AMAN, MOS IK, BRE, MIXHA SALIH!
20/05/2023 06:18
LETËR E HAPUR
AMAN, MOS IK, BRE, MIXHA SALIH!
LETËR E HAPUR NGA NJË DEMOKRAT I RI DHE NJË TRAKT NEOKOMUNIST PËR MIXHËN, I SHPËRNDARË PAS ZGJEDHJEVE NË RRJETET SOCIALE, I KAMUFLUAR SI KËNGË ME ÇIFTELI
Nga Viktor MALAJ
“Shkodra votoi nën pushtim të vërtetë. Nëse mendon ti ose ndokush tjetër se tërhiqet Sali Berisha para krimit, ai sheh veshin e tij pa pasqyrë…”
Sali Berisha
Mixha* Salih!
A të kujtohet që në vitin e largët 2012, në një çast zemërimi, gabimisht të pata kërkue me ikë? Dhe ti ma dëgjove fjalën, ike. Në fakt ike për disa budallenj si puna ime, sepse ti nuk ike dhe nuk ik asnjëherë.
Ti ishe aty, pas perdes, në të mirë e në të keq, duke këshillue, kritikue dhe masakrue cilindo që s’bënte siç thoje e doje ti. Dhe, ke bërë shumë mirë. Burri nuk ik derisa ta urdhërojë Allahu.
Prandaj, unë sot të kërkoj ndjesë për atë kohë dhe të bëj thirrje: Mos ik! Si mund të ikësh ti sot që ndihesh më i ri dhe më i zoti se kurrë?! Si mund të ikë përgjithmonë sjellësi i demokracisë dhe minuesi i saj? Më fal për këtë lapsus sepse jam ndikue nga propaganda dashakeqe e Amerikës!
Po ike ti, nuk ka më Shqipëri as shqiptarë, pa lëre demokraci e liri që s’bëhet fjalë. Unë e di mirë se ndjenjat e mbrojtjes së këtyre dhe të drejtësisë të shtyjnë të mos ikësh, dhe asgjë tjetër.
Çfarë do të bënim ne po të ikje ti kaq shpejt? Oh, sa do të na merrte malli për zhurmën e britmave tua nëpër sheshe e podiume, nëpër studio televizive dhe stadiume!
Kush do ua fyente nënat e motrat kundërshtarëve politikë dhe cili do iu premtonte atyre nxirjen e fytyrës si këpuca dhe ngrirjen në buzë të buzëqeshjes së fitores së tyre të pamerituar, po të mos ishe ti?
Po gazetarët dhe deputetët kundërshtarë kush do i zhdëpte në dru dhe rraste në burg aq lehtë dhe aq mirë e bukur sa ti?! Cili burrë shteti tjetër do të guxonte të digjte redaksi gazetash apo vriste protestues në bulevard, përveç teje?
Po institucionet shtetërore kush do i rrethonte e sulmonte me tanke e flakëhedhës aq suksesshëm sa ti në shtator 1998? Askush, sepse janë frikacakë dhe nuk kanë burrëri dhe as ndjenja demokratike.
Kam nigjue që fëmijët e vegjël nuk shkojnë të flenë derisa prindërit i trembin, duke iu thënë: “Shko te shtrati, se po vjen mixha Salih”. Pra, nuk kanë nevojë t’iu përmendin gogolin, as ariun apo qenin, por vetëm emrin e atij që i bën zap të gjithë. E, kjo flet shumë për mue sepse tregon se edhe për brezin që po vjen në jetë do të mbahesh mend me siguri në Shqipëri.
Sa do të na merrte malli për fjalorin tënd të pasur, për etikën e komunikimit dhe estetikën e formulimit të diskursit tënd politik!
Çfarë do të bënin edukatoret dhe mësuesit e ngratë për edukimin e fëmijëve dhe brezit tonë të ri po të mos i ilustronin orët e mësimit dhe edukimit me frazat dhe thirrjet e tua humane, të vërteta dhe etikisht të vlefshme?!
Unë ndiej dhimbje që këta “komunistët” e mallkuar t’i blenë përsëri zgjedhjet, madje edhe në vendlindjet tua dhe të të përndershmit z. Ilir Metaj, të cilin e ngatërroj shpesh me ish-Presidentin Ilir Meta.
