AVIACIONI DJE DHE AVIACIONI SOT
28/04/2023 06:21
EMNESË
AVIACIONI DJE DHE AVIACIONI SOT
Nga DR. Elton DEMOLLARI
Shkrimtari dhe skenaristi i njohur amerikan, John Irving ka thënë: “Kujtesa është një përbindësh: ti harron, ajo jo. Ajo arkivon gjëra, i ruan për ty ose t`i fsheh, për t`i kujtuar, kur të dojë. Beson, se e ke ti kujtesën, por ajo të ka ty.“ Dy ditë më parë datonte data 24 prill. Më konkretisht në 24 prill të vitit 1951, pra, para 72 vitesh, u krijua arma e Forcave Ajrore Shqiptare, e cila ka qenë krenaria e Shqipërisë (po e theksoj, ka qenë). FASH përbëjnë një nga tre armët e Forcave të Armatosura Shqiptare. Duke qenë djalë oficeri, jam rritur me dashurinë për avionin dhe për fluturimet. Edhe sot i dua shumë aeroplanët. Jam i dashuruar me ta, madje, ëndrra ime në sirtar ka qenë gjithmonë të bëhesha pilot për avionët reaktivë. Por, nuk qe e thënë, të realizohej. Jeta mori një drejtim tjetër. Sa herë, që kam diskutuar dhe diskutoj me tim atë, major Bashkim Demollari, për probleme dhe çështje të ndryshme, bisedat kanë qenë herë normale, herë intensive. Por, kur vinte biseda tek tema lidhur me forcat ajrore shqiptare, gjithë ai tension venitej, deri sa zhdukej fare. Debati kthehej në një bisedë shumë të qetë dhe shumë të ndjeshme. Sepse, atij i mbushen gjithmonë sytë me lot, kur përmendet kjo temë. Ai edhe tani në këtë moshë preket shumë shpejt, nuk e mban dot veten, sepse, ai, e ka ndjerë me mish e shpirt këtë armë të rëndësishme të ushtrisë sonë, sepse, ai, hyri djalosh në këtë armë dhe kontribuoi ndershmërisht deri sa doli në pension. Më ka treguar sa e sa ndodhi e raste, kur papritur në ajër fikeshin motorat e avionëve dhe përpjekjet titanike të pilotëve për të shpëtuar veten e tyre dhe avionin (këtu mund të përmend midis shumë rasteve rastin e pilotit Bilal Sina, që me motora të fikur uli avionin në pistë) për pilotët dëshmorë, që kanë rënë në krye të detyrës për ngjarje, që kanë ngjarë realisht në aviacionin tonë (këtu im atë si dëshmitar okular më tregoi ngjarjen e vërtetë, por të trishtueshme të komisarit të regjimentit të Gjadrit pilotit Luto Sadikut, ku ai humbi jetën, kur avioni i tij luftarak u rrëzua në fund të pistës për shkak të hyrjes së një pulëbardhe në motor (pulëbardhat kanë qenë historikisht gjithmonë një problem.) dhe, im atë, pas shumë përpjekjesh e nxorri me shumë vështirësi nga avioni dhe me diagaç së bashku me një ushtar tjetër e çuan në infermierinë e repartit. (Por, ai, kishte dhënë shpirt.) Aviacioni shqiptar ka qenë një ndër krenaritë më të mëdha të shtetit shqiptar, për të mos përmenduar Marinën dhe Flotën Luftarako – Detare Shqiptare. Ai kishte në arsenalin e tij rreth 200 avionë MIG – 15, MIG – 17, MIG – 19 dhe MIG – 21 dhe rreth 40 helikopterë sovjetikë dhe kinezë Mil-1, Mi – 4A dhe Harbin Z – 5. (Madje, im atë, ngulmon në faktin që arsenali i avionëve reaktivë dhe mësimorë ka qënë 250 avionë gjithsej.) Këto kanë qenë boshti bazë i forcave ajrore shqiptare, të cilat, në vitet më pas, janë pasuruar me modele të tjera të prodhimit kinez. Kjo forcë ajrore u krijua, kur u krijua edhe baza njerëzore me pilotët dhe teknikët shqiptarë. Këtu mund të përmend personalitete të aviacionit shqiptar, si: Niko Hoxha, Edip Ohri, Fahri Bubësi, Babaçe Faiku, Pertef Myftari, Peço Polena, Ibish Vokshi, Zyhdi Rada, Sazan Xhelo, Irakli Grazhdani, Masar Aga, etj, të cilët u përgatitën fillimisht në Jugosllavi dhe më pas në Bashkimin Sovjetik. Duhet pranuar, që pilotët dhe teknikët tanë janë dalluar gjithmonë për aftësi të larta profesionale individuale, gjë