10 MITET E RREME TË OPOZITËS PËR 30 QERSHORIN

07/07/2019 08:01

OPINION

 

 

10 MITET E RREME TË OPOZITËS PËR 30 QERSHORIN

Nga Alfred PEZA

 

Nga momenti i djegies së mandateve të deputetëve të saj, e në vijim, e gjithë propaganda e “Opozitës së Bashkuar” është ngritur mbi mitet e rreme. Kjo qasje do vazhdojë, për aq kohë sa nuk pranohet me zë të plotë, shkaku real i daljes së opozitës nga sistemi politik, institucional dhe elektoral i vendit dhe synimi që fshihet pas saj: Zhbërja e reformës në drejtësi.

Si duan që t’ia arrijnë? Nëpërmjet injektimit të krizës së tyre në sistemin e vendit, për të pamundësuar jetën normale të të gjitha pushteteve, derisa ta detyrojnë qeverinë që t’ua dorëzojë mandatin e saj legjitim, në tavolinë.

Si vërtetohet kjo? Mjafton që t’i hidhni një sy 10 pikave të shpallura si program i “Qeverisë Tranzitore” që do pasonte atë të Edi Ramës, për ta kuptuar këtë. Pothuajse gjysma e tyre, ka objektiv: Zhbërjen e Reformës në Drejtësi.

Pse? Si hakmarrje për pushtetin e humbur që Sali Berisha e Ilir Meta kanë patur deri dje mbi drejtësinë e vjetër dhe frika për pasojat që mund të kenë nga drejtësia e re, për krimet dhe korrupsionin e 30 viteve.

Përballë çdo të vërtete, fakti e prove, vendimi institucional e ligjor dhe qëndrimi zyrtar ndërkombëtar, propaganda antiqeveritare po mundohet të ofrojë mitet e rreme për të ngopur me “ushqim”, përkrahësit dhe mbështetësit e saj. Me shpresën se në këtë mënyrë, do të fshehin humbjen e tyre më 30 Qershor përkundër fitores së madhe të institucionalizmit dhe kushtetueshmërisë në këtë vend.

Në përdorimin popullor, “miti është bindje apo besim kolektiv që nuk bazohet në fakte. Përdorimi i termit zakonisht shoqërohet me legjendën, fantazinë, folklorin të dhënat konfuze, dëshirat personale dhe legjendat urbane”. Mitet e rreme të propagandës opozitare, po ambalazhohen me shkëlqimin kallp të gënjeshtrave që fshehin brenda, për t’u servirur si të vërteta absolute përballë realitetit politiko-shoqëror në Shqipëri.

1.- Propaganda opozitare: Votimet treguan se Qeveria nuk gëzon mbështetetjen e 85% të shqiptarëve. Realiteti: Në letra Shqipëria ka një popullsi prej 4.5 milionë banorësh dhe rreth 3.5 milionë votues. Nga këto, 41% e tyre janë emigrantë. Brenda Shqipërisë jetojnë vetëm 59% e zgjedhësve. Nga këto, 14% historikisht nuk kanë votuar kurrë. Mbeten votues aktivë 45% e zgjedhësve. Sipas KQZ më 30 qershor votuan 23% dhe jo 15% e votuesve siç thotë opozita. Ose e thënë ndryshe, morën pjesë mbi 50% e qytetarëve aktivë, me të drejtë vote.

2.- Propaganda opozitare: Zgjedhjet e 30 Qershorit, ishin votime moniste. Realiteti: Në zgjedhje morën pjesë 44 parti politike dhe qindra kandidatë për këshillat e kryetarë bashkish. Opozita e Bashkuar, me vullnetin e saj nuk mori pjesë në këtë proces. Në zgjedhjet moniste (Shqipëria e Enver Hoxhës), pluralizmi politik është i eleminuar me ligj e kushtetutë. Kundërshtarët arrestoheshin, burgoseshin, torturoheshin, pushkatoheshin ose internoheshin. Në zgjedhje merrnin pjesë me detyrim 100% e qytetarëve të cilët 99.99% votonin për partinë në pushtet.

3.- Propaganda opozitare: PS nuk gëzon më mbështetjen e shqiptarëve. Realiteti: Në zgjedhjet e 30 Qershorit morën pjesë mbi 812 mijë, nga të cilat mbi 700 mijë vota ishin për PS. Numër ky më i madh se ai që PS ka marë në zgjedhjet e 4 viteve më parë të 2017, kur në garë ishin edhe partitë e “Opozitës së Bashkuar” që këtë herë bojkotuan.

