AFRIM MORINA: MISIONI DHE MISIONARËT

11/07/2017 18:32

 

AFRIM MORINA

MISIONI DHE MISIONARËT

 


Redaksia: 
Sejdi VESELI 
Dilaver GOXHAJ 
Tafil DURAKU 

Redaktor gjuhësor: 
Tafil DURAKU 

Lektor: 
Beqir ELSHANI 

Ballina: 
Pajtim MORINA 

Prishtinë, 2016 

 

Treguesi i lëndës 
Hyrje 
Hierarkia 
Sukseset e arritura përmes misionit 
Mposhtja e politikave lokale dhe rajonale 
Rregullat e lojës i përcaktojnë përmes misionarëve 
Një prej misioneve më vdekjeprurëse 
Luftohen e likuidohen promotorët e shoqërisë 
Civilizimi i shoqërisë njerëzore pati misionarët e vet 
Misioni dhe promotorët 
Ka kaluar koha e pseudopatriotëve 
Uni 
Joshja 
Misionet e të huajve, përmes misionarëve tanë 
Misioni i ynë është, ta krijojmë ushtrinë 
Filozofitë orueliane dhe maltusiane, janë bërë një 
Fiksimi 
Morali është përcaktues për misionarët 
Intelegjenca 
Jeta?! 
Dëshmorët në mision dhe misionarët 
Duhet mbytur frikën, për një mision të përbashkët 
Misionet fetare 
Lufta mund të shmanget, vetëm me njohjen e të drejtës shtet-komb 
Qëndresa kundër luftës speciale 
Shpejtësia e grumbullimit të informatave 
Koncentrimi për ta zbuluar misionin 
Misioni, edhe për engjëj! 
Linçimi 
Paqja e qëndrueshme 
Profesionalizmi 
Misionarët kundërkombëtarë duhet likuiduar 
Privatizimi, duhet rishikuar nga fillimi 
Dhuntia 
Problemi duhet shtruar drejt, shkurt dhe qartë 
Promotorët, duhet ta japin mendimin meritor, edhe kur inskenohen situata 
Stili i dallon, por, trajtesat kanë një mesazh 
Me ne po merren të mallkuarit e botës, por, edhe shqipfolësit 
Ridisenjimi i hartave në Evropë 
2017-ta- vit i kthesave të mëdha 
Ata që mendojnë se kryeqyteti i shqiptarëve është Brukseli, nuk meritojnë të udhëheqin 
Insulina politike 

RECENSIONE 

Sejdi Veseli, 
Misioni dhe misionarët, libër që qartëson udhën tonë kombëtare 
Dilaver Goxhaj, 
Një enciklopedi e vogël filozofike për rolin e misionarëve 
Tafil Duraku, 
Një libër i parapsikologjisë politike e kombëtare 