që e kanë shfaqur në sa e sa stërvitje ushtarake të zhvilluara në kushte atmosferike të vështira ditën dhe natën. Prandaj, pilotët dhe teknikët ishin pjesa më e zgjedhur dhe më e sprovuar e shoqërisë shqiptare të asaj periudhe. Forcat Ajrore kanë qenë gjithmonë, gjatë atyre viteve, në gadishmëri numër 1, ku pothuajse çdo ditë bëheshin “fluturime natën”, siç thuhej në zhargonin e asaj kohe. Si në Lezhë dhe në Kuçovë qielli oshëtinte orë e minutë nga ulje – ngritjet dhe nga zhurmat e uturimat e avionëve MIG – 19 dhe MIG – 21, të cilët për atë periudhë ishin modernë. Paçka se sot nuk duan ta pranojnë, (madje, “historianët”, tallen me këtë fakt), por, Shqipëria ka qenë vërtet “superfuqi ajrore” në Ballkan dhe në rajon, sepse, për shumë kohë Shqipëria ka zotëruar një nga forcat ajrore më moderne në rajon, por, edhe në botë, si për sa i përket pajisjes logjistike, ashtu edhe përgatitjes së lartë të personelit të saj ushtarak ajror, që ajo kishte në dispozicion. Në analet historike të forcave tona ajrore përmendet një fakt tjetër shumë domethënës: Kina u pajis me teknologji radari nga forcat tona ajrore, kjo vinte prej faktit, sepse, ajo mori disa avionë luftarakë MIG-19PM ose “Farmer E” sipas kodit të NATO-s, të cilat ishin të pajisur me radarë të sofistikuar (Forcat tona të asaj periudhe zotëronin 12 avionë luftarakë të këtij lloji, të pajisur me teknologji radari të importuar nga Bashkimi Sovjetik). Prandaj, pilotët dhe teknikët kanë të drejtë të ndjehen krenarë, por, ata duhen kujtuar e respektuar, jo sa për të shpëlarë gojën, por, siç e meritojnë në të vërtetë. Ndërsa, sot, situatat dhe gjendja në botë kanë ndryshuar shumë. Dhe, kanë ndryshuar edhe më shumë balancat politike dhe ushtarake në fushën e vështirë të politikës dhe të marrëdhënieve ndërkombëtare, ku, prej vitesh, kanë dalë fuqi të reja ushtarake dhe bërthamore. Ka sjellë, që kjo teknologji e vjetëruar dhe e dalë mode të mos përdoret më, sepse, teknologjia kompjutorike dhe industria ushtarake kanë avancuar në mënyrë të jashtëzakonshme. Kjo do të thotë, që këtyre ndëryshimeve nuk i ka shpëtuar edhe vendi ynë dhe ka prekur edhe forcat tona ajrore. Prandaj, lindin disa pyetje shumë delikate: Ku është aviacioni ushtarak shqiptar? Me çfarë mund të krenohemi sot? Ku humbi krenaria e forcave ajrore? Që prej shumë vitesh ne jemi anëtarë të organizatës ushtarake euro-antlantike NATO. Para hyrjes në NATO u premtua dhe u trumbetua me të madhe, që flota ajrore shqiptare do të modernizohej dhe do të kishte në përbërje arsenalin më modern të avionëve ushtarakë. Sipas të dhënave zyrtare, sot, FASH aktualisht ka në përbërje rreth 30 helikopterë, nga të cilët janë 1 skuadrilje me helikopterë të tipit AB-206, 5 helikopterë të tipit AB-205, 1 helikopterë transporti të tipit VIP A – 109, 8 helikopterë BO – 105, 2 helikopterë EC-145 i versionit VIP, 4 helikopterë shumëfunksional tip Cougar, 6 Sikorsky UH-60 Black Hawk dhe 2 helikopterë EC-145. Po, avionët ushtarakë ku janë? Kush e mbron hapësirën ajrore shqiptare? Çfarë po ndodh tani me forcat tona ajrore? A mbahet shtëpia me miell hua? – Patjetër, që jo. Prandaj, sipas situatës së sotme gjeopolitike dhe gjeostrategjike, është e drejtë kërkesa, që është ngritur prej kohësh: Duhen ringritur, atje ku duhen, forcat ajrore shqiptare, sepse, vendet fqinje dhe rajonale po furnizohen dhe po fuqizohen me armët më moderne dhe avionët më të sofistikuar të kohës. Shpresoj gjithmonë, që kjo dëshirë dhe kërkesë e trupës ushtarake të vjetër dhe të re të realizohet dhe të vihet në jetë.
SOT