A PO SILLET BERISHA, SI I KËRCËNUAR!

01/05/2016 16:01

OPINION

 

A PO SILLET BERISHA, SI I KËRCËNUAR!

Nga Mero BAZE

 

Sali Berisha e ka një problem me komunikimin publik. Si shumë prej liderëve që duan të duken autoritarë, ai nuk e tregon kurrë hallin e vet, por është gati të djegë Shqipërinë, derisa ti ta marrësh vesh.

Retorika e dhunës që Berisha ka mbi një javë që tenton ta mbajë gjallë edhe jashtë politikës zyrtare të PD, duket se ka të bëjë mes të tjerash me një hall personal të tij. Dhe nëse hyjmë e shikojmë se cilat janë hallet personale të Berishës, të gjitha përmblidhen, ose tek fati i tij personal me drejtësinë, ose nëse dikush i ka kërcënuar njerëz të afërt të tij, për shkak të pazareve të tij ende të pambyllura që nga koha që ka qenë në pushtet.

E para, ka shumë gjasa të jetë një nga makthet e tij, që shkon deri tek refuzimi i tij për reformën në drejtësi. Në takimin e tij të fundit me ambasadorin Lu, duket se ai ka dhënë shenja të qarta refuzimi për ta votuar, pasi qysh prej asaj dite, as ambasadori Lu nuk po përsërit më gatishmërinë e palëve për të votuar reformën. Frika se nëse sistemi i drejtësisë del nga kontrolli i tij, çështjet do të rihapen dhe ai mund të ketë një fund të keq politik dhe ligjor, janë natyrisht makthi i tij. Së paku dy vrasje masive, ajo e Gërdecit dhe ajo e 21 janarit, janë makthe të mjaftueshme për një politikan, kur mendon që ka përdorur pushtetin për të mos u gjykuar dhe për të mos i lënë familjarët e viktimave të ngushëllohen tek drejtësia, por tek hakmarrja.

I trembur dhe nga ndonjë tradhti e mundshme e brendshme në PD, në rast se atij i dobësohen pozitat, Berisha është më i qartë se kushdo tjetër, se reforma nuk duhet votuar dhe pushteti politik dhe personal që ka mbi drejtësinë, nuk duhet lëshuar.

Gjestet e fundit të Gjykatës së Lartë dhe Prokurorisë për 21 Janarin dhe Gërdecin, tregojnë se ai po i motivion edhe ata, të jenë të qartë për këtë aleancë.

Pra, është e besueshme përse Berisha ndjehet i kërcënuar nga reforma dhe kërkon të ndajë veten nga PD formalisht në këtë proces, duke tentuar të rrisë tensionin me retorikën e luftës.

Por, nuk është çudi të jemi dhe para një piste të dytë, asaj të kërcënimit të dikujt të afërt në familje të tij, nga historitë e tij të kohës së pushtetit, që mund të jenë ende të hapura. Gjuha që Berisha përdori në Kuvend, pasi kishte denoncuar Shullazin, hakërrimi ndaj Edi Ramës duke i përmendur hakmarrjen mbi të birin, “në raste se…” dhe ekstremizimi i tij dy ditë më parë duke përmendur si histori lavdie 14 Shtatorin e 98-s, janë detaje ku mund të lexohet një traumë e re e tij, e cila mund të ketë të bëjë dhe me kërcënime të familjarëve të tij.

Kjo e dyta duket e vërtetë dhe nga fakti se ai përmendi 14 Shtatorin, i cili nënkupton më parë një 12 Shtator, pra një vrasje të lidhur fort me të.

E lexuar si një makth i tij, shpërthimi i tij në ABC News është shumë më dramatik se ai i parlamentit, ku dhe u detyrua të korrigjojë deklaratën. Kjo e fundit duket më e qartë , më e vetëdijshme si deklaratë dhe më hall, se sa shpërthimi në Kuvend. Ai po mendon seriozisht se ky vend ka nevojë për një rrëmbim armësh për t’ia nis nga e para, duke larë hesapet e vjetra dhe të reja. Dhe duket se mbi të gjitha e ka hall personal.

Nëse ka frikë nga krimet e veta, gjysma e së keqes, pasi dënimi i tij thjeshtë vë në vend drejtësinë. Banale do të ishte, nëse do ta pësojë dikush tjetër në emër të tij, ashtu sikundër ai duket që është frikësuar.

Pasi në retorikën e tij të fundit për dhunë dhe armë, më shumë se kërcënues, ai ngjan i kërcënuar!

TEMA

Back

Contact

REDAKSIA artEX
NA SHKRUANI përmes portalit tonë KOMUNIKIMI/ Feedback !

© 2010 All rights reserved.

Make a free websiteWebnode