“ANALISTËVE TË GJITHËDIJSHËM”, T’U MERRET E DREJTA E ELABORIMIT POLITIK!

28/12/2022 05:47

OPINION

 

 

“ANALISTËVE TË GJITHËDIJSHËM”, T’U MERRET E DREJTA E ELABORIMIT POLITIK!

Afrim MORINA 

 

 

 

Ka kohë që nuk jam paraqitur me analiza, por, kësaj here, do ta bëjë këtë për fundvit, për ta parë se ku jemi ne dhe armiqtë tanë, po, përmes analistëve. Temë trajtimi do të jetë, paralelizma të analistëve shqiptarë (Kosovë), dhe atyre serbë, kudo që janë. Kjo, më ka shtyrë, për shumë arsye, por, qenësorja është, analizat që bëhen, sidomos, prej vendosjes së reciprocitetit për targat, e, këtej.

Së pari, të “gjithëdijshmit” tanë, nuk e dinë peshën e targave, sepse, ato nxjerrin në pah shumë mangësi të sistemi tonë kushtetues, për të parë në kemi sovranitet në gjithë territorin tonë. Për të pasur regjistrime, sipas Ligjit për regjistrimin e automjeteve, lind domosdoshmëria e nxjerrjes së një vargu dokumentesh: letërnjoftimet, patentshoferët, etj, që duhen të kenë emblemën e shtetit të Kosovës dhe mu kjo, e bëri palën tjetër të alarmohet, për të dalë pa maska, për apetitet e tyre shovene, të të gjitha kohërave, sidomos, pas krijimit të mitit serb për Kosovën.

“Analistët” tanë, asnjëherë nuk trajtuan tema serioze dhe të parashtrojnë pyetjen publike, këta serbë, të deleguar në Kuvendin e Kosovës: - kanë leternjohtime tona, apo ato të Serbisë?; Janë të regjistruar si parti politike me mbaresën e fjalisë “Kosovë” apo “Kosovë-Metohi”; Janë rezidentë të Kosovës, apo të Serbisë, etj.?

Por, vendosja e barrikadave bëri një ndarje edhe më të madhe, qasjes së problemeve, përmes “anlistëve”, të cilët, jo vetëm nuk dinë për të shkoqitur fjalën analizë, por, po i tregojnë armikut se si duhet vepruar, sepse, ne nuk guxojmë të veprojmë, duke e mbiçmuar forcën serbe, sepse, ne, nuk dimë të mendojmë për fatin tonë, sepse, atë ia kemi lënë Borelit e Lajçakut, se, ne, nuk guxojmë të veprojmë, sepse na vihen të gjithë kundër dhe pala serbe del fitimtare, edhe kundër neve, edhe kundër Evropës edhe kundër SHBA-së. Ky është mesazhi që e përcjellin “të gjithëdijshmit” tanë dhe nuk ka nevojë opozita të bëjë analiza, kur këtë argat e bëjnë të tjerët, që nuk ndëshkohen në votë.

Si lindi problemi i targave e këtej, jam munduar ta përcjellë propagandën serbe, një propagandë e konsoliduar bukur mirë, sa me ja pasë lakmi edhe bota ruse e amarikane, e, të mos flasim për Evropën, e cila ende përpëlitet për të dalë nga qorrsokaku që ka ndërtuar vetë, ku është futur përmes gjeopolitikës e gjeostrategjisë, sidomos, pas invazionit Rus në Ukrainë. Të gjitha forcat politike, intelektualët e pavarur, kishat, e, analistët ushtarakë, kanë të njëjtin mesazh për ne shqiptarët, “Jeni në tokën e shenjtë tonën dhe nuk duhet të frymoni aty!”. E dëgjojnë këtë mesazh, të gjithë shqiptarët, të gjithë evropianët, të gjithë amerikanët?! Atyre nuk u tingëllon bash kështu, por “Të gjithëdijshmit” tanë analitikë, e fusin kokën në rërë, si struci, ndaj këtij fenomeni dhe fajin mundohen ta gjejnë te politika dhe mundohen ta përgatitin opinionin, siç ishte përgatitur gjatë viteve nëntëdhjeta, pse ne merremi me këtë, kur duhet të merret dikush tjetër, pra, miqtë tanë, të cilët do ta detyrojnë Serbinë të këndellet, për t’i parë gabimet e veta.

