“ATDHETARËT” E ORËS SË FUNDIT

14/07/2016 07:57

OPINION

 

“ATDHETARËT” E ORËS SË FUNDIT

Nga Bedri ISLAMI

 

 

Zonja Nuland, e njohur si njëra ndër duart e hekurta të Departamentit të Shtetit, erdhi në Tiranë për t’i dhënë fund ngërçit rreth Reformës në Drejtësi. Ajo solli pak ditë më parë një draft të ri, gjysmë të shartuar, që, megjithëse kënaqte disa nga kërkesat e opozitës, nuk hiqte dorë nga themelorja e njërës nga qëndresat e reformës: radiografinë e sistemit gjyqësor.

Pas qartësimit të qëndrimit amerikan dhe europian, krejtësisht të njëjtë, është pritur që opozita të kishte një kthesë, ndoshta të arsyeshme në të gjithë qëndrimin e saj. Ardhja e posaçme e një emisareje kaq të lartë nuk ishte shenja e parë e interesimit amerikan për reformën në Drejtësi, por do të jetë njëra nga shfaqjet më të shëmtuara të opozitës, e cila, ndërsa i hidhte dorën në qafë zonjës Nuland, e kishte gati ngërdheshjen në përgjigjen e saj. Ajo nuk përbën habi për askënd, ashtu si nuk është e pakohshme të përsëritet një thënie e hershme se “nacionalizmi është streha e fundit e maskarenjve”. Ky është shembulli më i qartë se si kozmopolitët dhe ata që nxorën në ankand gjithë atdheun, tani duan të shfaqen si atdhetarë të pashoq. Nuk e kam mendimin vetëm tek Berisha, ajo strehë dihet se çfarë malli ka, por, të të shfaqet si nacionalist e patriot i madh një skorje politike si Basha, që nuk e kishte për gjë të shiste çdo ndjenjë kombëtare kur ishte në Kosovë, që Rrugën e Kombit e bëri rrugën e padurimit të tij; që trupin e ka në Tiranë dhe mendjen në Hollandë, që në rastin më të parë do e braktiste Shqipërinë duke na përqeshur, kjo, pak të thuash, është poshtëruese.

Reforma në Drejtësi është thembra e Akilit e ndërtimit të shtetit ligjor, dhe për fat, nuk është një histori ku ekspertiza, mendimi e dora e diplomacisë dhe jurispendencës ndërkombëtare ka qenë e pranishme.

Ka muaj e muaj që ambasadori i Shteteve të Bashkuara, zoti Lu e ka primare, më shumë se çdo qeveritar në Shqipëri, pikërisht reformën e shumëpërfolur në sistemin e Drejtësisë. Ka bredhur derë më derë, ka biseduar, i kanë premtuar dhe e kanë mashtruar, ka bërë sikur nuk e ka ditur se duan t’ja hedhin e po ashtu nuk i ka sosur durimi për të qenë i rikthyer në të njëjtën pikë nga edhe ishte nisur. Përmes tij janë dhënë aq shumë deklarata kundër pastrimit moral të parlamentit, kundër atyre që janë njollë e qeverisjes, përmes tij ka kaluar ligji për dekriminalizimin, duke u ndalur deri në emra të posaçëm të njerëzve të krimit, disa nga të cilët janë tashmë të arrestuar; ai ka bërë jo pak herë hetuesin e prokurorin, dhe të gjithë, majtas e djathtas, kur ai ka folur apo vepruar, kanë tundur kokën në miratim, pavarësisht se disa i kanë nxjerrë gjuhën e disa të tjerë kanë synuar të kapin edhe një presje në fjalët e tij.

Të gjithë, dhe kjo është e natyrshme, e kanë besuar, e besojnë dhe e dinë se ai nuk ka folur në emër të qytetarit Lu, por në emër të ambasadorit Lu. Të gjithë e kanë besuar, e besojnë dhe e dinë se Letra tronditëse e para pak ditëve nuk ishte një mjeshtëri e gazetarit Lu, apo e analistit Lu, por ishte thirrja e fundit që bënte ambasadori Lu, si zëdhënës i qeverisë së tij.