Hyrje 

Para njëmbëdhjetë vitesh, kam filluar ta trajtoj temën meditime, në thellësi historike dhe hapësirë gjeografike, pothuaj, në të gjitha fushat e jetës, ato që janë parësore për njeriun dhe nga të cilat mund të rrezikohet njeriu, si qenie njerëzore, në rrafshin kombëtar dhe ndërkombëtar. Nuk kam menduar se e njëjta gjendje do të jetë sot dhe në vend se të ketë ndryshime për të mirë, fatkeqësisht, gjërat kanë shkuar duke u stërkequr, në dëm të përgjithshëm kombëtar. 
Duke i hyrë kësaj analize, më ka dalë një fushë të cilën nuk e kam trajtuar si veçanti, por, që është një pikë orientuese për trajtim të mëtutjeshëm, dhe, po e marr, edhe unë, për mision që ta shkoqis këtë, e, sa do t’ia dalë në krye, nuk e di. Por, të paktën, do përpiqem t’i vë qokat për të tjerët, që, nëse duan ta trajtojnë këtë temë, ta kenë si pikë referimi. 
Njeriu, në fillim, nuk e ka ditur se çka e shtyn për të vepruar, qoftë për të mirën e tij, të kolektivit, apo, të kundërtën. Veprimet e tij kanë qenë veprime instinkti, që, në të dyja rastet, ka menduar se kështu po e siguron mbijetesën e vet, për dallim prej botës tjetër shtazore. Lindja e pronës, i përcakton edhe veprimet e tij, që, tash, ndryshojnë, dhe kjo nuk bëhet nga instinkti, por, nga misioni që i cakton vetes. 
Misioni i tij, në fillim, ka qenë që ta sigurojë jetën për vete e të familjes dhe mu për këtë e përcakton edhe fuqinë ekonomike, që, atë kohë, nocioni ekonomi nuk ka ekzistuar, por, kjo përcaktohet më vonë, përmes kapitalit që krijon, fillimisht, në shtrirjen e sipërfaqes tokësore (tokë pune, kullosë, gjueti, etj.). Me krijimin e këtyre hapësirave, detyrohet të krijojë edhe mekanizma tjerë, në funksion të shtimit të pasurisë, për t’i lënë jashtë konkurrencës të tjerët, e këto janë: 
Forcën punuese; 
Fuqinë prodhuese; 
Fuqinë hulumtuese; 
Fuqinë mbrojtëse. 
Si katër fuqitë më të mëdha që i krijoi njeriu, do ta përcjellin deri në ditën e sotme. Këto kushtëzuan edhe zgjerimin e kapaciteteve, zgjerimin e territoreve, forcimin e kapaciteteve, e, sidomos, me zhvillimin e mjeteve të punës do të hulumtohet edhe më shumë, mirëpo, i duhet ta rrisë edhe forcën siguruese, nga ajo individualja dhe familja, edhe të territorit që e përcakton përmes kufijve. 
Këto, si tërësi, mundësuan edhe ta përcaktojnë vlerën e njeriut, dhe, varësisht nga vendi, pronari, arsimimi, etj., njeriu filloi të dalë në treg pune, si rezultat i ndryshimeve të marrëdhënieve prodhuese, ngase, kaloi në një formacion tjetër, në atë skllavopronar. 
Ky formacion shoqëror i krijoi edhe rregullat e tjera të lojës, pra, duhej planifikuar dhe kjo bëhej përmes misionit që i kishte përcaktuar vetes skllavopronari, në të gjitha sferat e jetës. Atëbotë, këto sfera të interesit ishin të vogla, por, për kohën, ishin të mëdha, sepse, vihen themelet për misione tjera, e, që, do ta nxjerrin në shesh edhe misionarët. 
Nëse kjo kohë na del si vijë ndarëse ndërmjet dy epokave për pronën, besoj se nuk do të gabohem, se, po ta shikojmë me syrin kritik e shkencor, epoka e dytë (kështu po e emërtoj) veç do të modernizohet me mjete prodhimi, e, me teknologji përpunimi. Kjo vijë ndarëse, e pronës, do të jetë vijë ndarëse në të gjitha fushat e jetës, pa marrë parasysh dinamikën e zhvillimit, pa marrë parasysh mjetet e mbrojtjes, pa marrë parasysh mjetet e këmbimit, pa marrë parasysh mjetet e transportit, etj. 
Pra, siç u tha, me lindjen e kësaj epoke, lindë edhe misioni dhe misionarët. Më poshtë do të mundohem t’i shtjellojë me fuqinë e argumenteve, nëpër kohë e sfera të ndryshme të jetës, aty ku është mëse e domosdoshme. 

