BALTA
25/06/2018 05:56
OPINION
BALTA (1)
Nga Sevo TARIFA
Balta është pasuri e pallogaritshe e natyrës. Dihen vlerat e mëdha të saj. Përpunohet dhe përdoret nga njerëzit sipas nevojave të tyre jetësore. Të mirave të baltës s’ka pse t’u shtojmë dhe një “funksion” tjetër: të baltosim njëri-tjetrin. Fragment pis i zi historie…
Baltë “politike”?!
Balta siç është e shuan zjarrin. Balta politike e flakëron më shumë zjarrin. Dhe mban prush, të ndezur. Le ta lëmë baltën ashtu siç është, me ngjyrat e ndryshme obiektive, siç ia ka dhënë natyra: kafe, të zezë, bojë qielli të hapët, të kuqe etj. Sa keq, kur i jepet “ngjyrë politike”! Në këtë rast balta “kthehet në barut të thatë” dhe shkëndia shpërthen zjarr! Kjo bie në sy sidomos sot, në pluralizëm, ku njerëzit bëjnë pjesë në jo pak parti politike të ndryshme dhe veprojnë duke i hedhur baltë njëra-tjetrës. Uniteti dobësohet, thyhet. E kështu balta bëhet “politike”. Nuk është fjala në kuptimin metaforik, figurativ, por konceptual, ideor, praktik, se balta është “luftë” ndaj kundërshtarit politik.
Thelbi politik i baltosjes përbëhet nga vese të këqia te njerëzve. Ndërsa virtyti është i bardhë, vesi është i zi. Ndër të tjerë, “tri janë veset që duhen shmangur: urrejtja, zilia dhe përçmimi”. (Seneka). Veset e këqia e bëjnë një parti, një grup njerëzish ose një individ, që baltën t’ia hedhin kundërshtarëve politikë. Harrohet se me këtë veprin njëherazi secili baltos veten. Para se të baltosësh kundërshtarin politik, baltën, pa dashur e ke hedhur ne fytyrën tënde.
Prirja për të baltosur ka në plan të parë urrjetjen ndaj kundërshtarit politik. Zakonisht urrehen ata që ecin më përpara se ti, ata që janë ziliqarë negativë, smiranjozë, xhelozë; ata që ti jep e merr e nuk i arrin dot. Këtu e ka burimin urrejtja, që është esenca e baltosjes politike. ”Zemra që di të urrejë, është e pamëshirshme”. “Mund të bësh shumë gjëra me urrejtjen, por shumë më tepër me dashurinë” (Shekspir). Kush baltos dëmton jo vetëm atë kundër të cilit hedh baltën, por baltoset edhe vetë. Kjo shfaqet në mënyra të ndryshme: në përbuzje, në shpifje, në sharje, në akuza, në arrogancë, por dobësimin e shëndetit, me shqetësime nervore, inatçore, hakmarrëse. “Urrejtja dëmton shëndetin”. (Dekart).
Baltosa ka një bazë politiko-morale. Politika nuk mund të bëjë pa një themel moral. Urrejtja që çon në baltosje dëmton miqësinë, harmoninë. Morali njerëzor kërkon të mos urrehet njeriu, por veset e tij, të cilat janë të kundërtat e virtyteve. Është si puna e mjekut që lufton jo pacientin, por sëmundjen. Mirëpo në jetë ndodh që bashkë me veset urrehet dhe luftohet njeiu! Urrejtja “është kancer në shpirt”, plogështon dhe pezmaton zemrën. “Vetëm shpirtmirësia pastron çdo urrejtje. Ky është ligj i pandryshueshëm”. Kush ka urrejtje nuk mund të ketë dashuri. Urrejtja e privon njeriun nga qetësia shpirtërore. Përfytyroni një njeri që balltos, është njëlloj si ai që gërmon me kazëm e lopatë dhe mbledh baltë, të cilën e bën “topa-topa” dhe ia hedh partisë tjetër politike kundërshtare, ose njerëzve të veçantë, për t’i “groposur”. Dhe kështu thellohet përçarja midis tyre.