Opozita shqupase është thirrur nga mëngjesi në mbrëmje, e herë pas here deri natën vonë, se e gjithë ajo që po ndodh me ambasadorin Lu është çështje vetëm e qytetarit Lu dhe jo e drejtuesve që qëndrojnë pas tij. Ndaj edhe e kanë shfaqur gjithë perversitetin e tyre në ndërlidhjen dy palëshe, e cila, jo vetëm që ka qenë tej çdo parashikimi amerikan, por edhe e papërfytyrueshme. Halli i madh që ka kapur prej ditës së parë opozitën e sotme është tejet çdo përmase që kishte shfaqur zoti Lu.

Njerëzit në Shqipëri, sidomos ata që bartin mbi veten e tyre shumë halle e kobe, e kanë besuar dhe e besojnë edhe sot e kësaj dite se zoti Lu nuk është thjesht qytetari Lu; ata e kanë besuar dhe e besojnë ende se refuzimi ndaj tij nuk është refuzim ndaj një qytetari amerikan. Njerëzit kanë besuar e vazhdojnë të besojnë se, mosmiratimi i kësaj reforme, në planin kombëtar, do të ishte vazhdimi i mosndëshkimit të krimit dhe njerëzve do u duhej edhe më tej të mbanin në qafë një oligarki financiare me rrënjë politike, majtas e djathtas; ndërsa në planin ndërkombëtar, mosmiratimi do të na çonte deri në ndërlikimin apo ftohjen e marëdhënieve me Shtetet e Bashkuara; më tej me Bashkimin Europian; më tej, do të ishim shteti i vetëm që synon të mbajë brenda vetes krimin, duke qëndruar jashtë botës civilizuese.

Në këtë vend, nga mëngjesi në mbrëmje, bile edhe natën vonë, të gjithë thërrasin se janë miqtë e Amerikës dhe mund të përbetohen për këtë, por në pushimet mes thirrjeve, para se të shohin Amerikën, ndjekin xhepin e tyre, joshin bandat e tyre, rrëzojnë prokurorë dhe njerëz të politikës, bëjnë hesapet me gjakun më të ftohtë të mundshëm se ku na çon miratimi apo mosmiratimi i një reforme, që shumë po shndrit, por askënd nuk do e ngrohë e as nuk do e ftohë.

Zoti Lu, duhet thënë, nga shumë kolegë të tij, ishte një përjashtim i rregullit. Se çfarë mendonin të tjerët, e merrnim vesh pas disa viteve, përmes kabllogrameve që i zbulonte dikush tjetër, por, si të gjitha gjërat e vonuara, ata ishin të pavlefshme. Sepse mund të shkruante një diplomat i lartë amerikan, ambasador në Shqipëri, se cilat janë të zezat e Berishës dhe çfarë të bardhash pret nga Rama kur të jetë kryeministër, por, pas tyre ndodhnin vrasje në mesin e ditës, të cilat, pasardhësi, duke dëshmuar “burrësi”, vrasësin na e quante burrë shteti. Zoti Lu nuk na la të prisnim deri sa të zbulohen kabllogramet dhe të hapen arkivat. Ai foli, qartë bile, nganjëherë më qartë se sa mund të kuptohet, edhe nga ata që nuk kanë asnjë dëshirë të kuptojnë.

Ardhja e zonjës Nuland, për shumë kënd, do të ishte qershia mbi tortë, do të ishte, si të thuash, ngadhnjimi i një reforme të plotë, të thellë, aspirante dhe shpresë dhënëse.

Zonja Nuland e mori edhe ajo përgjigjen që nuk e kishte besuar. Nëse deri para pak kohe në mendimin e saj mund të kishte një shpresë se, në fund të fundit, arsyeja do të jetë e shfaqur në një vendim prej të cilit askush nuk humbet, tani, para saj është e gjithë hipokzia e një trafikanti politik, i cili, sa herë që të hedh dorën në qafë, të jesh i bindur se kërkon të ta hedhë.

Zonja Nuland e di fare mirë, jam i bindur, se sa atdhetarë të “ndritur” janë pjesët e opozitës që ngulin këmbë aq shumë për sovranitetin. Në llojin e tyre ata kanë të drejtë të ruajnë këtë kupolë krimi, pa asnjë dyshim, kupolë krimi, që është instaluar në sistemin tonë të drejtësisë. Nga kjo kupolë askush, edhe në qoftë gjingjonist, nuk dëshiron të zbresë, ndërsa me atdheun, secili prej tyre tallet e luan duke numëruar paratë që ka marrë me dorën e majtë.