4.- Propaganda opozitare: Këto të 30 Qershorit, nuk ishin zgjedhje por votime. Realiteti: Procesi i votimit është vetëm një nga elementët e procesit zgjedhor. Sipas raportit paraprak të OSBE/ ODIHR në 31 raste të këtij dokumenti, thuhet shprehimisht: “Zgjedhjet e 30 Qershorit në Shqipëri”.

5.- Propaganda opozitare: OSBE/ ODIHR e konsideron “NUL” 30 Qershorin ndaj ai nuk konsiderohet se është zhvilluar. Realiteti: Nëse ky mit i rremë do të ishte i vërtetë, atëherë misioni i OSBE/ ODIHR nuk do të kishte ardhur fare në Shqipëri dhe nuk do të kishte as vëzhguesit e saj në 30 Qershor, e për rrjedhojë as raport paraprak dhe as raport zyrtar që u deklarua se do të publikohet 2 muaj më pas.

6.- Propaganda opozitare: Kryetarët e bashkive në detyrë, që i përkasin opozitës, nuk do të lirojnë zyrat sepse nuk e njohin 30 Qershorin. Realiteti: Brenda 10 gushtit do realizohet procesi i kostituimit të këshillave dhe i marrjes së detyrës nga kryetarët e rinj të bashkive të zgjedhur më 30 Qershor. Aq sa ia dolën që të mos lejonin zhvillimin e zgjedhjeve në territoret e bashkive të tyre, aq do ia dalin që të pengojnë fillimin e punës së të zgjedhurve të rinj.

7.- Propaganda opozitare: Zgjedhjet lokale do të zhvillohen më 13 tetor sipas dekretit të ri të Presidentit Meta. Realiteti: Për aq kohë sa OSBE/ ODIHR, SHBA, BE dhe KE njohën dhe përshëndetën zhvillimin e qetë të zgjedhjeve të 30 Qershorit, nuk mund të ketë më zgjedhje të reja. Ato nuk mund të zhvillohen pa OSBE/ ODIHR, KQZ, KZAZ dhe Kolegjin Zgjedhor që u përfshinë në zgjedhjet e së dielës që sapo kaloi.

8.- Propaganda opozitare: Duke mos marë pjesë në zgjedhjet e 30 Qershorit, opozita i shpëtoi planit djallëzor të Edi Ramës për ta përçarë atë! Realiteti: Deri më sot e dinim se në zgjedhje partitë politike futeshin për të mundur kundërshtarin me votë, nëpërmjet programeve dhe alternativave. Opozita jonë paska shpikur mosfutjen në zgjedhje, si një mundësi për të fituar mbi frikën e vet, për të mos u përçarë!

9.- Propaganda opozitare: Korrëm “fitore historike” më 30 Qershor. Realiteti: Edhe nuk u futën fare në zgjedhje, edhe paskan fituar? Është njësoj sikur një atlet ta shpallë veten publikisht si fituesi i një gare, ku nuk mori pjesë! Kjo është gjëja më qesharake që mund të jetë dëgjuar ndonjëherë, në historinë e politikës. Duke i festuar humbjet si fitore, opozita jonë po shkon nga humbja në humbje.

10.- Propaganda opozitare: Pas 30 Qershorit, opozita është më e fortë. Realiteti: Partitë politike janë bashkime vullnetare njerëzish rreth një programi dhe një ekipi drejtues, për të ardhur në pushtet nëpërmjet zgjedhjeve, në mënyrë që të realizojnë në praktikë, platformat dhe idetë e tyre qeverisëse. Opozita jonë pas 30 Qershorit, nuk ka asnjë kryeplak fshati, asnjë kryetar Njësish Administrative, asnjë këshilltar bashkiak, asnjë kryetar Bashkie, asnjë deputet në Parlament, asnjë drejtues në pushtetin qëndror e lokal dhe është akoma më e fortë se dje kur i kishte të gjitha këto? Bravo. Bravooo…!

Kaq mjafton për të kuptuar se e gjithë propaganda e “Opozitës së Bashkuar”, është një shoshë e madhe, për të mbuluar diellin e dështimit të tyre më të madh në historinë e 30 viteve të pluralizmit në Shqipëri.

TemA

 

Back

Contact

REDAKSIA artEX
NA SHKRUANI përmes portalit tonë KOMUNIKIMI/ Feedback !

© 2010 All rights reserved.

Make a free websiteWebnode