Meqë m’u kujtua, jo vetëm mos ik, por mos e lejo as zotin Metaj të ikë sepse e kërkon interesi i përgjithshëm, populli dhe Shqipëria. Ai është një burrë shteti i vërtetë dhe një parashikues gjenial pasi na pati thënë se këto votime, si dhe ato para tyre, do të jenë një referendum popullor që do të dërmonte narkoshtetin dhe tradhtarin Edi Rama.
Gjithashtu, ti ke edhe një arsye tjetër për të mos ikur. Në kundërshtim me vendimin e administratës së korruptue amerikane që shpalli se ti ishe minues i demokracisë, bashkëluftëtari yt z. Metaj ka pohue me mençuri se ti je si puna e verës që, sa më shumë kalon koha aq më demokrat bëhesh.
Amerikanët, duke të njohur mirë, u frikësuan se mos ua kalon edhe atyre si demokrat dhe prandaj të shpallën non-grata, por duket se nuk i kanë bërë mirë llogaritë.
Po të gaboje ti e të ikje përgjithnjë, larg qoftë, kush do ta hante gjithë këtë bar që kemi në livadhet dhe lëndinat tona?! T’ua lëmë atë kundërshtarëve tanë politikë dhe bagëtive të tyre?
Po një filoshqiptar dhe njeri fisnik si Fredi Beleri, ku do ta gjenim ne për t’i dhënë mbështetjen dhe drejtimin e një bashkie me popullsisë me kombësi shqiptare, përveç disa kokrrave që ndihen grekë?! E kush mund ta peshkonte këtë figurë të rëndësishme, përveç teje dhe z.Metaj, për t’ia kundërvënë shitësit të interesave të Shqipërisë, Edvin Kristaq Rama? Askush! Ju dhe vetëm ju, atdhetarët brilantë.
Unë jam i sigurt se, ashtu si edhe shumë herë të tjera më përpara, por edhe më vonë, m’u thaftë goja, edhe tani këta komunistët e pareformue t’i kanë blerë e vjedhur votat. E them këtë sepse e di me siguri se shumica e popullit të do dhe voton për ty.
Këta janë të pafytyrë dhe antidemokratë sepse, siç pohove edhe vetë, kanë shpenzue miliona euro për të blerë vota dhe nuk janë të ndershëm si ne, që s’kemi pasur nevojë të shpenzonim asnjë qindarkë pasi ua kemi marrë zgjedhjet me hu dhe duke mbushur kutitë para fillimit të orarit të votimit, ashtu siç e meritonin dhe e meritojnë akoma.
Në fakt, ne i kemi fitue zgjedhjet, ashtu si edhe dhjetëra herë të tjera më përpara. Oh sa u gëzova kur zotni Bardh Spahia shpalli fitoren e tij në Shkoder ende pa filluar numërimi i fletëvotimeve! Ka qenë në traditën tonë politike që t’i dimë dhe shpallim rezultatet e zgjedhjeve pa u numëruar ende votat, siç pati bërë politikani i madh Tritan Shehu në vitin 1996, kur shpalli fitoren tonë qysh në drekë, shtatë orë para se të mbaronte procesi i votimit.
Unë mendoj se fitorja jonë është e afërt pasi, siç tha gazetari i shquar dhe strategu politik Pim Çeka, në fund do të fitojë Sali Berisha, qoftë edhe në botën e përtejme. Jo më kot thuhet në Librat e Shenjtë se të mirat që bën njeriu në këtë jetë, i shpërblehen në jetën tjetër.
U emocionova pa masë kur dëgjova shkrimtaren e përmasave botërore, me famë që shtrihet nga Kavaja në Has, zonjën Fluturaçka, e cila tha se “Një ditë para zgjedhjeve më është shfaqur një patronazhiste në shtëpi. Ça donte ajo me letra në dorë?! Të gjitha format malinje që vetëm këta mund t’i bëjnë, këlyshët e komunistëve”.
Kjo zonjë e nderueme, me koncepte dhe botëkuptim perëndimor, me natyrë humane dhe shije moderne, e ka kuptuar drejt se shkuarja me ca letra nëpër duar derë më derë për të bërë propagandë elektorale është një veprim malinj, pra i lig, të cilin mund ta bëjnë vetëm këlyshët e komunistëve.
