A E DO VËRTET EDI RAMA LARGIMIN E ILIR METËS NGA PRESIDENCA?
22/03/2019 18:49
OPINION
A E DO VËRTET EDI RAMA LARGIMIN E ILIR METËS NGA PRESIDENCA?

Nga Bedri ISLAMI
Në dy ditët e fundit, si nuk ishte krejt e papritur, klima politike u nxeh shumë më tepër nga sa pritej. Në lojën e madhe të shahut politik, si e cilëson kryeministri Rama, apo, në mes të “me qetësi e dashuri”, si e dëshiron Meta, hyri deklarata e këtij të fundit, që, ndërsa spërkati paksa opozitën që ka braktisur parlamentin, ndezi një zjarr tjetër në trekëndëshin “qeveri – opozitë-parlament”, duke marrë mbi vete një pjesë të madhe të rolit të opozitës.
Në fakt, ai është në mënyrën e tij të të menduarit dhe të të bërit politikë: jo me dorashka që t’i nxjerrin të tjerët, si bën Basha, jo me egërsi të pashoqe dhe çjerrje, si bën Berisha, jo me çizme dhe kërcënime, si bën Monika dhe, në fund, jo me shkelje syri, duke të kthyer shpinën, si bën Rama. Ilir Meta hyn në politikë me gjithë çka me vete, duke e menduar se kjo është dita e fundit e duke synuar ditën e parë. Nëse do të hynte ndryshe, ai do të ishte u pabesueshëm dhe i njëjtë si të tjerët, çka, as nuk e dëshiron dhe as nuk mundet ta bëjë.
Njeriu që, në ndërrimet kushtetuese të vitit 2008, humbi qetësinë e dashurinë e tij, duke hipur mbi karriget ministrore për të kapur për fyti kryetaren e kuvendit, Topalli, nuk ka ndërruar asgjë nga mënyra e tij e të bërit politikë dhe, nëse dy ditë më parë, do të bënte lojë cikërrimash, ai do të ishte një i harruar tjetër, si paraardhësi i tij skutash.
Ishte e natyrshme që deklarata e tij për të ia futur vetes si Alende nuk ishte e rastit, por saktësisht e llogaritur, megjithëse as që i ka shkuar ndër mend dhe as nuk do i shkojë ndonjëherë në mendje të bëjë një akt të tillë.
Ishte mesazhi i tij i drejtpërdrejtë për Departamentin e Shtetit Amerikan dhe strukturat të tjera të inteligjencies amerikane, të cilat, duke dashur të injorojnë lëvizjen politike të opozitës, sipas mendimit të tij, do të sjellin në Shqipëri regjimin e një junte ushtarake, megjithëse njerëzit mund të jenë civilë dhe vetëm njëri mund të jetë ushtarak, njeriu që nuk e dekretoi deri në momentin e fundit, ministri tashëm i Punëve të Brendshme, Lleshaj.
Ilir Meta hyri në betejë dhe troshiti shumë gjëra, mes të tjerave edhe botën e tij të ngushtë politike, duke i ardhur rrotull botës së tij të dikurshme, socialistëve, për të cilët mesazhi ishte i qartë, i drejtpërdrejtë, dhe, me të cilët, ai është tashmë në polin e kundërt.
Socialistët kanë heshtur. I është dhënë urdhër i tillë heshtje, apo përpiqen të lënë mënjanë deklaratën e Metës, kjo është tjetër gjë, por asnjërit prej tyre dhe të gjithëve bashkë, nuk u intereson dhe as nuk do të marrin mundimin të largojnë Metën nga posti i tij i tashëm, si President i republikës, ku e kanë vënë vetë, pikërisht në momentet kur ishin duke u ndarë dhe po nxirrnin armët.
Institucione të rëndësishme ndërkombëtare, të cilat nga afër monitorojnë gjendjen në Shqipëri, edhe të sotmen, krahas vëzhgimit për një depërtim rus ende jo shumë të ndjeshëm,por në rritje, në Shqipëri dhe një ndikim jo përherë e më të rritur të lobit serb në këtë vend, po ashtu, nuk u shfaqën haptas në deklarimet e tyre ndaj prononcimit presidencial, pasi, më mirë se shumë të tjerë, e dinë se loja që bëhet e ashpër, shkon drejt një zgjidhje dhe se, në mos sot, jo shumë larg, mund të jemi para një zgjidhje të dyfishtë:Pazar i përsëritur i muajit maj dhe largimi nga loja e politikës e disa figurave që nuk duhen qasur më.
Ata e dinë, po ashtu, se, askush nga socialistët nuk e kërkon largimin e zotit Meta. Ata, mund të jenë penduar që e kanë zgjedhur, por edhe këtë nuk e kanë bërë pa vetëdije dhe rastësisht.
Janë disa shkqe përse shumicës qeverisëse i intereson prania e metës në presidencë.
