A MUND TË SHEMBET PIRAMIDA E KORRUPSIONIT NË SHQIPËRI?
22/10/2022 20:06
OPINION
A MUND TË SHEMBET PIRAMIDA E KORRUPSIONIT NË SHQIPËRI?

Nga Gjon BRUÇI
Tashmë “piramida” e korrupsionit në vendin tonë, për nga madhësia, e konkuron edhe piramidën e famshme të Keopsit. Kur them: “për nga madhësia”, kam parasysh jo anën fizike, por atë të përmbajtjes së saj. Për koinçidencë, të dy këto piramida u ndërtuan në harkun e 30 viteve. E para u ndërtua nga 100 mijë skllevër, ndërsa e dyta nga një tufë politikanësh e pushtetarësh të sojit ‘lumpen’, një kryqëzim i mbeturinave të së kaluarës, me aliazhet e kohëve moderne.
Në piramidën e Keopsit, ndërtuar këtu e tre mijë vjet para Erës së Re, u vendosën eshtrat e Faraonit me të njëjtin emër, ndërsa në këtë piramidën tonë të shekullit 21, u vendos kapitalizmi shqiptar, i cili, duke qenë kopil dhe bastard, nuk po arrin të formësohet as si sivëllezërit e tij të Evropës e më tej.
Ambasadorja e SHBA, zonjë Yuri Kim, në përshëndetjen më rastin e 30 vjetorit të Gjykatës Kushtetuese, duke folur për korrupsionin, ju drejtua gjykatësve, politikanëve dhe pushtetarëve në sallë, përfshi dhe KM Rama, me këto fjalë: “Unë ju them ndaloni. Keni mbushur xhepat tuaj dhe të fëmijëve tuaj. Ndaloni! Qytetarët shqiptarë duhet të bësojnë se ekziston drejtësia në Shqipëri, se ka një të ardhme më të ndritur”.
Konstatimi dhe alarmi i ambasadores është real. Por fatkeqësisht tepër i vonuar. Gjashtë vjet e kusur kaluan nga dita kur u miratua reforma e famshme e drejtësisë, promovimi pa sukses i së cilës vijon edhe sot. Antireforma e kësaj reforme, tashmë ka marrë superxhiro, sa nuk ka paralajmërim, qoftë edhe ndërkombëtar, që ta ndalojë.
Nuk ka asnjë shans, që SPAK-u dhe organet e tij, si Gjykata Speciale, Byroja Kombëtare e Hetimit, etj. të shembi piramidën shqiptare të korrupsionit. Nyja “lidhëse” e saj është ku e ku më e fortë se nyja gordiane. Punonjësit e kësaj strukture të posaçme, nuk po arrijnë të barazojnë rrogat e tyre të majme me rezultatet që priten kur bëhet fjalë për arkitektët politikë të piramidës.
Po jap disa nga arsyet, të cilat nuk po i citoj për herë të parë:
Së pari: Korpusi i ligjeve dhe akteve nënligjore, të hartuar, plotësuar, arnuar, e frustuar disa herë, janë ngatërruar në shkallë të lartë, sa nuk ka organ apo individ nga soji i gjyqtarëve t’i shkokolepsë. Rrjeta e “drejtësisë” është e dobët, mundet të mbajë cironkat, por jo “krapët e mëdhenj”.
Së dyti: “Arkitektët” e ndërtimit të piramidës së korrupsionit janë nga dy krahët e politikës dhe për pasojë, çdo “tullë” që mund t’i hiqet piramidës, zëvendesohet menjëherë me konsensus nga arkitektët.
Së treti: Asnjë prokuror, hetues, apo gjykatës, nuk besoj se do të pranojë vullnetarisht rolin e Falkones së komshiut të përtej detit. Piramida e korrupsionit ruhet natë e ditë nga segmente të shtetit të shpërndara e të lidhura në gjithë lartësinë e gjërësinë e saj. Në këto kushte, asnjë pagë e majme, asnjë miradinë e ofruar, asnjë fjalë moralo-mobilizuese, nuk mund ta qetësojë e ta sigurojë jetën fizike të hetuesit, prokurorit, apo gjykatësit e të familjeve të tyre. Ky rrezik, nuk është hipotetik por real dhe i pranishëm.
Aq më shumë kjo, kur “krapi i madh” gjendet në shkallët e larta të politikës e të pushtetit. Ata që vrasin me pagesë, tashmë kanë dalë në skenë, dhe pushtetari i korruptuar, është pagatori më i madh i tyre, e më i angazhuari në këtë “biznes modern” të sistemit që aplikojmë.
