërë që shumë vetë të besojnë se shteti shqiptar, më në fund, po bënte diçka, dhe në fakt, harruan të vërtetën e madhe, se shteti shqiptar, pikërisht në këtë kohë fillonte të mos bënte asgjë. Absolutisht asgjë të mirë.

Basha është një figurë e njohur në Kosovë, është e njohur për lidhjet e tij me UNMIK dhe hetimet e bëra atje ndaj luftës çlirimtare. Por, është i njohur edhe si miku më i afërt i nipit të shefit të shërbimit sekret serb, miku personal i Fazlliçit, i cili e mori nga dora, e solli në Tiranë, e bëri ministër dhe tani, nga skutat ku është sheh se si pinjolli i tij politik, tallet me një të vërtetë historike.

Basha i shprehu mbështetjen presidentes kosovare se, edhe më tej, PD, do të bëjë përpjekje për njohjen ndërkombëtare të Kosovës.

Ai i ka bërë këto “përpjekje” edhe më parë dhe e ka shfaqur Kosovën në një dritë që nuk e meriton. Dhe që nuk është e vërtetë, por një trillim i paskrupullt, në të cilin ai është pjesë. Në historinë makabër të Shtëpisë së Verdhë. Ndoshta ende i kujtohen vizitat shoqëruese…dhe këtë nuk mund t’ja thojë një gruaje që koha e bëri presidente, por sido kudo, është më burrë se sa presidenti ynë.

(Marrë nga DITA)

Back

Contact

REDAKSIA artEX
NA SHKRUANI përmes portalit tonë KOMUNIKIMI/ Feedback !

© 2010 All rights reserved.

Make a website for freeWebnode