Janë duke i përcjellë aferat korruptive, vrasjet politike, burgosjet politike, ndrydhjen e zërit të lirë të mediave dhe shoqërive civile, e shumë gjëra tjera, në Serbi, këta “analistë” tanë? E dinë “analistet” tanë, se vëllai dhe djali i Vuçiçit janë të përfshirë në të gjitha këto, konstatim i vet serbëve? Borelli, Lajçaku e Eskobari i dinë këto, por, heshtin. Gjithë propaganda e konsoliduar serbe, për momentin, i heshtë këto, se, lufta kundër këtyre, është luftë për të mirën e Kosovës, prandaj, kanë lënë opozitarizmin, derisa ta arrijnë qëllimin e tyre të “shenjtë”, kundër shqiptarëve. Pse nuk ndërmerren veprime, nga ndërkombëtarët, të cilët  e dinë mirë, se mu këta njerëz janë në barrikada dhe kërkojnë që edhe për këto të bisedohet!

Pse “analistët” tanë, nuk e ngrisin zërin kundër kësaj propagande serbosllave dhe të kërkojnë nga faktori ndërkombëtar, që fajin lë ta gjejë atje, e, jo te ne? Pse gjithnjë e më tepër po poshtërohen, duke u munduar ta gjejnë fajtorin tek ne, e, jo aty ku e ka burimin? Pse gjithnjë janë sinjalizues të kërkesave serbe ndaj Qeverisë, që të jenë edhe kërkesa para ndërkombëtarëve? Mos, vallë, edhe ndrkombëtarët po i vërejnë këto kërkesa të “analistëve” tanë dhe po i tumirin në heshtje, duke mos e qortuar Serbinë, për bëmat e saj. Pse këta “analistët” tanë nuk po marrin mësim nga armiqtë tanë dhe të thonë me zë të fortë, bindës e argumentues, se Kosava është djepi, zemra, syri ynë dhe duhet mobilizuar të gjithë, ta shpëtojmë këtë tokë të përgjakur me shekuj? Nuk janë të vetëdijshëm, vallë, se miti i humbjes kundër serbëve është krijuar nga diletantët politikë, nga frikacakët politikë e analitikë, nga bashkëpunëtorët e tyre dhe gjithë sorollopi mbështetës? Nuk e marrin për bazë, të paktën, një fjali të kreut të NATO-s, se, Kosova është qendra e interesit tonë në Ballkanin Perëndimor! Jo, nuk dinë të mendojnë me këtë logjikë, por, mendjen e kanë te meditjet e majme që u ofrojnë punëdhënësit dhe aty janë vetëm për të elaboruar qëndrimet e tyre, që nuk dihet edhe nga i kanë të siguruara fondet.

Propaganda e konsoliduar serbe, ka bërë, që shteti të jetë unik, që forcat ushtarake të jenë në gaditshmëri, që politika të depërtojë edhe aty ku nuk ka pasur gjasa t’i afrohet pragut të dyerve të akcili shtet. Ata ua tregojnë dhëmbët edhe të fuqishmëve dhe të gjithë mundohen ta ledhatojnë, ta marrin me të mirë këtë djal(l)ë të lazdruar e ngucakeq, për ta ruajtur qetësinë në këtë nënqiell (e, kështu, nuk ruhet qetësia!), sepse, po shohin një shakapërderdhje të enegjisë kombëtare te ne shqiptarët (kudo që jemi), për shkak të simpative pushtetare dhe kërkojnë kompromise e bashkëbisedim edhe për të shkuar në nevojtore! Ka turp më të madh?!

Interes i kujt jemi ne në këtë sferë të ndarjeve gjeopolitike e gjeostrategjike, sipas dilitantëve politikë e “analistëve”?! Do të përgjigjen, jemi të Evropës e Amerikës, e, kurrën e kurrës nuk mendojnë se ne duhet të jemi interesi i vetvetes dhe të zgjedhim në interes të kujt do të sakrifikohemi, siç jemi sakrifikuar nëpër të gjithë shekujt e kaluar. Kanë ujë në sy, këta dhe të na gjuajnë herë të njeri e herë te tjetri, për para e karrierë.