Po, a ka ndonjë mënyrë për ta shembur, apo thënë më butë, për ta çmontuar “piramidën” në fjalë?!
Shembja, apo çmontimi i një piramide, i ngjan shembjes, apo çmontimit të një ndërtese. Kur kemi patur raste të ndërtimeve pa leje, është përdorur ose fadroma ose eksplozivi. Në këtë rast, materialet inerte të mbetura janë hedhur poshtë si të papërdorshme më tej. Kur është dashur të ruajmë një pjesë të materialeve të ndërtimit të ndërtesës, çmontimi i saj fillon nga çatia, dhe jo nga themelet, duke përzgjedhur materialet që do të ruhen, e duke hedhur ato jashtë përdorimit.
Rasti me fadromë apo me eksploziv në kushtet konkrete të piramidës (ndërtesës) së korrupsionit tonë, nuk mund të përdoret. Se më këtë mënyrë do të binte e githë “ndërtesa e demokracisë”, çka do të diskreditonte autorët e reklamimit të shtetit demokratik borgjez, si alternativa e vetme e administrimit të shoqërisë.
Por edhe kjo e dyta, ajo e çmontimit nga “çatia”, nuk është e lehtë. Pllakat, apo tjegullat e çatisë sonë, të cilat përbëjnë dhe “nyjen gordiane” të piramidës në fjalë, janë pikërisht nga “materiali” që na kanë rekomanduar ndërkombëtarët. Heqja e këtyre “pllakave”, “podilleve” apo “tjegullave” në mënyrë të dhunshme, mund të sjellë të njëjtën pasojë me metodën e eksplozivit.
Ndaj është zgjedhur varianti i stërnjohur, “mishi të piqet dhe helli të mos digjet”. Dhe kjo metodë, me sa duket do të vijojë.
Nëse do të kisha mundësi të bisedoja shtruar me ambasadoren Yuri Kim, do t’i rikujtoja historinë e “Nyjes gorgiane” dhe të Aleksandrit të madh të Maqedonisë. Nyja në fjalë, ngjizur me lëkurë frashëri, ishte e pazgjidhshme. Por Aleksandri, atë që nuk kishin mundur ta bënin dhjetra e qindra udhëtarë, e bëri me një goditje shpate, duke e prerë nyjen. Nuk mund të gjendet vallë një “shpatar”, qoftë edhe nga gjyqtarët specialë ndërkombëtarë, të bëjë një goditje mbi nyjen tonë korrupsioniste?
Mjafton të presë Berishën dhe dy-tre “nyça” të kësaj nyje dhe nyja bie përtokë. E bashkë me të e gjithë “piramida”. Hetimet dhe provat për këta persona, janë në shesh dhe shihen nga të gjithë. Rënia e këtyre “nyçeve” do të inkurajonte edhe gjyqtarin më amator të mprehë shpatën e drejtësisë, e jo më kollosët e SPAK-ut.
Sigurisht, kjo do të ishte një zgjidhje e pjesshme, e cila do të na qetësonte në një farë mase, dhe do të na pakësonte disi urrejtjen që na ka mbërthyer për padrejtësinë dhe pandëshkueshmërinë fatale të këtyre tri dekadave që kaluam. Them pjesërisht, sepse zgjidhje të plotë, apo drejtësi të plotë, nuk do të ketë në sistemin aktual që përjetojmë. Këtë konkluzion pesimist e kam qysh se kam dëgjuar një dialog të priftit të fshatit me fshatarët:
“Uratë, – pyetën fshatarët, – përse ka disa kohë që nuk po bien këmborët e kishës?!
“Për katër arsye kryesore, – u përgjigj prifti. – Së pari, nuk ka këmborë. . . së dyti . . .
Fshatarët e ndërprenë e i thanë, “Mjafton arsyeja e parë uratë, mos u lodh më tej!
“Këmbora” e drejtësisë nuk mund të tingëllojë rregullisht dhe me gjithë diapazonin e duhur në një sistem i cili është ngritur mbi themelet e krimit e të korrupsionit, dhe për pasojë nuk mund të prodhojë drejtësi të drejtë e të barabartë për të gjithë.
Ligjet e këtij sistemi, pavarësisht nga reformat apo “refirmat” e mundshme, janë hartuar e hartohen në interes të klasës borgjeze në fuqi, e jo në interes të popullit. Aq më pak kjo në një sistem hibrid, si ky që është ngritur në vendin tonë, ku frenat e politikës e të shtetit i kanë krerët e krimit të organizuar e të korrupsionit.
DITA