“BALLKANI I HAPUR” – VORBULL ANTISHQIPTARE(!)
21/08/2021 07:07
OPINION
“BALLKANI I HAPUR” – VORBULL ANTISHQIPTARE(!)

Tafil DURAKU
Rrymat politike e diplomatike, shpeshherë, janë të ngjashme me rrymat e ujit, të erës, etj. Janë trazime që formohen e bëhen shpejteshpejt, befas dhe është vështirë t’u qëndrosh përballë ose të rrish duarkryq në vorbullën e tyre, sidomos, kur nuk je i përgatitur mendërisht, fizikisht, psikikisht e ushtarakisht.
Një rrymë politike nisi para disa vitesh në Novi Sad (2019), sa për t’i vënë politikën dhe diplomacinë në lëvizje, për t’i vënë analistë e kanalistë në lëvizje, dhe, për t’u dhënë drejtim dhe perspektivë nismave që dëshirojnë e siç dëshirojnë, të cilat, parë në esencën e tyre, nuk kanë një ardhmëri të qartë, sidomos, në raport me Shqipërinë dhe me popullin shqiptar.
Nisma të tilla rajonale nisin e bëhen për shkaqe politike e diplomatike, për shkaqe dominimi, dhe, të biesh në kurthet e politikave të tilla “njerëzore”, sado që duken miqësore, prapavija e tyre është aq “miqësore” dhe aq “njerëzore”, sa, kur të del gjumi politik e dplomatik polar, që të ka zënë e të ka kapluar, përpirë e copëtuar shekuj me radhë, është zor të kthehesh në binarët e duhur, aq më tepër kur kemi të bëjmë me fqinjët tanë pushtues e poshtërues, fashistë deri në ekstrem. Por, nuk po tregohen më pak fashistë as prijësit “tanë”, që po hyjnë e po kyçen në valle të huaja, sidomos, në valle e nisma të fqinjve tanë pushtues.
Njëfarë nisme antishqiptare u nis me “Mini-shengenin ballkanink”, por nisma të tilla ka pasë edhe më herët, e, bile edhe nga vetë shqiptarët, si “Ballkania”, “Ilirida” etj.
Po, për çfarë e për çka bëhen këto nisma?
Në këtë pyetje, përgjigjja më e mirë është se bëhen për t’i mbajtur shqiptarët të pushtuar e të copëtuar edhe në shekujt në vazhdim. Dhe, kjo është dy herë më e rëndë, sepse, “shqiptarët” në pushtete shqiptare po u paraprijnë e prijnë nismave të tilla, po i mbështesin ato vetëm për të qëndruar në pushtet, duke e mashtruar e lajthitur popullin shqiptar.
Kjo gjendje skandaloze, po tregon edhe sot e gjithë ditën papjekurinë e udhëheqësve shqiptarë, që kyçen në të gjitha nismat “miqësore” dhe “dashamirëse” të popullit e shtetit shqiptar, por, kurrë, bile, deri më sot, “udhëheqësit shqiptarë”, nuk e nisën një nismë mirëfilli për ta bërë Shqipërinë – SHQIPËRI.
Një betim e dha UÇK-ja dhe atë betim e shkeli politika “patriotike” e “shqiptare” e LDKucave të Titos në pushtet e me pushtet antishqiptar nën hijen ibrahimrugoviste…
Gjaku i dërdhur për bashkim e liri kombëtare, po shkelet pamëshirshëm, tash e shkuar dy dekadash, pas luftës shqiptare të UÇK-së. Dhe, shkeljes së atij gjaku shqiptar po i prin LDK-ja&Co e saj “patriotike” e “shqiptare”, të “hapura” (lexo: të çaraveshur) si ndaj “Shqipërisë, si ndaj Serbisë!” (Thënia më antishqiptare e ‘Presidentit’ histo(e)rik, dr. Ibrahim Rugova), të cilën, edhe sot (fatkeqësisht), po e vë në zbatim LDK-ja, me finokërinë e UDB-së “shqiptare” të Prishtinës “patriotike” e “kombëtare”!...
Ndryshimi i “Mini-Shengenit ballkanik” në “Ballkan i hapur”, së fundmi (në Shkup, 2021), të kujton një vorbull të vërtetë antishqiptare, që po sillet e po sillet e pështillet, kuluareve e nëntokës së Prishtinës “shqiptare” të komunistëve më të rafinuar jugosllavë shqiptaro-titistë e neotitistë, përmes të cilëve, fatkeqësisht, u instalua me finokëri “patriotike” e “kombëtare” edhe në Tiranë… dhe, tash, e gjuajnë me gurë Tiranën shqiptare për ta përqafuar Serbinë(Bah!)…
Po, kush, pos “shqiptarëve” në pushtet, është fajtori kryesor për gjendjen e popullit dhe të shtetit shqiptar kësisoji? Askush, pos “shqiptarëve” në pushtet e me pushtet antishqiptar kudo në trojet e copëtuara shqiptare…
Shqiptarët dhe fqinjët tanë nuk kanë nevojë për nisma të tilla, sepse, çdo lidhje me to e në to është antishqiptare, kur ka mundësi kyçjeje në Shengenin Evropian, që është dhe mbetët e vetmja rrugë paqësore e diplomatike e bashkimit të popullit shqiptar në një Shqipëri Natyrale, pas luftës së lavdishme shqiptare të UÇK-së, ku, prijëtare duhet të jetë Tirana shqiptare dhe jo komunistët dhe neokomunistët “shqiptarë” të Titos…
Parë nga çdo pikëpamje e këndvështrim shqiptar, rrymat e vorbullave të tilla, sado që ndërrojnë e ndryshojnë emra e vendtakime “miqsh” shekullorë fqinj (siç janë Serbia, Mali i Zi, Maqedonia, Greqia me miqtë e tyre, etj.), janë rryma antishqiptare në lartdredhinë e tyre të njohur politike e diplomatike, pushtuese e poshtëruese të Shqipërisë e të popullit shqiptar si komb më vete, prandaj, kujdesi dhe syçeltësia, për të mos na marrë më vete, duhet të jenë në nivele të larta kombëtare e shqiptare, gjithsesi, pa sharësit e UÇK-së në gjiun e tyre shqiptar.
Gjithsesi, duhet pasur kujdes, sepse, miq dhe “miq” mund të na shtijnë llugave, ku mund të na humbasin udhët tona para sysh!... Por, kujdesi i shtuar shqiptar duhet të jetë karshi LDK-së “patriotike” e “kombëtare” të dr. Ibrahim Rugovës dhe të PD të dr. Sali Berishës, që për fletore shtëpie u ka mbetur sharja dhe shantazhimi i luftës së UÇK-së dhe përfitimi nga vlerat e saj sublime, shqiptare.
Burojë, më 21 Gusht 2021