Hierarkia 

Ashtu siç u tha edhe në hyrje, duke u zgjeruar fushëveprimtaria e njeriut, dalin edhe rregulla të reja të lojës. Duhej krijuar edhe mekanizma nga lart poshtë, duhej bërë edhe ndarjen e detyrave nga këndi profesional, forca fizike, etj. Me një fjalë, duhej përcaktuar misionin e vet të rritës dhe zhvillimit të ekonomisë, të rritës dhe zhvillimit të familjes, të arsimit, të rritës dhe zhvillimit të mbrojtjes. Njëra pa tjetrën nuk shkonin, prandaj, në secilën fushë, veç e veç, duhej investuar. Në fushën ekonomike investimi duhej të ishte më i madh, sepse, kjo edhe siguronte ekzistencën në fushat e tjera dhe nga rrita e saj përcaktohej edhe faktori mbrojtës, ndërsa, arsimi ishte i përcaktuar në kufijtë e familjes, fillimisht, pastaj, edhe në përgatitjen e kuadrove për misione të caktuara. 
Prona private i nxjerrë prioritetet e familjes, për t’i përcaktuar se ku i kishte kufijtë e vet dhe ta maste veten, në ishte e zonja familja ta punonte atë, ta mbronte atë dhe t’i plotësonte nevojat e veta me produktet e prodhuara, dhe, tek, pastaj, të mendonte për të dalë në treg (këmbim) mallrash, për t’i plotësuar nevojat e veta me artikuj tjerë, të domosdoshëm për jetën. Kjo mundësoi ndarjen e punëve ndërmjet anëtarëve të familjes dhe familjeve të tjera, dhe, kështu, përmes këmbimit, plotësonin njëra-tjetrën. Kjo formë mundësoi edhe ndarjen e profesioneve, në fillim, si domosdoshmëri, e, më vonë, edhe si profesione të mirëfillta. 
Ndarja në profesione bëri të mundur edhe zhvillimin më të hovshëm të mjeteve prodhuese, dhe, e zhvilloi edhe tregun, si domosdoshmëri këmbimi të mallrave për plotësimin e nevojave, si fillim, e më vonë do të lindë paraja e letrat me vlerë, që do t’i përshpejtojnë proceset e shitblerjes. 
Nga ky moment fillojnë edhe yshtjet për të sunduar në shumë fusha të jetës, garë që do ta përcjellë shoqërinë njerëzore edhe në ditët e sotme. Gara kapë të gjitha fushat e jetës dhe është përcaktuese, në bazë të forcës, e dominimit të akëcilit individ, kompani e shtet, nga ku lindin edhe ndarjet e sferave të ndikimit në fusha të caktuara. 
Edhe sot, kemi të pranishme këtë garë, por, ajo, shumë here, diktohet përmes forcës ushtarake, pa marrë parasysh të drejtën e akëcilës viktimë, si palë kusuritjeje dhe ndikim sfere interesi, me rëndësi të jetë aty dhe ta përdorë çizmën e diktatorit. 
Edhe për ne shqiptarët, shumë herë në histori, është luajtur kjo lojë e ndytë çizmeje e okupatorit, duke na frikësuar, për të na e detyruar “shkopin apo karotën”. Sa herë që është ngritur vetëdija kombëtare, kjo lojë ka rënë, por, përcaktuesit e ndikimit të sferave të interesit, të vetëdijshëm se ne kemi të drejtë, kanë mbështetur e tumirur veprimet e lojës së areopagut, për të plotësuar apetitet e të tjerëve, që të jenë hisenikë në ndarjen e presë globale, dhe, për të na mbajtur në robëri. 
Nga ky shembull, që, në këtë rast, mora kombin tonë, mund të hyjmë në analiza më të thukta, për të parë se cilët mekanizma janë përdorur në shoqërinë njerëzore, gjatë evoluimit të saj dhe kush i krijoi ato, e, si evoluan dhe erdhën në ditët e sotme, për të parë se çfarë zhdërvjelltësie kanë përdorur e përdorin. 
  
