A E RREZIKON SHEFI I QEVERISË SIGURINË KOMBËTARE?
20/05/2016 09:41
OPINION
A E RREZIKON SHEFI I QEVERISË SIGURINË KOMBËTARE?
Nga Bedri ISLAMI
Ajo që ndodhi një ditë më parë në Komisionin parlamentar të Sigurisë Kombëtare, në të cilin shefi i shërbimit informativ shqiptar, Visho Ajazi pranoi se ai ishte njeriu që, pasi kishte mësuar dy muaj më parë se një pajisje përgjimi kishte hyrë në Shqipëri, kishte informuar vetë Prokurorin e Përgjithshëm, Llalla, dhe më pas, pas interesimit të tij, kishte informuar edhe Presidentin Nishani, por nuk e kishte parë të arsyeshme të informonte edhe shefin e qeverisë, Rama, nuk është diçka e papritur dhe as e çuditshme. Shqiptari, familja e të cilit ka ardhur nga Mali i Zi disa dekada më parë, dhe në shtëpinë e të cilit flitej më shumë një version dialektor i serbishtes, se sa gjuha shqipe, emri i të cilit, Visho, është po ashtu gjysmë shqiptar, nga ata që në Shkodër i quajnë “podgoriçanë”, pra shqiptarë të ardhur për shkaqe të ndryshme nga rrethinat e Podgoricës, nuk mund të vepronte ndryshe. Gjithçka është e lidhur me qershorin e vitit 2013, humbjen plebishitare të shqupasve në votimet e përgjithshme, thirrjen e presidentit Nishani për ti rezistuar qeverisë së re, si të ishte fjala për një kërcënim kombëtar dhe, së fundi, jo më kot njeriun Numër 2 të vitit 1997 e kishin thirrur nga Kanadaja për ta bërë shefin e shërbimit informativ shqiptar.
Dy muaj më parë, sipas informacionit “Ajazi”, informacion të cilin ai e ka përcjellë jo vetëm tek Llalla dhe Nishani, por edhe në ndonjë zyrë paralele, paska hyrë në Shqipëri një maqinë përgjimi, nuk ka rëndësi e cilës markë është ajo, dhe kjo, përsëri sipas tij, përbën një rrezik për sigurinë kombëtare. Le të jetë kështu dhe le të jetë se ky ishte një informacion i pakonkretizuar, për të cilin, megjithëse rrezikohet siguria kombëtare, ai paska bërë vetëm një informacion gojor tek zyra e prokurorit të Përgjithshëm. Këtë informacion jo konkret ai e ka deleguar edhe më tej, tek Nishani, si njerëz të një rreshtimi politik, e pastaj, nuk është ndonjë enigmë e madhe të dish se si ka përfunduar deri tek Berisha, i cili, megjithëse kishte pasur njohuri ndoshta para Nishanit, priti mbylljen e rrethimit për një dreq reforme në drejtësi dhe, pasi dha edhe numrin e atyre që ishin përgjuar, 375, as më pak e as më shumë, bëri edhe një listë të të përgjuarve. Shefi i shërbimit informativ nuk e përmendi këtë listë, e cila në vete është edhe më emergjente, nëse është e vërtetë, pasi aparatura qenka vënë në përdorim, ajo paska shehuar një listë dhe paska krijuar një front.
Një informacion jo konkret, Visho Ajazi e paska parë të arsyeshme ta dërgojë tek zyrat presidenciale, dhe këtë e ka për detyrë, ndërsa një informacion të afishuar qartë nga ish shefi i tij i dikurshëm e edhe sot, për një listë të të përgjuarve, ai nuk e ka parë si domosdoshmëri të një përcjellje informatash më të hollësishme se sa ajo që i paska thënë, vesh më vesh, kryeprokurorit të republikës, zotit Llalla.