Së pari, shumica e sotme ka përballë vetes një opozitë që po shkërmoqet marramendshëm shpejt, e cila, edhe pas daljes nga parlamenti, duke dorëzuar mandatet, ende nuk ka shfaqur vizionin e saj dhe njerëzit që mund të bartin këtë mision.
Tre figurat kryesore janë thellësisht të pabesueshme: Basha, Berisha e Kryemadhi. Asnjëri prej tyre në veçanti dhe të tre sëbashku nuk bartin aq mbështetës sa ka tani për tani, qoftë edhe për inat të tyre, lideri i socialistëve.
Ata, duke braktisur parlamentin dhe duke shfaqur agresivitetin në vendin e mendimit, strehuan ramën edhe një herë tek militantët e zemëruar socialistë, duke i bërë atij një pallto të ngrohtë për gabimet e fajet që mund të kishte dhe që ka në qeverisjen e vendit.
Të të luftojë Vasili, Paloka, Ndoka, Mejdiu, Dule, Shehi, Idrizi në fakt është të të bëjnë nder. Të të vërsulen disa çupëlina apo djemkat e baballarëve duhet të ndjehesh i përkëdhelur nga elektorati yt. Të të kërcënojë me tërheqje zvarrë dhe mbytje në Lanë një figurë e lidhur me vrasjet si Berisha, do të thotë të të grumbullohen rreth teje një duzinë shumë mijshme militantësh.
Meta e di se me këtë kategori të njerëzve të politikës opozitare që fryhen si gjelat në mëngjes dhe ulin pendët në darkë, Rama nuk bie nga pushteti.
Socialistët e dinë, po ashtu se, me këtë batalion opozitarësh para vetes as nuk humb pushteti i tyre, megjithëse i shndërruar në një oligarki autokratike dhe as nuk rrezikojnë vendet e punës.
Kthimi i Metës në politikë ndryshon shumë nga rregullat e lojës. Prandaj ai duhet të rrijë aty dhe të jetë rojtar i Kushtetutës, megjithëse nuk ka asnjë çelës në dorë. Ai është gardian, por burg nuk ka.
Së dyti, njëra nga përballjet opozitare të shumicës së tashme është Lëvizja Socialiste për Integrim, e cila, gjysmën e këmbës e kishte djathtas dhe gjysën tjetër majtas. Tani është djathtas, por lëvizshmëria e saj nuk mund të jetë e papritur.
LSI po e ndjen më shumë largimin nga parlamenti, gjë që nuk e donte, sepse “mandatet i kishin marrë me gjak”, por që u detyrua të shkonte pas “ vëllait” të madh, PD-së, që nesër mund të jetë përsëri shemra e saj.
Kalimi i Metës rishtas në drejtimin e LSI-së mund të jetë gjëja që nuk e dëshiron sot SHUMICA QEVERISËSE.
Ata e dërguan në Presidencë që të mos jetë zyrtarisht në LSI.
Së treti, shumica akuzohet sot se ka në duar gjithë pushtetet dhe kjo është një dukuri që nuk ka nevojë për dëshmues.
Nëse institucioni i presidentit ka ndërrimin e tij, atëherë, askush më nuk do të ketë iluzionet e tashme, se ka edhe institucione që nuk janë të shumicës.
Nëse opozita u largua me vetdëshirë, duke bërë harakiri, largimi i Metës nga qeveria Rama do të sjellë përmbysjen e rendit të gjërave.
Meta në Presidencë është më i “mirë” për shumicën dhe Edi Ramën se sa Meta jashtë Presidencës.
Së katërti : Meta dhe Berisha janë tashmë njerëzit e shenjuar nga një pjesë e rëndësishme e Bashkësisë Ndërkombëtare si dy liderë që janë ngritur për të hedhur poshtë reformën në Drejtësi.
Ky mendim është përforcuar dhe nuk është i pasaktë.
E shkuara e përbashkët i bën të ndjehen edhe objekt i përbashkët.
Një president që është nën këtë shenjë është i pabesuar deri në fund për institucionet ndërkombëtare dhe si i tillë edhe lehtësisht më i mundur nga qeveria.
Edi Rama synon ta ruajë këtë gjendje, sepse sado të forta të jenë deklarimet presidenciale, ata humbin rrugës nga shenja e vënë mbi të dhe mbi mendimin e tij politik.
Së pesti : Socialistët nuk ia kanë ngenë të gjedhin tani një president të ri, sepse kanë mjaft hallet e veta.
Kalimi i tyre në një proçes tjetër zgjedhor, pavarësisht se mund t’i kenë numrat, është në dobi të opozitës, pasi si rënia e Metës përmes kartonëve, si zgjedhja e dikujt tjetër, qoftë edhe e zonjës Topalli, një dobësi politike e zotit Rama, do të rrisë reagimin ndërkombëtar, por edhe reagimin brenda forcës politike që drejton vetë Rama.
Meta mund të vetlargohet, por socialistët nuk e largojnë atë, nëse nuk duan të bëjnë harakiri.
Dhe askush deri më tani nuk ka bërë harakiri kur është në pushtet dhe i shijon frytet e këtij pushteti.
DITA