Sukseset e arritura përmes misionit 

Sukseset e arritura, krahas zhvillimit të shoqërisë njerëzore, në të gjitha sferat e jetës, janë bërë përmes misionit që ka përcaktuar individi apo pushtetari. 
Individi ishte i pari, sepse, ishte edhe përcaktuesi i pronës, prandaj, për ta rritur pronën, filloi edhe të bëjë plane, aq sa ishin në aftësitë mendore të kohës, për të ecur përpara. 
Në fillim, ai, do të interesohet për mbarëvajtjen e punës përbrenda pronës së tij, kultivimin e të mirave materiale për tregun e afërt, për mundësitë e sigurimit të mirëqenies, për sigurimin e fuqisë punëtore, për rritën e familjes, për ndarjen e detyrave për anëtarët e familjes, e, në kuadër të ndarjes së detyrave, edhe ta gjejë pasardhësin e vet, për ta udhëhequr pronën. Ky ishte elementi i parë i kryefamiljarit, për ta vënë në mision synimin e vet e të familjes. Për këtë, duhet edhe dituria e akëcilit anëtar të familjes, ndërsa, për të tjerët, nuk lejohej. 
Kjo lojë do të luhej, në shoqërinë njerëzore, derisa autoriteti i familjes ka qenë shtyllë kryesore, por, me kalimin e kohës, kjo u del nga dora, sepse, këtë e përcakton vetë zhvillimi i marrëdhënieve ekonomike, tregtare, lindja e forcës ushtarake, janë ato që i përcakktuan rregullat e reja të lojës. Prandaj, misioni merr përmasa të tjera, të përparuara, edhe pse ende diktohet nga një pikë më e lartë e konit, por, për ta kryer misionin në terren, duhet të përgatiteshin edhe misionarët. Në fillim, edhe pse jashtë trungut familjar, misionarët ishin përbrenda familjes së gjerë, të cilët do ta mbronin dhe zhvillonin interesin e pronarit apo të pushtetarit. 
Nëse misioni i pronarit apo pushtetit (kjo duhet të merret për të gjitha format e sundimit) ishte ta zhvillonte tregtinë dhe, me çdo kusht, të dominonte në treg, misionari i kishte duart e lira për të vepruar në çfarëdo situate. Nëse pronari apo pushteti e kishte në misionin e vet zgjerimin e territorit, misionari i kishte duart e lira për të vepruar në çfarëdo mënyre që i paraqitej, sipas nevojës. Nëse pronari apo pushteti kishin mision për ta shtënë nën kontroll paranë apo letrat me vlerë, misionari i kishte mundësitë dhe duart e lira për t’i përdorur të gjithë mekanizmat e mundshëm, vetëm për ta arritur qëllimin. 
Për t’i përgatitur njerëzit për hartim misioni e për zbatim të tij, pra, për misionarët, ketë e mundësonte vetëm shkollimi. Shkollimi nuk ishte gjithnjë përcaktues i vetëm nga maja e konit, por, kuadrot kanë lindur edhe nga shtresa tjera të shoqërisë, dhe, këtu, kemi edhe një ndarje në mes të misionit dhe të misionarëve. 
Kjo lojë e përgatitjes së këtyre dy lloj politikash, nëse mund të shprehem kështu, krijoi dy shkolla, të cilat do ta përcjellin shoqërinë njerëzore deri në ditët e sotme. 
Aristoteli, kishe mision për ta përgatitur Aleksandrin e Madh për pushtetar; Platoni, kishte për mision ta përgatis krijimin e pushtetit dhe funksionalizimin e tij; Darvini, kishte mision për shpjegimin e evolucionit, Marksi kishte mision ta tregonte fuqinë e parasë gjatë rrotullimit të saj, formën e krijimit të kapitalit; Lenini, mori për mision t’i tregonte botës së robëruar si duhet bërë revolucion dhe si të vetëvendosin vetë kombet për jetën e tyre, pushtetin e tyre. Misionarët e fesë, kishin mision për ta përgatitur njerëzimin të besonin në një Zot, mirëpo, të gjitha meritat do t’i dedikohen mesisë, bartësit të misionit: Ademit (Adamit), Nuhës (Noes), Musës (Mojsiut), Isait (Jezusit), Muhametit, që ishte shkollë më vete, e, që do ta përcjellë shoqërinë njerëzore deri në ditën sotme. Ndërsa, shkolla tjetër është ajo e Maltusit, e zbatuar nga Hitleri, Musolini, Franko, Tito, etj. Mirëpo, kjo nuk u ndal me kaq, por, kjo politikë vazhdoi e vazhdon edhe