Që shteti ynë i ka punët kështu në strukturat e drejtësisë dhe të sigurisë kombëtare, mjafton të dish edhe kaq. Shefi i shërbimit informativ ka një informacion të rëndësishëm: Hyrjen e një aparature përgjimi; ai nuk e di se kush e ka këtë pajisje, që mund të jetë e fuqishme, ai nuk e di nëse kjo është regjistruar apo jo, ai nuk e di se ku ndodhet dhe në se po përgjohen njerëz. Ai di tre gjëra: është në rrezik siguria kombëtare, për këtë duhen informuar njerëzit e llogores së tij, Nishani e Llalla, dhe e treta, nuk duhet informuar shefi i qeverisë, megjithëse është detyrë e tij për ta bërë këtë.
Nuk do të ndalem tek e treta, mos informimi i shefit të qeverisë për një fakt që ai e endon se rrezikon sigurinë kombëtare.
Shefi i qeverisë, nëse ju kujtohet, e ka dekoruar pak muaj më parë, pikërisht shefin e shërbimit sekret shqiptar, ndoshta duke menduar se mund të fillojnë së bashku një muaj mjalti. Ndoshta do e dekorojë edhe një herë, kjo është punë e tij, por, përderisa e bën këtë, edhe mirë ia bëjnë që e mbajnë në një terr informativ, të cilin ia heq ish-shefi paraardhës i selisë qeveritare.
Visho Ajazi e ndjen detyrimin të mbajë në kontakt për gjithçka Berishën e rrethin e tij, e ndjen detyrimin të fshehë informacionet e ardhura, qoftë në rrugë zyrtare, qoftë private, por që nuk janë tabu për shefin e qeverisë, ashtu si e ndjen përegjësinë për të mbështetur shpatullat në ish shefin e tij politik.
Nëse kjo do të kishte ndodhur në një kohë tjetër, kur shefi i qeverisë ishte Berisha dhe shefi i Shërbimit Informativ Kombëtar, Bahri Shaqiri, askush nuk mund ta kishte menduar se çfarë furtune do të ishte ngritur në majat e piramidës shtetërore. Zoti Shaqiri, ndoshta njeriu më i aftë në detyrën e tij, sigurisht më i pabujshmi, edhe pse ishte aq dinjitoz, u përlye si puçist në një përpjekje për të mbyllur katër vrasjet qeveritare. Ai ishte kurbani i parë i qeverisë Berisha, pikërisht sepse duhej të ishin aty duart, veshët e goja e tij. Dhe gjeti Visho Ajazin, dhe si zakonisht, gjithnjë njerëz që e kanë një gjysëm këmbë diku larg Shqipërisë, gjithnjë drejt veriut.
Skandali i sotëm nuk është në se në Shqipëri ka një aparaturë përgjimi më shumë a më pak. Kushdo e di se tani përgjimi është lehtësisht i mundshëm. Kur e bëri një vajzë 20 vjeçare me stilolaps, atë mund ta bëjë shumë kush tjetër. Edhe më tej se kaq: e gjitha kjo mund të jetë stuhia në një gotë uji e Berishës, që bëri shpalljen e parë publike dhe kështu ka gjasat më të mëdha të jetë. Fakti që informacioni është marrë prej më shumë se dy muajve (ka “analistë” që të thonë edhe datat dhe makinat që i kanë sjellë), fakti që për këtë pa pasur dijeni shefi i shërbimit sekret dhe shefi i prokurorisë, e megjithatë i gjithë hetimi ka vetëm pesë a gjashtë ditë që ka nisur, dëshmon se më shumë se një përvojë e hidhur qeveritare, është një lojë politike berishiste, e cila, si edhe më parë, duke u nisur nga fillesa të fakteve ndërton piramidën e mashtrimit.
Edi Rama, shefi i qeverisë, ka të drejtën që edhe një herë të dekorojë apo të nderojë Visho Ajazin, është e drejta e tij. Ndërkohë Visho Ajazi e konsideron atë, Edi Ramën, si një armik të vendit të tij, i cili nuk duhet të dijë çështje që rrezikojnë sigurinë kombëtare, sepse mund t’i dekonspirojë.
Deri këtu ka vajtur puna.
DITA