Ndërsa demokratët e vërtetë si puna jonë, shkojnë vetëm në disa shtëpi, në ato të kundërshtarëve politikë, dhe të armatosur me automatikë për t’i bindur në drejtësinë e programit elektoral, siç patëm bërë ne në vitet ’90.
Në të vërtetë, ndaj komunistëve s’duhet pasur kurrfarë mëshire. Bëre mirë që e porosite Veriun të mos i jepte asnjë votë Edi Ramës, si armiku më i egër i Veriut, dhe ata të dëgjuan me përulje dhe besim. Kandidatët tuaj për kryetar bashkie në Kavajë dhe Vaun e Dejës do të bëje mirë t’i ndëshkoje, pasi pranuan të takohen dhe të shkëmbejnë përgëzime për fitoren me kundërshtarin politik.
E kam dëgjuar nga gjyshërit e mi, afërsisht si e ke dëgjuar ti nga baba yt për Kuvajtin, se njeriut të drejtë e të ndershëm ia kanë me hile edhe makinat elektronike, prandaj humbëm në tri bashkitë ku u votua dhe numërua elektronikisht.
Këta komunistët janë të pashpirt, njëlloj si etërit e tyre. A i dëgjon se si thonë poshtë e përpjetë pas grabitjes së Shkodrës? Nuk ka kala, thonë, që nuk e marrin komunistët.
Unë çuditem se si këta “bijtë e etërve” nuk mundën t’ia blinin apo falsifikonin votat kandidatit tonë të nderuar të Himarës, qirjos Fredi Beleri, të cilin, siç tha analisti i përndershëm Andi Bushati, e arrestuan si në një shtet fashist, pasi kishte premtuar dhe shpërndarë para në këmbim të votës dhe, madje, premtuar pajisjen me pasaportë greke.
Duket qartë që këta, për të mos rënë në sy, ua tjetërsojnë votat atyre që janë të lirë dhe të pranishëm kudo ku votohet, por nuk guxojnë t’ua prekin votat atyre që s’kanë asnjë mundësi t’i zënë me presh në duar, siç ishte rasti i Belerit që ndodhej në qeli gjatë votimeve.
A mos rasti i Himarës është një mësim i mirë edhe për ne se si të fitojmë duke mposhtur shtetin fashist të Ramës?! Ndoshta do të vinte triumfi i opozitës shqiptare sikur ti dhe z. Metaj të shkoni e të rrini ca vite në burg sepse kështu, me një gur vriten dy zogj. Edhe zgjedhjet do t’i fitonim, edhe juve do ju ngrinim nga një përmendore si shtetarë që u sakrifikuat për drejtësi, liri e zgjedhje demokratike, ashtu siç ia kemi ngritur bash ku duhej e si duhej heroit tonë legjendar Azem Hajdari.
Duke shprehur besim dhe respekt për ju, më lejo që, në mirëbesim, t’ju vë në dijeni për një trakt neokomunist, i shpërndarë tani pas zgjedhjeve në rrjetet sociale dhe i kamufluar e kënduar me çifteli si përpunim i një kënge popullore patriotike veriore. Ja dhe vargjet e traktit:
Po t’thërret Fieri morI Shkoder/ Hajde t’rrimë se të kam motër,
Merre Durrësin dhe Tiranën/ Merre Vorën edhe Kamzën,
Elbasanin dorë për dorë/ Mos harroni, shkoni në Vlorë,
Merre Kukësin e Tropojën/ Korçë, Përmet edhe Kolonjën,
Dibër, Mat e Mallakastër/ Pini kafe n’Gjirokatër,
Le ta dijë krejt bota mbarë/ Nuk do non-grata populli shqiptar!
Ah, komunistë të mallëkuar!
I nderuem mixha Salih! Unë e dij se ti nuk tutesh pasi je mësue me këso situatash dhe s’e ke për herë të parë. Prandaj, të lutem shumë: Mos ik!
Rri dhe vazhdo misionin tënd fisnik sepse për një burrë shteti si ti nuk janë asgjë 55 vjet në politikë, gjysmën e parë i kuq e pjesën tjetër i zi, domethënë blu i errët. Si ta kërkojnë nevojat, gjithmonë nevojat tua.
Me dashuri,
Demokrati i Ri, Viktor Malaj
——-
*Mixhë – Xhaxha
DITA