më tej, e, që, bota e civilizuar, e luftoi Pol Potin dhe pasuesit e Tij, mirëpo, nuk e luftoi sllavizmin e pansllavizmin, jo vetëm në territoret iliro-shqiptare, madje, edhe i mbështeti e po i mbështet edhe sot, pastaj, koha e Heretizmit, Kryqëzatat, që njerëzimit i mundësuan edhe veprimin e kundërt të parimeve, që do ta degradojnë misionin e shkollës së parë, rritën e civilizimit. Kështu ecën të dyja shkollat, duke luftuar ndër vete dhe kjo bëri që shoqëria njerëzore të ketë promotor të shkollës së parë, se, e dyta nuk nxjerrë këtë kategori, se, ajo niset nga forca vepruese, përmes forcës që bartin misionarët te të tjerët. Pra, promotorët veprojnë, kush për të mirën e individit, e përmes tij për gjithë shoqërinë, kush përmes arsyes për të dhënë diçka për pasardhësit. Shpeshherë, kanë rënë ndesh misionet, përmes punës së misionarëve, për ta treguar akëcila palë forcën e mendjes, forcën e teknikës, forcën e parasë, forcën e ushtrisë, forcën e ballafaqimit me argumente, duke shfrytëzuar pozitën gjeopolitike dhe gjeostrategjike. 
Edhe shqiptarët, nuk kanë mundur t’u ikin këtyre të dyjave. Misioni i ynë ka qenë të jemi të lirë, ta kemi një shtet, t’i ruajmë gjuhën, simbolet, doket e zakonet rona. Ky mision gjëllin edhe sot. Por, ajo që e ka stërkequr këtë të drejtë kombëtare dhe ka shkelur në gjakun e dëshmorëve, janë misionarët e brendshëm dhe të jashtëm. Misionarët, na kanë sjellë deri në buzë të varrit dhe, tash, duhet të ndërgjegjësohemi dhe të përcaktohemi, do të pranojmë të biem në varr, apo, do ta mbledhim gjithë forcën individuale, intelektuale e fizike, për ta shndërruar në forcë kombëtare, dhe, të ecim përpara. 
Misioni i të huajve, duke u nisur nga fqinjët, ka qenë dhe është të mos ketë një shtet shqiptar, i cili do t’i dobësonte të tjerët në rajon, i cili do ta krijonte një tampon zonë në mes dy taborëve ndikues në terren, i cili, do ta përcaktonte se cili tabor do të jetë më prezent në këtë hapësirë gjeografike, gjë që, edhe e përcakton gjeopolitikën dhe gjeostrategjinë në rajon. Nga ky mission, dalin në terren edhe misionarët, që, me gjuhën e sotme quhen diplomatë, për ta hulumtuar gjahun e vet dhe për ta yshtur që t’i bashkëngjitet në mision. Për fat të keq, këta, nuk kanë humbur shumë kohë në këtë drejtim, se, ne, nuk kemi pasur shkolla tona dhe shumë lehtë i kanë gjetur ata, duke filluar nga Ballaban Pasha, e gjer te këta të moderuarit dhe, këtë herë, jo si individë, por, si klasë politike, qoftë pas shpalljes së Pavarësisë në Vlorë, qoftë gjatë Luftës së Parë botërore e pas saj, si Esat Pashë Toptanin, Ahmet Zogun, me suitat e tyre, gjatë Luftës së Dytë Botërore, e, pas saj, me Koçi Xoxën, ndërsa, në vitet e demokracisë kemi ndarje blloqesh, njërin, që do për ta kryer misionin kombëtar, e, tjetrin, për të qenë në shërbim të të huajve (Berisha, Rugova dhe Xhaferi), se, tramaku i komshisë po u dukej më i madh për jetën e tyre e të fëmijëve të tyre, pa e çarë kokën për gjakun e derdhur e për historinë, në kryerjen e misionit për të huajt, që edhe sot është i pranishme në skenën kombëtare, diku më shumë e diku më pak, por, këtë barrë nuk e kanë më misionarët e akëcilit shtet, si prioritet. Ata, herë pas here duken në skenën politike, që ngërthen në vete të gjitha fushat e jetës, për t’ia vështirësuar jetën qytetarit dhe qytetari të merret vetëm me problemin e mbijetesës, shpresa për liberalizim të vizave, që, nuk dihet edhe kur do të jepen, mision i cili te ne e ka arritur plotësisht qëllimin, duke ndikuar që problemet tjera për fatin e kombit të mos përcillen dhe të lihen në duart e misionarëve shqipfolës dhe të huaj, të cilët, prioritet e mbi prioritetet e kanë bërë çështjen e vizave, si element më i kapshëm për qytetarin. 