Shigjeta blu
Sot në skenën politike midis partive politike kryqëzohen shigjeta të ndryshme. Në sfond duken sdomos shigjeta blu. Kjo ndodhi me Partinë Demokratike kur ra nga kali në dy zgjedhjet e fundit politike e ato vendore dhe u kthye në opozitë. Që të nesërmen ajo nisi baltosjen: në vend që të fillonte të bënte analizën për shkaqet e humbjes, lëshoi shigjeta njëra pas-tjetrës kundër Partinë Socialiste dhe Qeverisë e saj. Dhe shkaqet “i zbuloi” dhe i “vulosi” në akuzat gjithë baltë se “votat u vodhën”, “u blenë me para të pista të drogës” etj. Por bëhet pyetja: njeriu i mençur nuk beson se ata mijëra e mijëra votues që nuk ia dhanë votën partisë së tyre, janë mashtruar, janë korruptuar. Pse kaq shumë shqiptarë janë blerë e shitur?!
Gjetkë fle “flepuri”. Ata qinda-mijë anëtarë ose simpatizantë pëdëistë, që s’morën pjesë në votime ose votuan kundër partisë së tyre, a nuk tregon kjo se s’janë të kënaqur nga udhëheqja qendrore, prandaj ky është një shkak që partia ku militojnë humbet. E vërteta është se “Kur një politikan nuk pranon humbjen apo fitorten, ai vend nuk mund të ndërtojë kurrë demokracinë”.(Solon). Duke mos u bërë analiza e partive humbëse, në vend që të gjenden shkaqet subjektive e objektive, ndiqet rruga më e lehtë: baltë politike, baltë kundër partisë fituese, duke e parë veprimtarinë e saj me syza të zeza. Dhe vepon në praktikë me propagandë helmuese, mashtruese, rrezja e së cilës shkon deri dhe në botën e jashtme, mik pas miku, ndoshta dhe duke paguar, për mbështetje, për të shkruar e folur në favor të partisë humbëse, mjafton të dëmtohet partia kundërshtare fituese.
Tipikja e opozitës së sotme është propaganda e saj jo reale. brenda dhe jashtë vendit, shqip dhe në gjuhë të huaj, edhe me miq të veçantë, të njohur, të besuar, duke shkuar atje ose që vijnë në Shqipëri, një “avaz”: baltosje e arritjeve pozitive dhe hiperbolizimi i të metave, dobësive e mungesave, gjë që është antishqiptare. A nuk e pamë më së miri këtë në vajtje-ardhjet jashtë vendit për të joshur miq se “në Shqipëri Qeveria është e lidhur me krimin”?! Apo e ashtuquajtura protestë e 26 majit, që vuri në shenjë rrëzimin e Qeverisë Socialiste, se “është një organizatë me kriminelë” dhe Kryeministri “është kryemafioz”? Pse u zhvillua kjo protestë, (që Berisha e quante “revoltë”) pikërisht në prag të shqyrtimit të negociatave me Shqipërinë nga Këshilli i Bashkimit Europian në qershor? Mjafton kjo që opozita ndryshe flet e ndryshe vepron: me fjalë është pro hapjes së negociatave, me vepra është kundër dhe akuzon se “Pengesë e negociatave është Kryeministri”, se “nuk mund të ketë negociata pa larguar këtë kryeministër”! E ka një hall opozita: do që këto negociata të mos zhvillohen sot, me Qeverinë socialiste, por nesër, “kur të vijnë në fuqi opozita e sotme”! ”Peshku në lumë, tigani në zjarr”…
Udhëheqja e PD dhe LSI, e kanë gati baltën për t’ia hedhur në çdo kohë e për çdo gjë kundër Partisë Socialiste. Mjafton të shohësh shtypin e tyre ditor: “55-ën “e pavarur”, Rilindjen Demokratike” tani dhe “Integrimin”! Për qëllimet e tyre s’kanë as durimin, “gjykojnë” para kohe, para organeve të Drejtësisë. Shumë njerëz pyesin: pse veprohet duke “kurdisur” e dëgjuar një “Babale” dhe nuk pritet të mbarojë Prokurioria dhe Gjykata pastaj të kërkohet dorëheqja ose jo e ministrit të Brendshëm, Fatmir Xhafaj?! Padurimi që në këtë rast është shprehje e urrejtjes, e mllefit, i bën opoziarët të baltosin, të flasin para kohe, të nënvizojnë tezën: si mund të jetë ministër një njeri që ka vëllain të dënuar 7 vjet e dy muaj dhe e ka fsheur këtë krim? Pyesim: pse s’kanë vepruar më parë ministrat e Brendshëm të PD, Luli e Noka, që kanë qënë pikërisht në atë kohë? Por këtyre nuk u hyn asnjë gjemb në këmbë! Opozita e kursen baltën se i duhet vetëm për kundërshtarët e politikë.
