AGORÁ E “REPUBLIKËS SË RE” TË LULZIM BASHËS

04/03/2017 18:47

OPINION

 

AGORÁ E “REPUBLIKËS SË RE” TË LULZIM BASHËS

Nga Myslim PASHA*

 

Projektimi i këij spektakli me çadër në të vërtetë është një gjetje…një farë kujtese  për shqiptarët e sotëm, të cilët në dhimbje pafund s’e kanë arritur dot standartin demokratik, në  izolimin e tyre, dramën e një vendi me ekonomi të rrënuar. Kjo që po përjetojmë është një klithmë e përbashkët e ngërçit në të cilën e ka sjellë politika,  Shqipërinë !

Në kryeqytetin e Republikës, është risjellë një gjasme Agorá, si një zgjim i jetës politike,  e Lulzim Basha, e ka zgjedhur këtë sfond dhe skenë ligjërimi e aktrimi politik, njëllojshëm me mashtrimin   “shejtan budallajt”.

Shejtani i Përroit  iua kujtoi popullit Republikën e Re…

Mba veten o njeri ! Katër vjet më parë Edi Rama artikuloi Rilindjen !  Ja paralelja e cila bashkohet tragjikisht tek dera e Kryeministrisë. Sa më shumë po kalojnë ditët, frika  rritet,  iluzioni i ndjesisë dhe peceptimit fillon e kërkon të vërtetën…

Por e vërteta është larg.

Ngërçi që po sjell Lulzimi ( dhe keqpërdorimi i demos-it ) është i pangjashëm, çka vjen kundër “Agorá-s “.  Teatri ligjërimor, secili hap,  po shton Agoráfobinë ( frikën nga çadra…)  ndaj lëndës politike që ajo kërkon të sjell.  Agorá po shqyen veten në sytë e popullit që kërkon të flasë.

Po çfarë të flasë. Lulzimi rrëfen Republikën e Re.

Le ta qasim muhabetin ! Të gjithë e duan një Republikë të Re, sepse në këtë periudhë Lirije dhe Demokracije, të dyja kanë humbur, edhe “liria” ( e cila e ka një çmim shumë të shtrënjtë, po  edhe “demokracia” ( e cila po ashtu e ka një çmim aq të lartë).

E duan Republikën e Re.

Se jetojnë në padrejtësi! Se përjetojnë  tmerrin e përditshëm të varfërisë, të diziluzionit dhe frikës nga e nesërmja.Se korrupsioni ekonomik është tanimë zot shtëpie dhe zot shteti…i të gjithëve. Se dëshira për të ikur jashtë Shqipërisë është pjesë e zemrës së vrarë së rinisë.. Se botanika e Drogës si një dëshirë për të vdekur pushtoi hapësirën si një vetndëshkim fatal.

Me të gjitha këto u ndesh Edi Rama me Rilindjen e tij, dhe nuk ia doli dot. Siç e thamë atypari…ra në gropën e lënë nga Qeveria e Bashës.

Në çastin kur mund të lihej një dëshmi dhe mbresë Reformimi për Drejtësinë, Agorá artikuloi kryengritjen ndaj saj, sepse vet Lidershipi i Opozitës ndjehej në rrezik, Mashtrimi doli sheshit, në Sy të Europës.   Dhe,  në këtë aktrim,  Lulzimi i ngjan një adoleshenti në një ngulkëmbje të marrë, “për të thënë se unë u rrita, a më shihni se kush jam! “ dhe fatkeqësisht mbetet qesharak, e “nuk ngjit “  Dhe po vijojnë shqelmat që ai hedh, për të hedhur poshtë secilin rregull loje e secilin hap demokratik për aq sa është…se s’mund të ketë kurrë një fillim nga e para…

Po kush e ligjëron Republikën e Re?

Një Lulzim- politikan që ka kontribuar për të hedhur rrënjë Republika e Vjetër.

Ajo Republikë e cila në Vitin ’97 dha shëmbëllimin e  kaosit… Autor ishtë tutori  i Lulzimit, Sali Berisha,  që në Agorá flet për një Revolucion Demokratik.