Ne duhet ta gjejmë dikë të na mbështesë në këtë rrugëtim që kemi përpara, por, jo edhe të japim pjesë atëdheu, sipas tekeve të Borellit e Lajçakut, e, kohëve të fundit, edhe sipas Kristofer Hillit. Se sa janë në koordinim dy amabasadorët e SHBA-ve, në Prishtinë e Beograd, tregon mjaft, sa ta kemi këtë hezitim të ndërmarrjes së masave për zhbllokimin e rrugëve tona në Veriun tonë, nga forcat paramilitare, që ditë më parë ishin në struktura politike e uniforma policore të Kosovës. Kërkojnë që po atyre t’ua lëmë kujdsin e asaj pjese të atdheut “analistët” tanë?! Deri në këtë shkallë kanë arritur, sa ta vajtojnë rënien e kësaj ngrehine serbosllave në atë pjesë të Kosovës, për dy-tre orë! Po këtë vajtim po e bëjnë edhe ata që Kosovën e kanë shpallur si interes nacional të vetin dhe pikë nevralgjike për sigurinë e Evropës nga politika fashiste e Putinit!

Derisa e kemi këtë shkapërderdhje mendimesh e veprimesh, që do të thotë, shkapërderdhje e energjisë kombëtare, por, edhe të shkapërderdhjes së mendimeve dhe veprimeve evropiane e amarikane, rreth nesh e për ne, që e dërgon ujin në mullirin serb e rus, çfarë të bëjmë ne, që rrjedhën e ujit ta dërgojmë në mullirin tonë? Po, çfarë duhet bërë? Duhet puthur dorën e prapanicën secilit që ngihet në mëngjes, i përgjumur e mahmurshëm dhe t’i themi: “bukën e përditshme, falna zot!” (Migjeniane)?! Ka dell kombëtar ky llojë sorollopi, dhe, të ndalet e ta shikojë të vërtetën në sy?! Jo, se e vërteta për ta është paraja e kolltuku. Po, mirë, këta sahanëlëpirësit, “analistët” tanë, por, si mundet bota demokratike ta durojë këtë monstrum në mes të saj, se, ne, nuk jemi periferi evropiane, që dorën ta shtrijë kah ata, e, kokën kah Kremlini? A nuk e bënë këtë dy ministritë e jashtëme, në sy të botës dhe ende përkëdhelet, se, mos, ndoshta, do të këndellet dhe largohet nga Kremlini, falanga pushtetare serbe, që e njëjta nomenklaturë, që nga Millosheviçi, e udhëheq këtë politikë kërcënuese, jo vetëm për ne?

Çfarë duhet dhënë dëshmi, më tepër, perëndimit, Amerikës dhe gjithë botës, se ato që i kanë parë dhe i shohin çdo ditë me diell, në këto troje të përgjakura shqiptare? Këtë mund t’ua shpjegojnë vetëm “analistët”, sepse, këta janë më të zëshëm se vetë kriminelët serbë, kudo që janë, për t’i ngashnjyer e futur në kokë, se çfarë duhet të kërkojnë, se ne detyrohemi të lëshojmë pe para perëndimit, e, sidomos, para Amerikanëve!

Mesazhi i analistëve tanë duhet të jetë “Kriminelët para drejtësisë, dhe, barrikadat duhet hequr!” Ky duhej të jetë mesazhi, se kjo na bëhet përditshmëri, që, sa herë prangosen kriminelët, të ngriten barrikadat për t’i liruar, kjo nuk tolerohet! Ky zë i munguar nga “analistët” duhet të fuqizohet nga intelektualët e njëmendt të çështjes shqiptare! Duhet tërhequr vërejtjen Perëndimit e SHBA-ve, se, kjo nuk tolerohet, por, t’i bashkërenditim veprimet, që kësaj sjellje kriminale dhe luftënxitëse, në këtë nënqiell të ilirikumit, t’i jepet fund.

Këtë zë kushtrimi, duhet ta ketë edhe e gjithë politika shqipatare, duke u nisur nga Edi Rama, që nuk është në vijë të preambulës së Kushtetutës shqiptare, e deri te subjektet e tjera politike shqiptare, kudo që veprojnë.

Këmbanat po na i shurdhojnë veshët! Heshtja duhet thyer, jo për akëcilin udhëheqës, por, për të shpëtuar njëherë e mirë nga karpatianët e sorrollopi i tyre mbështetës!

 

Prishtinë, 26. 12. 2022

 

Back

Contact

REDAKSIA artEX
NA SHKRUANI përmes portalit tonë KOMUNIKIMI/ Feedback !

© 2010 All rights reserved.

Create a free websiteWebnode