Ata që kanë folur e flasin për biografi të njerëzve në kohën e monizmit, futin sot në një thes njerëz për vëllain apo kushëririn e tyre. Dhe e heqin veten “parimorë”, “vigjilentë”, “mbrojtës të demokracisë”. Por hidhen përpjetë nëse ndonjë “thumbon” me kritikë se “edhe sot në demokraci ka luftë klasash, bile më shumë”.
Tri periudha
Balta është hedhur e hidhet nga periudha në periudhë. Periudhat janë vazhdim i njëra-tjetrës, kalim i pandërprerë nga e shkuara në të tashmen dhe nga e tashmja në të ardhmen. “Nëse hapim një luftë midis të kaluarës dhe të tashmes, ne do të shohim se kemi humbur të ardhmen”. (Çërçill) Po në ç’raport janë sot tek ne këto tri periudha nga pikëpamja politike?
Janë të lidhura, me karakteristika të përbashkëta e të veçanta. Shtrihen në kohë dhe në hapësirë. “Duhet menduar për të ardhmen, por edhe e tashmja nuk duhet lënë pas dore. I mençuri nuk pranon të vuaj sot, për të qenë i lumtur nesër”. “Njeriu shikon të shkuarën me ngashërim, të ardhmen me shpresë, por asnjëherë nuk është i kënaqur nga e tashmja”. (Sami Frashëri) Nënvlerësimi i një periudhe është edhe nënvlerësim i periudhës tjetër në vazhdim, e cila nga baltosja ka vetëm humbje.
Tani në tranzicion nuk flitet pak kundër periudhës së shkuar “komuniste”. Gjithnjë baltosje. Ç’nuk thuhet kundër saj nga demokratikas. Shigjetohet kjo periudhe, që të rritet vlera e periudhës së sotme të pluralizmit. Goditen personalitete të asaj kohe, që të fitojnë diçka për autoritetin e tyre disa “gjahtarë” sot! Do të doja të shkëpusja një paragraf nga një letër e një zonje disa kohë më parë: “…A duhet të kthejmë kokën pas e të kujtojmë të kaluarën? Nëse e bëjmë këtë na akuzojnë si komunistë. Ky është dështimi ynë si komb. Ne mohojmë të kaluarën. Një njeri që mohon të kaluarën e tij sado e hidhur që të ketë qenë ajo, nuk mund të ketë të ardhme. E kaluara jonë “komuniste” ka jetën e prindërve tanë dhe të fëmijëve tonë. Aty mbeti djersa e derdhur në vite, rinia dhe bukuria e tyre. 60-vjetori atë kohë nuk ishte një ditë dhimbjeje pa kufi, por ishte një darkë e ngrohtë, një tortë e ëmbël me urimin e bukur “E gëzofsh pensionin”. Këtu prindërit tanë bëhen nostalgjikë e psherëtijnë në heshtje për të kaluarën. Mirënjohje dhe respekt thinjave dhe rrudhave të prindërve tanë!”.