 

Mposhtja e politikave lokale dhe rajonale 

Uzurpimi i kapitalit, duke mos i zgjedhur mjetet, mundësoi edhe ndikimet politiko-ushtarake të akëcilit shtet në rajonin përkatës, por, kohëve të fundit, edhe në përmasa globale, filloi t’i ketë emisarët e vet në misione të caktuara. Kjo garniturë njerëzish, duke pasur edhe forcën ushtarake prapa, të përgatitur në shkolla të caktuara, plus aftësimet profesionale për fusha të caktuara, ka bërë që të mposhten politika lokale, e, herë-herë, edhe ato rajonale. Dështimet nuk kanë ardhur gjithnjë si rezultat i forcave ushtarake, por, si rezultat i mosaftësisë profesionale, paaftësisë së përcaktimit të kornizave vepruese të akëcilit shtet e komb, të paaftësisë së përcaktimit të kohës dhe hapësirës, duke anashkaluar shumë faktorë favorizues për kombin e shtetin e vet, sepse, misionarët janë shumë të zhdërvjelltë dhe kanë në disponim edhe mjete për përmbushjen e misionit të tyre, që bëjnë të ndikojnë në psikologjinë individuale e kolektive. Shqiptarët, nuk kanë qëndruar, në asnjë kohë, pa forcë punuese, pa forcë tregtare, pa forcë mundësie mobilizimi ushtarak, por, gjithnjë, kjo është anashkaluar nga misionarët e huaj e vendorë, për t’i pamundësuar organizimet e të gjithë faktorëve potencialë, për të vepruar në vijën kombëtare. Kjo ndodhi, prej momentit që dikush nga pushtetarët e kishte vënë gishtin në trojet tona, e kishte vlerësuar pasurinë tonë, e kishte vlerësuar pozitën gjeostrategjike dhe gjeopolitike tonën, e kishte vlerësuar vlefshmërinë bujqësore e minerare, bregdetin e malet e tona, që mund t’u sillnin të mira në rregullimin e mirëqenies, në forcimin politiko-ushtarak dhe në fusha tjera të jetës, prandaj, edhe përdorën misionarë të ndryshëm, për të qenë zotër në këtë hapësirë gjeografike. U përdorën fetarët e diplomatët (jo në kuptimin e sotëm të fjalës), për të na e mbushur mendjen se më mirë do të jetonim nën sundimin e tyre, sesa pa ta. Këta misionarë, gjetën udhëheqës fisesh e familjesh, për ta shtrirë ndikimin e tyre, duke i joshur me tituj e pasuri. Këta bashkëkombës tanë, të blerë nga të huajt, u shndërruan në misionarë të misioneve të huaja, dhe, për çdo lëvizje që bëhej në plan krahine e kombi, menjëherë i alarmonin dhe i alarmojnë padronët e tyre, për ndihmë, konform situatave të krijuara, e, që, misionarët e pushtuesve vihen në lëvizje menjëherë dhe marrin parametrat e kërkesave dhe pakënaqësive që paraqiten, e, disa syresh, me zhdërvjelltësi,i plotësojnë, po përmes misionarëve vendorë, në mënyrë që të mos diktohet pala tjetër. 
Dikur, dolën në shesh edhe pronarët e misionarëve shqipfolës, pushtuesit, sepse, edhe te ne kishte filluar të dilte në pah dituria e akëcilit qytetar, që kishte arritur të shkollohej diku, dhe, në kontakt me masat, shihte të zezat e ullirit që hiqnin shqiptarët, e, mundohej t’i ndërgjegjësonte për ta përmirësuar pozitën e vet, në mënyrë që t’i bashkërenditin punët për t’u liruar nga kthetrat e pushtuesve. Kjo garniturë, sa vjen e rritet, deri në krijimin e shkollës kombëtare, jo shkollë legale, por, shkollë që rritej në kullat tona, në kasollet tona dhe në malet tona. Kjo shkollë, kaloi edhe përmasat e mëhershme dhe nga dijetarët filloi të shkruhej e shpjegohej, për kombin tonë, për bëmat e paraardhësve tanë, për pasuritë tokësore e nëntokësore, për pasuritë ujore, ato nëntokësore, për pozitën gjeografike që e kemi, për pozitën gjepolitike e gjeostrategjike që e kemi në raport global, etj. Nga kjo shkollë, do të dalin politikanë e gjeneralë të cilët do t’i bashkërendojnë veprimet për një jetë më të dinjitetshme kombëtare, për një mundësi pavarësie në jetën e tyre, për një mundësi të krijimit të shtetit të tyre shqiptar, por, kjo strategji shqiptare, e aktivizoi edhe misionin e akëcilit pushtues, zgjoi edhe aktivitetin e misionarëve të huaja, zgjoi edhe aktivitetin ushtarak të pushtuesve, por, zgjoi edhe veprime të misionarëve, brenda e jashtë rajonit, për të parë nga afër gjithë këtë që ndodhte e po ndodhë me ne e rreth nesh. Tash, interesimi ishte më i madh, misionarët puqeshin mesvete, dhe, akëcili mundohej që të jetë më afër shqiptarëve, për joshje, për një jetë më të mirë. Filluan të përhapen ndikime të mëdha, në forma të ndryshme, e mundësi joshjeje të ndryshme. 
Gjithë ky angazhim i misionarëve, për ta përmbushur misionin e shtetit që përfaqësonte, krijoi edhe rivalitetet ndërmjet tyre, krijoi edhe taborët ndarëse ndërmjet tyre, krijoi edhe ithtarët ndërmjet tyre, por, gjithnjë, në dëm të interesit tonë kombëtar, dhe, në momente shumë të ndjeshme, shqipfolësit anonin në një tabor që i favorizonte më shumë dhe ujin e dërgonin në mullirin e armikut, siç po e dërgojnë edhe sot. Ndërrimi i pushtuesve, bëri që dijetarët orientues të politikës kombëtare ta ndanin shapin prej sheqerit, duke treguar me gisht armiqtë e kombit, brenda e jashtë, dhe, gjithnjë, duke kërkuar rimëkëmbjen e kombit, ngritjen e vetëdijes për shtetformim shqiptar. 
Duke u nisur nga shembulli i kombit tonë, gjë që u ka ndodhur edhe kombeve të tjera, madje, disa prej tyre edhe janë shuar, nxjerrim përfundimin e mposhtjes së politikave lokale e rajonale. Ketë mund ta shohim, nëse i referohemi historisë së civilizimit. 