Mashtrimi ekonomik, Korrupsioni, Drejtësia Funebre, Mafia Shtetërore, shitja e Pasurisë kombëtare, humbja e identitetit të Pronës, shitja e Integritetit Territorial, kultivimi dhe eksperimentimi i Principatës së Drogës, shuarja tërësore e Drejtësisë,…janë Algoritmi i Republikës së Vjetër, ku Lulzim Basha është një nga shtetarët e politikanët më të rinj që ka dhënë ndihmesën e tij në lulëzimin pranveror të vdekjes së Republikës së vërtetë të shqiptarëve.

Ky është Absurdi i Madh!

Të kalojmë sërish në krahun tjetër. Lulzimi e di se edhe Kundërshtari i tij, e ka përdorur që në fillim këtë Terminologji. As “djathas e as Majtas “ ai përzgjodhi një Rilindje se e di fort mirë se në ç’situatë e gjeti shtetin kur fitoi zgjedhjet. Ramës ia lidhi duart Pushteti i Padrejtësisë dhe nuk e la të qeverisë. Të gjitha qeverisjet krijuan kodrinën e vdekjes së 97-tës e më pas gropën humnerore që krijove Lul me Berishën.

Në atë gropë ngeli brenda Edi Rama dhe s’po del dot,  ai kërkon një dorë ku të kapet…po a vlen vallë fija e kashtës demokratike që po ia hedh ti Lulzim ?

Ti e gjete në lashtësi Agorá-në dhe ai po kapet me të…në notin grotesk të humnerës ku kemi rënë bashkërisht.

Republikën e Re mund ta krijoji një formacion i Ri, alternativë e cila  fatkeqësisht ekziston në Shqipëri por është e pandriçuar se Partitë e Vjetra …at bylmet kanë…o Lulzim ! Populli në Agorá, kërkon Integritet. Ideali  dhe morali kombëtar, nuk pipëtin kërrkund…Ai pothuajse është shuar dhe ti Lulzim nuk mund ta ndëzësh dhe inspirosh dot.Të gjitha qeverisjet krijuan kodrinën e vdekjes së 97-tës e më pas gropën humnerore të Berishës.

Ndërkaq ti po ligjeron Republikën e Re!

Republika e Vjetër është e fortë e me shtresë korruptive politike, me arkitekturën vrastare antikombëtare, çka po e rrëfen Agiorá-ja juaj në Bulevard. Protesta politike është e PD-së së Vjetër, e të zhgarravitur në Demokracinë e Ferrit në të cilën dhe ti Lul je përfshirë.

“Mea culpa” e jote për mëkatet nuk shkon fare…ndaj çadra e Agorá-së vuan mëkatet e tua.Si mund të shkëputesh nga e kaluara…ajo e kaluar të ndalon që të shkosh në Parlament për Vetingun, ndaj tani si në teatër të Kukllave  me duart e tua bën truke e gjeste klounësh…që Agorá nuk i pranon, nuk i ha dot. Se kjo është politikë e vjetër dhe askurrë moderne. Në kreun e Agorá-së edhe pse e lagur në shi, është Skeptri anakronik i atit tënd shpirtror, Sali Berishës !

Kjo nuk është opozitë…Shikojeni, pra, shëmbëllimin e Krizës !

Nuk është problem,  nëse u mbajtën zgjedhjet në qershor apo në tetor me/apo/ pa qeveri teknike…S’është halli i zgjedhjeve po halli i humbjes së tyre nga PD-ja,  se ajo ndodhet kundruall greminës. Nuk e them kurrë se ata që do të fitojnë janë shumë më të mirë se ju !

Rruga Qorre! Ja këtë po tregon Agorá-ja juaj. Sa më shumë shkojnë ditët ju afroheni në verbëri ! Sepse nuk vjen dritë  nga urrejtja që është mbjellë në Shqipëri !

Dhe ju kërkoni Republikën e Re! Ja ky është mashtrimi !

Çfarë pos jell  Protesta? I dha rezultatet e para të ashtuquajturit “Revolucion Demokratik “ :

Vetingu nuk bëhët ! Ky është suksesi juaj ?

Për cilën Republikë e keni fjalën ! ?

Agoráfobinë e kemi të pranishme !

Mashtrimi është i frikshëm !

*Koloneli i Detit, Profesor në Universitetin Politeknik të Tiranë

TEMA

Back

Contact

REDAKSIA artEX
NA SHKRUANI përmes portalit tonë KOMUNIKIMI/ Feedback !

© 2010 All rights reserved.

Make a website for freeWebnode