Nuk është vështirë të zbulosh të mira e të këqija në mendim, në gjykim, në praktikë, në metodë, në punë e në jetë të periudhave që i kalojnë stafetën njëra-tjetrës. Po krahas vazhdimit me besnikëri të taditave e të virtyteve të brezave paraardhës, gjejmë edhe subjektivizma, indiferentizëm, inate, shpifje, ofendime, hakmarrje, mohime etj. Njëkohësisht trashëgohen me realitet, drejtësi, ndershmëri, dashamirësi, tolerancë. Por “Në qoftë se peshon trupin një herë në vit, trurin peshoje çdo ditë”.
Në fakt, sot, këmbana bie më tepër për të kaluartën, se sa për të sotmen dhe për të ardhmen. Edhe pse kemi 28 vjet në tranzicion, nga koha në kohë, nga ana e Partisë Demokratike dhe e aleatëve të saj, LSI e të tjerë, përmenden jo pak të vdekur, flitet e shkruhet për “krimet” e tyre, por s’u “vete zëri në vesh” për të gjallët që kanë drejtuar ose drejtojnë pushtetin aktual, të cilët duhet të përgjigjen për çështje të mëdha, që janë ose jo në proces gjyqësor, që personat fajtorë të mos mbrohen, të mos ndërhyhet e të mbyllen procese si 21 janari, Gërdeci, abuzimet në ndërtimin e rrugës së kombit etj. Ose denoncohen akte të korrupsionit të këtij apo atij pushtetari dhe prokuroria hesht, ndërhyn dikush nga politika. Kurse gjykatat dëdojnë “të vegjël” dhe jo “të mëdhenj”, ose dënimet janë minimale apo mjaftohen me gjoba! Dhe akoma më tepër është e nevojshme të ketë pohime e alternativa për të ardhmen, jo me fjalë por me vepra. “E shkuara ka kaluar, e tashmja po kalon, nëse ka gjë për të cilën duhet menduar, - kjo është e ardhmja”. Prirja e përgjithshme të jetë: ta shohim çdo periudhë si të ishte Diell, që edhe pse ka njolla ndriçon…! Prandaj “Të gërmojmë në të shkuarën, të mbjellim në të sotmen, të plehërojmë të ardhmen”.
Nihilizmi
“Ashtu si nuk mund të ketë hije pa dritë, ashtu nuk mund të ketë të mirë pa të keqe”. (A. Musse) “Ai që dëshiron të hajë arrën, duhet të heqë më parë lëvozhgën” (Plutarku). Hiqi lëvozhgën arrës, del thelbi. Kështu del edhe thelbi politik i nihilizmit, i pohimit dhe i mohimit.
Të mohosh, do të thotë të mos përfillësh të mirat e një periudhe të caktuar historike, në këtë rast të mos pranosh arritje të socializmit; t’i heqësh vizë çdo rezultati pozitiv të kohës së monizmit, të quah zero çdo gjë, të vrojtosh e të vlerësosh vetëm të metat e dobësitë ose t’i shtrëmbërosh ato; të shohësh vetëm anët e zeza, të kthesh në minus, plusin, në antivlera vlerat. Pluset janë më shumë se minuset. “Të mirat janë gjithnjë më tepër, veç duan mend, mund e djersë lumë: prapësirat kryhen shpejtë e lehtë, por rrojnë pak e vdesin shpejt. Ato nuk janë për të gjallin, se nën’e babë kanë djallin”. Të mohosh arritjet e periudhës socialiste, heq një pjesë të historisë kombëtare, ështe njëlloj sikur t’i heqësh një pjesë trupit të njeriut.