Rregullat e lojës i përcaktojnë përmes misionarëve 

Ritmi i lojës së misionarëve, për t’i përmbushur misionet, del në pah, për botën, në prag të Kongresit të Berlinit. Gjermania e bashkuar kishte filluar të jetë forcë ekonomike për Kontinentin e Vjetër, dhe, filloi edhe t’i tregojë dhëmbët politikë, sepse, kishte arritur t’i bashkojë rreth vetes edhe shtetet e tjera, për t’iu kundërvënë superfuqisë së kohës – Perandorisë Otomane dhe fillimit të mëkëmbjes së Carizmit Rus. 
Interesat e Berlinit dhe të Moskës, puqeshin, sepse, kishin vetëm një armik të përbashkët dhe kjo nxori në pah misionin që kishin këto, shtrirjen e ndikimit në gjithë Kontinentin e Vjetër dhe më gjerë. E përbashkëta ishte të shkatërrohej kjo perandori, prandaj, edhe filloi me luftën e Krimesë, dhe, mundohen ta përmbyllin me paqen e Shën Stefanit, por, kjo nuk do t’i konvenojë Berlinit, sepse, në areopag dolën troje që nuk shkonin në interesin e Tij. 
Shtetet të cilat nuk ishin pajtuar me paqen e Shën Stefanin, të arritur në mes Perandorisë Otomane dhe Carizmit Rus, thirrën Kongresin e Berlinit, por, në te u thirrën edhe të dyja palët që kishin arritur marrëveshjen e paqes. Oto Bizmarku, për të krijuar simpati edhe te bota sllave e ortodokse, u mundua t’i joshë me toka të pushtuara nga Perandoria Osmane dhe kjo bëri të mundur që tokat shqiptare të viheshin në areopag, për t’i plotësuar apetitet e kundërshtarëve, e, kjo gjë nuk e hidhëronte Carizmin, sepse, ata që përfitonin ishin të sorollopit të Tij. Këtu, ishin humbës të mëdhenj shqiptarët, dhe, mu për këtë shkak, Kongresi,e dërgon misionarin e vet për t’i bindur dhe qetësuar shqiptarët, që të mos i kundërshtonin ato vendime. Vetë fakti se shqiptarët e vrasin këtë misionar (Ali Pashë Maxharrin), nënkupton se nuk e kanë tumirur ndarjen dhe coptimin e trojeve të veta, dhe, kjo fuqizohet edhe më memorandumin e dërguar nga Lidhja Shqiptare e Prizrenit. Këto mesazhe, që iu dërguan Berlinit, nuk u morën asnjëherë parasysh dhe mbetën që shqiptarët të përflakeshin me Perandorinë Osmane. Për tri vjet luftë, nuk e patën ndihmesën e asnjërës palë, por, turqit, i kishin duart e lira për të vepruar kundër shqiptarëve, sepse, ata ishin tamponzonë e sllavëve, katolikëve dhe osmanlinjve, dhe, këtyre u edhën në ndihmë edhe ata që e përcaktuan këtë lojë dhe Shqipërisë (me dredhi e dhunë) i merren mbi 50.000 km2. 
Kjo ndarje që u krijua, në atë kohë pasoi me dëbimin e popullsisë, që edhe sot e asaj dite është aktuale, edhe pse pushtuesit janë ndërruar, mirëpo, mentaliteti kolonizues ende nuk është hequr, edhe pse, sot, thirren në rregullat më të larta të demokracisë. Por, në ndërdijen e krijuar nëpër breza, duke matur me peshoren e mentalitetit të mesjetës, ndërsa, me misionarë të rinj, po vazhdon avazi i vjetër me historinë, me ekonominë, e me fusha të ndryshme të jetës, që, për shqiptarët, ende vlen motoja e Maltuesit: “Të drejtë për të jetuar nuk ke, e, nëse mund të jetosh, jeto!”