Këto pashallarë të jurisprudencës sonë, në daç blu e në daç rozë të çdo nuance, mediokër deri në thelbin e tyre, ku është e vështirë të gjesh një personalitet, të grumbulluar rreth forcës politike që i delegoi në shumicën e tyre dhe i lejoi të bëheshin pashallarë, së bashku, vazhdojnë të qëndrojnë si deshën dhe sa deshën. Ata, në të njëjtën kullë krimi ku është futur thellësisht opozita, do të vazhdojnë deri në fund të sabotojnë këtë reformë, si kanë sabotuar çdo gjë të vyer në Shqipëri, si kanë marrë nëpër këmbë e nëpër dhëmbë çdo dinjitet kombëtar, duke u shndërruar në varrhapës të shtetit të së drejtës. Sistemi ynë i drejtësisë, mjerisht, në një shumësi të madhe, të mbledhur rreth Kryetarit të Këshillit të Lartë të Drejtësisë, që mjerisht është edhe presidenti i këtij vendi, do të rezistojë deri në fund dhe, përmes njerëzve të saj i bën presionin e fuqishëm politikës, që në fakt është i dyanshëm; ata, ndërsa politika përleshej (nuk e di se sa e saktë është fjala përleshej), ngërdhesheshin, sepse ende janë të bindur se në piramidën ku kanë hipur nuk ka asnjë ambasador Lu, asnjë zonjë Nuland, asnjë “antiatdhetar”, që t’i zbresë. Ata të marrin 150 mijë euro, në një dorë, për të hequr qafe një prokuror të bezdisshëm; ata të ndryshojnë ligjin sipas kuletës dhe mund të të falin qindra hektarë tokë në bregdet; ata mund të  gjykojnë vrasës, që kanë vrarë në ditën e diellit dhe t’i kthejnë në heronj, sepse kanë bërë “heroizmin” e ruajtjes së pushtetit të një njeriu delirant, i cili, si askush tjetër, ka kapur peng shtetin, ka përdhosur vlerat e këtij shteti, ka dëshmuar mungesën e çdo sovraniteti si njeri dhe si shtetar, që është i gatshëm, për pak pushtet të falë pjesë të rëndësishme të hapësirës sonë detare, që është i gatshëm të ringrejë kishat serbe në kosovë, ku e thërret gjaku i gruas, që shfaqi gjithë helmin e tij ndaj luftës çlirimtare, burgosi luftëtarë dhe bëri një mijë e një dredhi pushtetore në krahët e njerëzve të Millosheviqit, ky njeri, antikombëtar deri në thellësinë e tij, tani tund flamurin e sovranitetit. Në duart e tij është një leckë e grisur, përmes së cilës ai do të mbulojë krimet e familjes së tij, gjakun që kanë derdhur, duke pasur si garanci vazhdimin e kësaj jete të rehatshme, në bollëk dhe në tangerllëk.

Çfarë do të ndodhë më tej me reformën në Drejtësi pas refuzimit të sërishëm të opozitës?

Të jetë vërtet ndjenja e madhe “atdhedashurie” e Lulkës apo berishajve, të vegjël e të mëdhenj, që duan të na ruajnë sovranitetin tonë?

Opozita e përvëluar nga krimi dhe e ndihmuar nga analistë drejt krimit, nuk është e gatshme dhe nuk do të jetë, që të bëjë pjesë të një periudhe të jetës sonë struktura të vendosura ndërkombëtare, për të hequr, aq sa do të munden, një plagë kanceroze, që vetë e kanë injektuar. Ata e kishin më të lehtë të ishin miqtë e mirë të Fazlliqit, që e kishin mik shtëpie dhe biznesi, i cili ua transferonte paratë drejt parajsave fiskale; nuk e kishin problem që këtë trafikant ta sillnin edhe në parlamentin e shtetit, ta dërgonin në mbledhjen e Këshillit Kombëtar të Sigurisë, megjithëse ishte nipi i shefit të shërbimit sekret serb, nuk e kishin problem të takoheshin deri me Arkanin, ndërsa tani gjetën një mantel atdhedashurie, që në fakt është një mantel i shkërmoqur dhe i gjakosur.

Zonja Nuland, të gjitha gjërat për të cilat do ju ketë informuar zoti Lu kanë qenë të vogla ndaj asaj që po ndodh sot. Ju nuk keni përballë jush një opozitë deri diku të moderuar, ju keni vampirë.

DITA

Back

Contact

REDAKSIA artEX
NA SHKRUANI përmes portalit tonë KOMUNIKIMI/ Feedback !

© 2010 All rights reserved.

Make a free websiteWebnode