Të pohosh të mirat e të përparuarat e kohës së monizmit, do të thotë të flasësh për arritjet, përvojën pozitive, pa u trembur se “po kthehet komunizmi” (?!); të zbulosh e të përgjithësosh atë që është racionale; të marrësh zjarrin që flakëron dhe jo hirin; të kuptosh e të shpjegosh të vërtetën e gjendjes, të punëve, efektivitetin e forcës së vetme politike, që ka udhëhequr vendin; t’i konfirmoshë këto me fakte dhe të shprehësh realitetin, të mbrosh të drejtën. “Drejtësia është dielli” (V. Hygo)
Rruga e drejtë dhe e vetme për të pohuar e mohuar është: të thuash ç’është e mirë e ç’është e keqe. Të mos jesh i njëanshëm duke pranuar njërën pa përfillur tjetrën. Të jesh objektiv dhe jo subjektiv. T’i shohësh paralelisht të dyja anët, pozitiven dhe negativen; të gjykosh pastaj të dënosh. Të mirën pohoje, të keqen mohoje. “Kur dëgjoj ndonjë fjalë të ligë për ndonjë njeri, më ngulen gjimba në zemër, kur dëgjoj fjalë të mira për ndonjërin, ndjej një kënaqësi të ngjashme me aromën e luleve më të bukura”. Le të ndalemi në disa drejtime konkrete: (Poet kinez)
“Lufta Civile”?! “Askush nuk lufton në betejë me aq shpirt të paepur, sa ai që lufton për atdheun e vet” (Demosteni). Luftërat, pavarësisht nga qëllimi dhe karakteri i tyre, të gjitha ngjyrosen me të kuqen e gjakut që derdhet “me okë”. Dhe gjaku në të gjitha pikat gjeometrike është i kuq. Ç’është lufta jonë, zjarri i së cilës çoi në çlirimin e vendit nga pushtuesit e huaj: është Luftë Antifashiste Nacionalçlirimtare apo luftë civile? Përgjigjja e kësaj pyetjeje është një vijë ndarëse midis të majtëve e të djathtëve në vendin tonë. Për këtë çështje kanë folur e shkruar luftëtarë fitimtarë dhe gjoja patriotë, pseudohistorianë, gazetarë e shkrimtarë.
Në vendin tonë “nuk kishte luftë civile, por kishte luftë kundër fashizmit. Luftëra civile nuk bëhen në pushtim, por bëhen pasi ikën pushtuesi, ku palët kërkojnë të marrin pushtetin. Ka plot luftëra civile: u bë në Spanjë apo në Amerikë, ku luftoi Jugu kundër Veriut, por në atë kohë atje nuk kishte pushtues. Jugu ishte pro skllavërisë së njerëzve me ngjyrë. Ndërsa Veriu ishte me Linkoinin dhe, më parë, me Xhorxh Uashingtonin dhe luftoi për heqjen e skllavërisë. Ajoi shte luftë civile. Në Greqi, pasi iku pushtuesi, ata donin të ndanin pushtetin. Po kështu edhe në Rusi midis Ushtrisë së Kuqe dhe Bjellogardistëve u bë luftë civile. Pra, në Shqipëri nuk kishte luftë civile”. (Dritëro Agolli)
Është e qartë se kush e konsideron Luftën çlirimtare një “luftë civile”, ai mohon një të vërtetë të madhe- luftën me armë të 70 mijë partizanëve, që luftonin me parullën “Vdekje fashismit-Liri popullit”; mohon këngët e luftës, që u ngritën në zjarrin e saj dhe gjëmonin në male edhe në qytete, nënë hundën e pushtuesve dhe veglave të tij vendës. Lufta është luftë. Nuk mund t’u thuhesh ballistëve, që ishin bashkëpunëtorë aktivë të pushtuesve dhe i udhëhiqnin këta në arrestime, në burgosje, në internime, në vrasje të atdhetarëve, në djegije shtëpijash etj: largohuni, o vëllezër shqiptarë, se ne do qëllojmë kundër gjermanëve. Dhe predha partizane do shkonte në mish të pushtuesit dhe të ballistit. Dhe bashkë me pushtuesin vritej edhe kolaboracionisti.
(Vijon)
DITA