. Ky ishte mesazhi i dërguar për shqiptarët, që nga Kongresi i Berlinit dhe i të gjitha konferencave e kongreseve të mbajtura deri më sot. Ky ishte dhe mbetët mesazhi që “miqtë” tanë e kanë bartur, nga gjenerata në gjeneratë, për ne. Këta, nuk u ndalën asnjëherë për ta analizuar mesazhin që dërguam nga Gjakova (Ali Pashë Maxharrin), Parisi (Esat Pashë Toptanin), e Tirana (Koçi Xoxën) dhe të ndalën, të paktën, për ta analizuar misionin tonë kombëtar, por, gjithnjë, përmes misionarëve, po e zbatojnë misionin pushtues e fashist të sllavëve dhe të pansllavistëve. 
Ne, nuk u organizuam asnjëherë ta forcojmë mesazhin tonë përmes platformave kombëtare, por, sa herë që dikush ndërmerrte iniciativa për ta bërë një punë të tillë, rrethohej nga misionarët, edhe “shqiptarë”, për ta pamundësuar kryerjen e misionit. Nëpër të gjitha kohët, nëpër të gjitha formacionet politiko-shoqërore që kaloi shoqëria njerëzore, Evropa kishte një mision për ne, atë të Maltusit, që t’i kishin duart e lira pushtuesit, për ta luftuar çdo përpjekje shqiptare për bashkim dhe mëvetësi politike e shtetërore, duke rekrutuar misionarë shqipfolës, dhe, duke i lëshuar në veprim për një kothere bukë të turpshme edhe për pasardhësit e tyre. 
Edhe sot, kur po e bëjmë këtë analizë, kemi në skenë, më shumë se kurrë, misionarë të tillë, që, me letra në xhep, që ua kanë dhënë të huajt, mundohen për ta kryer misionin e përcaktuar, që po i shkakton dëme të mëdha Kombit e Atdheut. Këta, edhe e kanë humbur busullën dhe po lundrojnë në ujërat oqeanike e tejoqeanike e nuk e dinë në shkelin hapësira të ndaluara ujore, se, i vetmi ujë i ndaluar për misionarë të tillë duhet të ishte dhe duhet të jetë deti shqiptar, por, si sinjal të vetëm e kanë fanarin e “miqve” në Bruksel, se, të vetin nuk dinë ta vlerësojnë, për t’u ndalur për pakës meditim. Nga ai fanar, dërgojnë sinjale drite për orientimin e politikave të huaja drejt trojeve tona, që t’ju jepet mundësia ta vendosin gishtin në hartën tonë, se, në brendi nuk guxojnë t’i orientojnë dhe të vënë firma, duke gdhendur periferinë, dhe, sot, nuk dimë më cila është harta e vërtetë e jona. 
Pra, rregullat e lojës nuk përcaktohen për mundësi mobilizimi dhe kundërvënie logjike nga kombi i ynë, por, bëhen përmes kryerjes së misionit nga misionarët tanë, duke shpërfillur gjithçka të shenjtë, që është ngritur me gjakun e dëshmorëve të kombit, në njërën anë, dhe, mospërfilljen e promotorëve kombëtarë, të cilët nuk mirëpriten nga politikat ditore. 

(VIJON)

Back

Contact

REDAKSIA artEX
NA SHKRUANI përmes portalit tonë KOMUNIKIMI/ Feedback !

© 2010 All rights reserved.

Make a free websiteWebnode